SHIHMËNI MUA

Kur lexoj dikë të ketë shkruar, në një ese për fjalët e fundit të atyre që po vdesin, se “siç pat thënë kompozitori gjerman, i madhi Beethoven, plaudite amici, comedia finita est” gjithnjë më ngec syri tek ajo “i madhi”, një epitet që mund të shprehë, vërtet, admirimin e autorit për kompozitorin, por që shpresh shpreh të tjera gjëra, më pak fisnike e më pak të pafajshme.

Për Beethoven-in, shumë prej nesh e dinë që ka qenë i madh, një numër pak a shumë i njëjtë me ata prej nesh që e mbajnë për të madh; përkundrazi, ata – sërish prej nesh lexuesve – që nuk kanë ndonjë mendim të mirë për Beethoven-in, bashkë me ata të tjerët që nuk e kanë idenë se ç’ka qenë Beethoven-i, zor se do të presin ta marrin vesh a do të binden për vlerën e Beethoven-it nga autori ynë më sipër.

Po atëherë kujt po ia shet ky këtë “i madhi Beethoven”? Gjasat janë që ta ketë me të gjithë ne, për të na treguar se edhe ai hyn në klubin e zgjedhur të atyre që e çmojnë kompozitorin gjerman; se edhe ai e ndjek muzikën klasike madje ka shije të hollë dhe të pacen.

Dhe në këtë rast, me kusht që teksti në fjalë të mos jetë me natyrë autobiografike dhe as t’i kushtohet Beethoven-it vetë, autori është duke i tërhequr lexuesit vëmendjen te Beluli, duke i thënë: “pa më shiko mua, sa i rafinuar që jam.”

Vdiq para pak ditësh poeti Dritëro Agolli. Google më thotë se togfjalëshi “i madhi Dritëro” ndeshet rreth 10,600 herë në tekstet shqip, “të madhin Dritëro” 1,350 herë dhe “të madhit Dritëro” rreth 11,400 herë. Nga kjo vështirë se mund të deduktohet që Agolli ka qenë apo jo “i madh”; por me siguri mund të nxirret përfundimi që shumë shqipshkrues e mbajnë Agollin për të madh dhe duan që të tjerët ta marrin vesh përkatësinë e tyre te ky grup.

Ose ky klub.

Tek e fundit, hiperbola të tilla edhe priten, në tekste me natyrë eulogjike ose në emocionin që lë pas vdekja e një personaliteti publik. Por “i madhi Dritëro” nuk është dukuri e veçuar. Për krahasim, “i madhi Kadare” ka 1,730 hite, “të madhin Kadare” rreth 1,000 dhe “të madhit Kadare” sërish rreth 1,000; “i madhi Gjergj Fishta” rreth 3,200 hite, “të madhit Gjergj Fishta” rreth 1,650; “i madhi Lasgush” rreth 950; “i madhi Ibrahim Rrugova” rreth 1,630; “i madhi Kadri Roshi” 1,670; “i madhi De Rada” 86, e kështu me radhë.

[Për krahasim, “Dritëroi i madh” del 2,230 herë, “Kadareja i madh” 4,000 herë, “De Rada i madh” 10 herë, etj.]

Ka njerëz që i falen kësaj përftese pa e kuptuar se ç’po bëjnë; ose ngaqë kujtojnë se kështu duhet folur për figura të shquara: “i madhi Dante,” “i madhi Shekspir,” “i madhi Picasso,” e kështu me radhë. Mirëpo autorë të tillë, tashmë të shndërruara në gjysmë-perëndi të kulturës botërore, nuk kanë nevojë për t’u cilësuar kështu prej teje; sikurse nuk kanë nevojë për votën tënde dhe dënglat e tua, për ta ruajtur vendin në Panteon.

Madje, kur shndërrohet në formulë, manierizmi rrezikon të përfundojë në një ritual – dhe të na bëjë të themi “i madhi Dante” njëlloj sikur thonë fetarët “I madhi Zot”.

Efektin e përforcon edhe paravendosja, ose emërzimi i epitetit – “I madhi Lasgush” ka efekt disi të ndryshëm nga “Lasgushi i madh”; edhe pse në të dy rastet nuk kemi të bëjmë aq me ndonjë vlerësim objektiv të autorit, sa me nevojën e folësit/shkruesit për të na thënë se çfarë mendon ose më mirë çfarë ndien ai për këtë autor.

Po ç’na hyn ne kjo në punë?

Ndërhyrje të tilla, që luajnë në ligjërim rolin që kanë kadencat në muzikën klasike, nuk kufizohen vetëm me epitete lëvduese për autorë të shquar.

Për shembull, dikush shkruan një reportazh për një fshat çfarëdo, dhe pastaj shton papritur se “atje zhvillohen ngjarjet e “romanit të mrekullueshëm të Mehdi Bollanit, Nemërçka.” Çdo gjë në rregull, përveç atij epitetit të futur pak kontrabandë: a sa i mrekullueshëm është romani “Nemërçka”?

Gjasat janë që shumë nga ne nuk do ta kenë lexuar; gjasat janë edhe që vlerat e këtij romani të mos kenë ndonjë relevancë për tekstin në fjalë; por autori megjithatë gjen një mënyrë për të na thënë se e ka lexuar romanin, dhe e ka gjetur kryevepër.

God bless him. God bless Mehdi Bollani too. Por kjo mënyrë të shprehuri mua më tingëllon si qokë; në mos qoftë shenjë e papjekurisë (lexo: kastravecllëkut) të autorit, i cili nuk e kupton se askujt nuk i intereson të marrë vesh se ç’mendim ka ky për “Nemërçkën.” Ndoshta me përjashtim të Mehdi Bollanit vetë.

Sërish: kur bëhet fjalë për ndonjë autor a vepër të madhe, lavdërimi gratis është gjithnjë i tepërt; ndërsa kur bëhet fjalë për ndonjë autor a vepër pak të njohur ose fare të panjohur, lavdërimi gratis sërish është gjithnjë i tepërt.

Ka njerëz që e përdorin këtë lloj teknike si të ishte stemë: e ngulin në gjoks, që të tjerët t’ua identifikojnë grupin ku bëjnë pjesë. Kam përshtypjen se, të paktën në Kosovë, të thuash “I madhi Ibrahim Rugova” të klasifikon vetvetiu dhe në shumë mënyra, ty si autor dhe si qytetar; edhe pse nuk thotë shumë për Rugovën vetë.

Më problematike janë rastet kur dikush vihet të na lavdërojë dikë a diçka që s’e kemi dëgjuar kurrë: “filmi i mahnitshëm Baba, ma ki kujdes tasin me pilaf!, i regjisorit të madh koreano-jugor Pak JinSuk” ose “I madhi Shuntaro Tanikawa”, ose më keq akoma, “Poeti i mrekullueshëm japonez, miku im Shuntaro Tanikawa” (këtë autori ynë do ta ketë takuar në ndonjë shtëpi shkrimtarësh ose panair ndërkombëtar të librit).

Dhe ndërsa lexuesi hutohet me këto prova të njëpasnjëshme erudicioni, kushedi harron të vërë re se, përtej bullshit-it recidiv, nuk po i thuhet asgjë relevante; dhe se njëlloj do të kish qenë sikur autori të kish botuar, në vend të lavdërimeve për “regjisorin e madh koreano-jugor”, një fotografi të vetes.

Një situatë disi e ndryshme krijohet kur publiku e njeh të tretin të përmendur kalimthi, por nuk ndan të njëjtin opinion me autorin. Për shembull, në qoftë se ti vjen dhe më thua “E madhja Elfriede Jelinek gjithnjë preferon këpucët e sheshta”, unë mund ta di që kjo ka fituar Nobelin për letërsi, por nuk kam ndonjë opinion kushedi çfarë për tekstet e saj, që ia kam lexuar.

Dhe nuk po pyes se ç’lidhje ka kjo me këpucët.

Efekti i menjëhershëm, në këtë rast, është ai i padronizimit; meqë ti sërish je duke u identifikuar, për mua, me një vlerë të konfirmuar nga autoriteti përkatës: nobelistin; dhe mua s’më mbetet veçse të pranoj se, në këtë gjerdan lidhjesh kulturore horizontale, një pjesë e lavdisë së Nobelit mbetet edhe për ty, pavarësisht nga lloji i këpucëve që preferon.

Përndryshe, kur bëhet fjalë për figura kontroversiale, si ato të politikanëve, ti që më thua “I madhi Donald Trump” jo vetëm je duke më treguar stemën, por edhe duke e ndarë publikun me thikë, si të ishte kek; dhe duke u shkelur syrin të gjithë atyre lexuesve që e ndajnë me ty këtë opinion.

Ndonjëherë ky zakon i keq formohet që në shkollë: “Filozofi i madh gjerman Immanuel Kant” (doh!); që Kanti ishte filozof i madh, këtë e dinin edhe plloçat e rrugëve të Königsberg-ut; dhe ti, me atë shprehje, me siguri nuk po na njeh me opinionin tënd për Kantin, por thjesht je pozicionuar në mënyrë korrekte, në raport me kulturën.

Çfarë mund të jetë edhe thjesht shenjë pasigurie.

Dhe meqë përftesa ndihmon disi në kapërcimin e pasigurisë, atëherë me kalimin e viteve automatizohet; në kuptimin që ti tundohesh të thuash “I madhi Bernard Henri-Lévy” pa e marrë vesh as vetë se çfarë po kërkon të thuash; meqë për ty tani disa autoritete, ose njerëz publikë që të impresionojnë pa masë, e kanë merituar tashmë të stolisen me nga një epitet të paravendosur.

Kam përshtypjen se origjina e kësaj shprehjeje është popullore; e dëgjon rëndom për artistë të njohur, por edhe për sportistë dhe të tjerë heronj të publikut; dhe në këto kontekste vjen e vetvetishme. Të thuash “I madhi Panajot Pano” nuk është se po tërheq vëmendjen nga vetja, as se po u bën karshillëk atyre që Panon nuk e pëlqejnë; “e madhja Vaçe” në Google ka 1,800 hite, dhe shpreh admirim të mirëfilltë.

Falsiteti nis kur shprehje të tilla dalin nga konteksti burimor dhe e gjejnë vendin në kontekste të tjera; ku nuk bëhet më fjalë as për Panon dhe as për Vaçen, por për vanitetin e autorit përkatës.

Ta zëmë se shkruan dikush në kujtimet e veta të botuara:

kishim dalë shëtitje në bulevard, dhe atje takuam mbesën e Servetit, me të shoqin Edmir, autorin e një uverture festive magjepsëse, që kish fituar atë vit Çmimin e Republikës.

Meqë ky tekst nuk i kushtohet kompozitorit Edmir, madje ky përmendet atje një herë të vetme, atëherë informacioni se autori në fjalë e pat konsideruar “të mrekullueshme” uverturën festive të Edmirit jo vetëm është i tepërt, por kryen edhe një funksion sa të fshehtë, aq edhe të pahijshëm – ekuivalent me rregullimin e flokëve me dorë, para pasqyrës.

Sepse teksti të thotë: pa shiko këtu, me çfarë njerëzish të zgjedhur shoqëroheshim ne atëherë! Dhe ta thotë këtë aq kalimthi, aq “rastësisht”, sa ti nuk mundesh veçse të pranosh se ke të bësh me dikë më të mirë se ti; tek e fundit, ti nuk ke kohë as ta absorbosh këtë goditje ndaj sedrës, sepse ndërkohë teksti të ka çuar gjëkundi tjetër.

Por le të mos përjashtojmë mundësinë që autori të jetë amator dhe të kujtojë se ky manierizëm parazitar është, në fakt, një teknikë diskursive (dhe narrative) për ta bërë tekstin të tingëllojë si “me kulturë.”

 


Shënim: E kam të qartë se do të kem mëkatuar edhe vetë, më shumë se një herë, njëlloj si ata që qortoj me këtë ese. Jua përcjell mendimet e mia siç do t’ia thoja vetes.

4 Komente

  1. I detyrohemi te gjithe nje ndjese Xhelal Mziut, i cili eshte ku e ku me i sinqerte. E ka mbushur Kamzen me emra rrugesh nga me te papriturit, duke nisur qe nga rruga “Banka Boterore”, “Silvio Berluskoni”, “Nikolas Sarkozi” ose “Moxart e deri te rruga “Coca Cola”, apo rruga “Vodafone”, nje perpjekje krejt origjinale qe e ben Kam – Za(n) te kete ze dhe te jete ne pararoje boterore per shekullin qe hyme.

    I madhi Mziu, e meriton kete jo si cilesor por si nofke, pasi kush valle do bente kete qe beri ai?! Askush.
    Keto gjetje mua me duken gati si prej inteligjence artificiale. Poeme unike e nje komuniteti malesoresh qe kapen ne befasi nga gjeografia fushore ku vendosen ne nje kohe te shkurter. As qafa, as monopate, as gryka. Fushe vetem. Ja pra roli i Mziut qe i jep zgjidhje nje dileme madhore duke tranzituar drejt qytetit “modern” e duke e snobuar Tiranen e “Myslym Shyrit” qe ngjan si province e viteve ’50.
    Imagjinoni satelitet qe bejne fotografime dhe percjellin te dhena: Rruga “Sotir Kolea”, ngjan si sit arkeologjik i harruar nga koha e Justinianit. Kush eshte ky? Por rruga “New York” te jep idene se kemi te bejme me nje megaqytet qe e ka New Yorkun lagje te veten.

  2. Fenomeni eshte i ri dhe kam pershtypjen se u be fort i bezdisshem kur gazetare te profileve te ndryshme, qofshin edhe ata qe vinin nga sporti, i lejonin vetes, ne kushtet e e demokratizimit te shtypit apo te krijimit te versionit te tij low cost, te shkruanin edhe per letersine dhe artet.

    P.sh., e kishim te mesuar mire veshin kur degjonin “i madhi Pano” apo “i madhi Kakarriqi” se çeshte e verteta ta vret ca veshin kur thua “Kararriqi i madh” dhe kete ata kane ditur te shmangin me shume talent.

    Pra deri ketu jemi ne rregull, Mirepo, per arsye ekonomike, kur nuk kishte veprimtari sportive po ketyre gazetarve iu kerkua te shkruanin per krijimtarine artistike te Pjeter Arbnorit, fjala vjen. Ne kete rast atyre fare natyrshem dora u shkruan ” i madhi Pjeter”. Mbase edhe sepse e kishin pak te sikleteshme te thonin “Pjetri i madh” , sikunder u shkonte mire te thonin “i madhi Leke (Matrenga), qofte edhe per te shmangur “Leka i madh” e keshtu me radhe “i madhi Dritero”, i madhi Francesko Petrarka etj, etj..

    Nuk e di sa e shpjegon kjo, por ky ishte mendimi im.

  3. Nuk perjashtohet prirja per imitim, qe vihet re ne shume raste. Perdorim fjalesh e shprehjesh te hedhura kuturu qe perhapen pastaj si nje epidemi e vertete. Dukuri qe shpreh varferi intelektuale e gjuhesore, shterpesi mendimi etj.

  4. Mendoj se kjo “i madhi …” vjen ngaqe ne e perdorim kete shpesh ne jeten e perditshme per sejcilin te njohur, “ah ai, esht i modh fare, po lere”, “i modh je, ma trego dhe njehere si ia hodhe”, “he, jo po thuj po deshe qe s’jam i modh”, etj. Kjo lloj perdorje e shpeshte ne jeten e perditshme duket e lehteson perdorimin e saj si epitet.
    Persa i perket Kantit si i madh, do thoja se ne shkencat e natyres eshte per ti hequr kapelen, ndersa si filozof eshte nje pwgwre (zero me xhufke), nje katastrofe e vertete prej debili.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin