Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kinema / Kulturë

KOMPROMETUAR (II)

Po të mos ishte për kravatën flutur të Pandi Laços dhe dekoltenë e spikeres, ose po ta dëgjoje në radio ceremoninë e hapjes së Festivalit të 14-të Kombëtar të Filmit Shqiptar, do të mendoje se përmbysja nuk ka ngjarë, Kinostudioja nuk është grabitur dhe dekorimet Mjeshtër i madh i Punës dhe Heroi i Punës Socialiste janë në fuqi ende për të nderuar punëtorët e fabrikës së filmit. 

Laço, që lidhje me kinemanë nuk ka, veç përmes kujtimit të të atit, skenarist i Kinostudios, e vari në fijen e hollë të nepotizmit frymën e asaj mbrëmjeje. Ndërtuar sipas skemës një çmim – një burokrat – një muzikë filmi (Besa e kuqe, Mësonjëtorja, etj.), çfarë u duk si defekt skenari, i shkruar nga Laço biri, sa vinte trashej në banalitet me shprehje të konsumuara: aktori i madh i roleve të vogla; babai i regjisë;ikonat s’i kemi më mes nesh, por kolosët rrojnë përjetë në ekran. Një trashëgimi rrëqiste nga një çmim karriere te tjetri, si një zombie që e mbanin gjallë artificialisht duartrokitjet në sallë. 

Kujtimet e epokës kur shteti ishte prodhues, autor, kontrollues po edhe spektator, shfaqnin para syve marrëveshjen e pandërprerë me artin, një art ideologjik që nuk vdes dhe brezat që ecin përmes kohësh me një farë komunizmi në gji. 

Është “Shqipëria e Re” e Kinostudios apo ajo e një distopie të së ardhmes? 

Laçoja, të cilit e sotmja nuk i ndërmend gjë, e tërhoqi mbrëmjen në një valle amnezie, sikur ndërmarrja e filmit të mos qenkësh privatizuar dhe aksionet e Studios AlbaFlm të mos ishin tjetërsuar në kapital mediatik. Asgjë nga çfarë ka ndodhur nuk paska ndodhur: punëtorët e filmit gëzokan mbështetje sociale, televizionet respektokan të drejtat morale dhe ekonomike të autorëve, sallat bosh nuk qenkan, filmat qarkulluakan nëpër Shqipëri, fëmijët, njëlloj si në Evropë, mësuakan për kinemanë në tekstet dhe praktikat shkollore. Dhe shteti u begatoka (e pra, krisma nuk ka pasur). 

Çfarë ka rrjedhur në vite në emër të kinemasë kaloi në paskuintë, që vendin t’ia zinte një mitologji e fabrikuar prej më shumë se 70 vjetësh, e ngulitur në çdo shtëpi, me portretet e një elite që provokon ndërgjegjen me indiferencën e saj. 

E tashmja nuk është realitet alternativ që ca e shohin e të tjerë jo. Dy fjalë për shkollat e filmit dhe brezat e rinj mund t’i kishin thënë, pa e prishur festën kombëtariste, mjaft të mos përmendnin auditorët që zbrazen, pedagogët që tërhiqen në plakje dhe dija që ripërkufizohet çdo ditë. Por paaftësia për të gjykuar në mënyrë të pavarur ua ka nxjerrë jashtë funksionit zërin kineastëve (jo atyre vetëm) dhe u ka nxitur prirjen për të shkelur normat që i vendosin vetë.

Në rregulloren e Festivalit Kombëtar të Filmit nuk ekzistonte kategoria “Çmimi i karrierës”, që u dha natën e parë për krijues, aktorë dhe producentë të Kinostudios, si: Esat Musliu, Petrit Beci, Pëllumb Kulla, Reshat Arbana, Roza Anagnosti, Robert Radoja, Ibrahim Muçaj, Kristaq Mitro, Margarita Xhepa, Piro Milkani, Xhanfise Keko dhe Xhevdet Feri. U kujtuan në mbrëmjen finale t’i shtonin listës Saimir Kumbaron dhe Tinka Kurtin, të cilën e kishin sjellë nga azili për t’i lënë në dorë si shpërblim një trofe plastik, që ajo e puthi me gëzim fëmije. I papërcaktuar në rregullore edhe vlerësimi “In memoriam”, që shkoi për Birçe Haskon, Vladimir Priftin dhe Gjergj Xhuvanin. Pse jo për kino-operatorin Faruk Basha dhe piktorin Shyqyri Sako, të ndarë nga jeta këtë vit, apo për Nexhati Tafën (skenarist i Vdekjes së kalit, ndër të tjerë) dhe studiuesin Abdurrahim Myftiu? Jo, sepse i vetëshpalluri drejtor artistik nuk di të motivojë zgjedhjen e një artisti në raport me një tjetër dhe, duke mos njohur kufij, jo vetëm uzurpon territorin e vlerësimeve për festivalet e ardhshme, po edhe i heq të drejtën një brezi të ri për ta çmuar trashëgiminë me sytë e epokës që do të vijë. Aq më tepër që, përveç pleksiglasit, nuk ka ndonjë dallim mes këtyre trofeve dekorativë dhe atyre prej llamarine që Ministria e Kulturës i ka dhënë po Margaritës, Piros, Tinkës, Robertit, Yllkës, Luizës etj., në 70-vjetorin e Kinostudios.

Mes kësaj euforie, mungoi marrëdhënia me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit që mund të kishte kontribuar me ide dhe tema bazuar në materiale vizuale, botime, afishe, albume, koleksione, ku e shkuara të vizitohej nga një perspektivë jo e hatërllëqeve, por e historisë së kinemasë, kulturës dhe estetikës. Sepse identiteti kulturor dëshmohet me gjithçka që mundëson ta shohim kinemanë në dialog me historinë, gjuhën, kujtesën dhe përvojën e shoqërisë. Në ekranin e madh në oborr, ndërkaq, sponsorët reklamonin shërbime të industrisë së mirëqenies. 

Rregullorja kishte përcaktuar 11 çmime të jurive profesionale për kategoritë e filmit të gjatë, të shkurtër, dokumentar dhe të animuar dhe 19 të tjerë iu besuan një mekanizmi të ri, Akademisë së Filmit. Të tillë bataré nuk e justifikon një industri me prodhim të bollshëm dhe treg milionësh, jo më një Shqipëri që me zor bën një film në vit, që rri në kinema tri ditë dhe, nëse ia del të shkojë në ndonjë festival të kategorisë së dytë a të tretë, detyrimi për paratë e marra nga shteti quhet i përmbushur.  

“Akademia e Filmit është një risi”, tha drejtori Butka, i cili e anulon realitetin me një fjali, si të gjithë ata që sajojnë një hierarki për ta pasur nën kontroll dhe për të fituar reputacion. Juria dhe akademia ishin dy arkitektura të ndryshme vlerësimi për të njëjtat vepra, në të njëjtat kategori: regji, skenar, fotografi, muzikë, aktrim etj. Juria është një trupë e përkohshme, ndërsa akademia, po t’u referohemi modeleve evropiane (César, BAFTA, David di Donatello, Akademia Evropiane e Filmit-EFA etj.) dhe atij amerikan (Oscars), do duhej të ishte një institucion i përhershëm me anëtarësi, kritere pranimi, procedura votimi dhe rregulla kundër konfliktit të interesit. Akademia Britanike e Filmit dhe Arteve Televizive-BAFTA, për shembull, kishte 8300 votues në sezonin 2025-2026, të organizuar në një strukturë që përfshin të gjitha disiplinat e industrisë audiovizuale. Për llogari të kinemasë italiane, David di Donatello dha 23 çmime, EFA 22 dhe César në Francë 24, çmime të cilat funksionojnë brenda një strukture të vetme. Kurse këtu autoriteti i Akademisë iu vesh “një grupimi informal profesionistësh, i ngritur nga regjistrimi vullnetar i mbi 40 kineastëve”. 

Për juritë zyrtare kishte një dispozitë të qartë: një anëtar që ka bashkëpunuar në krijimin e një filmi konkurrues duhet të abstenojë. “Po për anëtarët e Akademisë, si do të parandalohet konflikti i interesit”, pyeta drejtorin artistik, e, pa marrë përgjigje, edhe kjo pyetje u karantinua bashkë me të tjerat. Në vend të mekanizmit që do të garantonte paanshmërinë, Akademia ofroi një mundësi të rrallë: votën selfie. “Kur unë votova për një film që e kam prodhuar vetë, asnjë mekanizëm nuk më ndali”, më tha producentja Tefta Bejko. 

Në finale, Liqeni im i Gjergj Xhuvanit mori shumicën e çmimeve për kategoritë kryesore: regji dhe skenar, fotografi (Dimo Popov), muzikë (Rosario Di Bella), montazh (Juan Gambino), kostume (Stela Laknori), skenografi dhe vende xhirimi (Durim Neziri). Kjo vepër postume që nuk ka qarkulluar në kinema dhe që, nga ekrani i televizorit më ishte dukur e rëndomtë dhe e zbehtë, në ekranin e kinemasë pothuajse të gjithë elementet vizualë dhe audio m’u përtërinë. Është krijimi më i mirë i Xhuvanit, por jo i festivalit, siç nuk ishte Lindje-Perëndim-Lindje më i miri i edicionit të 13-të. Vërtet, do kisha dashur të di argumentet e Akademisë, jo për të kompensuar një dialog të pamundur me regjisorin. I meritonte apo jo çmimet, nuk është kjo pyetja, por kur një film i përthith thuajse të gjithë trofetë, dyshimet bien mbi aftësitë e Akademisë për të dalluar vlerat e veçanta të filmave dhe të profesionistëve të tjerë në konkurrim. Kompetenca e akademikëve u vu edhe më në pikëpyetje kur Elia Zaharia, e cila kishte një rol mbështetës te Liqeni im, u shpall aktorja më e mirë protagoniste. 

Parodia u përmbush me pesë çmimet e publikut dhe shifrat e shikueshmërisë që raportoi kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në mbyllje të festivalit. “Kemi pasur 20 mijë spektatorë”, tha Jorgji. Gjatë atyre ditëve, nëpër intervista dhe dalje publike, ai kishte këmbëngulur në optimizmin statistikor, me arsyetimin se “pesimizmi nuk na ndihmon”. “Nuk bën dot bashkë dy kineastë në këtë vend”, tha në ceremoni dhe batuta ngjiti. Shtatë shoqata ka në këtë sektor. Edhe Jorgji ka pasur një të vetën, para se t’i hynte karrierës së aparatçikut.    

Ashtu si në rastin e Akademisë, mungoi metodologjia për votën e publikut. Shumë festivale kanë një Audience Award, ku fituesi përcaktohet me fletë votimi, formularë elektronikë, aplikacione, kode QR apo vlerësim me pikë pas shfaqjes. Tek ne votimi ishte menduar të realizohej përmes një sistemi të lidhur me platformën web të festivalit, me verifikim unik përdoruesi, çka nuk u zbatua. Spektatori hynte falas në sallë, merrte një fletë kur i tekej, shënonte filmin që pëlqente dhe nëse nuk harronte, si dikush i pamësuar me kinemanë, e dorëzonte në recepsion. Aty bëhej numërimi: një procedurë manuale, që, nga pikëpamja e transparencës, nuk ishte as e verifikueshme, as e besueshme.

Pastaj, “20 mijë spektatorë në 10 ditë” nuk do të thotë njëzet mijë persona unikë që kanë ndjekur festivalin. I njëjti person, nëse ka parë disa shfaqje, mund të numërohet disa herë. Shifra e përllogaritur mbi bazën e kapacitetit të sallave dhe numrit të shfaqjeve është thjesht promocionale. Personalisht, më ndodhi disa raste të shihja filma me sallën bosh, vetëm në praninë e anëtarëve të jurisë. Pikërisht kështu, farsa në emër të votës së publikut nxori fitues: Këtu vallëzohet me hijet, Pluton Vasi (filmi më i mirë); Burri i shtëpisë, Andamion Murataj (debutimi më i mirë); Si ujë, Ardit Vila (filmi më i mirë i shkurtër); Rikard, Mevlan Shanaj (dokumentari më i mirë); Burri, Artur Dauti (animacioni më i mirë). 

Çmimi i publikut u shoqërua me shpërblime të financuara nga sponsori i birrës që u pi në festival. “Edhe kur çmimi është i diskutueshëm, birra është e padiskutueshme”, thuhej në një nga reklamat para çdo projeksioni. 

Natyrisht, shpërdorimi i çmimeve si akt vlerësimi çon te pushteti. Fillimisht, u jep autoritet grupeve ilegjitime që kanë në dorë të vendosin kush e meriton e kush jo dhe, në mbyllje të procesit, vlerësuesit dhe të vlerësuarit certifikohen si elitë kukull, statusin e të cilës asnjë revolucion nuk mund ta shfuqizojë, sepse është gjendje mendore elitizmi, jo çështje privilegjesh.

Në këto ujëra, kërkon të kuptosh edhe gjuhën e simboleve vizuale: nëse ndërtojnë ato një identitet që i ruan lidhjet me më të mirën e traditës apo nëse distancohen prerazi prej saj. Ndaj hyra të shoh pak në koleksionet e AQSHF-së, në historinë fotografike të festivalit të filmit shqiptar, që prej themelimit, më 1976. Çmimet simbolike dhe trofetë, që artistët i mbajnë si shenjë të një arritjeje profesionale, skicohen mbi një koncept, i cili dikur shprehej tërësisht brenda simbolikës social-komuniste të punës dhe lavdisë së partisë, e kuptueshme në kontekstin e kohës. Kishte nivele të ndryshme vlerësimi dhe dallohej diferencimi në trofe dhe kupë, siç shihet në duart e Xhanfise Kekos dhe Gëzim Erebarës në festivalin e parë; shikon Sandër Prosin, për shembull, i nderuar me një lloj medalioni për interpretimin e rolit të Ismail Qemalit në Festivalin V, më 1983. Stilizimi realist u ruajt edhe pas nëntëdhjetës, derisa erdhën imitimet e statuetave Oscar, në edicionet e viteve 2006 dhe 2012, me formën e një figure njerëzore, si Atlasi mitologjik, që mban mbi shpatulla një bobinë filmi. 

Në edicionin e fundit, logoja dhe trofeu abstragonin një lloj cjapi me dy këmbët e parme në ajër, në vrull, me energji. Një emblemë pa ndonjë referencë kulturore apo artistike, pa lidhje me traditën kinematografike, madje, e zhveshur nga imagjinata edhe si koncept estetik. Cjapi i epokës së re, i riprodhuar në forma të mëdha butaforike brenda skenës së Arteve, nuk ka forcë magjike për ta bërë kinema çdo lloj salle. “A nuk duhet të sensibilizojë festivali për mungesën e kinemave?”, pyeta organizatorët. “Kësaj i përgjigjem unë”, tha drejtori artistik. “E kam zgjedhur këtë sallë, sepse ka 650 vende dhe projeksioni ka parametra optimalë.” Kjo e Universitetit të Arteve është sallë koncertesh; teatër aty shihet me zor, film jo e jo. Po të ishte kinema e vërtetë, sistemi i zërit 5.1 surround, do të jepte ndjesinë e një tingulli që të mbështjell. Në fakt, dialogu vinte mbyturazi, detajet nuk kapeshin nga altoparlantët, që shpesh e shpërndanin tingullin në mënyrë agresive. Në rreshtat e parë, përvoja bëhej gricëse. Ekrani, po ashtu, nuk ishte plotësisht në terr. Shtoji kësaj përvoje shtrëngimin e gjunjëve në ato karrige torture. Gati gjysmë miliardë lekë u hodhën për rikonstruksion, ku Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje me dëm ekonomik.

Një producente, që nuk dëshironte të identifikohej, ma komentoi kështu: “Harxhojmë jo pak që audioja, ngjyrat, të jenë të një standardi të lartë, me qëllim që spektatori të kuptojë gjithë punën që bëjmë. Prandaj quhet magji e ekranit. Pikërisht këtë magji shkon e dëmton. Buxheti i festivalit nuk paska shërbyer për filmat, po për spektaklin e tapetit të kuq.” 

Po çfarë humbi nga magjia e filmave? Ka vërtet magji krijimi aty? Drejtorin artistik e pyeta: “Nëse festivali do kishte një temë, që do të përcillte shpirtin e kohës që ka kapur kinemaja jonë, cila do të ishte ajo?” “E ka thënë Anagnosti”, ishte përgjigjja, “m’i ujisni filizat!” 

Anagnosti i la ato fjalë si testament për trashëgiminë e vet filmike, të cilat Roza i lexoi publikisht pas vdekjes së regjisorit. Sa për filizat e kinemasë bashkëkohore, autorët që debutuan në filmin e gjatë kishin një moshë mesatare mbi 50 vjeç. Dhe ky nuk është pesimizëm statistikor.

Vijon: “Filma po, por çfarë kinemaje?”

© 2026 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading