DHJETORI, MUAJ I SERTË

Trashëgimia politike dhe historike, madje edhe vetë kujtimi publik i ngjarjeve të dhjetorit 1990, kanë pësuar shndërrime në rrjedhë të viteve: nga përlavdimi total i fillimeve, te vetëmburrjet dhe narrativat personale, pluraliteti i perspektivave dhe, tani së fundi, vënia në dyshim e domethënies së ngjarjeve vetë dhe e integritetit politik, në mos edhe etik, të protagonistëve.

Frika fillestare, se mos ajo çka ndodhi, ose përmbysja e regjimit totalitar në Shqipëri, ishte më e madhe se lëvizja e studentëve dhe sidomos, më e madhe se udhëheqësit e kësaj lëvizjeje, veç erdhi duke u amplifikuar – sidomos për shkak të rrëfimeve që kanë shoqëruar, gjatë këtij çerekshekulli, përvjetorët përkatës: numri i atyre që flasin sa vjen e shtohet, emrat që përmenden sa vijnë e bëhen më të panjohur, në një kohë që klasës politike të përftuar nga ai dhjetor sa vjen dhe i karikaturizohet profili virtuoz i dikurshëm, nëse e kishte vërtet.

Kjo bën që pakkush të indinjohet tani me zërat që e vënë në pikëpyetje krejt mitologjinë e dhjetorit 1990, të përftuar nga një çerekshekull rrëfimologji – dhe pikërisht dy artikuj, njëri nga Andi Bushati (Miti qesharak i 8 dhjetorit) dhe tjetri nga Artur Zheji (Kukullat e dhjetorit), të botuar këtë përvjetor në gazetat kryesore të Tiranës.

Pa u futur në hollësitë e argumenteve të këtyre të dyve, më duhet të vërej se hipoteza që, mes nismëtarëve dhe protagonistëve të udhëheqjes, kishte njerëz të futur nga Sigurimi i Shtetit është më se logjike. Qëllimi i këtyre nuk do të ketë qenë aq që ta pengonin lëvizjen ose ta bënin të dështonte; por të mos lejonin që ajo të dilte nga kontrolli dhe të dëmtonte interesat e mëdha, edhe ato ekonomike, të kastës së cilës i shërbente, dhe i përkiste, vetë Sigurimi.

Kësaj hipoteze i duhet shtuar edhe një e dytë: dhe pikërisht që nuk ishte vetëm agjentura e Sigurimit ajo që interesohej për zhvillimet në Shqipëri. Duhen faktorizuar, pra, edhe agjentura të tjera, të huaja – sidomos të vendeve fqinje, të Jugosllavisë dhe të Greqisë, që kanë qenë të përfaqësuara mirë në Shqipëri në të gjitha nivelet; por edhe ndonjë element i sovjetikëve dhe të tjera agjentura të vendeve perëndimore, që vepronin nëpërmjet ambasadave ose drejtpërdrejt me rezidentë në terren; dhe të tjerë që bënin lojë të dyfishtë ose ndërmjetësonin midis palëve.

Edhe këta agjentë – hipotetikë – do të jenë përfshirë në atë lëvizje jo për ta paralizuar, por më tepër për ta mbajtur në kontroll dhe për ta orientuar drejt interesave politikë të vendeve përkatëse; ose edhe thjesht për t’u siguruar që, me ndërrimin e regjimit, klasa e re politike që do të merrte pushtetin të kishte në gjirin e vet edhe përfaqësues – të fshehtë – të këtyre interesave.

I gjithë ky spekulim, logjik në vetvete, lë jashtë një të vërtetë kritike: pavarësisht pranisë dhe manipulimeve agjenturore që iu bënë lëvizjes së dhjetorit 1990, pjesa më e madhe e protagonistëve të saj do të kenë qenë të pastër dhe idealistë: njerëz që morën në sy rrezikun e jashtëzakonshëm dhe sfiduan, sy më sy, aparatin represiv të regjimit Alia; të vetëdijshëm se edhe mund të masakroheshin, madje edhe haptazi.

Cilët janë këta njerëz? Si ta ndash grurin nga egjri, dhe t’i veçosh heronjtë e mirëfilltë të dhjetorit – sepse të tillë ishin, heronj – nga oportunistët, spiunët dhe të dërguarit e pushteteve publike dhe okulte?

Tingëllon gjithnjë cinike teza se dhjetori i 1990-ës, në Tiranë, ishte i tëri vepër e Sigurimit të Shtetit, ose e agjenturës jugosllave (kushedi edhe e frankmasonëve ose e kalorësve tempullarë); sepse një teze të tillë i nënvendoset premisa se zhvillimet e mëdha historike gjithnjë përgatiten gjetiu; ose vizioni konspirativ i historisë.

Më e arsyeshme do të ishte të pranonim se në ato ngjarje pati një përplasje dhe bashkërendim interesash, brenda udhëheqësisë së protestave, e cila u projektua pastaj, për hir të dekorit publik, në përplasje dhe bashkërendim midis protestuesve dhe përfaqësuesve zyrtarë të regjimit, përfshi këtu edhe vetë Ramiz Alinë.

Ndërkohë, argumenti për rolin e agjenturave gjithfarësh në ecurinë e lëvizjes dhe objektivat e saj, e gjen një pararendës – ose burim virtual – në romanin e mirënjohur The Man Who Was Thursday, të G.K. Chesterton (botuar në 1908); ku një agjent i fshehtë i Scotland Yard-it, Gabriel Syme, dërgohet me detyrë që të infiltrojë një grup terroristësh të përbërë nga shtatë vetë, secili i quajtur sipas një dite të javës. Syme pranohet edhe ai në këtë grup, për të marrë postin e Thursday-it dhe për t’u quajtur tash e tutje me këtë emër. Me kalimin e kohës, teksa grupi planifikon një numër atentatesh terroriste (anarkiste), Syme zbulon hap pas hapi se përbetarët e tjerë, përfshi këtu edhe kapobandën, të mnershmin Sunday, qenkëshin, në fakt, të gjithë agjentë të fshehtë të Scotland Yard-it.

Ky version narrativ, tejet grotesk, po sillet tani si antidot i retorikës over the top, gjepurave, mburrjeve dhe gënjeshtrave, që janë përcjellë gjatë këtyre viteve, në lidhje me lëvizjen e dhjetorit 1990 dhe legalizimin e pluralizmit politik në Shqipëri; edhe si reaksion i natyrshëm ndaj kalbëzimit në ide dhe sidomos në kuadro të Partisë Demokratike, të dalë prej atij dhjetori; dhe i rrokullimës politike të Sali Berishës, i cili për shumë vite e paraqiti veten si protagonistin madje promotorin absolut të ngjarjeve të atëhershme.

Megjithatë, edhe kështu nuk shkon. Institucionet publike të Shqipërisë pluraliste e kanë për detyrim edhe moral ndaj pjesëmarrësve të papërlyer në ngjarjet e atëhershme që të hedhin dritë mbi të kaluarën e protagonistëve; qoftë edhe duke ua analizuar dosjet – për të verifikuar lidhjet e tyre të përfolura me Sigurimin e Shtetit dhe/ose agjenturat e huaja. Momente si ai i dhjetorit 1990 vijnë rrallë, në historinë e një populli; dhe nuk duhet lejuar që, për shkak të ekseseve të disa prej protagonistëve dhe mëkateve e fajeve politike të disa të tjerëve, të përdhoset historia vetë – duke iu dorëzuar teorive konspirative. Dhe që kjo nuk po ndodh, madje që sot duket sikur opinioni po fillon të përqafojë versionin “çmitizues” të ngjarjeve, për këtë nuk mund t’u lihet faji vetëm protagonistëve të djeshëm dhe konfuzionit që ata mund të kenë shkaktuar, me intervistat dhe rrëfimet e tyre vetëshërbyese; ose me karrierat e tyre politike të mëpasme. Sfida ka të bëjë me vetë qasjen tonë ndaj historisë dhe respektit për veten.

Nuk ka komente

  1. Rishikimi i historisë dhe kthjellimi i turbullirës së krijuar nga shumëkush nuk ka se si të kryhet pa ngjarë një hap tjetër, edhe ai i shumëpërfolur, që duhej të qe kryer, duhet të kryhet një orë e më parë, mundësisht tani: hapja e dosjeve të diktaturës.
    Pasi nuk mund të hidhet dritë mbi ngjarje historike pa u ndriçuar terreni ku ato ndodhën; veç kështu mund të shkoqej gruri nga egjra, aq më tepër që shumë personazhe të dhjetorit ka të ngjarë të na dalin pas katarsisit ndryshe nga ç’i kemi përftuar derimë tash.
    Këto 24 vite është ndërtuar mbi gërmadha shpirtërore që kanë mbetur të tilla e shpesh kanë funksionuar si themel; nëse nuk kthehesh, si në lojën Monopoli, të korrigjosh e të sqarosh të kaluarën, nuk ka asnjë gjasë të mund të shohësh siç duhet përpara. Një nga shkaqet, në mos kryesori, i tejzgjatësisë së tranzicionit tek ne është pikërisht ky; shpresojmë që Rama ta bëjë realitet atë çka deklaroi prej Bunkartit. Do të ishte e para reformë vërtet e qenësishme e shoqërisë shqiptare, pasi, në flasim për zhvillim të vërtetë, ai më rrënjësori ndodh në vetëdije e jo me patjetër në ngjyrat e pallateve.

  2. Xhaxha, ky shkrim eshte burim per fantazi historish me spiuna. Une kam dyshim te mendoj se levizja ka qene teresisht nen kontrollin e sigurimit apo agjenteve te huaj. Por historianet lejojne qe historia te shkruhet/rrefehet ne disa nivele.

    Ne nivelin makro levizja kishte perkrahesit e saj ne sistemin politik, te udhehequr ose nga pragmatizmi duke verejtur se cpo ndodhte perreth, ose nga agjentura te huaja. Me poshte, tek turmat, kishte elemente te sinqerte qe besonin ne kete levizje dhe shfrytezonin oportunitetin e krijuar ne sistem, apo konfuzionin e udheheqesve. Ne nje nivel te trete eshte historia e operacioneve te sherbimeve sekrete qe funksionojne si “deep state”, por une gjithmone i reduktoje keto nderhyrje ne aspektin operacional, pasi ne ate politikberes jane te tjere qe i marrin vendimet. Ne nje nivel te katert eshte narrativa legjendare e nje populli qe lufton per liri – kete narrative e kemi degjuar e sterdegjuar, kjo perben platformen apo kontekstin brenda te cilit rrefehet historia. Kur nakatosen keto narrativa per te arsyetuar nje rezultante, ose gjetur lidhjen shkak-pasoje, atehere plasin rremujat.

    Une jam i interesuar ne aspektin operacional, besoj se kjo eshte me interesantja se rrefimi i ngjan nje historie me James Bond.

    Ne biseden e fundit te njerit prej dhjetoristeve, qe perbenin krahun e forte te revoltes (pa keta sypatremburit nuk ka revolte), Izet Haxhiaj (Gazeta Dita), tregonte se Azem Hajdari (tjeter sypatrembur) mbante pistolete me vete, cka i lehohej vetem personave te sigurimit. Ndersa per vete Izet Haxhine, Sabit Brokaj (Gazeta Dita) thote se edhe Izeti ishte i Sigurimit, pasi kishte pasur perpjekje te forta per mos ta larguar nga universiteti, fakulteti i mjeksise. Nje pjesetar i familjes se Fatmir Haklaj ishte operator i Sigurimit. Personi qe vrau Fatmir Haklaj ishte pjesetar i SHIK-ut, nga Puka.

    Atehere ka dicka ketu: Sigurimi i Shtetit, ndoshta pas vdekjes se Mehmet Shehut (agjent i sovjetikeve, dikush thote edhe i dyfishte) ka rekrutuar ndjeshem nga zonat e veriut. Ne mos gaboj edhe Ramiz Alia ishte verior. Rekrutimi nga veriu ka sjelle medoemos infiltrimin nga UDB-ja dhe SHBA-te te agjenteve tane, te cilet gjenin kryesisht mbeshtetje ne familjet veriore, ku pervec lidhjeve familjare me shtetas amerikane, kishin edhe pakenaqesi ndaj sistemit. Kjo shpejgon qe me vone Berisha e bazoi sistemin e tij politik, dmth. krahun e forte, mbi verioret.

  3. Kur edhe vete komuniteti i inteligjences eshte i dyzuar ne vleresimin e fakteve, nuk ka historian ta shperbeje lemshin e fakteve e te thurr dicka (pattern) te logjikshme e racionale nga ai lemsh.

    P.sh. citimi i meposhtem ve ne dyshim nese Shqiperia ishte prishur ndonjehere me Sovjetiket. Golytsyn, ish-agjent i KGB-se, vete i dyshuar si “implant” i sovjetikeve, pretendon si me poshte. Duke patur parasysh konfuzionin qe krijohet nga kunder-spiunazhi, eshte interesante se shefi i CIA, J. J. Angelton, i besonte Golytsyn, por ka te tjere qe akuzojne Angelton per te inflitruar dhe qe nisi nje gjueti shtrigash ne CIA.

    Winks, R. W. (1996). Cloak & Gown: Scholars in the Secret War, 1939-1961: Yale University Press.

    “Golitsin had insisted that the Sino-soviet split, the Soviet-Albanian dispute, the gradual movement toward more independence on the part of Rumania, were all Soviet bloc disinformation measures. The Prague-Spring, when Czechoslovakia attempted to put distance between itself and the Soviet Union, was a sham, he said. … Angleton did not necessarily accept all these notions, for it is possible to divide Golitsin’s flow of information into two distinct phases, but Angleton accepted enough of them to be identified with them.”

    Nga ana tjeter vete brenda CIA duket se nuk ka pasur nje qendrim te qarte mbi marredheniet Shqiptaro-Sovjetike. Ne nje raport te CIA te atyre viteve marredheniet pershkruhen sikur ishin te tendosura dhe nuk hidhen dyshime mbi vertetesine e fakteve te permendura. Marredheniet ekonomike ndryshuan rrenjesisht pas viteve te prishjes me sovjetiket.

    1. Raport mbi marredheniet ekonomike te bllokut sovjetik – 1954:

    https://www.dropbox.com/s/c81ku6w3862kssg/cia_albania_1954.pdf?dl=0

    2. Raport mbi perpjekjet hegjemoniale te Kinezve dhe Sovjetikeve mbi bllokun socialist – 1960
    https://www.dropbox.com/s/3ddw0tjovixnfeh/cia_albania_1960.pdf?dl=0

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin