SKIÇ

Drejtvizore

E shihja të zbriste shkallët përditë i lumtur si biftek medium, me kokë të përskuqur nga ndarja me të shoqen, që nuk harronte ta përcillte deri te dera e ta porosiste tek i jepte bukën si kashtë me vete, të mbështjellë me gazetën Panorama, »… dhe mos harro ta hash vetë të tërën; asgjë qenve e mos ua hidh më thërrimet pëllumbave!« 

Dhe ashtu bënte pastaj, por këtë e kisha me të dëgjuar, derisa vdiq e iu transmetuan xhirimet; boh, ç’jetë drejtvizore: një fetë me gjalpë e reçel në mëngjes, shtatë kafe, një paketë rresht, puna punë; në pushim të drekës një muhabet të distancuar me kolegun, pasdreke pak gjumë, darkave lajmet, pastaj i duhej të milte gruan, që pëlliste në kuzhinë: »Eja Goni tani, se më dhembin sisat nga qumështi!«

Makina e presidencës

Është tingull a fjalë? – iu bë se dëgjoi në kokë e u ndie menjëherë çuditshëm. – Po fjala a nuk është tingull? – u përgjegj një tjetër atypëraty, e kjo e bëri t’i binte të fikët. – Mos u ngjalla vallë? – do të kishte pyetur, nëse do të kishte mundur. Por nuk mundej.

Makina e presidencës vonoi të vinte. E morën ashtu lakuriq, e shtrinë në një vig dhe e transportuan shkallëve dy vetë. Nuhaste duhmën e tyre e nuk dinte më se ku ishte. Jashtë retë kishin mbuluar hënën e angullinte së largu një kafshë. Angullinte ca tinguj sikur të donte të thoshte diçka. Por s’mundej. 

Përjetonte për herë të dytë të njëjtën përvojë. Herën e parë i kishte ndodhur kur kishte qenë fëmijë e ishte mbytur në Liqenin Artificial. E kishin nxjerrë notarët që bënin stërvitjen aty, që e kishin parë rastësisht. Kur kishte ardhur në vete e dinte veten për një tjetër. 

Qysh atëherë i mbeti dhe nofka dhe fëmijët e ndiqnin nga pas me vrap, kur shfaqej në smoking rrugëve të lagjes, ditët që u shpëtonte truprojave nga duart. 

Fugu

E morëm vesh me vonesë, se do t’i kishim ndenjur pranë. E paskëshin mashtruar ca tipa, ca bjerrakohës ordinerë, i paskëshin thënë se gjoja gjërat nuk janë ashtu si ç’i kujtonte.

»Engjëll më quajnë, – i ishte prezantuar një nga ata pijanecët e Korçës, që e rrëkëllejnë konjakun në këmbë qysh pa gdhirë, kur bënte stazhin në jug dhe kishte marrë diçka për të ngrënë në një nga ato gjellëtoret e lira, një si meze ku i kishin përzier edhe pak mëlçi fugu, nga ai peshku i shtrenjtë, me të cilin japonezët bëjnë sushi e që sapo kishte nisur t’i bënte efektin – Engjëll më quajnë dhe jam gjyshi yt, nga babai, dhe ti nuk quhesh ashtu si ç’kujton e të quajnë, nuk të quajnë Prengë, por Llambi. Gjithashtu, po marr përsipër menjëherë edhe fajin në thonjëza, – kishte vazhduar ai – se të kam bërë nder në të vërtetë, të vënies në skenë të vdekjes së babait tënd, Gjekës, i cili jo vetëm që është gjallë, por nuk është as yti. E sheh atë burrin me kasketë aty, atë me mustaqe spic? Ja ai është yt atë, ai biologjiku, po më mirë mos i flit, se është një kërmë, një i korruptuar, që çoç i duket vetja. Është në traditën e linjës sonë, që të përzgjedhurve t‘u tregohet në një moshë të caktuar, kur janë pjekur kushtet e kur e kërkojnë vetë, diçka më shumë nga e vërteta. Edhe unë jam sqaruar – këtu ai kish një pauzë kuptimplote, kishte rrudhur sytë e kishte buzëqeshur pak me mirëkuptim – nga xhaxhai, i ndjeri Vangjel, i cili ishte i butë për nga karakteri e prirej goxha për nga humori i zi. M’u shfaq, pasi e patëm varrosur tri ditë më parë, në pyllishten e qytezës, dhe habisë apo tmerrit, që duhej të jetë shfaqur dukshëm në zërin tim, se mos qenkësh ai Jezu Krishti, iu përgjigj me një batutë fetare e kjo ma hoqi ankthin si me dorë. E di si ma ktheu? »Po të isha unë Jezui o Miti – se ashtu quhesha më parë – i bie që ti të ishe jot ëmë!« U gajasëm pastaj. Ai e bëri sqarimin më së miri, qetë e pa shumë emocione, më tregoi se të gjithë këta janë militantë të çështjes, këta që na rrethojnë. Ja, shih këtë Janin, që hiqet si grek për shembull, nuk është veçse një jevg nga Durrësi, që as greqishten nuk e zotëron mirë.

Dhe i kishin nxjerrë Gjekën pastaj, babanë që e kujtonte të vdekur, kur syve nuk i kish mbetur më të bardhë nga fugu, dhe ky, Gjeka, e kishte marrë në qafë kur po i binte të fikët. Furgoni priste aty gati, para lokalit, e kishin hedhur në karroceri e i kishin futur një gjilpërë, tani për ta stabilizuar ca efektin e fugut, që të paralizon ca ditë e nuk bën dot asgjë, i cili të fshin kujtesën, porse jo të tërën, vetëm atë identitare. 

I gjori. Ishte rritur në rrethinat e kryeqytetit, ku kishin zbritur prindërit, në kohë të Berishës, pasi u hoq pasaportizimi. Shtëpitë fillimisht i kishin të mbuluara me qese, pastaj u vunë katrama e më vonë, pas njëzet e ca vjetësh, kur ata që bënë para i shtruan me tjegulla, ngaqë Gjeka nuk bëri dot para, katramaja e tavanit ishte rreshkur e plasaritur, qullej në vapë, zbutej në zheg dhe kullonte pastaj mureve. I ndërmendej, ndërsa fugu po i bënte efektin, kur kotej asokohe ndanë dritares, se si binin papritur llokmat e ziftit, me një tingull të mbytur e pëlcitës njëherësh, e ai që i shihte: anës murit ish një si vazhdë e zezë me to, ca si hije, që ngjanin sikur i kanoseshin, pastaj ndodhte që vinte i ati nga hamallëku. 

E shihte që aty dhe i dilte përpara e bënte t’i hidhej në qafë, më tepër nga droja e frika që i shkaktonin hijet, por ky shkonte e ulej drejt e në tryezë, ndërsa e ëma thante atëbotë duart me përparëse dhe uleshin të hanin, vetë i shtatë. Ky ishte edhe çasti kur ndiehej më së shumti i mirëqenë. Besimi në të mirën e lumturinë njeriut i jepet në atë moshë, i jepet nga të tilla përjetime, e pikërisht ky besim i sinqertë, goxha naiv, duhet thënë, e bëri të përfundonte ashtu, kur për Gjekën u shtrua mëdyshja ekzistenciale: o t’ua shiste atë mafias së ndërtuesve, ose vajzat për prostituta jashtë. Këta e bënë më së pari deputet për një parti të koalicionit të opozitës, e çuan kinse për një trajnim në jug, gjoja për të mbledhur vota e rimëkëmbur celulat, e aty i nxorën pastaj këtë tipin, që as Engjëll nuk e kishte emrin. Punojnë tebdil këta, të tërë.

E bënë synet kur i doli fugu, e futën në një si konvikt te Qyteti Studenti, në një dhomë të vogël me gjashtë të tjerë si ai, e qysh atëherë përzien betonierat e shoqatës. Ngrihet që pa gdhirë, nuk flet me njeri, falet të parën herë, u japin të hanë një tas kornfleks, me kalori e vitamina shumë, ca red bulla, e i merr një autobus i mbyllur pastaj e i çon në pikat ku ndërtohen shumëkatëshat. Nuk ka qenë njeri negativ jo e do t’i kishim ndenjur pranë, po ja që e morëm vesh me vonesë. I shkuam një herë, ne të maturës, por as nuk na njohu e as nuk foli fare.

Me t’u errur

Porositëm në internet dy kostume të zinj, për ta bërë edhe ca më serioze pamjen, u hodhëm këmishave të mbërthyera në grykë kravata me karfica, ndërsa thileve të xhaketave stema kromi, që shndrisnin ca, porse jo aq shumë sa të tërhiqnin vëmendjen. Fundjavave i prisnim biletat triditore, merrnim trenin dhe ndalonim pastaj nuk e dinim as vetë se ku, në stacionin e parë të ndonjë qyteze që nuk na vinte e njohur. Pinim fillimisht dy-tri kafe në qendër dhe, me t’u errur, i hipnim autobusit dhe zbrisnim rrethinave. Trokisnim atje nëpër shtëpi dhe pallate, u binim të gjitha zileve, dhe varësisht nga ata që na i hapnin dyert dhe dëshira e tyre për të komunikuar në atë orë të vonë, i bënim reklamën, për të cilën paguheshim, vëllimit të fundit lirik të kryepartiakut.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin