DYFISH FOTOGRAFI

Kur një foto-gazetar ka një histori për të treguar, ndonjëherë janë fjalët (titujt, diciturat, shpjegimet) që shërbejnë si mbështetje e imazhit, ndonjëherë e kundërta: imazhi ilustron tekstin shoqërues, pa pasur ndonjë autonomi të vetën të spikatur.

Në udhëtimet e tij në Shqipërinë e Veriut, Barry Lewis ndesh në një histori gjakmarrjeje, në disa histori gjakmarrjeje ose në një gjakmarrje por të shumëfishtë; tundimi i tij për ta rrëfyer këtë histori i kapërcen caqet e fotografisë – sepse gjakmarrjen mund ta rrëfesh me fjalë a ta këndosh me këngë; por vështirë se mund ta fotografosh.

Lewis e ka rrëfimin gati: në fillim të viteve 1960, kooperativa e Babinës vendos të ndërtojë një stallë derrash (pigsty), mbi rrënojat e një xhamie “sufi” (teqe?); me këtë rast, mullahun Dervish Luska, “një teolog i mirënjohur”, e poshtërojnë duke ia rruar kokën para gjithë fshatit.

Pas përmbysjes së regjimit totalitar në 1991, kooperativa u shpërbë dhe banorët e fshatit “filluan t’i prishin ndërtesat”; kur i erdhi radha stallës, konflikti mes palëve filloi me fjalë dhe pastaj degradoi në shkëmbim zjarri, mes të cilëve edhe personi që e kish nxitur ndërtimin e stallës.

Kjo është historia siç e tregon Lewis-i; me gjasë, ajo përmban pasaktësi të ndryshme, por gjaku është gjak dhe të vrarët të vrarë dhe të ngujuarit të ngujuar – siç edhe e dokumentojnë foto të tjera në album.

Nga të gjitha këto, më e çuditshmja, është fotoja e rrënojave të stallës vetë, të cilën e shoqëron dicitura: “Ruins of pigsty, built on top of a Sufi mosque” – rrënojat e stallës, së ndërtuar mbi një xhami sufi.

Mirëpo në foto nuk sheh as stallë dhe as xhami; por vetëm një strukturë gjysmë-rrethore, me fletë betoni, të papërfunduar ose të shkatërruar.

Madje, i çliruar nga këmisha e hekurt e diciturës përbri, imazhi evokon një faltore pagane, tejet të lashtë, diçka të natyrës së Stonehenge në Angli, ose tempuj të ngjashëm të neolitikut në Europë; një vend ku raportet mes materialeve elementare, guri dheu dhe qielli, bashkëpunojnë për të përcjellë një mesazh a një ide të qiellores.

Që nën këtë strukturë gjendet një tempull tjetër, këtë herë i Islamit, nuk e deduktojmë dot nga fotoja, edhe pse nuk kemi arsye të mos i besojmë tekstit përbri; e megjithatë, publiku sot, në Perëndim por dalëngadalë edhe në lindje, e ka të vështirë të nxjerrë, edhe vetëm nga kjo pranëvënie e sakrales me profanen, domethënien e dramës që është luajtur dikur në vende të tilla.

Lewis-i nuk thotë asgjë; por ma merr mendja se për frekuentuesit e xhamisë, ose edhe qoftë për të gjithë ata që e kanë ditur se atje ka qenë xhamia, vendimi për t’i ngritur sipër një stallë derrash do jetë përjetuar si dhunë e kulluar – po të kemi parasysh tabunë e derrit për Islamit.

Pse pra kjo stallë derrash, pse pikërisht mbi rrënojat e xhamisë; dhe pse në vitin 1961, siç e identifikon autori, ose në një kohë kur feja në Shqipërinë totalitare ende tolerohej?

Këto pyetje më lindin mua, ose dikujt që e ka idenë se ç’ka ndodhur në Shqipëri me fenë dhe kronologjinë e “çmontimit” të institucioneve të kultit; vetëm se unë nuk jam publik i synuar i këtij albumi, por thjesht një konsumator i rastësishëm, një aksident.

Për publikun Perëndimor interpretimi vjen vetvetiu: një regjim haptazi armiqësor ndaj feve – Shqipëria, vendi i vetëm ateist në botë; një xhami e rrënuar, pra që do të jetë rrënuar nga militantët e kuq; një stallë derrash mbi xhaminë, pas gjase e ngritur qëllimisht për të lënduar besimtarët myslimanë.

Pa çka se xhamia mund të jetë rrënuar kushedi kur; pa çka se struktura e ngritur mbi të mund të mos jetë stallë derrash, por stallë lopësh; pa çka se konflikti i gjakmarrjes mes familjeve zor se mund të ketë lindur mbi pronësinë ndaj kësaj djerrine.

Lewis-i ka vërtet një histori për të treguar, por mua më bëhet tani sikur janë zëra të tjerë që flasin me gojën e tij; meqë interpretimi i së shkuarës nuk është vetëm prerogativë e vizitorit dhe e udhëtarit; madje ky i fundit shpesh e gjen interpretimin të gatshëm, po aq të gatshëm sa edhe rrënojën përkatëse.

Fotoja mund të jetë vërtet e një skene krimi; por detektivi që na e vë përpara syve, as vetë nuk duket ta ketë kuptuar.

Me Barthes-in, do ta pranojmë që fotografia na tregon diçka “që ka qenë”, duke shërbyer mes të tjerash edhe si vegël për autentifikimin e së shkuarës.

Mirëpo kjo ndërtesë që mund të jetë gjysmë e shkatërruar, por mund të jetë edhe gjysmë e ndërtuar, ka qenë edhe ajo vetë – në momentin kur është fotografuar – dëshmi e një eventi; ka autentifikuar edhe ajo, në mënyrën e vet, por në mënyra të ndryshme për vizitorin dhe, përkatësisht, për banorët e zonës, një konflikt ideologjish, fesh dhe pronash.

Shtysa për “modernizim”, aq tipike për vitet 1960 në Shqipëri, që shfaqet me panelet tashmë anakronike prej betoni, sup më sup, si fanteria e një aradhe sjellëse të “progresit”, simbolizon ambicien e regjimit të djeshëm për të depërtuar edhe në të padepërtueshmen; dhe mu për këtë arsye, stalla e fotografuar metaforizon vetë përpjekjen totalitare të asaj periudhe.

Lewis-i e sheh kështu veten, dashur pa dashur, të dyzuar mes arkeologut dhe detektivit, që ka mbërritur në skenën e ngjarjes pasi ka ndodhur gjithçka; dhe që e ka gjetur këtë, skenën e ngjarjes, të gatshme si gjurmë të asaj që ka ndodhur – ose përmbysjes; në pamundësi për të dokumentuar historinë, ai vihet të dokumentojë gjurmët e saj, duke na dhënë imazhe që, në masë të konsiderueshme, nuk mund të interpretohen veçse po të merren si dyfish fotografike.

Asnjë foto e albumit nuk e ilustron këtë përftesë më mirë se kjo e piedestalit të statujës, përndryshe të saporrëzuar, të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës; ngaqë nuk u gjend dot në “vendin e ngjarjes” ditën kur mollokun prej tunxhi e shembën përdhe, fotografi kujdeset të fiksojë në celuloid “gjurmën” e asaj ngjarjeje, duke riprodhuar pikërisht gjurmën e këmbëve të statujës, që ka mbetur edhe ajo si një lloj “fotografie” (indeksikale) e rrëzimit.

Atje ku vështrimi naiv nuk sheh veçse një si çarje ose shqyerje mbi një platformë të torturuar, syri tashmë i informuar shquan peshën e papërballueshme të totalitarizmit mbi jetët e njerëzve; sikurse shquan te gjurma e thellë prej dinozauri në baltërat e Jurasikut zgavrën e një largimi, një dëbimi, një shkuljeje të furishme; ndërsa tek e çara, që duket madje sikur i shkon tej për tej edhe vetë fotografisë, atë mangësi a defekt të realitetit, që do ta shoqërojë jetën në Shqipëri edhe për shumë kohë, pavarësisht nga paqja dhe normaliteti që duket sikur e kanë normalizuar skenën përtej.

Se çfarë ndodhi tamam, në Shqipërinë e vitit 1991, këtë ende mundohemi ta kuptojmë; sepse shembja e një regjimi është tepër komplekse, për t’u rrëfyer dhe shpjeguar, aq më tepër nga brezat që e përjetuan. Lewis-i pati meritën – ose fatin – për ta vizituar “vendin e krimit” pak kohë pasi ky kish ndodhur; dhe mençurinë që të kuptonte se ai vetë nuk ish në gjendje të kuptonte se çfarë kish ndodhur. Bëri atë që çdo gazetar dhe fotograf i mirë duhet të bëjë në këto raste: e la kamerën të lirë, ndërsa toksicitetin e historive të rrëfyera ua përcolli teksteve, titujve dhe diciturave.

2 Komente

  1. Shkrimi dhe këndvështrimi është mjaft interesant dhe të shtyn drejt arsyetimesh të tjera, për raportet e realitetit me historinë e shkruar, për raportin e kujtesës me faktet dhe sesi “gjurmët” e të shkuarës mbarten në të tashmen. Vetë historia e stallës të ndërtuar mbi ish xhaminë dhe, më pas, në tranzicion, konflikti mbi pronën, gjaku, gjakmarrja, e kthen rrëfenjën në simbolikë të raportit diktaturë-tranzicion postkomunist.
    Fotografi ka fiksuar së jashtmi dhe si “i jashtëm” (eksperienca objektive) një sekuencë, një “gjurmë” të historisë tashmë të ndodhur kurse vendasit e kanë jetuar dhe kanë në lëkurë dhe kujtesë të shkuarën, si pjesmarrës dhe protagonistë (eksperienca subjektive). Fotografi, të themi, fotografon “gjurmët” e ujkut kurse vendasit kanë qënë përballë ujkut vetë, kanë ndjerrë rrezikun që vinte prej tij, kanë dëgjuar ckermitjen e dhëmbëve të tij , në mos janë kafshuar prej tij.
    Fotografitë janë dëshmi të fakteve kurse dëshmitë/narrativat e banorëve janë përvoja komplekse. Historia shkruhet nga historianët mbi bazën e fakteve “të ftohta” , pra me një mëtim për të qënë objektive ( a sa mund të jetë objektive kur dimë se historiani është një person me vetëdije, bindje ideologjike dhe “subjektiv” si subjekt i njohjes ). Duke qënë se Historia e shkruar bazohet në fakte, dokumenta, dëshmi, ajo në fakt nuk e rrok dot historinë e ndodhur në gjithë totalitetin e saj dhe , duke u shkruar, bëhet gjurma e “gjurmëve” .Ashtu sikurse kujtesa nuk riprodhon eventin e kaluar por imazhin mental të eventit.
    Përvojat subjektive të jetës nën diktaturë i përcjell emocionalisht letërsia përmes fiction dhe referencave me realitetin. Historia prodhon të vërtetat kurse Letërsia nuk prodhon ndonjë të vërtetë “të re”. Ajo thjesht përcjell artistikisht të vërtetat e prodhuara nga diskursi politik dhe publik.
    Fotua e gjurmës së këmbës së statujës së Diktatorit i ka të gjitha domethëniet dhe shërbehet si metaforë dhe metonimi e “gjurmëve” që ka lënë pas Diktatori dhe vetë sistemi totalitar në realitetin postkomunist.
    “Gjurma” është edhe një njollë e të shkuarës mbi kanavacën e të sotmes , është dhe një zgavër e mbetur pas shkuljes së statujës e cila (zgavra) pret të mbushet me narrativat e reja, përmes diskursit dhe “regjimeve të së vërtetës” të prodhuar nga pushteti .
    Fotografitë, në fakt, nuk janë një “shkrepje e lirë” e aparatit fotografik por një fokus i orientuar, i përzgjedhur me vetëdije nga fotografi. Raporti ndërmjet fotos dhe diçiturës , nga një pikpamje, të kujton debatin teorik mes picturializmit dhe descripturializmit. Ne e mbartim eksperiencën e kaluar si kujtesë dhe e riprodhojmë të ndërmjetsuar nga imazhet dhe proçesi imagjinativ. A janë kujtimet, “pikturat e mëndjes” pra adekuate me eventin, apo riprezantimi tyre vjen përmes manipulimit të kujtesës? Pra një debat për natyrën e imazheve mendore dhe fotografike në raport me gjuhën, fjalën dhe përshkrimin.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: