21 JANARI DHE SHTETI

nga Metal Boy

Shteti në një sistem kapitalist, sipas marksistëve është aparat represioni në shërbim të shfrytëzuesve të proletariatit, që përdorin të gjitha mënyrat e mjetet për t‘i zgjatur jetën këtij shfrytëzimi. Këtë e bëjnë me skenarë e narrativa mashtruese, televizione e masmedia që topitin njerëzit dhe kur duhet, përdorin edhe forcën. Konspiracionistët pak a shumë kanë të njëjtin mendim për shtetin aktual, të cilin e shohin në duar të ‘ELITËS’ së gjithëpushtetshme që kontrollon e shfrytëzon cdo gjë.

Ndërkaq, shteti, sipas qytetarëve që kanë vendosur të jetojnë bashkë dhe të mos i hyjnë në hak njëri tjetrit dhe kur ka thyerje dhe prekje të së drejtës së dikujt kjo të zgjidhet me sa më pak pasoja pa hyrë në një cikël shkatërrimi reciprok,  – duke shikuar  ngrehjen nga vetja dhe kompetitivitetin si ‘kondicion natyral’ të njeriut (Hobbes), – është e vetmja mënyrë për të ruajtur dhe shpëtuar veten e tyre dhe ‘kontrata sociale’ (Locke) ku njerëzit kanë rënë në ujdi që të mos dhunojnë të ‘drejtat natyrale’ të njëri tjetrit dhe si shkëmbim secili te sigurojë ‘sferën e tij të lirisë’.

Shqipëria nga shteti i ‘diktaturës së proletariatit’ që ishte në fakt totalitarizëm, kaloi në një demokraci liberale ku shkruam në kartë disa rregulla e të drejta dhe kufizuam ata që drejtojnë dhe ju kemi deleguar vendim-marrjen dhe këta i ndërrojmë në mënyrë periodike dhe ku legjitimitetin e tyre e marrin nga populli. Po si pasqyrohet dhe cili është raporti i 21 Janarit me shtetin shqiptar?

Me 21 Janar 2011 Shqipëria përjetoi një ngjarje të rëndë dhe me pasoja tragjike.  Protesta e kësaj dite – e organizuar nga opozita politike përpara selisë së Këshillit të Ministrave, u bë e dhunshme duke thyer ligjet e vendit dhe rrezikuar institucionet e shtetit – do të hyjë në historinë post-komuniste të Shqipërisë si një ngjarje e padëshiruar dhe shumë e rëndë, ndërkohë që diskutimet politike për të nuk do reshtin asnjëherë.

Përvoja e debateve dhe këndvështrimeve të ndryshme për ngjarje e çështje jo larg në kohë të historisë sonë, na jep të drejtë të mendojmë se edhe pas shumë vitesh e dekadash, kjo ngjarje do imponojë qëndrime në bazë parapëlqimesh politike. Pasojat tragjike të prodhuara nga kjo ngjarje dhe veprimet që u bënë atë ditë po i nënshtrohen një procesi gjyqësor dhe për  vetë natyrën e kësaj ngjarje e bën të shumëfishuar domosdoshmërinë e një hetimi profesional dhe gjykimi të drejtë. Sidoqoftë pa pretendime të mëdha mund të dalim në disa përfundime që mundojnë opinionin gjithë këto kohë.

Puçi ose tentativa për të rrëzuar një qeveri me forcë, si aksion në të shumtën e tij konspirativ, ka vështirësi të provohet, megjithatë ligjërimi publik dhe i mbyllur (i marrë vesh më vonë) bashkë me veprimet e njerëzve dhe grupeve të interesuara për të rënë qeveria në atë mënyrë dhe atë ditë, na çelin një derë, na japin të dhëna nga ku mund të shkojmë tek përfundimi se puçi ka qënë ekzistent dhe kërcënues. Një pjesë e titullarëve të shtetit kishin përfitime të drejtpërdrejta nëse qeveria aktuale rrëzohej dhe vendi shkonte drejt zgjedhjeve të parakohshme me një qeveri tjetër.

Presidenti i Republikës, në kohën që njëri nga institucionet kryesore të shtetit po goditej dhe rrezikohej rëndë me mjete jashtë sistemit, nuk bëri asnjë veprim institucional që të qetësonte turmën ose të kërkonte përgjegjësi tek organizatorët dhe t’iu kërkonte tërheqjen e turmës dhe mbi të gjitha t’iu jepte mbështetje forcave të sigurisë që këta të fundit, mbështetjen e vetme në ate situatë të rëndë dhe që po dilte jashtë kontrollit dhe nuk dinin cila ishte lëvizja e rradhës e turmës agresive, mos ta gjenin vetëm tek armët. Në të kundërt, presidenti doli e foli në fund me një gjuhë te shpëlarë nëpërmjet një komunikate për shtyp, ndërkohë që mbyllur pas dyerve ju kërkonte ambasadorëve të huaj qe bënin vajtje-ardhje sa në njërin institucion tek tjetri, njëlloj si opozita qe po bënte presion me mjete jashtë sistemit, zgjedhje të parakohshme.

Prokuroria e Republikës që nga mazhoranca dhe analistë të shtypit është vlerësuar si inkuizitore dhe me standarde të dyfishta, nuk mund të ushtronte kompetencat e saj kushtetuese me këto mënyra, nëse nuk do të kishte mbrojtjen dhe nxitjen e Presidentit që në fund ka edhe në dore shkarkimin e kreut te këtij institucioni. E gjitha kjo panoramë e veprimtarise së këtyre institucioneve, bëhet një e tërë me realizuesit në terren të ketij aksioni, qe ishte turma e mbledhur përpara kryeministrisë nga opozita.

Shpesh thuhet, duke kundërshtuar skenarin e një puçi apo tentative të dhunshme për të rrëzuar qeverinë, se protestat, qoftë edhe të dhunshme, nuk janë puç ose tentativë për të rrëzuar qeverinë me dhunë dhe se presidenti nuk mund t’i “binte grusht vetes”, por në fakt, këto mund të ndodhin dhe për këtë na ndihmojnë, për ta mbështetur si argument, shembujt nga vende të tjera dhe njohja pak e sistemit politik që ka Shqipëria.

Në 1950 në Austri, punëtorët industrialë të mbështetur nga komunistët organizojnë greva dhe protesta të mëdha, me përplasje me policinë dhe pushtime zyrash e godinash, por që në fund siç dihet dështojnë. Megjithëse ishin vetëm protesta e greva, pa u përzier forca sigurie në anën e protestuesve ose përleshje të armatosura, edhe sot e kësaj dite këto greva dhe protesta konsiderohen puç.

Në 1999, ushtria pakistaneze e drejtuar nga Musharraf, rrëzon me një grusht shteti bloodless qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Nawaz Sharif. Pasi ushtria pakistaneze merr nën kontroll vendin dhe shpall gjendjen e emergjencës, pezullon parlamentin federal dhe parlamentet provinciale, lë në detyrë presidentin që ishte nominuar dhe zgjedhur në atë post nga kryeministri i rrëzuar, pasi ishte vetëm figurë simbolike që nuk i prishte punë edhe një gjenerali që kishte ardhur në pushtet dhe ishte shpallur shef ekzekutiv, me një grusht shteti.

Fatkeqësisht, nga armët e Gardës së Republikës marrin goditje fatale disa demonstrues dhe për këtë duhet të dalin përgjegjësitë ligjore për të gjithë ata që mund të kenë tejkaluar ose shkelur ligjin, por duhet nënvizuar që  pretenca e prokurorisë është zor të besohet. Nga akuza e prokurorisë del që një gjeneral me përvojë dhe me një shkollim për tu pasur zili, është një vrasës serial që merr në shenjë njerëz për qejf dhe nuk merr në konsideratë rrethanat e ngjarjes dhe si u procedua nga ana e Gardës në ato momente tensioni apo karakterin pa probleme të tilla të ketij gjenerali të shtetit shqiptar që përgjigjej edhe për sigurinë e kreut të prokurorisë.

Shteti shqiptar, institucionet dhe strukturat e tij, rezistuan dhe zbrapsën me 21 Janar një veprim që po të kishte dalë me sukses, do ta fuste Shqipërinë në periudha destabiliteti dhe të rrezikshme për shtetin dhe demokracinë. Një përfundim pozitiv për turmën e dhunshme do të rikthente kohërat kur pushteti mund te merrej edhe me mënyra e mjete ekstralegale, kur qeveria nuk do rrëzohej me zgjedhje, mocione mosbesimi, kriza qeveritare, mos-votim buxheti, rebelime deputetësh të qeverisë e shumë mënyra që parashikohen në sistem, por me mënyra jashtë sistemit të cilin shoqëria e ka përcaktuar në marrëveshjen më të gjerë që ka bërë, Kushtetutën.

Përplasjet institucionale (pavarësisht emrave që ishin apo janë aty) që shkaktoi 21 Janari, duke hequr pjesën e sharjeve personale ndihmojnë në rritjen e kulturës demokratike dhe ligjore që Shqipëria e ka të pakët. Puna e të gjithë zyrtarëve publikë duhet të shikohet e vlerësohet nga opinioni publik, perputhshmëria e veprimeve të tyre me Kushtetutën dhe ligjet duhet të diskutohet çdo ditë dhe publiku i gjerë të bëhet i vëmendshëm ndaj këtyre gjërave, këto debate e përplasje i shërbyen kësaj.

Nuk ka komente

  1. Mos shko larg per te kerkuar shembuj puci. Ke 1998 me te njejten Berishe ne krye te pucit. Eshte bere mjeshter, ndaj dhe s’i pushon goja per puc. Sipas arsyetimit te mesiperm, jemi ne gjendje non stop puci meqe kerkohet non stop pushteti. Kete mund ta thote vetem nje mendje e semure, ose te tjera mendje te majmunizuara pas mendjes se semure. Sa na ngre hipoteza foshnjarake per ate qe mund te bente Presidenti e te tjere, na thuaj c’bene ata te armatosurit pas kamerave te sigurise qe vajten fshine serverin. Do jesh me kredibel.

  2. Deri më sot as kam parë, as kam dëgjuar ndonjë provë që atë ditë, në 21 janar 2011, opozita, Presidenti, Prokurorja e Përgjithshme, ose fundja edhe Presidenti i Klubit të Gjuetarëve, kishin ndërmend të tentonin grusht shteti. Asnjë provë. Kryeministri Berisha ka formuluar disa akuza bombastike, por kam përshtypjen që as ai vetë nuk i beson ato që thotë – i thotë ashtu, si formula magjike, speaking in tongues, si me thënë. Gjithsesi provat mungojnë. Është qesharake, deri aty sa nuk të mbajnë më ijet, që ta margjinalizosh politikisht Presidentin deri në bojkotim të hapur, dhe pastaj ta akuzosh se pse nuk ndërhyri atë ditë për të “qetësuar gjakrat”. E kam thënë atëherë (për aq sa vlen, por është ende e shkruar këtu në blog), që nëse duam të flasim për grusht shteti, këtë ato ditë më shumë ka të ngjarë ta ketë tentuar vetë Berisha: si grusht shteti të bardhë (golpe bianco). Dhe pikërisht: (1) duke urdhëruar që të ushtrohej dhunë ndaj protestuesve, deri në vrasjen e katër prej tyre; (2) duke akuzuar për putsch institucionet e larta të shtetit, si Presidentin e Republikës, Prokuroren e Përgjithshme; si dhe kreun e opozitës, me anë akuzash që sipas tij nuk vinin nga shërbimet informative, por nga “burime krejt të tjera”, por që nuk i pamë kurrë të shkoqitura; (3) duke ngritur një komision hetimor pranë Parlamentit, të përbërë vetëm nga deputetë të PD-së, të cilët do të vepronin si institucion paralel me Prokurorinë e Përgjithshme, për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, i cili do të merrte në pyetje “Kryeministrin, Presidentin, kryeprokurorin, ministrat e të gjithë me radhë” (ky komision, sikurse dihet, dështoi në mënyrë spektakulare, ndoshta edhe ngaqë të gjithë e panë se çfarë ishte: një kërcënim në trajtë shashke, ose më mirë akoma, një fart bomb); (4) premtoi se do të sillte në Shqipëri, gjithnjë për të hetuar ngjarjet, jo vetëm ekspertë, por edhe “prokurorë të huaj”! (Ndonjë ditë ka për të sjellë edhe gardistë të huaj që ta ruajnë, si zviceranët që ruajnë Papën në Vatikan). Sikurse dihet, golpe bianco është një “përpjekje për të ndryshuar rendin kushtetues dhe formën e qeverisjes me mjete që nuk lejohen nga rendi kushtetues ekzistues.” Si i bëhet kësaj? Hajduti që thërret: kapeni hajdutin?

    1. Prova? 1) sulmi i dhunshem ndaj KM. 2) sjellja jo e duhur, ne kuptim te frymes se kushtetutes, te presidentit dhe prokurorise qe ishin haptas ne krah te turmes qe sulmonte institucionin kryesor te shtetit. Kaq kishin ne dore dhe kaq bene, c’prova te tjera kerkon?

      Komisioni hetimor parlamentar eshte i parashikuar ne Kushtetute keshtu qe s’ka asnje lloj puci qe do te thote dalje jashte korpusit ligjor aktual. Komisioni ne fjale brenda ligjeve eshte, se cfare rezultati ka, ky eshte debat tjeter.

      Berisha nuk ka dhene asnje urdher per dhune ndaj demonstruesve, nese eshte e kunderta, urdhero dhe provoje, por Berisha ishte pesuesi i dhunes se organizuar, si institucion qe perfaqeson flas, jo fizikisht. Gjithashtu edhe policia, garda dhe prona private e qytetareve.

      Berisha ishte targeti i pucit.

      Sinqerisht xhaxha ty nuk te shoh ne turmen e trimave (te rreshtuar virtualisht kuptohet) te Edi Rames, Gramoz Rucit, Tom Doshit, Taulant Balles, Pjerin Ndreut, Erion Braces etj. Te shoh me afer me Blushin, Malajn, Islamin, Meidanine te tjere te ketij kallepi.

      1. Besoj se provat duhej t’i kish sjellë kryeministri, sikurse edhe premtoi.

        Thua se “nuk dha urdhër për dhunë”; kjo është e ç’është – i ziu komandant i gardës. Por unë kam edhe një opsion tjetër: mirë nuk dha urdhër për dhunë, po të paktën të kish dhënë urdhër që të pushonte dhuna.

  3. Elitizmi nuk eshte konspiracionizem o metal por teori politike, per te mos thene e vetmja teori e hajrit, qe ve fuqimisht ne dyshim ekzistencen e ndarjes reale te pushteteve, pertej fasades e cila edhe ne Amerike, vendi i vetem qe i afrohet ne praktike, ndodh te griset ndonjehere.

    Kisha degjuar lloj-lloj kritikash, po kjo eshte humoristike.

    Ne politiken e jashtme nga te njejtat ‘rrenje parimore’ buron realpolitika dhe aktualisht jane te vetmet teori qe perputhen mire me ‘pozitivizmin’ si rryme qe synon ta transformoje dijen ne shkence, deri ne shkencizem. Me fjale te tjera ne ka ndonje nivel vertete shkencor ne politologji e gjen tek teoria elitiste dhe realpolitika.

    Ngjarjet ’90-92, shpetimi i sales ne 1997 e ’98, kompromisi i fundit per ligjin zgjedhor e ndryshimin e Kushtetutes, nuk ka asnje teori tjeter qe i shpjegon dot bindshem.

    Esencial ne demokraci eshte rotacioni, qe elita te marre pjese e gjitha ne ushtrimin e pushtetit, perndryshe pala e humbur e elites, qe nuk sheh drite ne fund te tunelit, do perdore turmat e veta.

    Berishes i eshte mbushur mendja top qe rotacioni i elites ne pushtet nuk vlen per te, se ndarja e pushteteve as si fasade nuk ka arsye te ekzistoje, rrjedhimisht edhe demokracia eshte privuar nga elementet esenciale.

    Ne keto kushte, 21 Janari eshte i logjikshem, po te evitohej ne 21 Janar do plaste ne 28 Janar a ne 5 shkurt.

    Demokracia do elita te demokratizuara, ky eshte kyçi i demokracise pluraliste dhe elita te demokratizuara kombdashese per te pasur demokraci kombetare.

    1. O Hyllin, a je si sigurte se me ke kuptuar se cfare them me “elite” apo jo? Po flas per ate super-eliten globale te fshehte, jo elitat lokale qe jane fasada (sipas konspiracionisteve), qofte ky presidenti i Amerikes, kryeministri i Shqiperise a kryeministri i Polonise. Super-elita globale qe sipas konspiracionisteve kontrollon boten ose eshte aty-aty ne kontroll te plote dhe keta jane nje grusht njerezish, nganjehere ju thone masone, nganjehere cifute dhe nganjehere edhe masone e cifute ose edhe me emra te tjere qe japin mesazhe te fshehta edhe ne filmat e femijeve.

      Nje sociolog amerikan me pervoje te madhe akademike ne punet e PUSHTETIT dhe strukturave te tij (nuk eshte i djathte), nder argumentet qe jep kunder ketyre konspiracive, permend edhe qe keto konspiraci qe thuhen e rithuhen se do ndodhin sot e neser, kane dekada qe na paralajmerojne “fundin” dhe kurre nuk jane realizuar. Nuk besoj qe ja vlen te ndalemi me gjate.

  4. Hajde ore Talo Boy hajde; shkrujate nje mullar me te paverteta per rezistencen e shtetit shqiptar dhe ne fund more nje deklarate dashuri-miresie. Per ty paska qene kjo dynja!

  5. Ky eshte tamam “metal boy”. Send i hekurt, i pa shpirt, frut i nje tejnxehje deri ne lengezim e pastaj ftohje e menjehereshme e quajtur “temperim”. Dhe kur mendon qe mund te jete gatuar tek ” Celiku i partise” ne Elbasan, atehere nuk ka as nje dyshim qe eshte brand name.

  6. “Fatkeqësisht, nga armët e Gardës së Republikës marrin goditje fatale disa demonstrues dhe për këtë duhet të dalin…”
    Ky eshte justifikimi qe i behet krimit nga ana e autorit te shkrimit. Pra dikush ne nje kohe ters eshte ndodhur ne nje vend ters, epo aty po behej qitje, ckerkuan ata aty?
    Me kete ti si autor i shkrimit e ke mbyllur justifikimin per viktimat.
    Por kryetari i qeverise tha se do jua tregoje vendin atyre qe ngrejne doren kunder kryeministrise (une me kete kuptoj ndertesen se institucioni eshte dicka krejt tjeter).
    Pra Berisha veprimin e goditjes se demonstruesve e quan te vetedijshem ( jo rastesisht, as fatkeqesisht) se pa u ftohur ende gjakrat, nxitoi duke thene se ishin turma te armatosura me mjete te sofistikuara (stilolapsa e çadra etj.). Tani del pyetja, se cila eshte e verteta, se nga sa ke shkruar del se ose ti ose kryeministri nuk thote te verteten.

    1. lol, po sigurisht qe kryeministri nuk thote te verteten. Ai ka kohe qe flet qesim, ndaj nuk duhet ta marim seriozisht ate qe ai thote.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: