DITËT E JAVËS SHQIPE NË 3D

Dyndja në mediat e të ashtuquajturve “albanologë alternativë”, ose turboalbanologë a thjesht turbologë ka turbulluar jo vetëm mendjet e naivëve, gjithë duke korracuar mendjet e fanatikëve, në lidhje me prejardhjen e fjalëve shqipe dhe historinë e shqipes vetë, por ka deformuar edhe vetë konceptin e etimologjisë, duke ia paraqitur publikut si një lloj sporti ose falli, ku origjina e fjalës gjendet nëpërmjet “zbërthimit” të saj ose lidhjes mekanike me fjalë të tjera.

Çfarë lihet jashtë, këtu, është thelbi historik i hulumtimit etimologjik, ose parimi që historia e një fjale, e çfarëdo fjale, nuk mund të ndahet nga historia e komunitetit/e popullit që e flet gjuhën; madje edhe që kjo lidhje është e dyanshme, ngaqë jo vetëm historia ndihmon për ta hulumtuar etimologjinë, por edhe etimologjia ndihmon për ta hulumtuar historinë.

Këtë dua ta dëshmoj me rrugëtimin e një grupi të vogël dhe të mbyllur fjalësh, që janë ato të emrave të ditëve të javës në shqipe, dhe pikërisht e hënë, e martë, e mërkurë, e enjte, e premte, e shtunë, e diel. Historianit të gjuhës, në këtë rast, i duhet ta fillojë duke shpjeguar edhe vetë numrin e tyre, shtatë, sa kohë që ky numër nuk është natyror, as ka të bëjë me ndonjë matje kalendarike (p.sh. etruskët përdornin një javë 8-ditore, njëlloj si edhe romakët para kontakteve kulturore me grekët).

Historia këtu ndihmon, sepse me gjasë ishin babilonasit të parët (për disa studiues, edhe ata të ndikuar prej shumerëve) që e krijuan konceptin e javës, duke numëruar shtatë ditë, në bazë të shtatë planetëve që ata shquanin në qiell; dhe prej tyre, këtë javë shtatë-ditore e morën grekët e periudhës helenistike[1] dhe pastaj edhe romakët; të cilët njëlloj e ndërtuan duke ia bashkëlidhur çdo ditë jave një “planeti”: Hënës, Marsit, Merkurit, Jupiterit, Venusit, Saturnit dhe Diellit (këto ishin “planetë” në kuptimin astrologjik të fjalës, trupa qiellorë që ndërronin vend në qiell, përkundrejt yjësive fikse; në ato kohë të lashta planetët e jashtëm, si Urani dhe Neptuni, dhe aq më pak Plutoni, mbeteshin të panjohur, sepse të padukshëm).

Duke qenë kalendari në bazë edhe të mënyrës si funksionon në përditshmëri shteti, romakët ua dhanë sistemin e tyre edhe popujve të tjerë nën sundimin perandorak – duke filluar nga fiset gjermanike. Këtu ndërhyri pastaj edhe Krishterimi me kalendarin e vet, duke lënë edhe ai gjurmë jo të vogla. Kështu, italishtja sabato për të shtunën vjen, në analizë të fundit, nga hebraishtja Sabbath; por është adoptuar prej latinishtes (si sabbatum) nëpërmjet praktikave përkatëse të së krishterëve të hershëm, të cilët ishin – në masë të madhe – hebrenj.

Ashtu, tek emrat e ditëve të javës në shqipe historia na ndihmon të kuptojmë se ndikimi latin, te ky grup, është shfaqur në dy mënyra: drejtpërdrejt nëpërmjet huazimit leksikor dhe tërthorazi nëpërmjet huazimit semantik. Emra si e martë, e mërkurë dhe e shtunë janë reflekse të drejtpërdrejta të latinishtes para-kristiane “dita e Marsit”, “dita e Merkurit” dhe “dita e Saturnit”; ndërsa emra si e diel, e hënë janë kalke; çfarë do të thotë se prej latinishtes është marrë forma e brendshme e emrit, lidhja e ditës së javës me Diellin, përkatësisht me Hënën; por janë përdorur pastaj fjalët vendëse, diell dhe hënë, për ta përcjellë kuptimin leksikalisht.

Latinishtja e periudhës pagane ka pasur një dies Solis, siç ka pasur edhe një dies Lunae, të cilat ishin ato vetë kalke të greqishtes së vjetër ἡμέρα Ἥλίου (Hemera Helios) dhe ἡμέρ Σελήνης (Hemera Selenes). Këtë lloj emërtimi latinishtja ua kaloi edhe gjuhëve gjermanike, ku anglishtja ka edhe sot Sunday dhe Monday, ndërsa gjermanishtja Sonntag dhe Montag. Shqipja këtu shkon me gjuhët gjermanike, dhe nuk merr pjesë në inovacionin që pësuan të gjitha gjuhët neolatine, të cilat përqafuan sistemin “hebraik” për të shtunën dhe të dielën, krahas me përhapjen e Krishterimit. Edhe rumanishtja, që i përket latinitetit ballkanik, përdor Sâmbătă për të shtunën, dhe Duminică për të dielën (për dalmatishten janë regjistruar Subatu dhe Domienca).

Për t’u shënuar se, kur thoshin dies Solis për të dielën, latinët nuk është se i referoheshin drejtpërdrejt diellit në qiell; dita quhej ashtu, në fakt, për nder të Diellit “perëndi” të panteonit pagan; ashtu siç i bashkëlidhej çdo planet një perëndie të caktuar. Me gjasë, edhe “dielli” që qëndron në bazë të shqipes e diel do t’i jetë referuar më shumë perëndisë Diell, se “planetit” Diell.

Popujt gjermanikë e çuan më tej përshtatjen e emrave latinë para-kristianë të ditëve të javës, me emra si (po mjaftohem me anglishten) Tuesday, që i referohet perëndisë gjermanike Tiu, Wednesday që i referohet perëndisë Woden (Odin), Thursday që është dita e perëndisë Thor, dhe Friday që është dita e perëndisë Frigg(a); historianët i konsiderojnë këto jo si trashëgimi origjinale gjermanike (indoeuropiane), por si “përshtatje” të emrave latinë para-kristianë të ditëve të javës (për këtë, shih edhe më poshtë).

Bashkësia e ditëve të javës në shqipe është heterogjene, për nga prejardhja: krahas huazimeve latine dhe kalkeve latine, ka aty edhe dy njësi me prejardhje të paqartë: e enjte dhe e premte. Etimologët, në përpjekje për t’i shpjeguar, kanë krahasuar edhe me modelin greko-latin pagan të ditëve të javës si emra perëndish, edhe me modelin kishtar, të mëvonshëm, që e ndeshim në gjuhët sllave dhe në greqishten e re dhe pjesërisht edhe në ndonjë gjuhë neo-latine si portugalishtja, të ditëve të javës si numërorë rreshtorë (e dyta, e treta, e katërta, e pesta, etj.), p.sh. e marta është ftornik në rusishte, që vjen nga bторой, “i dyti”, meqë rusët e nisin javën nga e hëna; e njëjta ditë, e marta, në greqishten e re është Τρίτη – Triti, “e treta”, ngaqë kjo kulturë e nis javën nga e diela; khs. edhe portugalishten segunda feira, terça feira, etj.

Disa etimologë të shqipes, duke iu referuar modelit gjermanik të kalkimit, shohin tek e enjte emrin e perëndisë ilire Enji. Oreli e sheh enjte si një formë të emrit proto-shqip të barasvlershëm me latinishten Iovis (diem), me gjasë një vazhdim të proto-shqipes *agni-, refleks i një fjale indoeuropiane për “zjarrin”, khs. latinishten ignis. Këto shpjegime Çabej i shpërfill si fantazi dhe për e enjte parapëlqen një etimologji të sugjeruar nga Ndre Mjeda (në Leka IV, 351), i cili e lidhte fjalën me një greqishte të vjetër ένε, duke shënuar (Çabej) se “ditët e javës edhe në të tjera gjuhë indoeuropiane shënohen shpesh me numërorë rreshtorë”, dhe përmend pastaj shembujt nga gjuhët sllave dhe greqishtja (SE IV, ff. 87-88). Nëse është kështu, vëren ai, kjo “paravendon që në shqipen e lashtë java të ketë nisur me të martën”. Besim Bokshi ka vërejtur më pas se Çabej e ka keqlexuar Mjedën, i cili në fakt pat shkruar: “Puna mâ e nevojshme kah moji ishte me dijtë kúr bâte hâna e re, pse me tê fillote moji, e si mêrret vesht, ajo ishte e para ditë e mojit. Anì mâ shqip na ká mbêtë émni i ksaj ditës së parë: e premte si me thânë e parmë, greqisht pramos, promos; lat. primus…Grekët kanë pasë nji êmën edhè për të mbrâmen ditë të mojit: èni qi do me thânë: “e mbrâmja ditë” asè “dita para hânës së re”… Kjo fjalë ká mbetë edhè në shqipen: e ênj-te”; dhe se Mjeda, në bazë të çfarë ka thënë, mendonte se shqipja e enjte duhet të ketë qenë e huazuar nga greqishtja e vjetër.

Njëlloj janë të ndarë etimologët edhe për emrin e së premtes – duke vënë disa në dukje një lloj paralelizmi me greqishten e koinesë Παρασκευή, (në thelb “dita e përgatitjes” para sabbath-it për hebrenjtë); e cila i përket në çdo rast traditës së krishterë, dhe ka zëvendësuar emërtimin pagan ἡμέρᾱ Ἀφροδῑ́της, “dita e Afërditës”.[2] I kësaj vije mendimi është edhe sugjerimi i Orelit (jo dhe aq solid) që e premte të lidhet njëfarësoj me foljen premtoj. Shpjegim më bindës po më duket ai i Meyer-it, që e krahason e premte brenda shqipes me mbrëmë, dhe e shpjegon pastaj si “mbrëmja përpara së shtunës”, duke e krahasuar për nga forma kuptimore me Παρασκευή të greqishtes së koinesë. Këtu është për t’u shënuar se në të folmen e qytetit të Gjirokastrës, por me gjasë edhe gjetiu në Çamëri dhe në arvanitishte (p.sh. te Fjalori i Boçarit), mbrëmë dëgjohet si prëmë dhe e premtja si e prëmte, çfarë i afron edhe më të dy fjalët. Me Joklin, Çabej sheh te mbrëmë një formë të  i mbramë “i fundit” (shih edhe këtu për një trajtim më të shtjelluar), në analizë të fundit, një formë të ndajfoljes mbrapa/prapa. Nëse është kështu, edhe e premte ndjek, për nga forma kuptimore, modelin rreshtor të emërtimit të ditëve të javës dhe kronologjikisht, bashkë me e enjte, duhet të jetë relativisht më e vonë se emrat e ditëve të tjera dhe gjithsesi e ndikuar nga përhapja e krishterimit.[3]

Për e enjte dhe e premte Besim Bokshi ka shkruar, në hulli të Mjedës dhe në një studim të shkurtër me titullin Emrat e ditëve të javës – dëshmi e një gjendjeje të lashtë të fleksionit emëror të shqipes (Besim Bokshi, Varia, Prishtinë 2014, f. 11 e vazhdim), se “nuk i janë nënshtruar ndikimit të latinishtes për t’u zëvendësuar nga emrat përkatës të kësaj gjuhe” – duke supozuar kështu se këto dy emra janë më të hershëm se modeli latin; por njëlloj mund të supozohet se ata emra u janë mbivendosur emrave latinë më të hershëm, me ardhjen e Krishterimit mes proto-shqiptarëve. Sërish Bokshi gjykon se, në bazë të shënimeve të Mjedës, i bie që në gjuhën shqipe java të ketë filluar me ditën e premte dhe të ketë përfunduar me të enjten.

Këtu do të shtoja, në mënyrë krejt spekulative, se e premtja në gjuhët gjermanike është quajtur me një kalk të latinishtes, p.sh. në anglishten e vjetër Frigedæg; nga një Old Norse Frigg, me kuptimin “e dashur, dashuruese”, nga rrënja indoeuropiane *pri- “dashuroj”, e cila shfaqet mes të tjerash në sanskritishten priyah “e dashur” dhe në sllavishten e vjetër kishtare prijatelji “mik”; përkimi fonetik i gjermanikishtes fr- me shqipen pr- (të së premtes) tundon.[4] Këtë e them për të theksuar se etimologjia e së premtes me një emër hyjnie të lashtë (hipotetikja Prenda) nuk është për t’u shpërfillur: shumë autorë e kanë lidhur këtë Prendë, si emër të një hyjneshe para-kristiane, me “hyjneshën dardane” dhe, më tej, me fjalën shqipe të trashëguar perëndi (mes të tjerësh M. Zeqo, M. Camaj, R. Elsie, E. Shukriu, me literaturë). E. Sedaj (me literaturë) ka vërejtur ngjashmëri mes Prendës dhe Afërditës (Venusit), të cilat pastaj mund të jenë transferuar edhe tek emri e premte, si kalk i latinishtes Venĕris dies. Te Robert Elsie lexoj se Santa Veneranda, e njohur në gegnishte si Prenne ose Petka dhe në greqishte si Παρασκευή (Paraskevi) ishte një hyjni para-kristiane që pastaj u identifikua, prej kishës katolike, me Shën Anën, nënën e Shën Mërisë; dhe se sipas Cordignano-s, në Shqipërinë e shekujve XVI dhe XVII, edhe në veri edhe në jug (katolike dhe ortodokse), kish 33 kisha që i kushtoheshin kësaj figure relativisht të panjohur, më shumë se për çdo shenjt tjetër, me përjashtim të Shën Mërisë dhe Shën Kollit. Sërish Elsie vëren se kjo shenjte ka qenë identifikuar me kultin e Venusit, çfarë shpjegon edhe emrin e saj latin, Veneranda, dhe rumanishten Sfânta Vineri; dhe se kjo do të shpjegonte edhe përdorimin e saj si emër të një dite jave të cilën latinët e kishin emërtuar sipas Venusit; ngjashëm ka ndodhur edhe me greqishten Παρασκευή/ Paraskevi[5] (Robert Elsie, “The Christian Saints of Albania”, në Balcanistica 13, 2000, ff. 35-57).

Këto hipoteza mbeten spekulative, të paktën nga pikëpamja historike-gjuhësore, por jo më shumë kështu se simotrat e tyre. E megjithatë, duke parë rëndësinë që kishte kjo ditë e javës për fetë monoteiste, aq sa edhe myslimanët ia zëvendësuan emrin me e xhumá (Dizdari), vështirë të pranosh që të jetë ruajtur atje emri para-latin; në një kohë që fiton gjasa hipoteza paralele, e përmendur nga Elsie, se kisha katolike e nxiti edhe artificialisht kultin e Prendës të premteve për të penguar islamizimin e atyre zonave nëpërmjet ceremonive që edhe Islami i zhvillonte atë ditë të javës (e xhumá).

Këto shënime po i sjell më shumë për të treguar si, edhe te një bashkësi e vogël e mbyllur, si ajo e ditëve të javës, gjejmë një pasuri të pashembullt të dhënash me natyrë gjuhësore, antropologjike dhe historike për shqipen dhe shqiptarët – sa kohë që atje bashkëjetojnë reliktet e ndikimit latin para-kristian (dhe nëpërmjet tij, të astronomisë babilonase e ndoshta shumere), me përpjekje sinkretike të kalkimit të emrave latinë me fjalë të shqipes dhe, me gjasë, të një ndikimi më të vonë të krishterë të hershëm (e enjte, e premte), por ndoshta edhe relikte të një sistemi më të hershëm se kontaktet e proto-shqipes me latinishten (sërish e enjte, e premte). Vetë koncepti i javës, si teknikë artificiale për numërimin e ditëve në bazë të astrologjisë (planetëve, në kuptimin që u jepte këtyre astrologjia dhe astronomia antike) hyri në proto-shqipe nën ndikimin latin, por ndoshta edhe më të hershëm, nga greqishtja helenistike. Përndryshe, dukuria e kalkimit të emrave latinë para-kristianë të ditëve të javës në gjuhët gjermanike (nga dies solisSonntag apo Sunday) është shpjeguar si instancë e të ashtuquajturës interpretatio germanica, që është praktika e popujve gjermanikë për t’i identifikuar perënditë romake me hyjnitë gjermanike; e ngjashme me atë që bënë romakët vetë, me perënditë e Olimpit grek. Nëse diçka e ngjashme ka ndodhur edhe në proto-shqipen, kjo ende nuk mund të provohet dot; çfarë të ketë qenë vallë Dielli për ata që latinishten dies solis e quajtën e diel – perëndi pagane? Apo emri e diel të jetë përdorur nga folës që solis, te dies solis, e shihnin dhe e interpretonin si emrin latin të diellit? Po si të jetë shpjeguar, atëherë, kjo lidhje e së dielës me diellin? Një mister më vete mbetet datimi i këtyre kalkeve; sa kohë që në fjalorët etimologjikë të anglishtes (Chambers) lexon se ato i përkasin periudhës së latinishtes së vonë; dhe, sa i përket Ballkanit, ato i ndesh në shqipe, por jo në latinishten ballkanike (dalmatishte, rumanishte); çfarë shkon në mbështetje të një vëzhgimi të Çabejt, se shqipja ruan gjurmë të ndikimit latin më të vjetra se rumanishtja e, me gjasë, edhe dalmatishtja (si formë perëndimore e latinishtes ballkanike). Në çdo rast, emra të kalkuar, si e diel dhe e hënë na hapin një dritare, sado të ngushtë, drejt kulturës së proto-shqiptarëve dhe marrëdhëniet e saj me qytetërimin që vinte nga Roma. Dhe e gjithë kjo, para se në komunitetet shqipfolëse të mbërrinte Krishterimi! Sepse, në fakt, emrat e ditëve të javës në shqip janë, si bashkësi, nga më pak të ndikuarat nga Krishterimi, mes gjuhëve indoeuropiane, edhe pse kjo fe mbërriti mes të parëve të shqiptarëve relativisht herët.

Edhe një herë, një numër i vogël fjalësh të shqipes – emrat e shtatë ditëve të javës – na çoi te proto-shqipja, marrëdhëniet e saj me gjuhët e mëdha të lashtësisë, si greqishtja e vjetër dhe latinishtja; por edhe te historia e kontakteve të folësve të hershëm të shqipes me Krishterimin; sikurse na çoi te historia e kalendarit dhe e numërimit të ditëve, me konceptin e javës shtatë-ditore si një lloj huazimi jo detyrimisht të varur nga huazimi i emrave të ditëve individuale të javës (një arsyetim që vlen edhe për emrat e muajve). Huazimi vjen këtu në vështrim si praktikë dhe mekanizëm thelbësor, për të rrokur vendin dhe ecurinë e gjuhëve në rrjedhë të kohës; dhe aq më e vërtetë është kjo për shqipen, që nuk është e dokumentuar me shkrim, dhe për të cilën datimi dinamik i huazimeve shërben deri diku për të kompensuar mungesën e dokumenteve shkrimore – duke qenë huazimi, në një kuptim, diçka si “gjurmë” që lë një gjuhë, duke “shkruar” mbi gjuhën tjetër. Që proto-shqipja me emrat e ditëve të javës ndjek sistemin astrologjik greko-latin, duke ecur paralelisht me gjuhët gjermanike, kjo u shërben edhe historianëve, për të datuar kontaktet e hershme të proto-shqiptarëve me latinët; duke kuptuar këtu me proto-shqiptarë stërgjyshët e shqiptarëve të sotëm, një nënbashkësi e atyre që flisnin proto-shqipen në lashtësi (e të cilëve një pjesë jo e vogël përfunduan pastaj të asimiluar). Njëlloj e rëndësishme është edhe mungesa e ndikimit të Krishterimit të hershëm në sistemin e ditëve të javës, kundrejt rëndësisë që kishte ky ndikim për gjuhë të tjera; për shembull, gjuhët neolatine të gjitha adoptuan emra në thelb të krishterë për të shtunën dhe të dielën (khs. italishten sabato e domenica), në një kohë që shqipja (dhe anglishtja!) mbajtën e shtunë/Saturday dhe e diel/Sunday, çfarë për mua dëshmon për një pauzë, një cesurë, në marrëdhëniet e këtyre popujve të perandorisë me Krishterimin.[6] Sa kohë që dihet sa ka ndikuar kjo fe dhe veçanërisht rituali përkatës në organizimin e kalendarit të popujve anembanë dhe në ri-emërtimin e ditëve të javës, atëherë edhe historia e emrave të këtyre ditëve në shqip nuk mund të mos e përfillë; dhe këtu hipotezat e Mjedës për të enjten dhe të premten meritojnë më shumë vëmendje se ç’u është dhënë. Tek e fundit, edhe Topalli – që e lidh etimologjinë e së enjtes me faktin që të krishterët fryheshin (“enjteshin”) së ngrëni para agjërimit të së premtes – rreshtohet në këtë traditë, pavarësisht sa (jo)bindëse mund të tingëllojë hipoteza e tij “gastronomike”.

Në vija të përgjithshme, ky vështrim në etimologjinë e emrave të ditëve të javës, në shqipe, i vlen studiuesit edhe si pretekst, për t’u kuturisur në të panjohurat e historisë së proto-shqipes dhe të proto-shqiptarëve; dhe në analizën e marrëdhënieve të kësaj gjuhe me gjuhët e tjera, por edhe të marrëdhënieve të kulturës proto-shqiptare, me kulturat e tjera etnike dhe me fetë si Krishterimi. Përndryshe, një korrelacion i ftohtë leksikor, si ai mes fjalës e hënë dhe fjalës hënë nuk thotë asgjë të madhe, paçka se hënë është fjalë e fondit indeuropian të shqipes; në një kohë që shpjegimi i këtij korrelacioni, si replikim i një fjale latine (lunae dies), që ajo vetë është replikim i një fjale greke (ἡμέρα Σελήνης) dhe të dyja reflekse të një emri babilonas e ndoshta shumer na lejon të shkruajmë një faqe përndryshe të panjohur, të historisë kulturore të proto-shqipes në lashtësi. Huazimi – qoftë i drejtpërdrejtë ose leksikor, qoftë semantik, ose si kalk – është këtu edhe provë e vitalitetit të proto-shqipes, në marrëdhëniet e saj të kontaktit dhe përballjet me gjuhë të tjera, madje edhe me një superfuqi si latinishtja, që kish filluar të funksiononte si gjuha e rendit politik dhe social; ose mënyra si proto-shqipja realizohet në konceptin tonë bashkëkohor për atë periudhë historike aq të largët. Nga ana tjetër, vjen natyrshëm përfundimi se historia e fjalëve, dhe veçanërisht e nomenklaturave popullore si emrat e ditëve të javës, nuk mund të trajtohet veçan nga historia e përhapjes (mbase duhet ta quajmë edhe emulim, imitim, replikim ose kopjim) të sistemeve të njohjes, në rastin tonë të numërimit të kohës ose të kalendarit – në lidhje të ngushtë sa me dukuritë natyrore (stinët, kohëzgjatja e ditës dhe e vitit) aq edhe me ato me natyrë astronomike (astrologjike). Ashtu java shtatëditëshe, një sistem tek e fundit arbitrar i ndarjes ciklike të kohës, e ka origjinën nga astrologjia babilonase dhe ndoshta shumere, dhe që andej është përhapur edhe në kulturën indoeuropiane.

Shënimet më lart, mes të tjerash, shpresoj që edhe të kenë treguar – qoftë edhe thjesht nëpërmjet shembëllzimit – që historia e shqipes dhe e proto-shqipes dhe veçanërisht e leksikut të saj nuk është hartë për t’u eksploruar dhe as është shkencërisht e saktë të shihet kështu; dhe se i vetmi realitet i saj ka natyrë dinamike, në kuptimin që, edhe në përmasën diakronike, shqipen nuk mund veçse ta rrokim në lëvizje dhe ndryshim të vazhdueshëm, ku e kaluara projektohet në të tashmen dhe e tashmja, nëpërmjet ndryshimit, shndërrohet në të kaluar. Në vend që dija, përfshi këtu edhe etimologjinë, të kërkojë të izolojë dhe të përshkruajë një fotogram ose seksionim të ngrirë, të një periudhe të caktuar kohore, është vetë përshkrimi i këtyre proceseve transformuese, qoftë edhe vetëm si narrativë, që e shteron objektin e hulumtimit. Ashtu, që teknologjia kalendarike e javës shtatë-ditore me gjithë emrat përkatës erdhi në shqipe, në analizë të fundit, nga Lindja e Mesme, me ndërmjetësimin e Greqisë së Vjetër dhe veçanërisht Romës, kjo gjetje ose e dhënë nuk ka ndonjë forcë shpjeguese statike jashtë dinamikave të mënyrës si u adoptua dhe u përshtat ajo teknologji në kontekstet e kulturës dhe të gjuhës pritëse, në rastin tonë proto-shqipes.

Si edhe gjetiu, janë plasaritjet e sistemit, ose ato hapësira ku sistemi ka keqfunksionuar – si në rastin e kalkeve ose të ditëve e enjte dhe e premte – që japin një mundësi për të depërtuar në këto dinamika pa i projektuar detyrimisht në tabela statike. Edhe vetë ngjarja e huazimit sa kulturor aq edhe gjuhësor, që përfshin adoptimin e sistemit të javës astrologjike shtatë-ditore dhe bashkë me të edhe të emrave përkatës (dhe të teknikës së emërtimit të ditëve, në rastin e kalkeve) nuk mund të reduktohet në një shkëmbim thjesht mekanik, ose replikim të vetëdijshëm a të pavetëdijshëm, nga ana e kulturës dhe e gjuhës marrëse; sepse huazimi është edhe ai proces dinamik, para se të reduktohet në rezultatin e vet statik, të praktikës ose të fjalës së huazuar. Organizimi i muajit sipas javës astrologjike lidhet sa me praktikat, ritualet dhe festivalet fetare, aq edhe me administrimin nga një pushtet qendror, i cili ka nevojë për sinkronizimin e praktikave edhe të përditshme të individëve, familjeve, fiseve dhe komuniteteve në përgjithësi; dhe në këtë optikë huazimi, si adoptim i një praktike sociale ose gjuhësore nëpërmjet replikimit, është më tepër efekt dinamik i kontaktit dhe mbase ashtu duhet këqyrur. Dhe nëse është kështu, atëherë fjala a praktika sociale e huazuar nuk është se dëbon nga kultura ndonjë barasvlerë të saj ekzistuese (p.sh. fjala e huaj fjalën vendëse), por vetëm sa mishëron përshtatjen e suksesshme të një kulture, ndaj sfidës që ia bën një tjetër – më e fuqishme, më e efektshme, më tërheqëse dhe, sidomos, më e dobishme për të mbijetuar.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Nuk lejohet riprodhimi i këtij shkrimi në asnjë mënyrë dhe medium – shkelësit do të përndiqen ligjërisht. Bibliografia është dhënë qëllimisht e cungët, për të nxitur tërthorazi ata që do ta përdorin shkrimin për të avancuar burokratikisht në karrierën e tyre prej “studiuesi”, që të bëjnë pak punë edhe vetë.

Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.


[1] Tekstet e poemave të Homerit, por edhe të tjera të mëvonshme deri nga shekulli III p.e.s., dëshmojnë se grekët e atyre kohëve nuk ndiqnin ndonjë javë shtatë-ditore, por thjesht e ndanin muajin në tri periudha, në bazë të fazave të hënës: Νουμηνία (Noumēnia), që fillon me ditën e parë të muajit hënor, ose me hënën e re; Μεσούντος μηνός (Mesountos mēnos), që përkon me mesin e muajit hënor, ose me ditët përreth hënës së plotë; dhe Φθίνοντος μηνός (Phthinontos mēnos), që është faza e vjetrimit të hënës. Ditët gjatë muajit identifikoheshin sipas pozicionit brenda ciklit hënor, për shembull “dita e tretë pas hënës së re” ose “dita e pestë para hënës së plotë”. Kjo mënyrë e identifikimit të ditëve sipas fazave të hënës është më “e natyrshme” se java, e cila imponon një sistem në thelb arbitrar të numërimit të ditëve. Natyrisht, organizimi i rrjedhës së ditëve sipas fazave të Hënës nuk u zëvendësua krejt nga sistemi i ri astrologjik i marrë prej babilonasve; as mes grekëve dhe as në popuj dhe kultura të tjera indoeuropiane, përfshi edhe atë shqiptare të hershme dhe më pak të hershme. Pa përmendur pastaj që këtë traditë para-kristiane të sistemit hënor e gjeti të gatshme dhe e amplifikoi Islami, i cili bazohet vetë në kalendarin hënor dhe në ciklet e hënës; çfarë e bën kalendarin islamik të pabashkëmatshëm me kalendarin diellor.

[2] Një shpjegim etimologjik më i vonë është ai që i lidh edhe Prendë, edhe E premte edhe ndoshta Perëndi me një rrënjë proto-indoeuropiane *pers-é-bʰ(h)n̥t-ih, të krahasueshme me greqishten e vjetër Περσεφάττα, variant i Περσεφόνη (Persephónē).

[3]Për t’u shënuar se, sa i përket formës së fjalës, Çabej shihte te e kremte dhe e premte një çift fjalësh që formojnë rimë dhe që duket të kenë ndikuar njëra-tjetrën; dhe meqë kjo e kremte nuk është shpjeguar etimologjikisht në mënyrë bindëse, mbase ka qenë përdorur dikur edhe ajo si emër i një dite jave. Këto lloj ndikimesh horizontale, me natyrë analogjike, e futin në krizë etimologjinë tradicionale.

[4] Një hipotezë alternative sheh te pjesa e parë e Friday dhe Freitag emrin e perëndisë nordike Freyja.

[5] Edhe pse Παρασκευή, si emër shenjti dhe si emër i ditës së javës, nuk duhet të jetë dhe aq i vjetër; dhe jo thjesht ngaqë, etimologjikisht, shpjegohet si “dita e përgatitjes për Sabbath-in”.

[6] Hipoteza e Gottfried Schramm-it për prejardhjen e shqipes nuk është pranuar nga shumë albanologë, por intuicioni i atij autori për ta parë shqipen si një lloj gjuhe liturgjike të fisit trak të besëve më duket shumë premtues për studime të mëtejshme.

3 Komente

  1. Ka një gjë që stonon në këndvështrimin tuaj për ditët e javës. Me sa kuptoj, ju sillni mendimin etimologjik të pranuar prej të tjerëve, por nëse gjërat i marrim një nga një dhe me logjikë të ftohtë, duken ndryshe.
    Është pranuar prej Çabejit se fjala [hëna] duhet të vijë nga në fjalë e hamendësuar pre i.e. *kandra, por logjika e thjeshtë na thotë se hëna është një trup qiellor (satelit), i cili pasi duket i plotë (hëna 15), fillon dhe HA-ANËN e vet. Kjo dukuri duket se i dha emrin në shqip.
    Nëse shohim se si emërtohet hëna në greqisht e italisht, kuptojmë se kemi të drejtë në logjikën e emërtimit në shqip.
    it. LUNA < LUANA LUANA, i ka rënë një zanore dhe mbeti LUNA.
    gr. φεγγάρι (το) [FEGAR (hëna)] me metafonientizmën r:n arrin në FEGAR > FEGAN.
    Në greqishten e sotme verbi FAG ka kuptimin [HA] = me ngrënë dhe:
    FEGAR =
    FEGAN =
    FAGAN = ha anën = hana.
    Nëse bëjmë rotacionin “e parregullt” f:h si te:
    ngroF : ngroH, ftoF : ftoH, marrim:
    FAGAN =
    HAGAN =
    HAGjAN = HA Gj AN = Gjë HA AN(ën).
    Duke qenë se marsi ishte muaji i parë i vitit më herët se të kishim këtë kalendar që kemi sot, ku muaji i fundit quhet dhjetor (i dhjeti) dhe nëse numurojmë mbrapsht nga i dhjeti arrijmë te i pari, që përkon me marsin dhe shqipja me metafonientizmin e buzoreve m:p si te “mas pune” – “pas pune”, na jep:
    Mars =
    Pars = s’par = zë par = i pari muaj i vitit.
    Para muajit të shtatë (shtatori) ndodhet muaji i GJASHTë që e quajmë GUSHT e që ngjan gonetikisht me GjUSHT apo GJASHTë. Shkruhet se ky muaj u quajjt ashtu për nder të Perandorit August, porse nuk na tregojnë se si quhej në vogëli Augusti. Mos vallë ai ishte fëmija i gjashtë në radhë në familjen e vet dhe e mori emrin nga numurori gjashtë i shqipes.
    Dita e ENJTE në shqip përket planetit të Afërditës sepse për shqipfolësin primitiv ai ishte ylli që në darkë dukej i vogël dhe në mëngjes ENJTEj e dukej i madh. Kjo karakteristikë e të ënjturit, duket se i dha emrin.
    Dita e PREMTE në shqip duket se emërton Jupiterin, i cili ka një unazë të madhe në mes dhe për njeriun primitiv ishte:
    i PRE MES =
    i PRE MËTë =
    i PRE Më TË =
    i PRE-M’TË = i PREMTË > e PREMTE.
    E SHTUNA është dita e SATURNit i cili është me shumë unaza dhe për njeriun mitik dukej
    i ÇAR i TËRI =
    i ÇA TËR > ÇA-TUR-n =
    SA-TURn > Saturn.
    Dhemboret ç:s përkëmbehen me njëra tjetrën si te shvesh : svesh : çvesh dhe:
    ÇATËR dha SATËR > SATURn. Ee në shqip ÇA-TUR dha SHA-TUR > SHA-TUN > SHTUN.
    Sa për diellin, me metafonientizmat d:z e l:r, kemi:
    DJELL
    ZJERR = zjarr.
    Në analizë të fundir, shqipja është e vetmja gjuhë që i motivon etimologjikish brenda saj emrat e ditëve të javës dhe të muajve dhe nuk ka huazuar nga gjuhët e tjera. Jo më kot ajo është 6000 e folur pandërprerje dhe e para e shkëputur nga origjina e gjuhëve.
    Ajo çka duhet të ndryshohet më albanologjinë zyrtare të Tiranës mbase është qasja inferiore e albanologëve në raportet e shqipes me gjuhët e tjera.

    1. O Zoti Dalipaj, te gjitha shume mire i ke, po e di ku ke nje derro gabimi qe ve ne dyshim te gjithe kalane tende eshte qe Saturni kishte unaza e zbuloi Galileo Galileu, pra nga e dinin njerezit mitike qe Saturni na ishte ie ÇARE I TERI? Pak me i kujdesshem me keto gjera se po dale ka dale po bohesh si deti KASPIK qe S’KA KA ME IK.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin