DURRËSI DJE, DURRËSI NESËR

I kam ndjekur pa pasion debatet me aq pasion për çfarë po ndodh me kantierin e projektit Veliera në Durrës.

Gërmuesit e themeleve të këtij projekti, kanë ndeshur në rrënoja historike; dhe rrënojat mbrohen me ligj; sikurse kanë ndeshur edhe në topa dhe gjyle të lashta, të cilat gjithashtu mbrohen me ligj.

Ende nuk ka ndonjë shpjegim të qartë se çfarë është gjetur pikërisht – me hipoteza që variojnë marramendthi nga mbetje të Durrësit para-osman te gërmadha ndërtesash të fillimshekullit XX.

Siç ndodh rrallë në Shqipërinë e këtyre viteve, gërmimet këtë radhë e gjetën thesarin, edhe pse jo atë thesar që pritej; por që gjithsesi u kooptua sakaq si i tillë nga politika.

Edhe pse faji ende mbetet për t’u identifikuar, u tregua me gisht fajtori.

Vetë projekti Veliera parashikon ndërtimin e një sheshi të ri publik në Durrës, me një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrore, ndërsa vela mbi të do të jetë 2 mijë metra katrorë, thuhet në faqen e prezantimit të projektit.

Po këtu, thuhet se vela në fjalë, që i jep edhe emrin strukturës, do të jetë një tendë e madhe prej guri, e mbështetur mbi katër pika; për të krijuar hije dhe mbrojtje për sheshin në të dhe “për të simbolizuar idenë e komunitetit.”

Nuk di nëse Durrësit dhe durrësakëve u duhet vërtet ky simbol i idesë së komunitetit; është diçka që do ta tregojë koha, ose që do të sqarohet kur të jetë tepër vonë.

Por nuk mund të mos vërej se ky projekt, Veliera, i orientuar drejt së ardhmes, u përplas kështu papritur me të kaluarën, ose me çfarë fsheh sipërfaqja e Durrësit.

Këtij qyteti të banuar prej gati 3 mijë vjetësh, ku çdo lloj gërmimi nuk mund të jetë veçse arkeologjik.

Në shqipen e sotme institucionale, por edhe në kulturishten standard, kush thotë “arkeologji,” ka thënë “trashëgimi”; dhe trashëgimia është preokupim i strukturave më të larta të pushtetit dhe të shtetit.

Për hir të së njëjtës lojë me nocionet, në shqipen e sotme institucionale por edhe në kulturishten standard, kush thotë “trashëgimi” ka thënë edhe “turizëm”, madje “promovim i turizmit.”

Rrënojat brenda dhe poshtë një qyteti modern, qofshin edhe mesjetare a më të hershme, janë të detyruara të bashkëjetojnë me të përditshmen – sikurse janë qytetarët të detyruar të gjejnë një ekuilibër midis nevojës për ta pasur të shkuarën të pranishme në jetën e tyre dhe nevojës tjetër për ta jetuar të tashmen në plotësinë e vet.

Ka rrënoja të bukura, si ato të Apollonisë; ka rrënoja madhështore, si Amfiteatri i Durrësit; ka rrënoja komplekse, si ato të Butrintit; ka edhe rrënoja as të bukura as madhështore, por me rëndësi të madhe për dijen. Ka më në fund edhe rrënoja që janë thjesht rrënoja.

Çfarë duhet shmangur, mendoj unë, është fetishizimi i këtyre gurëve nga e shkuara, ose investimi thjesht moral në to.

Përndryshe, interesimit institucional për gjurmët e së shkuarës, nga kalatë te muret rrethuese dhe gërmadha të tjera gjithfarësh, do t’i përgjigjet indiferenca e publikut.

Gjurmët materiale të së shkuarës i zbulon dhe i studion para së gjithash arkeologjia. Në Shqipëri kemi pasur një traditë të shkëlqyer arkeologjike, me zbulime të dorës së parë anembanë vendit, sa të periudhës ilire, aq edhe të mesjetës dhe të mëvonshme.

Logjika ta do që interesimi, në kufi të histerizmit, i institucioneve për “trashëgiminë” do të shprehej edhe në përkujdesje për arkeologjinë.

Në fakt, sikurse lexoj në një artikull të akademikut Artan Fuga, është kristalizuar tanimë një traditë tek ne që kërkimi shkencor, në lëmin e “shkencave humane”, të orientohet kryesisht ndaj albanologjisë dhe çështjeve të formimit të identitetit shqiptar.

E megjithatë, me sa kuptoj nga informacione të bëra sporadikisht publike, Instituti i Arkeologjisë arrin të marrë pjesë në ekspedita kërkimore vetëm falë bashkëpunimit me qendra të tjera të interesuara për kërkime arkeologjike.[1]

Në fakt, kërkimi arkeologjik sot në Shqipëri u është lënë (u ka mbetur) në duar të huajve – jo sepse ata e bëjnë më mirë, por sepse shteti nuk arrin a nuk dëshiron të financojë ekspeditat e arkeologëve shqiptarë.

Praktikisht, jemi kthyer mbrapa, në situatën e kërkimeve arkeologjike të Shqipërisë së viteve 1930; pa çka se specialistët e mirëfilltë nuk mungojnë, përkundrazi.

Tani, të huajt vërtet mund të vijnë në Shqipëri me projekte mirëfilli akademike, por interesat e tyre akademike nuk përkojnë me tonat. Arkeologë nga universitetet europiane, me formim klasik, do të duan të qëmtojnë në gjurmët e qytetërimit grek dhe romak tek ne; ndërsa tanëve do t’u interesojë më shumë arkeologjia ilire.

Dhe pavarësisht nga kjo kontradiktë, mbetet fakti që ne, si shtet dhe si kulturë, nuk duket se e çajmë kryet për atë pjesë të “trashëgimisë” sonë që mbetet ende e panjohur; por vetëm përqafojmë dhe identifikohemi me atë pjesë tjetër të trashëgimisë, që tashmë njihet.

Por nuk kam parë as dëgjuar gjëkundi që të kërkojnë shpjegime parlamentarët dhe politikanët dhe shoqëria civile se pse shteti shqiptar modern, i shekullit XXI, nuk arrin të mbështetë financiarisht ekspedita arkeologjike (sikurse nuk arrin të mbështetë financiarisht ekspedita të gjuhëtarëve, antropologëve, etnologëve dhe të tjerëve specialistë të instituteve të Akademisë së Shkencave).[2]

Sërish Luan Përzhita në intervistën e cituar:

Ne marrim vetëm rrogat, për projekte arkeologjike ne nuk kemi buxhet nga shteti, me përjashtim të një fondi të vogël […] që lidhet me punonjës sezonalë, që ne i marrim gjatë kohës që dalim në terren për pastrime, etj.

Kjo nuk do të thotë se në Shqipëri nuk gërmohet, përkundrazi: gërmojnë kërkuesit entuziastë të thesarëve dhe plaçkitësit e sajteve arkeologjike, sikurse gërmojnë të huajt, sipas programeve të tyre akademike; dhe më në fund, gërmojnë edhe “ndërtuesit.”

Këtu nuk duhet lënë pa shënuar se programi i doktoratave edhe në këtë fushë ecën si sahat.

Ndoshta një mënyrë e frytshme për shtetin, që të financonte me fare pak shpenzime gërmime në vende me interes për ne, do të ishte dhënia e lejeve të ndërtimit në zona të nxehta, nga pikëpamja arkeologjike.

Dhe në momentin që kova e ekskavatorit t’ia këpuste kërcirin ndonjë skulpture të groposur të Fidias-it a të Praksitelit, t’ia behnin specialistët institucionalë, pushtetallarët me fotografët nga pas, kamerat dhe mikrofonët, dhe policia ta rrethonte zonën me kordon dhe gjykata të deklaronte pezullimin e menjëhershëm të punimeve, mes indinjatës kolektive.

Përndryshe, dhe për t’u kthyer në realitet, është pikërisht ky dyzim idiot mes përdëllimit për lashtësinë, aq tipik për administrimin e sotëm të kulturës dhe të “trashëgimisë”, nga njëra anë; dhe indiferencën në kufi të arrogancës për atë lloj përpjekjeje të dijes që e nxjerr në dritë, e sistemon dhe e interpreton këtë “trashëgimi”, nga ana tjetër, që të bën të mendosh se tollovia e tanishme për Velierën dhe topat venecianë në Durrës ka qenë e llojit mirëfilli politik.

Ku njëra palë përfshihet në projekte grandioze, megalomane, që nuk përmirësojnë jetën e komuniteteve por i trajtojnë qytetet si të ishin kanavaca për piktura, teka, projeksione dhe vizione të njëshave; ndërsa pala tjetër synon t’i pengojë këto me çdo kusht, jo ngaqë i dhimbsen komunitetet dhe cilësia e jetës në qytetet e mëdha të Shqipërisë, por ngaqë do ta pengonte kundërshtarin edhe sikur ky të përpiqej të shpëtonte nga vdekja e sigurt një kotele.

Çfarë ende nuk kam dëgjuar, në këtë mes, është zëri i qytetarit durrësak, i cili jeton atje, ose në atë hapësirë përndryshe krejt të zhvlerësuar midis arkeologjisë imagjinare, që ka nën këmbë, dhe futurizmit të mega-projekteve shpesh të kota dhe gjithnjë të kushtueshme; jeton i ngecur dhe i pezullt, dhe madje edhe i detyruar të besojë se e vetmja mënyrë si mund të angazhohet publikisht, është duke u rreshtuar politikisht.


[1] Thoshte drejtori i Institutit të Arkeologjisë Luan Përzhita, në një intervistë të paradokohshme:

Instituti i Arkeologjisë nuk ka financa të mjaftueshme, që të realizojë pikësynimet për të cilat vepron. Neve na mungon buxheti, ne kemi vetëm një buxhet të limituar që lidhet me marrjen në punë të disa punëtorëve sezonalë të pakualifikuar dhe nuk kemi buxhet mbështetës për arkeologët dhe studentë të ndryshëm, të cilët e kanë për detyrim ligjor që të bëjnë praktikën në kërkimin shkencor të arkeologjisë, pra ata që i janë dedikuar. Shumica e ekspeditave që ne marrim, janë si rezultat vetëm në bashkëpunim me universitet e huaja, të cilat kanë një lloj partneriteti me IA. Ky është një problem, sepse të zbeh mundësinë e një pune të pavarur dhe të kufizon në publikimin e rezultateve. Tjetër problem, është se mungesa e financimeve të shmang edhe nga disa orientime bazë, që kanë të bëjnë me kërkimet në ato fusha, ku bashkëpunimet tona nuk i mbulojnë bashkëpunimet me të huajt, pra ne jemi të zbuluar në lidhje me tematikën që arkeologët kërkojnë të bëjnë. Përshembull mund të jenë kërkime që kanë të bëjnë me materiale në fushën e studimit materialo arkeologjik, qoftë në Shqipëri apo jashtë shtetit, apo dhe kërkime që kanë të bëjë me ilirët dhe arbrit. Janë dy gjëra, që në mungesë të fondeve nuk ecim më tej.

[2] Shkruan Artan Fuga në artikullin e cituar:

Në institute si ai i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, i Kulturës Popullore, dëshmohet se ka rreth pesëmbëdhjetë vjet që nuk financohen, për mungesë fondesh, ekspedita në terren që kanë të bëjnë më pasurimin e burimeve të kërkimit shkencor.

2 Komente

  1. Ajo gjëja e frikshme, “tenda”, në atë formë se si është shfaqur në atë “renderimin”, ka një problem madhor: reshjet… Si do i bëhet me shiun? Ku janë tubat për pellgun që krijohet në mes? Për këtë nuk ka nevojë të jesh arkitekt. Do të të thonë projektuesit: “Po tani, paskësh një si vrimë në mes, që nuk e tregon pamja e shpërfaqur në “renderim”, dhe mu aty poshtë qenkësh në lulishte, ku kullon ujët…” 2000 metra katror? Are you kidding me? 50m x 40m? Kujt i duhet kjo lubi dhe pse?

  2. 1. Velera? Cfar esht kjo? Tendw? Si tende prej guri? 2000 m²? Nje pershkrim pak me i qarte do te ishte mjaft domethenes Ardian, meqe i ke ndjekur lajmet! Nejse!
    2. Ajo ideja e afrimit dhe lejimit te ndertuesve private prane objekteve arkeologjike, mua me ngjan me idene e lenies se kecave prane ujkut! Burri i botes, kryetar i bashkise se Durresit, (ia harrova emrin, qe iu harrofte pergjithmone), PS-ist ne mos gaboj, gjithashtu biznezmen, si shumica e politikanve, urdheroi vazhdimin e punimeve tek themelet e pallatit te tij, pasi germimet nxuarren objekte arkeologjike te lashtesise!!! Cfare pret nga te tjeret!?! Mundet 10%, max. 20% e ndertuesve te ndalojne punimet per hir te arkeologjise! Ndersa 80-90% e tyre u plasi me nder b… per lashtesine dhe antikitetin!
    3. Persa i perket animit te te huajve nga kultura greke apo romake dhe lenia pas dore e asaj ilire, do thoja se ky lloj trajtimi nacional duhet te mos na hutoje persa i perket kulturave te lashta dhe atyre antike, te cilat ishin kultura fetare dhe kulti, dhe jo nacionale, sic merren sot shpesh gabimisht. Pra, nese gjeme kultura helene dhe apolloniane (kulti i henes) kjo nuk do te thote se ato jane nacionale greke, por jane thjesht te kultit te henes, qofshin ato te rrymes se dyzimit, apo te trinitetit, sic nisi ky te mbizotroje ky qysh disa shkuj para Krishtit e me pas ne zonat jugore te Ballkanit (Shqiperia dhe greqia e sotme), dhe i cili permblidhte -si tek te gjitha fete dhe kultet- shume fise dhe popullsi te etnive te peraferta dhe te ndryshme ne gjuhe.
    Si perfundim do thoja se shkrimi duket intelektualisht i persosur, por pa zemer dhe shpirt! Duket se lashtesia dhe antikiteti me guret e atyre periudhave pak gjurme ka lene tek autori (Ardiani). Ta duash lashtesine dhe antikitetin je vetvetiu i prere per nderhyrjet, masakrat dhe pakujdesine e sotme ndaj “rrenojave” te atyre kohrave; kjo do te thote qe ligji per ruajtjen e tyre si syte e ballit, per denimin e prishesve te “rrenojave” dhe cdo vepre arkeologjike te jete mjaft i rrepte. Dhe, puna ne germimet arkeologjike do (pak apo shume) idealizem, dhe jo zgjatje dore dhe pritje tek buxheti i shtetit!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin