O VOLTER, TË JESHE GJALLË…

nga Dhori Qiriazi

Më 30 gusht, falë një shkrimi të të mistershmit Tannhäuser në PTF[1]Sqaroj se lidhur me çështjen Gjirokastër a Gjinokastër, në shkrimin tim të cituar nga Tannhäuser kam supozuar se trajta Gjinokastër, e dëshmuar në rajonin më të gjerë, por edhe në … Continue reading, mësova se është botuar në Athinë në gjuhën shqipe libri “Gjirokastra – Argjyrokastro Perëndimi i Lindjes”. E kam lexuar këto ditë i mbushur me kërshëri, i nxitur gjithashtu edhe nga fakti se ballina e bukur e bën me dije lexuesin që ky libër shoqërohet nga një parathënie e akademikut Sh. Sinani. Të cilin autori e falënderon posaçërisht dhe përzemërsisht se me thellësi mendimi dhe mjeshtëri erudite zbaton parimin volterian “pranoje mendimin ndryshe edhe kur nuk puqesh me të”, duke u hapur “perspektivë të qartë ideve të librit”!

Një zakon i hershëm, që po më bëhet huq pleqnie, më shtyu të lexoja fill pas parathënies dhe hyrjes edhe mbylljen e “Perëndimi i Lindjes”, ku autori shkruan:

Do të përpiqem t’i qasem edhe unë me “gjykim të ndershëm, objektiv” dhe të shfaq mendimin tim “të kulturuar si vetë Gjirokastra”, në kërkim të “perspektivës së qartë të ideve” që shpalosen aty.

Me cilësinë e gjuhëtarit do të ndalem në kulturën e të shkruarit, të të menduarit dhe të të debatuarit që shpërfaq ky libër. Kyçi i qasjes sime ka të bëjë me “parimet volteriane”. Të cilat autori duket se i njeh mirë e madje i çmon si virtyt te të tjerët. Ai vetë përse nuk i zbaton?! Shfaqet si mbrojtës i “mendimit ndryshe”, që, siç do të shohim, e ka degdisur në Sokakun e të Marrëve të Gjirokastrës.

Këtë “mendim ndryshe” e shtjellova gjatë në shkrimin tim të shkurtit 2021 (https://peizazhe.com/2021/02/18/gjaku-sbehet-uje-shkenca-po/), me shkas  debatin e ndezur nga emisioni për Dropullin i gazetarit M. Mema (janar 2021). Nuk kam marrë ende përgjigje nga prof. Xhufi, me të cilin debatova për vërtetësinë a pavërtetësinë e Kronikës së Dropullit.

S’ma merrte mendja ndërkaq se edhe një autor dropullit do ta mbronte me po aq zjarr vërtetësinë e Kronikës, me ndryshimin se ky, ardhjen e (padiskutueshme, sipas tij, të) dropullitëve nga Atika e zhvendos në kohë të mugëta të lashtësisë.

E zhvendos thellë në kohë dhe e kthen në gur themeli të narrativës së vet tërheqëse, sipas së cilës në këto anë e duke u ngjitur nga veriu deri poshtë vijës Jireček[2]Në vitin 1911, historiani çek Konstantin Jireček, i bazuar në gjetjet arkeologjike, përkatësisht në shpeshtësinë e mbishkrimeve greke dhe latine, piketoi një vijë imagjinare në hartën e … Continue reading(!) banonin vetëm grekë. Sa për shqiptarët, ata, sipas një “teze” tjetër të ndryshkur dhe po aq të “besueshme”, që autori e sjell si provë në një vepër të paradokohshme të tij (2016), erdhën nga malet e Kaukazit.

Në rastin e Dropullit, na thotë autori, historia e mbarë luginës ndahet respektivisht në epokën e para ardhjes dhe në epokën e pas ardhjes nga Atika, ndërsa ne vdekatarët që qëllon të jemi minoritarë grekë në Shqipëri, duhet t’i japim dum punës e të zgjedhim: jemi pro a jemi kundra vërtetësisë së Kronikës!

Por le t’i kthehemi Volterit. Në frymën e këtij, nuk kam pretendimin që autori të pajtohet me mendimin tim për Kronikën, por, volterian edhe unë, kam të drejtën t’i kërkoj ta pasqyrojë e ta hedhë poshtë me argumente mendimin alternativ. Lexojeni çfarë shkruan në f. 62-63:

Për gjurmimin e këtyre zhvillimeve janë të mjaftueshme (por ndoshta jo të plota) informacionet që vijnë nga burime historike, nga gjetjet arkeologjike dhe analizat krahasuese. Në themel të tyre qëndron libri “Kronika e Dhriinopolis / Το χρονικό της Δρυϊνουπόλεως ose i Argjyrokastros (Αργυροκάστρου)”.

“Kronika” është shkruar në gjuhën greke nga autorë anonimë, diku në fillim të shek. XVIII. Fillimisht u botua në Perëndim gati një shekull më vonë, prej Pouqueville dhe Beker.  […] Pouqueville i vlerësoi autorët anonimë të “Kronikës” me kulturë të gjerë dhe njohuri të thella që nga antikiteti. Vetë librin e konsideroi si burim të dhënash të sakta. […]  

Në ribotimet e vona, të përmendura më lart, ribotuesit grekë të Epirit, gjithsej shtatë, saktësojnë shumë data, toponime, ngjarje, personazhe duke e shndërruar atë në një manual historik.

Meqenëse argumentet e mia nuk e kanë bindur, po ricitoj këtu fjalët e studiuesit Léandros Vranúsis, autor i një monografie të posaçme për Kronikat e Epirit, në periudhën e mesjetës dhe të pushtimit turk (Χρονικά της μεσαιωνικής και τουρκοκρατούμενης Ηπείρου), botuar në Janinë më 1962. Në faqet 117-130 të atij libri bëhet fjalë posaçërisht për Kronikën e Gjirokastrës/Dropullit dhe shënohet që Petridhis, i cili “e botoi të plotë Kronikën më 1871”,

…të jep përshtypjen se nuk është thjesht botues, por në njëfarë mënyre edhe përshtatësi i fundmë i saj. Me një përpjekje sistematike është synuar që ky rrëfim naiv të paraqitet sa më i ngjashëm me burimet gjoja antike të tij. Ky lloj arkaizimi [i përmbajtjes] përgjithësohet dhe arrin deri në atë shkallë, saqë ndryshohen pika thelbësore të rrëfimit, siç është ndryshuar edhe vetë titulli. Drinopoja bizantine – i shumëkënduari Dropull, sikurse deri më sot quhet zona e luginës së Gjirokastrës – duhej të lidhej me Dryopët e antikitetit paraklasik dhe historia e vendit mori titullin Χρονικόν Δρυoπίδος / Kronikë e Dryopidës!

Studiuesi Vranusis shton pak më poshtë se:

Hartuesi plot fantazi i Kronikës e habit lexuesin me rreshtimin e historianëve të panjohur dhe të veprave po ashtu të panjohura të antikitetit, të cilat gjoja paskan humbur; ndërton etimologji të paqena dhe arkaizon dhjetëra toponime të Epirit të Veriut, për të sajuar hegjemonë dhe themelues qytetesh, qytezash dhe fortesash, si dhe ka ambicien të lidhë historinë e vendit të vet me emrat më të lavdishëm të lashtësisë. Nuk është fjala aspak për tradita gojore popullore, por për një roman historik me vulë savante. (f. 118)

I shtyrë mbase nga ambicia për ta lidhur emrin e vet  me kushedi çfarë emrash të lavdishëm të kushedi çfarë fushe e kohe, autori ynë turret kalërues në fushë të Dropullit dhe mjerë kush i del përpara! Të ndjerin Vranusi e ka përpirë harresa dhe nuk përmendet as sa me la gojën në bibliografinë që shoqëron librin.

O Volter, të jeshe gjallë, Volter, o lulé!

Me kësi marifetesh, i përgjëruar si gjithnjë për të vërtetën, autori ynë vulos fermanin e tij diturak, duke pagëzuar si “manual historik” “një roman historik me vulë savante”. Na jep madje edhe një hollësi të çmuar, pa na zbuluar burimin e saj:

Shtypshkronja e Voskopojës nuk pranoi ta botonte [Kronikën], se nuk besonte se një libër me përmbajtje dhe nivel kaq të lartë mund të shkruhej nga dropullitët.

Megjithatë, çudirat nuk kanë të sosur! Më poshtë pohon pa ia bërë syri tërr se:

Ngjashmëria e së folmes gojore të Dropullit me dialektin ionian të Atikës, ndryshe nga të folmet e tjera në Epir, që i përkasin dialektit grek dorik, vërteton në mënyrën e vet ardhjen e themeluesve të Dhrinopolit nga Athina.

Pas këtij “argumentimi” të pashoq që ta mbyll gojën, ai nuk e ka për gjë të lërë pa përmendur një autoritet si historianin G. Stadtmüller, që ka shkruar posaçërisht për të folmet greqisht të Epirit. I cili shpjegon shkoqur përse një numër syresh, të ndodhura në zona periferike, ruajtën të ashtuquajturin “vokalizëm jugor” të greqishtes.

Por ka edhe më. Sipas autorit tonë, vetë shqipja e barinjve të anëve të Gjirokastrës na jep prova të pakundërshtueshme të ardhjes së hershme të dropullitëve nga Athina, si kjo më poshtë:

Përdorimi akoma nga banorët e moçëm në Zhulat, Picar apo Shtëpëzë të fjalëve apo konstrukteve gjuhësore (në të folmen e staneve), që i përkasin greqishtes së vjetër (dialektit ionian) e plotëson edhe më shumë vërtetësinë e “Kronikës”.

Një pohim i tillë ngjall admirim e ta shton kureshtjen për të mësuar diçka më tepër, por, siç dihet, monografitë serioze nuk merren me “çikërrima”. Megjithatë marr guximin ta ftoj ustabashin të na shpjegojë si qëndron puna.

Sepse, nëse barinjtë e moçëm të Zhulatit, Picarit dhe Shtëpëzës ruajnë fjalë dhe konstrukte të greqishtes së vjetër e të dialektit jonian të saj, kjo do të thotë që ose janë banorë vendës të asimiluar qysh në lashtësi prej “athinasve të ardhur”, ose, e kundërta, janë “athinasit e ardhur” të Kronikës, që u asimiluan pjesërisht prej banorëve vendës, që flisnin një gjuhë tjetër, pas gjasash mëmën e shqipes.

Në të dyja rastet, po të ndjekim këtë lloj arsyetimi, del se këtu kemi pasur kontakte të motmotshme gjuhësh, dhe nuk kemi pasur, siç pretendohet, pastërti etnike!

Pra, le të tregohet pak më zemërgjerë me mua mëkatarin, që guxova të shkruaj se emri Δρόπολη / Dropull ka shumë gjasa të lidhet me emrin Αδριανούπολις / Hadrianopolis, me rrënjë latine a romake, e jo me trajtën savante Δρυινούπολις! Por e thamë: Ο me ne, o me ata! O pastërtor, o trathtor! Rrugë të mesme s’ka!

Dhe meqenëse folëm për kontakte gjuhësh, vini re si i koncepton ato mbrojtësi i kauzës së Dhrinopojës:f.184.

Këtu s’mundemi pa i bërë nja dy komente. E para, janë kryesisht faktorët historikë ata që përcaktojnë fatin dhe raportet e gjuhëve dhe nuk është aspak ADN-ja speciale e kësaj apo asaj gjuhe dhe aq më tepër e bartësve të tyre. Greqishtja, për arsye që nuk do të shtjellohen këtu, ka qenë qysh në kohë të Bizantit, më parë e më pas, një lingua franca dhe lingua sacra, pra ka pasur një pozicion “të privilegjuar” për shkak të rolit polivalent të saj. Jugu (i sotëm) shqiptar ka qenë më i ekspozuar ndaj ndikimit të greqishtes dhe prandaj ruan më shumë gjurmë të saj. Duhet thënë madje, me shpresën se nuk do të keqkuptohemi, që në mjaft raste ajo pati rol ndriçues, ngaqë u dha njerëzve mundësinë për t’u arsimuar e për të kuptuar cilët janë dhe çfarë janë.

Sigurisht, ka pasur edhe raste kur greqishtja u instrumentalizua dhe u keqpërdor për të sajuar grekë edhe aty ku këta nuk ekzistonin. E kemi thënë prej kohësh, dhe na vjen keq që ua kemi prishur humorin disave, se hapësira kulturore (dhe e përdorimit) e greqishtes në Ballkan e më gjerë nuk ka qenë dhe nuk është një me hapësirën etnologjike të grekëve. Kush beson të kundërtën, është njësoj si të mendojë se planeti Tokë vërtitet rreth Hënës!

Meqë ra fjala për Gjirokastrën, aty është shënuar një episod i shëmtuar i historisë së marrëdhënieve të të dyja gjuhëve. E kemi fjalën për Qarkoren famëkeqe të mitropolitit të Gjirokastrës Anthimit, i cili më 1879 fliste me përçmim të hapur ndaj shqipes dhe përpjekjeve për shkrimin e saj. Të tilla episode, edhe pse populli këndonte vargjet “gërqishten e dije, / s’më the kalimera”, e kanë errësuar kohë pas kohe imazhin e greqishtes dhe kanë dhënë shkas për demonizimin e (qëllimshëm të) saj.

Edhe pohimi i autorit dropullit dhe gjirokastrit se “ndikimi i shqipes mbi greqishten pothuaj nuk ekziston”, duhet relativizuar. Po të vështrojmë raportet në nivel lokal, do të shohim se edhe greqishtja ruan gjurmë të shqipes, sidomos në pikat ku të dyja gjuhët takoheshin në rrugë e në shtëpi.

Shprehjet “με τι παίρεσαι? / me ti pérese” (< me se merresh?) dhe “να σου πάρω το κακό! / na su páro to kakó!” (< të marrsha të keqen!), si dhe mjaft të tjera, që dëgjohen gjithandej në të folmet greqisht të jugut shqiptar, tregojnë se edhe shqipja i ka dhënë greqishtes, sidomos në të folmet periferike. Dokument me rëndësi të veçantë dhe dëshmi autentike e këtyre raporteve dhe ndikimeve është poema epike “Αληπασιάδα / Alipashiada” e delvinjotit Haxhi Shehreti, e thurur greqisht dhe e shkruar në fillimet e shek. XIX, ku kemi me dhjetëra fjalë e konstrukte me origjinë nga shqipja të greqishtes, që dëgjohen edhe sot në të folmet e minoritetit grek.

Sa për mëtimin për epërsi të njërës gjuhë ndaj tjetrës, do të thosha se, fatmirësisht, nuk ka bërë fole në mendjet e njerëzve të thjeshtë, atyre që e kanë mbajtur në këmbë harmoninë qytetare gjirokastrite. Gjithsesi, kjo çështje është trajtuar gjerësisht në bibliografinë e fushës, duke filluar me monografinë e njohur për greqishten në Ballkan të A. Konstantakopoulou-t e duke ardhur te studimi hyrës i V. Panajotopoulos-it për pozitën dhe rolin e greqishtes në Pashallëkun e Janinës në vitet e Ali Pashës, siç përvijohet nga studimi i Arkivit të tij, dhe duke vazhduar me studiues autoritarë si  P. Mackridge, J. Lindstedt, R. Detrez etj., emrat e të cilëve nuk hasen aspak nëpër faqet e librit.

Argumenti i fundit i ardhjes nga Atika të dropullitëve, i natyrës etnografike, është ky:

Tregues më vete përbën veshja tradicionale e nuses dropullite. Pjesët që e përbëjnë, ngjyra e bardhë, mënyra e qepjes, (forma e lirë, pa marrë parasysh formën e trupit) etj., çojnë në marrëdhënie të drejtpërdrejta me traditën e veshjeve në Greqinë e lashtë, të trashëguara nga Bizanti. (f. 62-63)

Edhe këtu nuk i jepet udhë muhabetit. Veshja e nuses dropullite ka lidhje të drejtpërdrejtë me veshjet e Greqisë së lashtë apo është e trashëguar nga Bizanti?! Për veshjen dropullite ka shkruar studiuesja qipriote J. Kapllani, por edhe emri i saj nuk i ka hyrë në punë autorit gjithandej të vetëmjaftueshëm.

Bindja e tepruar në dijet e veta dhe shpërfillja e bibliografisë dhe e ndihmesave të të tjerëve e “shpërblejnë” autorin me lajthitje gjuhësore, një pjesë të të cilave po i radhis më poshtë.

Vërtet, në ç’qitap ka lexuar se fjala κάστρο qenka e greqishtes së vjetër (f. 77)? Se emri Palortó i lagjes së njohur të Gjirokastrës vjen nga fjala e padëshmuar greke παλιορθό [?] ‘i vjetër në këmbë’ (f. 89)?

Po të shfletonte Fjalorin Etimologjik  të N. Andriotis-it dhe Kodikun e Mitropolisë së Dropullit e të Gjirokastrës, botuar së fundmi nga K. Giakoumis, do të mësonte se e para rrjedh prej latinishtes castrum, ndërsa trajta Palortó ruan emërtimin Παλιουρωτό të së njëjtës lagje, në kuptimin ‘vend me driza’, që “kopsitet” paq me faktin se edhe dy lagje të tjera të qytetit, Cfáka dhe Graníca, mbajnë emrat e fitonimeve σφάκα dhe γρανίτσα ‘dushk i shkurtër’. Kjo e fundit, me prejardhje sllave, dëshmohet edhe në anë të tjera të Epirit, ndërsa toponimi Παλιουρωτό haset në Korfuz. Po shtoj me këtë rast se në një libër për Gjirokastrën sillet dëshmia se “dikur lagjja jonë Palorto quhej Drizare” (A. Shehu, Argjendi i gurit – e paharruara Gjirokastër, Tiranë, 2012, f. 206)[3]Ma merr mendja se fjala theksohet në rrokjen fundore, duke ndjekur paradigmën e toponimeve me prapashtesën kolektive –aré (< gr. –αριά / – αρέα), si p.sh. Dushkaré, Lisaré, … Continue reading, kurse në Kodikun e Mitropolisë së qytetit hasen të dyja trajtat: των δύο μεχαλέδων Παλαιοπαζάρου και Παλιουρωτού [të dy mëhallave Paleopazaro (Pazar i Vjetër) dhe Paluroto] (Dok. 33/v.1776), τον μαχαλάν του Παλαιορωτού [mëhallën e Paloroto-së] Dok. 182/v.1840), συζύγου Κ. Μαρτήρη Παλιορτό [gruas së K. Martirit Palorto] (Dok. 173/v.1858). Emërtimi Paloroto haset edhe në dokumente për Gjirokastrën të Arkivit të Ali Pashë Tepelenës, që nuk janë përfshirë në bibliografinë e konsultuar nga autori: εσκοτοθηκε ενας ραγηας στο βαροση την νυχτα στο Παλιοροτο [u vra një raja në Varosh natën në Palorotó] (Arkivi i Ali Pashë Tepelenës, vëll. V, Athinë, 2018, Dok.1500/v.1804).

Në f. 88 përmendet mëhalla Martolós e Gjirokastrës, regjistruar më 1583, tek e cila autori gjen fjalën greke αμαρτωλός ‘mëkatar’, por edhe këtu ekziston një etimologji më bindëse, dhe më pak “mëkatare”, që shkon te fjala turke martoloz, martulós, të cilën Fjalori Turqisht-Anglisht i Redhouse-it (Stamboll,1968, 1995) e jep me kuptimin ‘Christian sailor from the Danube in the pay of the Turks in their forts’, e lidh me historinë e Perandorisë Otomane dhe e bie nga greqishtja [αρματολός]. Edhe Fjalori i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe i T. Dizdarit, Tiranë, 2005, jep të dhëna të mjaftueshme për fjalën, që në shqipen e vonë ka pasur kuptimin ‘njeri i armatosur, rojtës fshati a mali, bekçi’, ndërsa më herët ‘Art christlicher Soldat in der Türkei” (Miklosich).

Po marrim edhe një shembull tjetër për të treguar se si damarët e qytetit të gurtë duan gjurmuar thellë në histori dhe në një mjedis ku shtresohen dhe takohen gjuhë të ndryshme. Në f. 127 autori shkruan se

Sipas të gjitha të thënave, kur Ali Pashë Tepelena vendosi në kala topat e para, askush nuk guxonte t’i shkrepte, gjersa vajti një djalë i ri nga familja Mavromati-Karagjozi dhe i shkrepi. Për këtë guxim ai u quajt djali i topit / topolli / topulli, që shërbeu në fillim si vlerësim shquarsie e krenarie, dhe pastaj u kthye në mbiemër të rregullt.

Kjo traditë jepet ndryshe në një libër tjetër me titull “Topullarët e Gjirokastrës, Bajo e Çerçizi, paraardhësit dhe pasardhësit”, shkruar nga Bajo Topulli, Tiranë, 2008, f. 22-23, ku lexojmë se:

Kur Ali Pasha u bind se Mehmet Karagjozi nuk dorëzohej as me hir as me pahir, filloi bombardimin nga Kalaja me topa kundër shtëpisë së Mehmet Karagjozit. […] Kështu, “qëllon topi tek Mehmeti”, “topi bum, Mehmeti s’jepet” etj., dhe me kohë Mehmet Karagjozin nisën ta thërrisnin Mehmet Topi, mbiemër i cili më pas mori edhe prapashtesën –ull- dhe u formua mbiemri Topulli, që e mban edhe sot familja Topulli.

Le të shtojmë se në librin e lartpërmendur citohen ndër të tjera edhe vargjet “Mehmet Topi, Mehmet Palla, / I dole Aliut para…”, kurse një prapashtesë –ull tek mbiemri Topulli vështirë se mund të motivohet. Na duhet një shpjegim tjetër.

Interesante është se, tej traditës gojore, në Kodikun e Mitropolisë së Gjirokastrës, të cilin autori i “Gjirokastra – Argjyrokastro…” e përmend, por s’e mori mundimin ta shfletojë, në dokumentet nr. 142 dhe 143 të 25 prillit 1840 (Giakoumis 2020, f. 306-307), përmendet ο ενδοξότατος [shumë i lavdishmi] Μουσλή αγά Τόπουλος Αργυροκαστρίτης, i cili nënshkruan në fund si Μουσλή Μεχμετόπουλος dhe, sipas librit në fjalë, ka qenë një ndër pesë bijtë e Mehmetit.

Fakti i mësipërm na jep të drejtën të supozojmë se trajtat e dëshmuara Tόπουλος / Topulli kanë  rrjedhur përkatësisht nga Μεχμετόπουλος / Mehmetopulli, që u krijuan ose mbi bazën e emrit (Μεχμέτ-ης / Mehmet + prapasht. përkëdhelëse –όπουλος / > –opulli) ose mbi bazën e emërllagapit Mehmet Topi / Μεχμέτ Τόπι + –όπουλος / > –opulli, dhe në vazhdim, për arsye që s’mund t’i dimë, u përgjithësuan pas gjasash si mbiemër i familjes së madhe të Topullarëve. Këtu ka lozur rol prapashtesa –όπουλος e greqishtes, e cila haset edhe në fjalë të tjera të së folmes së Gjirokastrës. (Për fatin e keq të “pastërtorëve”, edhe kjo prapashtese e greqishtes ka rrënjë latine.)

Druri gjenealogjik i Topullarëve (f. 33) tregon se mbiemri Topulli filloi të përdorej për herë të parë nga të bijtë e Mehmetit, të cilët, siç duket nga dokumentet e cituara, mund të jenë thirrur me emrin përkëdhelës Μεχμετόπουλος, në kuptimin ‘i biri, djali i Mehmet Topit’, dhe më pas ky është riinterpretuar, si Μεχμέτ Τόπουλος / Mehmet Topulli.

***

Nuk është qëllimi ynë të rreshtojmë këtu gjithë gabimet dhe pasaktësitë e veprës. Është për të ardhur keq se edhe kur ky libër ka tek-tuk vlera njohëse, ato humbasin si kripa në ujë(rat e ndenjura të para-shkencës)[4]Autori vëren se “Ajo që ndryshoi … esencialisht raportet midis të krishterëve dhe myslimanëve, dhe në Gjirokastër, dhe në luginën e Drinos, ishte ndryshimi i marrëdhënieve mbi … Continue reading

Një zë i brendshëm, por edhe kolegë, më thonë “lere, ç’merresh me të! Në fund të fundit, përgjegjësinë për çka shkruan e mban ai vetë.” Por mendoj se gjërat kanë një masë e një kufi. Nuk mund të lejosh të marrin nëpër këmbë e të shpërfillin punën tënde e të kolegëve të tu njerëz që janë mësuar të bëjnë gjasme shkencë e gjysma shkencë.

Në shkrimin e shkurtit 2021 kam përshkruar si kapen dorë për dore parashkenca dhe naciopopulizmi. Misioni i tyre është të “mbjellin” “të vërteta” që përkëdhelin veshët e publikut dhe që e “arnojnë” historinë sipas qejfit dhe oreksit të njërit e të tjetrit[5]Po a u bëhet dhe sa u bëhet barrierë shoqëria e sotme shqiptare këtyre spekulantëve? Për fat të keq, jo! Gjatë muajit gusht pata “fatin” të “karamboloj” në internet me zonjën E. … Continue reading.

Parashkenca, në thelb, prej natyrës së vet, në mënyrë selektive, sistematike dhe këmbëngulëse, birëson dhe promovon elementet që i shkojnë pas midesë, pa i çarë kryet kanë a s’kanë lidhje me të vërtetën. Dhe, sigurisht, bëhet bishë, fryn e shfryn, kur dikush ia prish rehatinë duke nyjëtuar një tjetër qasje të gjërave.

Pra, ndryshimi mes parashkencës dhe shkencës është se njëra përdor mite, ndërsa tjetra synon të shohë çfarë fshihet pas miteve[6]“[A myth] is a true story in so far as it recalls events which have in one way or another shaped the community and its social order through the emergence and consolidation of beliefs and norms. At … Continue reading.

Të njëjtën gjë nuk po bën edhe profesori ynë? Shfletoni bibliografinë që ka përdorur  dhe do të bindeni për sa po them. Pse nuk gjenden aty titujt e doktoratave për krahinën e Dropullit, të  mbrojtura gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, përfshi edhe K. Giakoumis, The monasteries of Jorgucat and Vanishtë in Dropull and of Spelaio in Lunxhëri as monuments and institutions during the Ottoman period in Albania (16th-19th Centuries), University of Birmingham, 2002? Si është e mundur të flasësh për gjuhën e gjirokastritëve dhe të lësh pa përmendur studimet dhe librat e M. Lambertz-it, H. Zazanit, M. Xhaxhiut e mjaft të tjerëve? Qëllon t’i kem trajtuar edhe unë këto çështje,[7]Shih, ndër të tjera, Ελληνικές επιδράσεις στην Αλβανική (Ndikime të greqishtes në gjuhën shqipe) Pjesa I: α. Përshtatja fonetike e huazimeve nga greqishtja;  b. … Continue reading, por, e thamë, zoti profesor i asociuar (ku???) më ka shpallur non grata!

Sepse unë, veç të tjerash, paskam vënë në dyshim faktin që minoriteti grek banon denbabaden në trojet e veta të stërmoçme!

More, po, di a s’di të lexojë ky njeri?

Në shkrimin e 26 janarit 2021 pata thënë shprehimisht që:

Nëpërmjet faktesh arritëm në përfundimin se, në një vështrim të parë, të folmet greqisht të jugut shqiptar datojnë qysh në shek. XIII e më herët dhe, pos këtyre, të dhëna të tjera toponimike dhe të gjuhëve në kontakt tregojnë se greqishtja ka qenë e pranishme këtu qysh së paku nga fillimet e mijëvjeçarit I të erës sonë. Kjo, sigurisht, nuk përjashton lëvizjen apo mbivendosjen e popullsive.

Vazhdoj t’i besoj ato që kam shkruar e madje mund të them se shporta e argumenteve (dhe jo e sofizmave) është bërë më e pasur.

Në rastin e Dropullit ekzistojnë fakte dhe prova gjuhësore, që autori i librit “Perëndimi i Lindjes…”, a më mirë, “Perëndimi i Arsyes”, nuk i mori parasysh.

Le ta gjykojë i paanshmi dhe i përjetshmi Volter!

 

© 2022 Dhori Qiriazi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Të interesuarit për ta ribotuar shkrimin duhet ta kontaktojnë drejtpërdrejt.

(Imazhi kopertinë: Photo by Abenteuer Albanien on Unsplash)

References

References
1 Sqaroj se lidhur me çështjen Gjirokastër a Gjinokastër, në shkrimin tim të cituar nga Tannhäuser kam supozuar se trajta Gjinokastër, e dëshmuar në rajonin më të gjerë, por edhe në “Bletën shqiptare” të Mitkos (1878), përdorej qysh nga mesi i shek. XIX. Pas gjasash, ajo lindi fillimisht si një përpjekje për ta risemantizuar dhe për ta bërë “transparent” ekonimin Gjirokastër, përbërësit e të cilit, gjiro– dhe -kastër, nuk i thonë gjë folësit të shqipes, dhe më pas përftoi ngjyrime “patriotike”.
2 Në vitin 1911, historiani çek Konstantin Jireček, i bazuar në gjetjet arkeologjike, përkatësisht në shpeshtësinë e mbishkrimeve greke dhe latine, piketoi një vijë imagjinare në hartën e Gadishullit Ballkanik, me drejtim nga perëndimi në lindje, nga deti Adriatik drejt Detit të Zi, duke filluar në Shqipërinë Veriore e pastaj përgjatë kufirit serbo-maqedonas, e qysh këtu  mespërmes Bullgarisë deri në afërsi të Kostancës, Rumani. U konstatua se në anën veriore të vijës mbizotëronte latinishtja, ndërsa në anën jugore greqishtja, por kjo nuk do të thotë se ato kanë qenë të vetmet gjuhë që fliteshin dhe përdoreshin në ato zona.
3 Ma merr mendja se fjala theksohet në rrokjen fundore, duke ndjekur paradigmën e toponimeve me prapashtesën kolektive –aré (< gr. –αριά / – αρέα), si p.sh. Dushkaré, Lisaré, Zallaré, Lumaré (F. M. Rrapaj, Fjalori Onomastik i Epirit, Tiranë, 1995). Prania e toponimeve Cfakë dhe Palorto jep dorë për ta riparë pohimin e A. Shehut se “Gjirokastritët minoritarëve u thonë si për t’u qarë hallin me njerzillëk fqinji: “binadali”, “ckullo” (i çkulur nga rrënjët e tij e ardhur mes nesh). Në Kurvelesh u thonë “rrënjëdali”, d.m.th me rrënjë të dala e të ngulura gjetkë.” (vep.cit. f. 376). Gjithsesi, duhet parë si lindi dhe si u përhap te gjirokastritët e deri në Kurvelesh kjo traditë, e cila është për t’u shënuar se nuk haset në vetë popullsinë e minoritetit grek, përjashto, sigurisht, “Kronikën”.
4 Autori vëren se “Ajo që ndryshoi … esencialisht raportet midis të krishterëve dhe myslimanëve, dhe në Gjirokastër, dhe në luginën e Drinos, ishte ndryshimi i marrëdhënieve mbi tokën, kryesisht në fund të shek. XVII dhe në shek. XVIII.” (f. 134). Ky pohim është mbase edhe kyçi për të kuptuar përse pikërisht në këtë periudhë shkruhet dhe qarkullon në disa kopje Kronika e Dropullit, ekzistenca e padiskutueshme e së cilës, e theksojmë, nuk  është argument edhe për vërtetësinë e përmbajtjes së saj. Jehona e ngjarjeve  që po ndodhnin në fushën e Dropullit mbërrinte edhe në qelitë e murgjve dhe shndërrohej në rrëfim dhe kërkim rrënjësh të lashta. Guxoj madje të supozoj se, në kahen e kundërt, tradita për grekët “binadalë” e “rrënjëdalë” të Dropullit ka lindur mbase pikërisht në këtë kohë!
5 Po a u bëhet dhe sa u bëhet barrierë shoqëria e sotme shqiptare këtyre spekulantëve? Për fat të keq, jo! Gjatë muajit gusht pata “fatin” të “karamboloj” në internet me zonjën E. K., e cila, e ftuar në një emision të TVSH-së, foli gjer’ e gjatë, plot 31 minuta, për veprën e saj të fundit dhe i la gojëhapur drejtuesit e tij simpatikë, duke i bindur se në Peloponez s’ka mbetur këmbë greku qysh në mesjetë! Stafetën e mori pastaj diku tjetër z. A. Ll., historian, i cili në një vepër të financuar nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut argumenton që “Ç’ne! Ku ka pasur Revolucion grek të 1821-shit?”. Edhe ky, njohës i thellë i historisë dhe sidomos i gjuhës greke, është i mirëpritur nëpër studiot televizive!
6 “[A myth] is a true story in so far as it recalls events which have in one way or another shaped the community and its social order through the emergence and consolidation of beliefs and norms. At the same time, a myth transcends the truth of the events: a myth is not historiography.”  (S. P. Rickmann, “The myth of Europian Unity”, në G. Hosking and G. Schöpflin (eds), Myths and Nationhood, London: Hurst, 1997, f. 61-62)· “Members of a community may be ware that the myth they accept is not strictly accurate, but, because myth is not history, this does not matter. It is the content of the myth that is important, not its accuracy as a historical account.” (G. Schöpflin, “The function of myths and a taxonomy of myths”, në vep.cit. më sipër, f. 19).
7 Shih, ndër të tjera, Ελληνικές επιδράσεις στην Αλβανική (Ndikime të greqishtes në gjuhën shqipe) Pjesa I: α. Përshtatja fonetike e huazimeve nga greqishtja;  b. Përshtatja morfologjike e huazimeve greke; Pjesa II: Fjalor i huazimeve nga greqishtja të shqipes) punim doktorate, Selanik, 2001, f. 569; «Gërqishten e dinje / s’më the kalimera…»: Bilinguizmi dhe marrëdhëniet e shqipes me greqishten në veprën e prof. E. Çabejt, në vëll. Eqrem Çabej dhe kultura shqiptare, Universiteti i Gjirokastrës, Τiranë, 2004, 303-325; Greek influence on Albanian (A review of relevant research, problems and perspectives), në vëll. Ελληνική Ετυμολογία – Greek Etymology, Instituti i Studimeve Neohelenike, Selanik, 2017, 394-416.

About the Author

Dhori Q. Qirjazi (Δώρης Κ. Κυριαζής) u lind në Delvinë dhe vitet e fëmijërisë e të rinisë i kaloi në Sarandë. Pas përfundimit të studimeve për filologji greke dhe gjuhësi në Universitetin Aristotelian të Selanikut (1986), punoi në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë në Tiranë, në sektorin e leksikologjisë dhe të leksikografisë (1987-1991) dhe më pas u vendos në Selanik, ku doktoroi me temë “Ndikime të greqishtes në gjuhën shqipe” (2001) dhe punoi si ndihmës dhe hartues i Fjalorit shumëvëllimësh të Greqishtes Popullore Mesjetare, nën drejtimin e prof. Emanuil Kriaras (1992-1999). Ka qenë lektor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Institutin e Studimeve Ballkanologjike të Selanikut (1991-1999) dhe prej vitit 2000 në Universitetin ku punon edhe sot. Më 2006 filloi punën si lektor e më pas si assoc. prof. i gjuhësisë historike në Fakultetin Filozofik të Universitetit Aristotelian të Selanikut, me objekt studimi marrëdhëniet e greqishtes me gjuhët e tjera ballkanike.

Author Archive Page