MENDIME TË PAKREHURA (LXXX)

(nga Stanislaw Lec*)

Gjithnjë më dridhet zemra për shenjtorët. Kam frikë mos i mbulojnë me gurë, për t’i shndërruar në relike.

Kur vjen në fuqi kameleoni, gjithçka që e rrethon ndryshon ngjyrën.

Ka shumë që i kanë hapur varrin vetes, duke gërmuar për thesarin.

Edhe peshorja dridhet, kur është në duart e njeriut.

Çfarë dinakërie! Lidhen në besë me djallin, që t’u refuzohet hyrja në ferr.

Politikanë, kërkojuni këshillë gastro-enterologëve: çfarë mund t’u jepet akoma për të gëlltitur qytetarëve?

Njeriut i pëlqen të qeshë. Me të tjerët.

Sa e vështirë është ta fshehësh mosekzistencën tënde!

Sa fjalë të fundit luftojnë mes tyre për të dalë në krye!

Të gjithë na e duan të mirën. Mos lejoni që të na e marrin.

Njeriut i duhet ndonjëherë një jetë e tërë, për të kaluar nga një fjalë tek tjetra.

Kush e zotëron gjuhën, shpesh rri në heshtje.

Njollat më të vështira për t’u hequr janë pikat e vëna mbi i-të.

“Mos e sharro degën ku je ulur!”: mëkat që majmunët e Darvinit nuk e njihnin këtë proverb.

Mos e fshih kokën në rërë: ashtu ua heq bukën nga goja varrëmihësve.

Kur mbretërit janë lakuriq, edhe lakejtë nxitojnë të heqin livretë.

Qëkur njeriu filloi të rrinte në këmbë, edhe hija iu zgjat.

Mos i vrisni koprofagët, por refuzoni ftesat që ju bëjnë për darkë.

Epokat i krijon arkeologjia.

Për t’u hedhur në boshllëk, nuk ke nevojë për trampolinë.

Bastijat shemben në pluhur, por shpesh portat u mbeten në këmbë, të kyçura nga lart poshtë.

Disa që e kanë parë dritën me sy, duhet shpesh të vazhdojnë të hiqen si të verbër.

Tek ajo dramë, intriga zhvillohej në prapaskenë.

Duhet të bësh grim edhe për të luajtur rolin tënd.

Të krijosh një personazh dhe ta lësh të lirë! Vetëm një shkrimtar i madh mund ta bëjë.

Historia na mëson si ta falsifikojmë.

Duke kaluar nga njëra kokë tek tjetra, mendimi merr formën e një truri të ri.

Opinioni publik duhet lajmëruar që nuk ekziston.

E vështirë t’i duartrokasësh ata që të kanë hedhur prangat.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin