APOLOGJI E MOSDIJES

 

 

Kur ende fëmijë më tërhiqnin me zor në vizita galerish arti dhe ekspozitash pikture, gjithnjë doja t’u afrohesha pikturave aq shumë sa t’i perceptoja më shumë duke ua thithur me hundë erën e athët të bojërave të vajit, sesa me sy.

Meqë në atë kohë vizatoja pak edhe vetë, isha më kureshtar të mësoja diçka për teknikën e të pikturuarit, sesa për të shijuar pikturën vetë. U qasesha kuadrove me po atë zell pak të vrazhdë të fëmijës që kërkon të dijë se ç’kanë insektet dhe kërminjtë “brenda”, ose të atij fëmijës tjetër, që lodrat i shijon vetëm në momentin kur i lejohet t’i zbërthejë mbi qilim.

Prandaj gjithnjë më këshillonin me durim se pikturat duan soditur e shijuar nga një farë distance; derisa m’u ngulit refleksi kulturor i të qëndruarit larg mureve të galerive e s’më është shkulur as sot e kësaj dite, kur ende ndihem pak i turpëruar sa herë më qëllon t’u afrohem veprave të artit, duke e kapërcyer kufirin e shenjtë që ndan soditjen nga dhunimi ose sakrilegji.

Disa imazhe, si dega e fierit ose një peizazh malor, kanë natyrë fraktale – pjesët i ngjajnë së tërës. Të tjera imazhe nuk janë, prandaj “Mona Liza” e Da Vinci-t, e këqyrur me hundën të ngjitur pas kanavacës, nuk është më pikturë, por një njollë e turbullt ngjyrash.

Gjithsesi, distanca që duhet ruajtur nga vepra e artit nuk ka të bëjë vetëm me hapësirën, ose gjeometrinë.

Kur kam parë për herë të parë një retrospektivë të piktorit surrealist Max Ernst, kam mbetur gojëhapur me tablotë “Europa pas shiut,” “Pylli dhe pëllumbi” dhe “Epifania”; vetëm më vonë kam lexuar se Ernst, për të përftuar efektet vizuale mahnitëse në ato tablo, ka përdorur disa teknika jokonvencionale, si dekalkomania dhe grattage.

Për fat të keq, nuk them dot se ky informacion shtesë më ndihmoi sado pak, në shijimin e tablove të Ernst. Nuk jam piktor, as kam ndërmend ta përdor ndonjëherë dekalkomaninë; prandaj do të kisha preferuar t’i soditja veprat e Ernst pa e ditur kurrë se me ç’teknikë i kishte krijuar autori.

Kjo do të thotë edhe se, në disa rrethana, informacioni nuk ndihmon por pengon. Veçanërisht në art, veprave nuk mund t’u qasesh gjithnjë me mikroskop; dhe soditësi, ose publiku duhet të mësohet, për të mirën e vet, ta ruajë gjithnjë distancën me aktin krijues, i cili është mirë të mbetet privat, në qoftë se nuk është pjesë e veprës.

Në muzikë kam përjetuar diçka të ngjashme kur kam marrë vesh se, në një nga këngët më magjike të Beatles, “Strawberry Fields Forever”, John Lennon nuk kishte pasur ndërmend fusha me luleshtrydhe, as peizazhe të tjera psikadelike, por një shtëpi fëmijësh të Salvation Army në Liverpool, të quajtur Strawberry Field.

Njëlloj, kënga tjetër e Beatles “I am the Walrus” mbetet më e mistershme madje intriguese për ata që nuk e kapin referencën ndaj personazhit të trikekut në romanin “Through the Looking Glass”, të Lewis Carroll (vazhdimi i “Lizës në botën e çudirave”).

Për ta mbyllur me Beatles, shumëkush do të jetë ngacmuar nga akordi që dëgjohet në hyrje të këngës “A Hard Day’s Night”, por jo aq sa Jason Brown, një profesor i Shkencave Kompjuterike në universitetin e Halifax-it (Nova Scotia, Kanada), i cili e studioi atë akord (G7add9sus4) për gjashtë muaj me radhë, për të marrë vesh se çfarë notash përmbante pikërisht.

Mbetem i bindur se një farë pezullimi i informacionit është jo vetëm i dëshirueshëm, por edhe i nevojshëm për ta shijuar të plotë veprën e artit. Të dhëna që kanë të bëjnë me jetën e autorit, ose me rrethanat në të cilat u krijua vepra ose raportet me ngjarje ose personazhe reale më shumë e dëmtojnë perceptimin dhe interpretimin e veprës, sesa e ndihmojnë.

Edhe historia i ngjan artit nga kjo pikëpamje, sepse nuk e përballon mirë mikroskopin që ia afrojmë ndonjëherë, në emër të “shkencës” ose së vërtetës. Nëse Mozarti ka vdekur apo jo i helmuar nga bërxolla e derrit që kishte ngrënë për darkë ose nga skrofulla, kjo nuk ka kurrfarë rëndësie as për historinë e artit, as për të kuptuar muzikën e atij mjeshtri; prandaj meriton po aq respekt sa edhe “lajmet” e tabloidëve për Amy Winehouse.  

Përkundrazi, fakti që Mozarti vdiq ndoshta kur po krijonte muzikën më të bukur, siç e vërteton Requiem-i (ja një fragment ngjethës – Lacrimosa) e pasuron përjetimin e Requiem-it, sepse i bashkon dy vdekjet: metafiziken dhe individualen, në një entitet të vetëm, njëkohësisht të frikshëm dhe sublim.

Një një farë mënyre, historinë gjithnjë e përjetojmë të sublimuar, dhe jo vetëm universalen, por edhe historinë tonë vetjake, të cilën e riorganizojmë në mendje në mënyrë të tillë, që prej një koleksioni rastësish të habitshme të përftohet një rrëfenjë koherente, madje me mbitone etike.

Çfarë janë Perikliu, Ciceroni, Charlemagne, Bacon, Cromwell-i, Danton-i, Kanti, Lenini – ose edhe Skënderbeu ynë, Abdyl Frashëri e Ismail Qemali, në mos metafora sakrale, të cilat jo vetëm i mbushim me kuptim, por edhe i përdorim si pika horizonti të hartave ku ne vetë ekzistojmë si vija ose trajektore?

Edhe në këtë lëmë informacioni i tepërt ose obsesioni pozitivist i mikroskopit, nuk është veçse një mënyrë e garantuar për t’u hutuar pas detajeve e për të ushqyer me junk tabloidet, të cilat orvaten pastaj të shokojnë publikun me të dhëna të parëndësishme, shkulur për flokësh nga studime historike përndryshe serioze dhe metodike.

 

12 Komente

  1. Si kalove nga arti tek figurat historike? Figurat historike s’janë për t’u pëlqyer si arti. Nga figurat historike dhe nga historia më vete duhet mësuar, dhe s’mund të mësosh nëse mbetesh në nivelin e shijimit të artit. Përkundrazi, të duhet sa më shumë informacion për të mësuar sa më shumë. S’e shikoj lidhjen midis tyre.

  2. E keqja është se, mendimi origjinal i ndokujt merret për mëndjemadhësi dhe “figurat” që ai sjell për të pasqyruar një mendim janë “të ngatërruara” edhe për njerëz që kujtojnë se lexojnë (por që shikojnë vetëm figurat).

    Xhaxha, jam i sigurtë që, nëse do e kishe nisur artikullin me: “Siç kam përkthyer akademikun e mirënjohur botëror Hajredin Blitz, ku ndër të tjera thot…” do të të ishte dëgjuar shumë më tepër fjala… edhe sikur Hajredini të mos egzistojë ose të ketë gjysmën e moshës dhe njohurive të tua.

  3. AC: Kyçi, besoj unë, qëndron te sublimimi – meqë edhe artin edhe të shkuarën i perceptojmë të sublimuara. Kur vjen puna te historia, sublimimi shkon edhe më tej, meqë historinë e marrim shpesh prej të tjerëve, të përcjellë dorë më dorë. Megjithatë, e shkuara personale mund të shërbejë si pasqyrë edhe për kontradiktat edhe për zgjidhjet, meqë çfarë kemi përjetuar si vargëzim ngjarjesh të rastësishme në kohën e vet, e ripërjetojmë tani si narrativë ose teatër, duke u dhënë theksim atyre ngjarjeve dhe kujtimeve që lidhen njëfarësoj me çfarë jemi bërë pikërisht sot. Këtë e kanë quajtur edhe survivor’s bias. P.sh. historia e shqiptarëve (dhe e Shqipërisë) përfshin jo vetëm Skënderbeun real, por edhe mitin e Skënderbeut të nisur nga Barleti, të vazhduar nga gjithfarë historianësh europianë e të përpunuar përfundimisht nga Rilindësit. Është ekzistenca e këtij miti që e përligj studimin e Skënderbeut jo vetëm në institute akademike, por edhe shkolla; se përndryshe nuk ka ndonjë vlerë edukative të studiosh marrëdhëniet e Skënderbeut me Papën, ose t’u thuash kalamajve se babain e Gjergjit e kemi quajtur deri dje gabimisht Gjon, por sot e tutje do ta quajmë Ivan se ashtu i ka dalë në dosje. Ta kam fjalën që, në qoftë se këtë mit e dekonstruktojmë si produkt fantazish romantike ose kombëtariste, atëherë vetvetiu kemi mohuar arsyen kryesore pse studiohet në shkollat shqiptare historia e Skënderbeut. Këtu ka një kontradiktë që nuk kapërcehet dot lehtë, sepse askush nuk guxon të ngrihet e të thotë që s’kemi pse e studiojmë Skënderbeun në shkolla.

  4. xha xha

    kur nje njeri flet shume dhe mbi te gjitha per gjera qe nuk njeh (zoteron), ne me te miren e rasteve ekspozohet. psh ne rastin tone nese nje njeri qe ka mbaruar per gjuhe -letersi (shembull i rastesishem)desheron te shkruaje mbi pikturen dhe skulpturen, kometat dhe meteoritet, per marsin dhe jupiterin, per bursat dhe tregjet ekonomike, per aristotelin dhe sokratin, per epirin dhe japonine, per bizantin dhe obamen, per kantin dhe nicen, per geten dhe kafken, per bahun dhe moxartin, per macet dhe qente, per fluturat dhe mizat…diku do te ekspozohet…

    asnjehere nuk me kane pelqyer formimi enciklopedik, pasi eshte nje formim siperfaqesor dhe shabllonist. ne shoqerite e ashtequajtura “demokratike” eshte e natyrshme dhe mese normale qe cdo njeri te kete te drejten e shprehjes, por nuk eshte bukur te hasesh njerez te cilet rreken pas tingullit te fjales se shqiptuar bukur dhe pas elokuences se shprehjes, pa mundur te thone asgje permes ketij procesi. ose ne raste te tjera me paaftesine (e kushtezuar kjo nga mosnjohja) per te kontrolluar temen me te cilen operojne.

    thua;

    “…Mbetem i bindur se një farë pezullimi i informacionit është jo vetëm i dëshirueshëm, por edhe i nevojshëm për ta shijuar të plotë veprën e artit. Të dhëna që kanë të bëjnë me jetën e autorit, ose me rrethanat në të cilat u krijua vepra ose raportet me ngjarje ose personazhe reale më shumë e dëmtojnë perceptimin dhe interpretimin e veprës, sesa e ndihmojnë…”

    sa i gabuar dhe driteshkurter ky koncept! vepra e artit eshte gjithnje ne relacion te drejtperdrejt me historine e artit. nepermjet nje vepre arrijme te kuptojme jo vetem ato sa do te thote krijuesi i saj , por edhe ato sa kishte nevoje te shprehte vete shoqeria ne te cilen gjallonte krijuesi. artisti dashje pa dashje kthehet ne zerin e kohes dhe te popullit te tij nder shekuj; kthehet ne perfaqesuesin dhe shprehesin e ndergjegjes kolektive .

    arti i praksitelit eshte i lidhur ne menyre te pazgjidhshme me parimet brilante te demokracise greke te kohes .

    arkitektura egjiptiane, piramidat dhe epigrafite e tyre jane te lidhura koke e kembe me misticizmin e shoqerive skllavopronare ku u pollen, por edhe me gjakun dhe shpirtrat e tere atyre brezave njerezor qe u shfrytezuan ne menyren me barbare.

    arti i maya-ve mbeten i pakuptushem per njeriun modern pikerisht per faktin se nuk zoterojme ato elemente (celesa) qofte ne rrafshin historik, qofte ne ato kuptimor, apo teologjik per te bere te mundur deshifrimin e tij.

    do te ishte i pakuptueshem per syte tane autoportreti i van gogut me fasho ne koke, pa ditur se kish prere veshin dhe shkaqet e ketij akti qe na ngjan kaq absurd.

    nuk do te kuptonim vleren e “halese” se marsel dyshan (shumekush nga ne edhe do te mund te urinonte ne te), nese nuk do te dinim shkaqet, nevojat dhe filozofine e krijuesit qe shoqeruan venien e saj ne pjedestal.

    nuk do te mund te kuptonim “lirine ne barrikada” te delakruase , pa njohur principet e romantizmit, si edhe nevojat e shoqerise qe e polli.

    nuk do te mund te kuptonim pse “guernika” eshte vepra me e rendesishme e shek. te 20 pa njohur historine e hitlerit, te gjermanise, te spanjes dhe te vete pikasos.

    dhe mijera shembuj te tjere…

    xha xha

    arti , piktura nuk jane vetem disa bojra te hedhura bukur mbi nje siperfaqe te rrafshet. ashtu sikurse letersia nuk eshte vetem disa fjale te rreshtuara bukur; ashtu sikurse muzika nuk eshte vetem harmoni tingujsh. arti merr persiper te flase per boten dhe per gjerat dhe eshte i lidhur ne menyre te pazgjidhshme me njerezit, vendin, kohen, mendesite dhe botekuptimin e tyre.

    te studiuarit e artit, do te thote edhe studim i atij , apo atyre qe “e pollen”, si edhe i nevojave shpirterore, emotive, konceptuale, ekzistenciale , apo kushteve sociale dhe historike qe bene te mundur ardhjen e kesaj prurjeje ne jete…

    pershendetje!

  5. AKK, e ke bërë edhe herë të tjera këtë gabim – ndërton dordolecë që pastaj t’i sulmosh me bajonetë.
    Po ta lexoje pa paragjykime shkrimin tim, do ta kishe kuptuar se unë nuk përjashtoj çdo informacion periferik nga konteksti i përjetimit artistik, por vetëm atë informacion që nuk është relevant për veprën, dhe që e zhvendos vëmendjen nga vepra drejt autorit.
    P.sh. fakti që Marcel Duchamp luante shah nuk më duket relevant për t’ia kuptuar urinoren (e cila, meqë ra fjala, mua nuk më është dukur asgjë më tepër se një provokacion, gjithsesi).
    Përmendja, përsëri më lart, se nga jeta e Mozartit disa hollësi janë të rëndësishme, disa të tjera jo. Relevanca vlen për çdo të dhënë historike ose biografike që nxirret në dritë nga të ngeshmit. Është thënë, bie fjala, se e ashtuquajtura “periudhë e verdhë” në krijimtarinë e Van Gogh-ut i detyrohet një efekti anësor të një medikamenti, digoksinës, që ai merrte në atë kohë (një çrregullim i quajtur xanthopsia, i cili prek perceptimin e ngjyrave të verdha dhe të gjelbra). Në këtë rast, e dhëna biografike integrohet mirë në interpretimin e veprës së atij piktori. Përkundrazi, sikur të zbulohej se vuante, bie fjala, nga hemorroidet ose halitoza (era e qelbur e gojës), kjo nuk do të kishte të njëjtën relevancë.
    Edhe fakti që ti sillesh këtu me arrogancë dhe kapadaillëk nuk e paragjykon artin në pikturat e tua, disa prej të cilave më duken se rrezatojnë modesti prekëse dhe nderim për mjeshtrat që s’vijnë më.
    Sa për hyrjen që bën duke më përmendur temat e shumëllojshme që ke ndeshur në blogun tim, unë vërtet kam shkruar për lloj-lloj gjërash (por ende jo për kërthizën time), sikurse kam shumë interesa dhe kam dëshirë të bisedoj dhe të diskutoj përsëri për lloj-lloj gjëra; por mbetem gjithnjë i hapur për sugjerime nga ekspertët madje edhe nga “ekspertët”; dhe, në përgjithësi, e pohoj hapur kur merrem me tema të cilat nuk janë pikërisht të fushës sime.
    Ja tani edhe një saktësim tjetër që mendoja se nuk do të më duhej ta bëja kurrë në një mjedis si ky i blogut: nuk është lënda ose temat, ato që e përcaktojnë natyrën e shkrimeve, por këndvështrimi dhe metoda. Çka do të thotë se edhe kur kam shkruar për ekonominë, nuk kam shkruar si ekonomist; edhe kur kam shkruar për teknologjinë nuk kam shkruar si teknolog ose teknokrat. Edhe ti e ke zakon të paraqitësh skena erotike në pikturat, por nuk besoj se të ka quajtur njeri ndonjëherë pornograf ose gjinekologjist. Apo ta kanë thënë?

  6. xha xha

    ndonese me duhet te pohoj se vleresoj shpeshhere aftesite e tua intelektuale, ajo qe me ben te mos bie dakort me ty eshte hegjemonia jote e mendimit, e percjelle kjo permes fjales. dhe eshte disi irrituese kjo hegjemoni ne rastet kur flet per tema te cilat nuk zoteron thellesisht.

    me pelqen kur thua se desheron te bisedosh per shume gjera. eshte normale per nje njeri te kete interesa te ndryshme ne jete. ajo qe nuk me pelqen eshte se permes fjales tende, duket sikur i ve vulen temes ne fjale dhe njekohesisht i lejon vetes kompetenca dhe atribute qe nuk i takojne. nuk e di si ndihesh ti, por tek tjetri krijon ndjesine e te qenit kategorik, gje qe nuk perkon me nje njeri qe desheron te flase per shume gjera , per te cilat mund te mos kete shume njohje.

    thua:

    “… nuk është lënda ose temat, ato që e përcaktojnë natyrën e shkrimeve, por këndvështrimi dhe metoda…”

    këndvështrimi dhe metoda nuk mund te ngrihet mbi tema kur njohja jone eshte e cunguar. bie fjala nuk mund te flase askush me siguri , maturi dhe vendosmeri mbi “ekzistencat dhe format e shfaqjes se qyteterimeve jashtetokesore”, ose per “vdekjen” pa pasur keto eksperienca. sa do e mire qe te jete metoda ajo sendertohet mbi bazen e njohjes. dhe kur njohja eshte e manget, nuk te lejon te flasesh .

    sa per erotiken, une flas per erotiken dhe menyren se si e perceptoj une ate. flas per nje fenomen te cilin perjetoj. dhe nuk besoj se specialisti i erotikes eshte gjinekologu. erotika gjendet aty ku kaperthen shpirti trupin, tek nevojat dhe deshirat, tek pasionet dhe endrrat, i dashur mik. njohes i erotikes eshte levruesi i saj, jo doktori i organeve gjenetale…

  7. Artist,

    Me vjen keq vlla qe i kundervihesh fjales per hegjemoni, kur mendimi yt vizual dominon ne permasa vertete hegjemoniale.

  8. Muaj më parë pata lexuar një shkrim mbi Inva Mulën dhe, i marrë si krahasim, personaliteti artistik i një tjetër shqiptari, Anri Sala.
    Disa ditë më parë, lexova, përsëri në këtë blog shqiptar 100%, një temë mbi kinemanë dhe gjendjen e saj në Shqipëri.
    Dy raste, dy tema që i kam lexuar me kureshtje, me endje, me interes dhe që nuk kam përtuar t’i kthehem, ose më mirë të pres të tjerët se çfarë mendojnë, si e shohin gjëndjen e përshkruar në shkrimin e autorit. Pra, midis shumë temave, përmenda vetëm dy, që me të vëertetë më kanë “çoroditur” se si një përson që ka të tjera prirje, merr guximin e shkruan mbi diçka që nuk është i fushës. Them “merr guximin”, edhe pse pak e ekzagjeruar si shprehje, sepse mendoj që nuk duhet të jetë e lehtë dhe shumë argëtuese përqendrimi mbi shumë fusha interesi që dalin nga një dëshirë egoiste për t’u krekosur me punën, apo dhe studimin. ~ “Me ka habitur xhaxhai me mprehtesie e mendimit te tij, flas per kinemane, pra edhe ne nje fushe ku nuk eshte ekspert. I kish rene ne koke EKZAKT problemit, aty ku dhemb dhemballa (dualizimi i kinematografise shqipo midis eurove te Europes dhe deshires per te marre çmime festivalesh); Kjo konfirmon se kur je “une tete pensante”, je per te gjitha, mjafton te kesh argumentin, llogjiken, analizen e duhur”. (autori i mailit nuk ka përdorur ë-të) ~ Ky është një mail që mora para disa ditësh nga një mik që ka shumë dije mbi kinemanë (ndonëse nga ana estetike). Edhe atij i kishte bërë përshtypje se si kinemaja, herë pas here gjen shteg në hapësirën e autorit i cili njihet për analizat gjuhësore.

    U zgjata pak në hyrje, ndoshta shumë veta nuk do të kenë kohë dhe interes për t’i lexuar frazat, por u shtyva nga artisti që gjykonte me pak prova, dhe me shumë rrëmujë, një shkrim të qetë, të liruar nga komplekset dhe aspak banal.

    Ndoshta artisti Toni, duhet ta studiojë më mirë ngjyrën, konceptin, veprimin, gjestin, e shumë praktika të tjera që janë ngjallur shumë këto kohët e fundit.
    Një pikturë nuk duhet ta lexosh, atë duhet ta shijosh. Në Luvër ka kryevepra, por midis miliona personave që paguajnë biletën për të parë këto madhështi që historia na la si trashëgimi, disa fotografojnë, disa lëvizin shpejt për të parë gjithçka, çdo vepër; ka të tjerë që qëndrojnë me orë përballë një tablloje, nganjëherë marrin dhe shënime. Këto janë historianët, kritikët, studiuesit e artit etj, profesioni nuk ka shumë vlerë për t’u përmendur.

    Të shohësh “L’urinatoir” të Duchamp në 2008, i ekzpozuar në një galeri me ajër të ngrohtë, me disa roje të pajisur me telefona, nuk ka të njëjtën vlerë historike. Ai u konceptua një shekull më përpara, dhe prandaj duhet marrë një distancë. Nganjëherë nuk duhet shumë njohuri ose lexim për të kuptuar veprën e artit. Arti është i të gjithëve, jo vetëm i atyre që e bëjnë, që shpesh nuk kuptojnë se çfarë po bëjnë. Van Gogh-u nuk mendoj se e kuptonte shumë punën e tij, megjithë talentin e oërzier me një dozë të fortë marrëzie. Duchamp nuk e bëri provokimin për qejf, ai kishte arsye dhe inteligjencën për t’i lënë njerëzimit një trashëgimi, e cila është vetëm një pjesë porcelani e prodhuar diku në Amerikë.
    ARTI nuk i shmanget dot proçeseve krijuese të artistëve, të cilët shpesh herë ndodhen të vetmuar në krijim, ashtu si nuk i shmanget dot metodave që shoqëria i përcakton individit si pjesë përbërese e një termi aspak filozofik që “informim, argëtim dhe manipulim”- veçori dalluese e televizorit dhe hapësirës që ai lë tek individi.
    Prandaj, duke mos mbajtur anën e autorit të këtij shkrimi, mendoj se shumë vepra të artit pamor (piktura, skulptura, instalacione, performanca) nuk kanë nevojë për informime shtesë, nuk kanë nevojë për njohje të gjithanshme të historisë, edhe pse artistët i përkasin një momenti të caktuar historik siç edhe ishte gjëndja e Marcel Duchamp që nuk donte të imitonte apo të bëhej më i famshëm se ai apo ajo; qëllimi i tij ishte të jetonte me kohën, t’i hapte portat një arti që po bllokohej nga ngjyra, nga penelat dhe nga telajoja. Historinë se çfarë ndodhi më pas mund ta lexojmë më me endje.

    Sidoqoftë, nuk mund të rri pa përmendur se tema nga kënveshtrimi i autorit, është pak e varfër, jo në ide apo shembuj, por në shtjellim më të gjërë të disa pikave për t’iu drejtuar më konkretisht (dhe njerëzisht) disa skeptive që nuk dalin jashtë formave të errëta.

    Arti duhet të jetojë dhe si i tillë ai i drejtohet të gjithëve, ai flet me botën dhe shpjegon, shpresën për të jetuar; për t’u bërë më i kuptueshëm për disa shtresa që nuk kanë njohuri apo dëshirë për të vizituar muzetë apo galeritë, arti përdor kontrastin, ngjyrën, dritën, hollësinë, zbërthimin shpirtëror, pakënaqësinë, marrëzinë. Të gjitha këto, pjesë përbërese të njeriut.

  9. ” nuk është lënda ose temat, ato që e përcaktojnë natyrën e shkrimeve, por këndvështrimi dhe metoda.”

    Nje shembell: K.Popper, filozof por jo shkencetar,
    megjithate analiza e tij per shkencen, kendveshtrimi i tij rezultoi shume dobiprures per vete shkencetaret.

    Ne pikture nje vic shikohet e pikturohet ne menyra te ndryshme ne varesi nga kendveshtrimi e metoda.
    Kendveshtrimi dhe metoda jane po aq te rendesishme sa edhe vete lenda.
    Kete e di edhe bufi.

  10. Xh xha, s’jam dakord me këtë:
    “Është ekzistenca e këtij miti që e përligj studimin e Skënderbeut jo vetëm në institute akademike, por edhe shkolla; se përndryshe nuk ka ndonjë vlerë edukative të studiosh marrëdhëniet e Skënderbeut me Papën”

    Nuk është ekzistenca e mitit ajo që e bën të vlefshme studimin e Skënderbeut, por rëndësia e atij në rrjedhën e historisë së Shqipërisë dhe të rajonit. Miti mund të ketë rritur vlerat, por nuk i ka nxjerrë vlerat nga hiçi. Ato vlera që vijnë vetëm nga miti duhen hedhur poshtë, ose duhen përmendur vetëm në kuadrin e shpjegimit të mitit. Për sa i përket disa imtësirave, mund të përmenden sipas burimit nga vijnë. Nuk mund të kthehesh dot në kohë, ama mund të studiosh burimet e ndryshme, të vlerësosh autoritetin e burimeve, dhe fundja mund të citosh disa versione sipas burimeve. Disa imtësira mund të mos kenë rëndësi, por të tjera mund të kenë. S’do të thotë që duhet të pranosh gjithëçka nga çdokush, por në të njëjtën kohë s’mund të shpërfillësh çdo të dhënë pasi nuk përputhet me mitin. Historia ndryshon vazhdimisht përderisa vazhdojnë të gjenden fakte të reja. Problemi është të ndryshohet në mënyrë shkencore dhe jo në bazë të sublimimit.

  11. Xha xha, shoh qe te kane zberthyer shkrimin ne shume menyra, por edhe une kam nje zberthim timin.

    Mua me duket se keto krahasime kane te bejne me teper me simbolin, dmth pika e lidhjes mes artit e historise ne shkrimin hapes perbehet nga simboli. Nuk duhet pare simboli ne mikroskop, pasi keshtu ketij simboli i bie vlera. Kjo eshte e vertete. Nese nje kristiani i thua se kryqi qe ka pare ne enderr Kostandini i Madh ishte simboli i Hyjit Diell apo qe ka nder te tjera lidhje me nje kryq egjiptian, se Roma nuk kryqezonte askend ne kryq por ne T atehere ky kryq humb vleren e fuqishme simbolike.

    Piktura apo skulptura jane te detyruara te punojne me simbolin, perndryshe nuk do dilnin asgjekundi .
    Figurat historike ne njefare casti historik behen pika referimi e per kete duhet te kthehen ne simbol.

    Gjithe ceshtja pastaj vjen pikerisht prej fuqise qe mbartin e percjellin keto vepra apo njerez; fuqia e konceptuar si e kunderta e dobesise ( nder te tjera; e bukura eshte fuqi, kurse e shemtuara dobesi).

    Kam shkruar dicka kohe me pare e mendoj se mund te kete njefare vlere nese Apologjia e Mosdijes do te thote edhe; Apologjia e Simbolit.

    Fuqia dhe Simboli…Cfare ka kaq te mrekullueshme fjala Fuqi…Kerkimi i permiresimit…Njeriu lind i dobet,lind kafshe…Nje gje e vogel pre e vdekjes…Rritja e femijes,nenkupton rritjen e fuqise se kesaj vetnjesie,e kur eshte i fuqishem mjaftueshem,krahasueshem me mesataren,krijohet pavaresia…Kur mesatarja eshte e dobet,fuqia e te pavarurit eshte e dobet….
    Njeriu per tu permiresuar vazhdimisht,ka nevoje te kerkoje fuqine,kudo ndodhet…Brezat shquan simbolin si perqendrimi me i tretshem i fuqise,si dicka marramendesisht te domosdoshme per ngritjen e njeriut,per aftesimin e tij…
    Simboli eshte qendra,eshte pallati mbreteror i nje mbreterie,qofte e stermadhe qofte e stervogel…Kushdo qe kerkon fuqine duhet ti drejtohet Mekes se vet te pakten nje here ne jete…Kushdo qe kerkon fuqine ka nevoje per autograf prej mbretit,por vetem kush eshte ne sherbim te mbretit eshte i fuqishem,gjithcka tjeter eshte nje kaos i domosdoshem per Madheshtoren,pse ku mungon kaosi mungon madheshtia,mungon simboli pozitiv,ka nje mizeri simbolesh te vegjel per njerezit e vegjel,ka britni spirsa e te britnispirsizuar,ka coca cola e te kokakolizuar….

    Simbolet duhet te jene te paster,pjelle e njesueshmerise te krijuesve…Vetem nje simbol i paster permban fuqi te paster,gjak te paster per deshiruesin e vetem gjaku i paster di te perth.ithe te pastren,gjaku i papaster ka nevoje ta perlyeje te pastren…Cfare fuqie te papaster gjen kudo e cfare simbolesh te papaster…Vetem nje simbol i paster,krijon ndergjegje te paster e ushqen gjak te paster per nevojat e fuqise se paster,fuqise fisnike…

    Simboli ushqen,ruan,gdhend,limon,stervit cdokend,prandaj njeriu ka nevoje per simbolin…Cfare traume zhdukja e simbolit,kafsherizim…

    Simboli duhet te jete i qendrueshem,por i ndryshyeshem ,(jo ne thelb,thelbi ruhet sepse thelbi eshte jeta e simbolit),sepse ku ka permiresim duhet edhe permiresimi i simbolit…Larg simbolit te pandryshem,qe permiresimin e dhene e ndalon
    me kokefortesi…Asnje simbol nuk eshte i perkryer,po kjo se pengon te jete madheshtor dhe i fuqishem…Aty ku pretendohet persosmeria e simbolit,ka vendnumerim,kenaqje prej plebeu…Aty ku simboli eshte i permiresueshem ne perjetesi ka shkelqim,ka jete,ka perparim…Simboli qe rri ne vend ,myket sepse ashtu deshen hyjnite,ashtu deshi Baba Tomorri…Hyjnite na japin shembull me shoqerine e tyre,cjemi ne mos ti ndjekim…Mos valle jemi siper tyre? Nese mendojme keshtu jemi te semure,jemi plebeizuar e do prishim gjithcka me siperfaqesine tone,do prishim TE PASTREN keshtu qe do vetasgjesohemi ne perzierje…..

  12. AC shkruan:

    Xha Xha, s’jam dakord me këtë:
    “Është ekzistenca e këtij miti që e përligj studimin e Skënderbeut jo vetëm në institute akademike, por edhe shkolla; se përndryshe nuk ka ndonjë vlerë edukative të studiosh marrëdhëniet e Skënderbeut me Papën”
    Nuk është ekzistenca e mitit ajo që e bën të vlefshme studimin e Skënderbeut, por rëndësia e atij në rrjedhën e historisë së Shqipërisë dhe të rajonit. Miti mund të ketë rritur vlerat, por nuk i ka nxjerrë vlerat nga hiçi. Ato vlera që vijnë vetëm nga miti duhen hedhur poshtë, ose duhen përmendur vetëm në kuadrin e shpjegimit të mitit. Për sa i përket disa imtësirave, mund të përmenden sipas burimit nga vijnë. Nuk mund të kthehesh dot në kohë, ama mund të studiosh burimet e ndryshme, të vlerësosh autoritetin e burimeve, dhe fundja mund të citosh disa versione sipas burimeve. Disa imtësira mund të mos kenë rëndësi, por të tjera mund të kenë. S’do të thotë që duhet të pranosh gjithëçka nga çdokush, por në të njëjtën kohë s’mund të shpërfillësh çdo të dhënë pasi nuk përputhet me mitin. Historia ndryshon vazhdimisht përderisa vazhdojnë të gjenden fakte të reja. Problemi është të ndryshohet në mënyrë shkencore dhe jo në bazë të sublimimit.

    AC, po ndalem te ky pasazh yti: “Nuk është ekzistenca e mitit ajo që e bën të vlefshme studimin e Skënderbeut, por rëndësia e atij në rrjedhën e historisë së Shqipërisë dhe të rajonit.” Tani, po të kthehemi mbrapsht në kohë në shek. XV, pas rënies së Shkodrës në vitin 1478, do të shohim se shumë gjëra ndodhën me shqiptarët: shkatërrime, braktisje, dyndje, largime, mërgime, vrasje, shfarosje, konvertime. Një pjesë e aristokracisë emigroi në Itali, të tjerët që mbetën u konvertuan menjëherë në Islam, kryesisht për të ruajtur privilegjet. Institucionet kulturore që bënin të mundur transmetimin e historisë, si kuvendet e murgjve, guildet e zejtarëve dhe të tregtarëve, kancelaritë e bujarëve, e të tjera si këto, u shpërndanë ose u shkatërruan krejtësisht. Brenda pak brezash kujtimi i Skënderbeut u tkurr sa s’thuhet, për të mos thënë që u zhduk fare. Me gjithë disa përpjekje për t’i ngritur shqiptarët në luftë kundër turqve nën emrin e familjes së Kastriotëve, si në Himarë, Skënderbeu nuk luajti më asnjë rol në jetën e shqiptarëve gjatë shekujve XVII dhe XVIII, as në mbijetesën e gjuhës shqipe si tipar kryesor të kombit, as në mbijetesën e tipareve të tjera dytësore që i bëjnë shqiptarët të ndryshëm nga grekët, vllehtë, sllavët dhe latinët. Vetëm me Rilindësit Skënderbeu iu rikthye kulturës shqiptare, por këtë herë si mit, dhe kryesisht nëpërmjet Historisë së Skënderbeut të Naimit – meqë veprat e arbëreshëve, si të De Radës e të Darës, e ndikuan kulturën e shqiptarëve në Ballkan tërthorazi. Miti i Skënderbeut ishte mit qendror për Rilindjen dhe luajti rol të dorës së parë në zgjimin kombëtar dhe në themelimin e shtetit shqiptar në 1912; si dhe më pas, në programet e shkollave dhe në imazherinë kombëtare të domosdoshme. Prandaj unë besoj se miti i Skënderbeut luajti rol më të rëndësishëm për shqiptarinë moderne sesa Skënderbeu si figurë historike reale; sepse miti u rikthye nëpërmjet ndërhyrjes së elitave Rilindëse, jo vetvetiu, nga kujtesa popullore. Tani, meqë miti ishte një nga mitet themeluese të shtetit dhe të kombit shqiptar modern, atëherë doemos do të studiohej edhe në shkolla, në lëndën e historisë; por kurrsesi nuk duhet të harrojmë se me ç’rrugë u fut ky mit në vetëdijen kombëtare; sikurse nuk duhet të harrojmë që rrënjët e hiperbolave, legjendave, përrallave dhe të rremave për Skënderbeun zënë fill me Barletin, për të vazhduar pastaj me trajtimin që iu bë kësaj figure në Europën Perëndimore – në romane, drama, opera dhe vepra historike të ngjashme. Naim Frashëri e gjeti këtë mit të gatshëm, por edhe ia kuptoi vlerën e pazëvendësueshme që kishte, meqë ua jepte qytetarëve të ardhshëm të shtetit shqiptar një hero që të bashkonte në vetvete Perëndimin dhe Lindjen, Krishtërimin dhe Islamin, Veriun dhe Jugun – ose pikërisht heroin që i duhej Shqipërisë që do të krijohej. Natyrisht, miti është mit dhe historia histori; në rastin e Skënderbeut kanë të përbashkëta dhe dallime; rëndësi ka që të vendosim nëse do t’u japim më shumë rëndësi të përbashkëtave, apo dallimeve. Historianët ose akademia, që ndonjëherë duan edhe t’i gjejnë punë vetes, merren kryesisht me rishkrimin e historisë, sipas metodave të reja ose ndonjëherë edhe gjetjeve të reja; por historia e rishkruar e Skënderbeut nuk ka ndonjë relevancë për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse realiteti i sotëm shqiptar, edhe kulturor edhe kombëtar, është produkt i mitit të Skënderbeut, që është në vetvete edhe më i vjetër sesa vetëdija kulturore moderne e shqiptarëve (meqë nis që me Barletin). Prandaj ndonjë e dhënë e re që zbulohet tek-tuk, ose interpretimi i ndryshëm i ndonjë beteje ose i ndonjë aleance, madje edhe i vetë motiveve që e shtynë Skënderbeun të bënte çfarë bëri, mua më duken pa ndonjë vlerë të tillë që të përligjin rishikimin e Skënderbeut si arketip të vetëdijës kombëtare shqiptare. Akademikët kanë punën e tyre dhe herë pas here nxjerrin në dritë ndonjë të vërtetë relevante, por mirë është që të mos i ngatërrojmë nivelet e të mos i riformulojmë narrativat kombëtare pa arsye. Unë asnjëherë nuk e kam kuptuar, bie fjala, se pse u dashka ndërruar emri i të jatit të Skënderbeut nga Gjon në Ivan; madje edhe kam shkruar për këtë dikur këtu në blog. Natyrisht, këto janë çështje historike, dhe tek e fundit nuk ndryshon ndonjë gjë e madhe, në vetvete, sikur Gjoni të jetë njohur si Ivan ose Jani ose Jovan ose Ivo ose edhe Van Gjoni; por meqë shqiptarët kanë njëqind vjet që e njohin si Gjon, atëherë ndërrimi vetvetiu do t’u tërheqë vëmendjen. E kam fjalën për këtë: sa kohë që Gjoni mbetet Gjon, kurrkujt nuk i bëhet vonë, në Shqipëri, për të jatin e Skënderbeut; po kur Gjoni bëhet Ivan, të gjithë fillojnë të bëjnë pyetje, pse jo më Gjon, pse Ivan e kështu me radhë, dhe kjo nuk përfundon asnjëherë mirë.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: