FOLKLOR SHKENCOR

nga Doan Dani

Përpara disa javësh zjarri shkrumboi vegjetacionin modest në malin e Taraboshit dhe vendi i dytë në Evropë për ritmet e rritjes ekonomike, sipas një legjende qeveritare, e përballoi sfidën natyrore në pritje të ndërmjetësimit hyjnor. Dëmi ekonomik dhe ekologjik si gjithmonë nuk shqetëson autoritetet përkatëse dhe as masën, e deri këtu nuk kemi përse të skandalizohemi. Mirëpo, kur vëren se Mali i Zi, një shtet demografikisht më i vogël se Tirana, pa rritjen ekonomike të Shqipërisë, madje i banuar tërësisht nga “malokët” – duke huazuar një etiketë standarde –, zotëron avionë të posaçëm në shuarjen e zjarreve, nuk mund të mos argëtohesh nga pretendimet e flirteve nacionaliste mbi superioritetin tonë etnik, që aktualisht gumëzhijnë nëpër media, e gjithashtu nuk mund të mos trishtohesh nga memoria e paraardhësve tanë të cilët luftuan përgjatë ngjarjeve historike të konsumuara në urën kohore mes shekujve XIX dhe XX, që ato shkrepa të ishin shqiptare.

Ne e djegim pasurinë kombëtare dhe njëkohësisht bëjmë sehir. Sidoqoftë, ironia qëndron diku tjetër. Ndërsa zjarri përparonte i patrazuar, mediat kryesore fokusoheshin parësisht tek votimet në zonën e Dukagjinit, ku njëzet vitet e fundit zgjedhjet nuk zhvillohen asnjëherë në afatin dhe mënyrën e konsideruar normale. Kjo dëshmon qartësisht se kasta politike zotëron hapësirat kryesore në jetën kolektive të shqiptarëve televiktima, në atë interval kohorë ditorë ku mungojnë “kopshti antropologjik” i Big Brother, telenovelat etj. Akoma më problematik prezantohet fakti se kasta është shndërruar në njësi matëse dhe me pretendime interpretuese, që në rastin e politikës nënkupton monopole partiake.

Mbase rasti më flagrant përfaqësohet nga interferenca në shkencën e historisë: mjafton të kujtojmë debatin politik, ende aktiv, rreth datës së çlirimit të Shqipërisë. Rishtazi disa qëndrime politikanësh shtyjnë drejt një procesi të sintetizuar në rishikimin ose rishkrimin e historisë si domosdoshmëri e kohës. Në këtë mënyrë, koha motivon debatin shkencor dhe politika përcakton direktivat në formën e një kompromisi mes palëve, ku pasi të ngopen orekset e ndryshme popullit nuk i ngelet tjetër veçse të pranojë produktin e shijeve të çastit. Faktikisht, prej dekadash jemi mësuar me imponimin sistematik të politikës në historiografi dhe sot, kur pretendojmë se kjo metodologji është fragment muzeal, vazhdojmë vijimin në trashëgiminë e atij sistemi nëpërmjet një bojatisjeje sipas modelit të pallateve të Tiranës.

Totalisht antagoniste ose pjesërisht e integruar me politiken shfaqet një tendencë tradicionale, relikt e së kaluarës, që duke u vetëshpallur avokate e vlerave kombëtare, natyrisht sipas konceptimit të saj mbi idenë e Kombit, nuk mund të rishkruajë atë çfarë ajo ka shkruar. Kur politika, kryesisht e huaj, konkretisht diplomacia turke e viteve të fundit, injekton tezën e kompromiseve shkencore, menjëherë kreacionistët reagojnë nëpërmjet panikut historik e për rrjedhojë kombëtar, me pretekstin se komplotistët e huaj kërkojnë të na shkatërrojnë memorien kolektive – të sajuar intensivisht pas Luftës së Dytë Botërore nga një pjesë e këtyre “avokatëve” atdhetaristë. Kështu, shumësisë së miteve i shtohet edhe pandryshueshmëria e historisë, një pretendim sa absurd aq edhe joshkencor. Por, duke konsideruar se evolucioni shkencor është sinonim i debatit akademik, i kërkimeve serioze jashtë kornizave ideologjike, i tolerancës së këndvështrimeve, elemente që nuk bashkëjetojnë me monopolin e sotëm interpretues, mund ta kuptojmë stoicizmin e qëndrimeve të tilla.

Pa anashkaluar ekzistencën e një minorance brenda pakicës, që, e frymëzuar nga politika ose e vetëndërgjegjësuar nga metodologjia shkencore, kërkon pluralizmin intelektual, një tjetër mendim është i identifikueshëm brenda elitave. Bëhet fjalë për një lloj hermafroditizmi, që amalgamon mendimin më fanatik tradicional të kreacionistëve – në shfaqet etnocentrike – me kompromise të tjera ideologjike: nga njëra anë përvetësohen, madje ekstremizohen, interpretimet ekzistuese të doktrinës zyrtare, ndërsa nga ana tjetër i shtohen panteonit ideologjik mite dhe veshje të reja, nganjëherë të stilizuara nën hijen e kolonave të Berninit. Kjo rrymë e pranon ndryshueshmërinë historiografike, po e quajmë evolucionizmin, jo në bazë të kritereve shkencore, por në përputhje me “centrizmat” e ndryshëm ideologjik. Diçka e tillë lexohet nga kritikat e ashpra, shpesh herë banale dhe naive, ndaj studimeve historike në opozitë me panteonin mitologjik.

Është ngacmimi i diplomacisë turke rreth domosdoshmërisë së ndërhyrjes në histori, i shprehur kohët e fundit në Kosovë ose në Shqipëri dhe i mbështetur – platforma mbetet enigmatike – edhe nga politika shqiptare, nxitësi i tifozerisë së rishkrimit në formën e kompromisit dhe i asaj antagoniste e përbëre nga kreacionistët, e amplifikuar nga bashkimi me mendimin hermafrodit. Për këtë të fundit mjafton një deklaratë e politikës turke që tradicionalizmi të dominojë evolucionizmin: mund të konsiderohet e rivlerësueshme vetëm ajo çka i pëlqen këtij këndvështrimi, ndërsa preferencat e tjera shpallen të pavlefshme ose armiqësore. Ndryshe mund ta cilësojmë si historiografi self-service.

Arsyet e përdorura rrotullohen rreth sundimit osman në trojet shqiptare dhe politika e sotme turke njësohet me vizionin sulltanor. Çdo gjë është në funksion të panikut artificial si rezultat i “terrorizmit shkencor”: arrihet në fantazi të atilla sipas të cilave diplomacia turke kërkon të zëvendësojë Skënderbeun me sulltan Muratin, kur akoma nuk njohim materializimin e këtyre kërkesave nga pala turke. Në përforcim, mjaft e qarkullueshme shfaqet ideja e fajësimit të Turqisë rreth shndërrimit në destinacion emigracioni të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shek. XX. Sikur Argjentina, Belgjika, Gjermania, SHBA të jenë fajtore të emigracionit disamilionësh italian, apo Greqia, Italia të jenë fajtore të varfërimit demografik shqiptar, apo Kanadaja të jetë fajtore sepse përzgjedh dhe përthith me konsensus “trurin” shqiptar e jo vetëm. Apo, meqenëse brezi i dytë i emigrantëve shqiptar në Itali – e gjetkë – neglizhon gjuhën shqipe, siç po ndodh, dhe meqenëse historia e marrëdhënieve të shqiptarëve me këtë shtet nuk rezulton përherë paqësore, duhet domosdoshmërish të ringjallim justifikime imperialiste neofashiste ose neoromake?

Sido që të jenë epshet e diplomacisë turke, personazhet dhe ngjarjet historike nuk duhet të fiksohen, të paktën në teori, nga preferencat nacionaliste, qofshin ato shqiptare apo turke e më gjerë. Ajo çka i mungon tërësisht qëndrimeve të “avokatëve” kreacionistë dhe atyre të regresuar në të tillë është hapësira minimale që i lihet kritereve shkencore. Mjafton të analizohet kalimthi profesionalizmi i reaguesve: i përkasin fushave nga drejtësia, gazetaria, filozofia, agronomia, mjekësia, ekonomia, sociologjia, letërsia, deri tek teologjia etj, përveç historisë, pra një karnaval profesionesh që njëtrajtësohet nga qasja historike nëpërmjet imazhit më shumë se prej njohurive kritiko-shkencore në ambientin historiografik. Ky lloj ansambli përpiqet të mbajë në jetë mekanizmin e imazhit kolektiv, ndryshimi i të cilit, jo rastësisht, shqetëson Arbër Xhaferin më tepër se transformimi i të vërtetës historike. Ingranazhe të këtij mekanizmi janë termat anakronikë, me ngarkesë qartësisht emocionale dhe, për sa i përket profesionalizmit, folkloristike: «okupator», «oriental», «aziatik», «armik», «islamik», «qoftexhi», «hordhi» etj.

Nga ana e tij, ndikimi i imazhit e përcjell, ndër të tjerë, sociologun Fatos Tarifa drejt gjykimit të modeleve socio-ekonomike të ngurtësuara gjatë sundimit osman – ish-ambasadori akoma nuk diferencon ngarkesën semantike që përmbajnë termat pushtim dhe sundim në historiografi – duke i krahasuar ato me zhvillimet në rajonet perëndimore të Evropës, të konsideruara gjithmonë të njëtrajtshme, ndonëse, për shembull, realiteti francez dhe irlandez gjatë atyre shekujve ndajnë së bashku pothuajse asgjë. Sipas sociologut fillimisht përcaktohet ‹‹se për çfarë zhvillim bëhet fjalë››, ose më mirë të themi sa afrohet ky zhvillim me Perëndimin, e rrjedhimisht përfundohet tek investitura shkencore e zhvillimit, gjithmonë nëse ngjason me modelet e paracaktuara, ose, në të kundërt, tek zëvendësimi i tij me regresin. Me fjalë të tjera, ekzistenca e zhvillimit në vetvete nuk ka asnjë rëndës. Munda ta thjeshtojmë akoma më tepër: Tarifa mendon se ekzistenca, p.sh, e artikull-replikës së tij varet nga modeli, pëlqimi, krahasimi, arritja stilistike ose analitike etj, dhe jo nga fakti se ai ekziston i botuar diku pavarësisht nga gjykimi.

Mirëpo, historiografia ka për objektiv pikërisht evidentimin e zhvillimit, pastaj mund të përcaktohen shkalla dhe dinamikat specifike nëpërmjet metodave krahasuese, ndërsa inversioni i procesit është më tepër gjykim, madje, në rastin e sociologut Tarifa përballemi me dominimin e imazhit të modelit superior Perëndimor të kombinuar me një imazh autokton sipas të cilit – meqenëse kemi regresuar për shkak të sundimit osman – paskemi njohur nivele më të larta zhvillimi para shek. XV. Kjo logjikë gjeneron hipoteza të gatshme për të fantazuar një Shqipëri si Zvicra sikur ne të ishim kursyer nga sundimi osman, pra këto të fundit janë aktorë-fajtorët e vetëm të eksperiencës tonë. Si mund të flasim për historiografi kur vazhdojmë të gjykojmë? Si mund të flasim për histori të një populli kur gjykimi fokusohet vetëm mbi një element përbërës ose influencues? Si mund të flasim për objektivizëm shkencor kur gjykimi rëndon ekskluzivisht mbi një sundim dhe të tjerët janë të tejdukshëm? Koncepteve të pushtimit, të sundimit dhe, konkretisht, pretendimeve të rishkrimit të historisë duhet t’i nënshtrohet i tërë rrugëtimi historik në mënyrë lineare, larg historiografisë self-service.

Gjithmonë nëpërmjet analizave historike të filluara me ‘sikur’, i prezantuari nga Gazeta Shqiptare si historian i Institutit Filozofik dhe Teologjik në Shkodër, Dom Nikë Ukgjini, është i mendimit se pushtimi pesëshekullor – edhe këtu, në mosdallimin e ndryshimeve kuptimore, mbizotëron që në pikënisje gjykimi – ishte Fatkeqësia që motivoi copëtimin e trevave shqiptare mes shekujve XIX-XX. Madje, historiani në fjalë, mësues i edukatorëve të ardhshëm shpirtëror të masave, i bashkëngjit katastrofës edhe bindjen fetare të shumicës së kombit, e atyre që tradhtuan një Zot për një tjetër. Pa hyrë në vlerësimin e fekthimit si tradhti, çka dëshmon edhe nivelin e tolerancës së shumëpërfolur, i bie që viktima të jetë fajtore.

Gjykimit paraprak, osmanëve ose “deicidëve” permanent, mllefit të fosilizuar, superioritetit kulturor, i shtresëzohet edhe komuniteti i shqiptarëve jo të vërtetë, sepse pasardhës tradhtarësh: sikur të mos ishte kjo shumicë, sipas historianit, do të kishim një Shqipëri të madhe. Mbase, por, nëse na lejohet edhe neve një argëtim, sikur Ukgjini të mos lindte në ish-vilajetin e Kosovës, por në territorin e pasardhëseve të sundimtarëve Brankovič, vështirë se do të fliste shqip sot. Ja përse historia është ndërveprimi i përfunduar i një sërë faktorësh dhe jo dëshira e së tashmes.

Tek qëndrimet e këtyre intelektualëve ka vend për diskutime të degëzuara në fusha të ndryshme, që prekin problematika të tjera, megjithatë lexuesi duhet të këtë parasysh se këto janë disa nga arsyet e tregtuara në favor të pandryshueshmërisë shkencore ose të dritës jeshile maksimumi për makijazhe të reja ideologjike – preferenca self-service – mbi imazhin aktual. Mendimi kreacionist dhe ai hermafrodit, të armatosur me hapësira publike e fjalor tej mase agresiv dhe përçmues, qoftë edhe ndaj vetë historiografisë, bashkohen në llogore mbrojtëse sepse Turqia e sotme është Perandoria e djeshme, emigrantët shqiptar në Turqi janë asimiluar, Perëndimi është superior, Ne jemi të vërtetë ndërsa Ata tradhtarë, etj. Kështu mbrohet historiografia?

Një pjesë e mendimit hermafrodit tradhton vetveten – e mbase shfaq thelbin e problemit – të paktën nga përdorimi naiv i përcaktimit neo-otomanizëm, të huazuar nga analizat gjeopolitike që nuk janë objekt i këtij shkrimi. Përse otomanizëm dhe jo osmanizëm? Kuriozisht, fjalori i wordit me të cilin artikulli është shkruar nuk e njeh termin e parë. Gjithashtu, për kulturën shqiptare antroponimi Osman është plotësisht familjar në krahasim me Otoman, që vjen tek ne si targë perëndimore ndaj një sundimi në të cilin – gjithmonë ne – u integruam për pesë shekuj. Ose kjo preferencë është thjeshtë kopjim nga “analiza perëndimore”, ose ky fragment elitash e ndjen veten të huaj për traditën shqiptare ku realisht neologjizmi otomanizëm është plotësisht i panevojshëm, ose, edhe më tragjikisht, vetëshpallet fragmenti i “shqiptarëve të vërtetë” përballë shumicës “tradhtare”: duke mos përjashtuar kopjet e rëndomta, që dëshmojnë varfëri origjinaliteti, varianti i dytë paraqitet më tepër bindës, pasi kemi të bëjmë me individë që duke u vetëkategorizuar zgjedhin të gjykojnë nga një pozitë e veçantë, pa çka se me Perëndimin nuk kanë të përbashkët evolucionin shkencor dhe autonom ndaj shtysave ideologjike.

Së pari, e kaluara osmane jo vetëm gjykohet, por refuzohet edhe në terminologji, megjithëse është pjesë e pandashme e një bashkëjetese shekullore të valëvitshme, me divorc të pashmangshëm – gjatë fermentimit nacionalist – dhe jokonsensual. Së dyti, neologjizmi në fjalë përforcon akoma më tepër një identifikim së bashku me superioritetin përkatës, që shërben edhe si njësi matëse: nga njëra anë «ne admirojmë ruejtjen e gjuhës dhe traditave të arbëreshëve që kanë pesë shekuj të ndamë prej dheut nanë», ndërsa nga ana tjetër «Turqia mike në pak dekada zhduku miliona shqiptarë» dhe «populli vëlla turk e shkretinat e tija gëlltitën gjithë ata shqiptarë», shprehet Ardian Ndreca në mbrojtje të historiografisë tonë nga kërkesat turke. Pra, konservimi ose jo i traditave i atribuohet vendeve të shpërnguljes dhe pjesërisht komunitetit të shpërngulur, e gjithashtu, në varësi të këtij raporti, sipas autorit, mund të ndërhyhet ose jo në histori, pa anashkaluar etiketat e kudondodhura, konkretisht ‘shkretëtirat’.

Mund të analizohet gjatë, por vetëm pretekst për paprekshmëri historike nuk është, pasi edhe sikur Turqia – dhe çfarëdo shteti tjetër – të shqiptarizohet, përsëri nuk justifikon ndërhyrjen e pilotimit politik në shkencë. Për më tepër, do të shtoja se në këtë citim në mbrojtje të historisë ka disa paqartësi: ambienti italian asimiloi thuajse tërësisht arbrit katolik të shpërndarë përgjithësisht në zonën përgjatë Adriatikut, ndërsa ato që mbijetuan i detyrohen kryesisht dallimit fetar i cili, madje, nuk ngeli ai fillestar pas imponimeve të Kundëreformës, prandaj duhet të reduktohet fajësimi i realitetit turk kundrejt vlerësimit të atij italian si dhe dallimi mes dy komuniteteve të emigruara. Mos të mohojmë gjithashtu se mjaft banor të shkretinave, të thjeshtë ose të famshëm, nëpërmjet një gjuhe joshqipe, vetëdeklarohen shqiptarë, ashtu siç bëri edhe Nënë Tereza.

Situata e krijuar është pak ta konsiderosh qesharake. Historiografia perëndimore i përcakton shekujt osmanë si sundim, ndërsa ne këmbëngulim tek pushtimi, megjithëse ky i fundit karakterizohet nga përkohshmëria. Mirëpo, nga Perëndimi nuk marrim metodën e arritjes në këtë përfundim, porse vetëm targën otomanizëm. Dallimi mes pushtimit dhe sundimit vlen në mënyrë specifike për historiografinë, ndërsa targa, përveçse i përket analizave gjeopolitike, në asnjë mënyrë nuk mund të sintetizojë debatin historik. Rikonfirmohet sërish që ansambli folkloristik i profesionistëve nuk ka për qëllim kontributin – metoda më e mirë e vetëmbrojtjes – në spastrimin ideologjik të memories tonë kolektive, ku historiografia ka padyshim rol themelor. Ngjasojnë më tepër të alarmuar, së bashku dhe njëherësh, nga forcimi i pozitave ekonomike dhe politike të Turqisë në Ballkan. Kjo mbase shpjegon përse Turqia e sotme duhet të reklamizohet në mënyrë konstante si imitim i Perandorisë Osmane në shekullin e nacionalizmave, apo përse sundimi duhet të reduktohet tek shek. XV.

Ndryshe nuk do të kishte kuptim shurdhimi ndaj kërkesave për kompromise shkencore mbi shekullin e kaluar, që vijnë nga tre poltronat institucionale më të rëndësishme të Shqipërisë, dhe zhurma ndaj kërkesave turke, kur që të dyja kanë lidhje interesash të përkohshme me shkencën. Ndërlidhja me historinë qëndron, por vetëm tek spekulimet, shembja e të cilëve vështirëson panikun kolektiv të një gjoja-ripushtimi tjetër: nëpërmjet përjetimit të hebrenjve ndaj nazizmit Arbër Xhaferi arrin deri tek krahasimi indirekt i pretendimeve të sotme historike turke me krimet dhe projektin zhdukës të Holokaustit. Fundi i botës? Jo, folkloristët tanë! Në këto kushte është me se e kuptueshme përse jemi peng i ndërhyrjeve politike në rishkrimin e historisë.

Nuk ka komente

  1. “madje i banuar tërësisht nga “malokët” – duke huazuar një etiketë standarde…”

    Nese eshte e mundur, autori do te me ndihmonte shume nese do te ma shkoqiste pak me tej kete pjese qe shkeputa. Sidomos kjo “duke huazuar nje etikete standarde”, me intrigoi shume. A ka ndonje shpjegim me te hollesishem ?
    _____

    E dyta, shpesh habitem me shkrimet apo studimet shqipe sepse vuajne tmerresisht nga referencat e pakta. Ne tere kete shkrim te gjate, ku duket qarte se autori eshte perpjekur dhe vertet lodhur per te, nuk duket as gjurma me e vogel e nje reference, e nje citimi. Kjo me habit shume. Mbase jam krejtesisht gabim dhe dikush mund te me thote cope se kjo tregon origjinalitetin e nje shkrimi, por mua s’me mbushet mendja kurre. Ne debate, ne gjera intelektuale, une nuk besoj as te qindten e sekondes ne krijimin “ex nihilo”. Ne keto pune, une di qe pa nje mbeshtetje te forte, te dokumentuar mbi diçka ekzistuese, nuk mund te percjellesh idene apo idete e tua.

    Nje filozof francez qe e kam per zemer, Finkielkraut, ne debatet e tij televizive, zhvendoset me fisha te tera citimesh, shkon vertet si i pergatitur per ne provim. Dhe nuk e ka aspak per turp qe idene e vet ta mbeshtese aty, perballe gjithe teleshikuesve, madje duke e lexuar pa e fshehur fare fishen. Nuk e kuptoj çfare kompleksi kane studiuesit tane ne lidhje me kete problem. Me gjase, kjo ndodh ngaqe ekziston tashme nje opinion i perhapur nder debatues, qe thote keshtu : “oh tani, mos na çaj koken me citime filozofesh, por thuaje me fjalet e tua”. OK, por fjalet tona s’kane asnje besueshmeri, s’e kane kaluar ate sproven e zjarrit, domethene duhet kohe te zene vend, dhe per te qene me te qendrueshme, duhet te kene njefare mbeshtetje tek ata qe e kane kaluar kete sprove.

    Sidoqofte, i rikthehem citimit te Danit me lart, do te isha vertet shume kureshtar se çfare do te thote, apo si mund te shtjellohet me tej ky pasazh. Falemnderit.

  2. Pershendetje te gjitheve dhe vecanerisht ‘komentuesit’.

    Per sa i perket fragmentit te artikullit tim ka nje ironi te thjeshte. Besoj se nuk ka shqiptar qe nuk e njeh stereotipin e mbuluar nga etiketa “malok”. I referohet individeve te nje zone gjeografike specifike, jo gjithmone te percaktuar nga lartesia mbi nivelin e detit, dhe etikes se perditshme (ose historike) nepermjet te ciles keto individe gjykohen. E kam cilesuar ‘standarde’ sepse e tille me duket, madje edhe personazhe te njohura e perdorin normalisht, mbase vetem ne forme joverbale: mes te tjereve ben perjashtim, tek “Vip-at”, perdorimi verbal i F. Nolit, qe etiketat “malok” dhe “kosoviot” i botonte si percaktime te nje komuniteti shqiptaresh (H. Feraj, Skice e mendimit politik shqiptar, Pegi 2006, fq. 181-182: se bashku me citimet ne fund te faqes 182). Sigurisht, nuk do te zgjatem me listen e perdoruesve dhe as nuk dua te bej ketu avokatin, prokurorin apo moralistin e termit, pasi me sherben thjeshte si krahasim.
    Me pelqeu te evidetoj kalimthi se nje shtet me popullsi si Mali i Zi, me karakteristikat pershkruese te malokeve, ashtu sic kane hyre ne botekuptimin tone nga Noli tek Kadare dhe masa e imituesve te tjere “superior”, i jep leksione vendit tone, ku te etiketuarit “maloke” jane vetem pakica. Dua te them se eshte e thjeshte te paragjykosh dhe ta projektosh fajin tek “tjetri”, tek komplotistet, tek Porta e Larte, tek “maloket”, tek “ato”, etj, ndonese ai bujton fillimisht tek “ne”, ndoshta ne nje mase te madhe. Per kunder Malit te Zi pretendojme se kemi rritjen e dyte ekonomike ne Evrope, qe po demokratizojme Afganistanin, qe jemi pasardhes te nje populli sublim e per rrjedhoje kemi vlera superiore, etj. Ashtu si Mali i Zi kemi nje te kaluar dhe stereotipe te ngjashme. Mirepo, ato e mbrojten territorin e tyre nga zjarri, ndersa ketej merreshim me dyluftimet politike.

    Dicka e tille vlen edhe per debatin rreth historiografise. Problematikat qe bart zhvillimi i kesaj shkence ne Shqiperi pas Luftes se Dyte Boterore i maskojme ose i thjeshtojme me nxitjen e “frikes kolektive” nga komplotistet si Schmitti apo, konkretisht, nga ndonje ripushtim i ri. Mekanizmi perseritet: “ato” jane fajoret (armiqte), “ne” jemi te perkryer. Duke vazhduar ne kete menyre mbajme peng evolucionin e nje shkence.

    Ceshtja e referencave eshte me komplekse. Jane te domosdoshme ne studime shkencore ose thjeshte ne nje permbledhje historike (meqenese jemi tek historiografia). Shkrimi i mesiperm nuk ka objektiva te tille dhe, komentues, nese e shikoni me vemendje ka pak hapesira per referenca. Mungon vetem nje adrese, ajo e intervistes se Arber Xhaferit e botuar nga Gazeta Express: http://www.gazetaexpress.com/?cid=1,13,60875.

    Shpresoj te jemi kuptuar.
    Faleminderit.

  3. Falemnderit, Doani.

    Pyetja ime ishte mbase nje ftese per te hulumtuar pak me thelle mbi kete term, dhe per te ditur se perse ky term eshte nje “huazim standard”. Kjo fjala standard, mua me vret tmerresisht sepse nenkupton qe kjo fjale e ka fituar te drejten e qytetarise. Kur ne fakt, kjo fjale duhet te luftohej me sa mundesi te kishim qe te mos e kishte kete te drejte qytetarie.

    Pika e çuditshme ne kete “mesele” eshte se ne ç’pike apo ç’periudhe kohore eshte vendosur qe fusha = i zgjuar, dhe mali = i pagdhendur. Persa i perket pastaj ndarjes se padrejte qe veri=mal, dhe jug=fushe (gjeografia e Shqiperise na meson se kjo s’eshte e vertete dhe se male ka sa te duash ne jug), kjo eshte diçka tjeter qe ka lidhje me interesa politike te kohes kur eshte shfaqur kjo fjale. Nuk ka rendesi kur eshte shfaqur, por dihet se eshte shfaqur per çeshtje pushteti dhe sundimi te njerit kundrejt tjetrit. Enigma eshte thjesht ne barazimet mal=i pagdhendur, fushe=i zgjuar. Kete s’e kam kapur ndonjehere.

    Ne France, ka male shume me teper se ne Shqiperi, madje dy here gati me te larte se malet tona, e megjithate, nuk gjej dot asnje gjurme te shkruar apo te folur qe malesoret (les montagnards) franceze te quheshin “te pagdhendur” apo te trashe. Franca e ka lidhur kete me diçka tjeter : me fshataresine (la paysannerie). Pra, para ca shekujsh, ne France ishte barazimi fshatar=i pagdhendur, parizian=i zgjuar. Po te kishim pasur dhe ne kete ndarje, do ta kuptoja se fundja do te ishim njelloj me te tjeret. Por ne e kemi kaluar nga fshataresia (qe ka te tille edhe ne lindje, edhe ne perendim e veri e jug te Shqiperise), ne nje emertim gjeografik te lidhur me lartesine mbi nivelin e detit, dhe kryesisht me “malin verior” i cili do te kishte tagrin per te prodhuar vetem idiote dhe te trashe. Kjo eshte pika qe me ben pershtypje, dhe s’kam arritur te gjej dike qe te sjelle ca sqarime mbi kete.

    Dhe se fundi, i mbrujtur me nje kulture te theksuar letrare europiane dhe veçanerisht franceze, nuk kam si te mos shqyej syte kur ende ne Shqiperine time te vockel sa nje rajon francez, ne kemi aq guxim sa te bejme ndarje te tilla. I bie si te ndash qimen e flokut me dysh. Habitem sesi intelektualet shqiptare nuk e leçisin kete fjale, nuk e luftojne ngado ku ta shohin, por vazhdojne t’i bejne jehone, qofte dhe ne menyre te pafajshme me ngritje supesh. Kam aq pervoje jete sa te heq nje paralele mes nje bisede ndermjet miqsh “te zgjuar” shqiptare qe bejne nje shaka mbi nje “malok te pagdhendur”, dhe nje bisede ndermjet miqsh franceze qe hedhin romuze mbi nje çifut çfaredo. I kam perjetuar te dyja situatat, kam qene i pranishem edhe ne sharje “anti-malokesh”, edhe ne ato “antisemite”. Per nga menyra e reagimit te te pranishmeve, nuk kam verejtur asnje dallim. Nese jeni te interesuar, mund t’ju pershkruj ketu nje darke francezesh te paster 24 karat qe hidhen ne nje antisemitizem “light”, intelektual. Por s’eshte vendi ketu.

    Gjithsesi, falemnderit per pergjigjen. Per t’i thene dhe dy fjale ne lidhje me te zotin e blogut : ne kemi fatin qe ketu te mund te bashkebisedojme me autoret e shkrimeve. I bera nje pyetje Doanit dhe ai u pergjigj, ne menyren me te qete te mundshme. Nuk e kuptoj ku eshte e keqja ketu. Librat me intervista dhe biseda, sot gelojne ne Perendim. Madje eshte nje lloj letersie qe mua me pelqen shume. Eshte nje mundesi reale per nje autor qe te shpjegoje, sqaroje pozicionin e vet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin