HARRESA E PATRAZUAR E SË SHKUARËS (II)

2. Elita që trashëguam sipas Liri Lubonjës

Thoja në pjesën e parë të këtij shkrimi se thelbi i specifikës së socializmit tonë mund të kërkohet tek natyra e elitës që patëm e na mbeti, më shumë se në kushtet ekonomiko-sociale apo në thelbin e ideologjisë komuniste në përgjithësi. Por çfarë dimë për atë elitë përtej përshkrimeve “objektive” të fakteve, ngjarjeve, ngritjeve e përmbysjeve, dhe reprezaljeve që ka pësuar elita gjatë luftës e socializmit? Fare pak. Besimi në një ndërveprim më të thellë e më të sinqertë të individit me mesazhin artistik, një hapje e natyrshme pa kushte e tij ndaj këtij mesazhi, bënte që në pjesën e parë të ngulja këmbë se i vetmi katharsis real dhe i thellë shoqëror ndodh nëpërmjet veprës letrare e artistike dhe jo nëpërmjet diskutimit propagandistik apo kundërideologjive të djathta apo revizionuese të majta.

Liri Lubonja në librin e vet “Kohë të reja-kujtime të vjetra” (Barleti, 2015) na merr në një rrugëtim të personalizuar prej kujtimeve të saj pikërisht drejt asaj elite të pas-Luftës, tashmë të vdekur ose në vitet e fundit të jetës, duke nisur me kujtimet e Luftës. I rriten vlerat dokumentare historisë që na kallëzon L. Lubonja, sepse teksti dëshmon një memorie për njerëz, objekte, ngjarje, ngjyra, të thashë e më the, detaje mbi tetë prej shokëve të aktivit me të cilët u takua tek Rruga e Kavajës në krah të Kishës Françeskane para 72 vjetësh, dhe turli detajesh të tjera të jashtëzakonshme, që është krejt e vështirë për t’u gjetur sot. Me emra e tipare, vese e virtyte, me degë studimesh e nivele inteligjence, me lidhje farefisnore e të ndodhura e të pandodhura disa-brezash, me çfarë vishnin e si flisnin, me kë dashuronin e kë injoronin, pse vendosën të hidheshin me Lëvizjen a ta braktisnin atë, me vijimësi historike disa dekadëshe që ajo vetë si  të jetonte jetë paralele që i lejonin disafishimin e ditënetëve të punës, i ka ndjekur e qëmtuar në mënyrë gati obsesive,  Lubonja na sjell një galeri qindra personazhesh[1].

Liri Lubonja © Jutta Benzenberg http://juttabenzenberg.com/category/image/phoenix/

Gra që zbritën nga lufta si Liria vazhdojnë t’i jetojnë të 80-at e të 90-at (apo i kanë jetuar ato, se të shumtat kanë vdekur) si të ishin 40 vjeçare. Kam njohur disa syresh, dhe pak prej tyre edhe nga afër. Lexojnë gjithçka që u bie në dorë, njohin 3-4 gjuhë, ecin çdo ditë me orë të tëra, organizohen në shoqëri, farefis e lagje, ndihmojnë familjet si munden, u shkruajnë letra të gjata miqve e farefisit dhe mbajnë marrëdhënie aktive me mbesa e nipër, diskutojnë për politikën, kanë humor dhe ia dalin të jenë tërheqëse edhe mes brezash më të rinj. Pastaj një ditë të bukur vendosin të bien në shtrat, dhe vetëlihen të vdesin.

I admiroj për kurajën, energjinë, paepjen. Admiroj sidomos gratë partizane, shumë më fort se burrat partizanë. Ka shumë histori për partizanët meshkuj, ata që dolën për liri, ata që dolën për komunizëm, ata që dolën se qenë vrasës pa skrupull, ata që dolën se qenë hajdutë, dembelë a kaçakë, ata që dolën nga idiotësia a se s’kishin tjetër ç’bënin, e ata që dolën partizanë nga fundi se panë që ora e suksesit rrihte drejt atyre të malit. U besoj këtyre kategorive se kur kam dëgjuar e lexuar për to, kam parë se s’kanë munguar shembujt realë për çdo kategori. Por nuk pranoj të më thonë se gratë partizane nuk ishin heroina: imagjinoni Shqipërinë në vitet 1940, imagjinoni gjendjen e grave në familje e shoqëri. Ato gra që dolën malit nëse ishin atdhetare, antifashiste apo komuniste, nëse kishin në mal dashnorë apo jo, nëse donin të dilnin që të çliroheshin nga prangat e familjes apo donin të dilnin që të hiqnin ferexhetë, nëse donin të dilnin që të harbonin a të bëheshin askete, thomëni gjithçka që doni, ato ngelen të paprekshme nga njollat! Atyre u jep frymë e të drejtë historia, dhe i bën hyjnesha lirie kurajoja e paimagjinueshme që patën të kapërcejnë kufijtë e nënshtrimit. Ato janë edhe pararendëset e cilitdo lloj feminizmi që ka jetuar apo do jetojë në tokën e shqiptarëve.

Po a nuk ishin këto gra të Luftës po ato që e sollën dhe mbajtën gjallë komunizmin tonë të përgjakshëm? Apo ishin ata vetëm burrat elitarë? Apo ishin të dy palët bashkë? Çfarë ndodhi?

Shumica e personazheve të L. Lubonjës janë njerëz të njohur, por ka edhe plot që ne nuk i njohëm dot, ose që u zhdukën pa u bërë ende pjesë e kujtesës sonë kolektive, por që, bash për këtë, e dimensionojnë realisht rëndësinë ose jo të atyre më të njohurve. L. Lubonja flet pa mllef për historitë e veta, edhe atëherë kur vendos të thotë emrin e atyre që u kanë mëshuar me sadizëm gjenuin mbi plagë kur ato i kishin të hapura. Madje në Urën e famshme të Matit ku ajo ka kaluar ditë e net të tmerrshme për vite me radhë duke hipur e zbritur me autostop në skoda e kamionë në dy pikat ekstreme të Urës që çonin një drejt Burgut të Burrelit e një drejt Kampit të Spaçit për të parë të shoqin e të birin, pa ditur në ishin mirë a sëmurë, gjallë a vdekur, (histori që ajo na kallëzon me hollësi në librin e saj të parë me kujtimet e internimeve dhe burgimeve “Larg dhe mes njerëzve”), pra, kur kalon këtë Urë atëherë kur kalvari intensiv kish mbaruar, nuk i vjen t’i thotë u shofsh e u rrënofsh, nuk ia mallkon një nga një gurët që i ishin dëshmitarë të lotëve ngrirë nga të ftohtët, por thjesht thotë “Mbërritëm në Urën e bukur të Matit” (16). Ky distancim emocional spontan ndaj kundërveprimit me pasion të ngarkuar, është një tjetër arsye që e bën kujtesën e Lubonjës më të besueshme sesa atë të tjetërkujt.

Më intereson më shumë në rrëfim fotoja natyraliste e elitës më të kulturuar e më të përparuar që del nga Lufta e hyn në Socializëm. Pozicioni i Liri Lubonjës si shumë e re, gjithsesi në brendësi të gjithçkaje, pa poste të rëndësishme, e gjithsesi me pozitë e sy për të parë këdo, e indoktrinuar pjesërisht, por gjithsesi pragmatike sa për t’i mbajtur sytë çelë të regjistronin, e lidhur me pesëqind fije me Lëvizjen (sidomos pas bashkimit me Todin) e prapë “me biografi” familjare shumë të përzierë, shtuar këtyre kujtesa e saj e jashtëzakonshme dhe prirja për të vëzhguar hollësisht gjithçka, e bëjnë atë një kamera të rrallë që dëshmon çfarë ndodhi me elitën e asaj kohe. Fare thjeshtë mund të thuhet çfarë ndodhi kështu: sistemi e dërrmoi sistematikisht dhe fort elitën, kur nuk e asgjësoi krejt, i hoqi lirinë dhe dinjitetin, e rikrijoi si një imitim të shëmtuar të vetvetes dhe e detyroi t’i bënte temena e t’i shërbente elitës së re të injorancës, hipokrizisë dhe korrupsionit moral.

Kategoritë e grupet e elitave komuniste në libër janë nga më të ndryshmet. Më konkretisht këto grupe i diskutoj në pjesën e tretë. Ato vijnë nga perspektiva e një aktivisteje të Luftës fillimisht të vogël e pastaj të re e më të rritur, vajzë të sapofejuar e të sapomartuar, por që nuk përdor veç analizën e saj prej adoleshenteje me kujtesë të pazakontë, por edhe një mori burimesh të shkollës, lagjes, familjes, miqve, gazetave të kohës për të mbushur karakteret dhe ngjarjet që lidhen me ta. Por ka një tipar që rritet teksa zhvillohet rrëfimi: numri i atyre që e hanë rritet aq sa duket se nuk ngelet kush pa e pësuar, dhe mendoj se Liria nuk i zgjedh qëllimisht karakteret e saj, por sjell në libër të gjithë ata që i kryqëzohen me kujtimet e fëmijërisë e rinisë, që nga familja, njerëzit me të cilët ndanin oborrin, familjet e miqve dhe të afërmve në Tiranë, shoqet nga Shkolla e Mesme Femërore, banorë të tjerë të Tiranës me të cilët qe në Debatik dhe në organizatat e rinisë komuniste më tej, të gjithë atë që u aktivizuan gjatë Luftës e në vitet e para, dhe rrugët e të cilëve u ndërthurën me krerët e komunizmit tonë.

[1] Fatkeqësia e librit dhe e lexuesit, është që libri ka dalë pa indeks. Këto lloje narrativash i dënon me vdekje po nuk ua indeksove ngjarjet dhe personazhet e panumërta që përmbajnë.

(vijon)

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin