Një bisedë me Ali Osekun e vitit 2011 me rastin e të parës dhe të vetmes ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve. Oseku u nda nga jeta këto ditë, në moshën 80-vjeçare
nga Elsa Demo
Ekspozita personale e Ali Osekut në Galerinë Kombëtare të Arteve, 12 maj-5 qershor ka dhjetë vjet distancë nga ajo ekspozitë personale ku piktori është shfaqur me të njëjtën filozofi. Hapësira dhe lëvizja e së njëjtës ngjyrë brenda telajos është një konsekuencë që piktura e Osekut e kërkon dhe e pohon si arritjen më të vështirë. 21 punë, vaj në kanavacë, janë ekspozuar në sallën e madhe të Galerisë Kombëtare të Arteve.
Peizazhet diptike janë më të pranishmet. Oseku krijon një variacion gjendjesh nëpërmjet një spektri ngjyrash pastel që zhvendosen nga ngjyra e rërës në shkretëtirë, intensifikohet në tone të mavisë, luhatet në nuanca të trëndafilit të tharë, pinkut dhe rikthehet tek antika e zbehtë.
Lëvizja monokrome është e vetmja “paraqitje” e pikturës së Osekut, ndjenjë që siç është shprehur ai “pengon praninë e formës në pikturë, ndërsa i jep dorë prezencës së hapësirës. Hapësirë ose e thënë ndryshe me një fjalë, i lirë. Peizazhi, ujërat, tokat dhe qielli, në trajtën e hapësirës”.
Ali Oseku (1944) i formuar në Institutin e Lartë të Arteve, i përket brezit të “rinisë së djegur” të piktorëve si Edison Gjergo, Maks Velo, Edi Hila që kanë përfaqësuar një frymë moderniteti në vitet ’70 në pikturën shqiptare. Pati përvojë të shkurtër si skenograf në Teatrin e Operës dhe Baletit. Ishte vlerësuar fitues në një “Dekadë Maji”. Pas plenumit IV u arrestua, dënua dhe vuajti disa vjet dënim në burgun e Spaçit. Për 16 vjet u ndalua të ekspozojë. Në vitin 1991 rinis një epokë për atë vetë dhe pikturën e tij. Te kjo kohë e dytë dhe mjedisi në të cilin jeton, ndalet biseda me 67-vjeçarin Ali Oseku.
Z. Oseku, do të jetë e vështirë të fotografohet piktura juaj për ilustrimin e kësaj interviste. Me sa duket vendin e saj do ta zërë fotoja juaj.
Piktura ime nuk ka thellësinë, nuk ka kontraste të mëdha brenda asaj. Prandaj është e vështirë ta fotografosh.
Jeni marrë vetë me ndërtimin e ekspozitës, ka një logjikë?
Logjika që tablotë të kenë shoqe njëra-tjetrën nga koloriti, të ketë një balancim dhe të kesh mundësi të shohësh direkt pikturën, në distancë dhe nga afër. Ja, këtë telajo e sodit mirë kur afrohesh. E sheh vetëm. Unë kur e pikturoj jam kaq afër pikturës dhe dikush po kaq afër do të afrohet dhe do ta shohë se si e ka bërë ai, ustai.
Megjithëse në katër fasha ngjyrash brenda së njëjtës telajo, lëvizja e ngjyrës është e ngadaltë dhe në vende të tjera arrin palëvizshmërinë.
Ka një energji të brendshme, si shkretëtira. Kam mendimin që gjërat e tepërta t’i heq nga piktura ime. Arendt thotë, se kur lënda bëhet substancë, bëhet hyjnore.
T’i heqësh “gjërat e tepërta” një pikture ku “paraqitje” është vetëm ngjyra? Ke frikë të pohosh që ky është një det, që ky është një horizont, se mos ju do të thoni që nuk është as njëra dhe as tjetra, ose merreni si ta ndjeni.
Këtu ku jemi tani, kemi përballë një peizazh. Pyesni: çfarë ndjej? Ka një trishtim? Ka diçka si pa fund, ku herë e shfaq dhe herë e zhduk horizontin? Unë jam në shumë gjendje. Ju e shihni këtë. Edhe s’jam indiferent. Edhe kam fatin ta pikturoj atë që ndjej. Ka shumë që nuk e kanë këtë shans.
Është e para ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare. Në këto përmasa prezantimi dhe me të njëjtin motiv pikture, jemi prezantuar në vitin 2001 në ekspozitën “Hapësirë”.
Pak a shumë e njëjta gjë është. Ideja ime është si ta thelloj të njëjtën gjë, si ta bëj të vërtetë, si të ngulmoj. Dhe qenka e vështirë të jesh konsekuent! Në gjithë arsyet. Gjatë kësaj periudhe që flasim, kam bërë pikturë që më ka treguar se nuk kam qenë serioz. Kam qenë neglizhent. Ashtu siç kam pasur periudha që i kam mbajtur në dorë telajot me seanca të gjata. Kjo është kur ke çfarë thua. Kur je në sipërfaqe, del shpejt. Mendoj që piktura ime është bërë më serioze tani. Ka filluar të tarohet, të ekuilibrohet, ka filluar “të bëhet”.
Mavia është më intensivja e ngjyrave të kësaj ekspozite.
Edhe kjo tablo që i referoheni është një hapësirë, një horizont. Mund ta marrësh për det, për lumë. I duket nganjëherë gjesti, peneli nganjëherë. Ose i zhduk fare gjurmët e tij. E thashë: për mua e rëndësishme është energjia e brendshme.
Ndjen dy forca tërheqjeje te kjo pikturë: njëra shkon nga bregu në thellësi dhe tjetra në të kundërt, nga thellësia në breg.
Jam i vëmendshëm për të parë si reagojnë njerëzit para pikturës sime, si shihet piktura ime dhe është detyra ime për të vazhduar. Dhe jam mirë me shëndet kur pikturoj. Është e vërtetë kjo. Se nuk të lë misioni. Kur mbaron misioni, vdes. I them tim biri: për të bërë pikturë a duhet një motiv? Jeni ju që më frymëzoni. Sigurisht që më frymëzon piktura vetë, piktorë të tjerë. Më pëlqejnë shumë William Turner dhe Mark Rothko. Kur shoh Rothkon më duket sikur e kam bërë unë atë pikturën e tij.
Afrinë e pikturës suaj me Rothkon e përmendin shpesh.
I bie me qenë në rrugën time se s’është Rothkoja këtu. Ka detyra të tjera ai. Kur më pyesin për artin shpesh, ia fus kot, e iu them: Nuk e di si bëhet art, ndryshe nuk do shkoja atje.
Meqë jemi te pëlqimet tuaja, letërsia është një nga ato, sikur të gjeni tek ajo gjurmët që fshihni nga piktura.
Letërsia dhe piktura problemet i kanë të përbashkëta. Ide të tjera të thotë muzika që kërkon vullnet ta ndjekësh. Me pikturën futesh te vetja dhe s’e ke mendjen fare te bota. Dhe ideja ime është si ta vjellësh botën… Më ka mërzitur morri, tartabiqi, akrepi, kërmilli, lagështira, era e fasules, prasit, balta më ka mërzitur. Dua të largohem nga këto, të zgjedh tjetër gjendje.
Sa orë në ditë punoni?
Katër orë paradite, ose pasdite. Vjen një moshë që do shumë energji për të bërë gjëra të reja. Një nga arsyet që me vjen keq që kam qenë në burg, është se kam harxhuar energji kot.
Nuk e përmendni shpesh burgun. Çfarë vendi ka zënë në kujtesën tuaj ajo kohë?
Nuk kisha aktivitet. Me vështirësi arrija të lexoja për t’u larguar nga ai ambient. Burgu kishte dy gjëra për të mbetur njeri: të mos ishe spiun dhe homoseksual. Jam për besnikërinë ndaj tjetrit dhe atë orientim seksual që na ka dhënë natyra. Jo vetëm kaq, por besoj se një burrë me gruan që zgjedh çan detin. Jam për familjen dhe fëmijët.
Nga kjo marrëdhënie e brezave ka një traditë që kohët e sotme e kanë harruar?
Unë e kam të lënë të lirë tim bir, por them: pse të mos marrë përvojën time? Thënien e vjetër t’u ngjani prindërve, koha jonë e ka harruar. Jo vetëm kaq, po na thonë se s’kemi bërë shkollë të mirë: e ç’shkollë ishte shkolla ruse? Programi është gjithë jetën, çfarë librash konsumon, çfarë klasikësh lexon. Sot njerëzit i janë dhënë kulturës lineare. Ky është problemi i botës. Nuk jam kundër modernitetit, teknologjisë, por jam për librin.
Këtë u thoni studentëve?
U them që nuk kam të drejtë t’ju fus në ankth, por duhet të jeni seriozë. Që të hysh në këtë thellësi do provosh edhe ankthin. Është dashuri e madhe ajo që të bën të rrish me pikturën, që nuk është as gallatë siç mund të mendojnë njerëzit, as të shijosh diellin e bukur. Sot për artistët thonë që kur ulen në tavolinë, flasin për paratë, ndërsa biznesmenët flasin për artin. Mua më duhen paratë për të jetuar si artist, për ta bërë telajon më mirë, për të shkuar jashtë të shoh, për të blerë libra.
Jeni nga piktorët që nuk jetojnë keq në këtë drejtim.
Akoma jetoj me qira. Nuk kam blerë akoma një shtëpi.
Kush e beson këtë?
Askush s’e beson. Unë nuk jam anëtar i Partisë Demokratike…
Përse e bëni këtë sqarim kur keni dalë edhe pro së djathtës në takimet për fushatë?
Mua në burg më futi partia komuniste. Ndërsa kur më ftuan të isha anëtar i këshillit bashkiak, në vitin 1992, më thanë: tani na bëj ndonjë nder. Nuk hyj në allishverishe, as në greva urie, sepse për këtë popull që s’e do punën dhe është kaq krenar, duhet menduar si ta vëmë në punë. Ai që merret përditë dhe bën diçka, këtë e kupton. Njeriu e ka në dorë të ngrejë statusin ekonomik dhe intelektual të vetes. Njeriu e ka në dorë vlerën e vetes.
Jeni anëtar i Këshillit Artistik të Galerisë Kombëtare?
Jam aktualisht. Për të mos prishur qejfin.
Nuk ka ndonjë konflikt këtu?
Mos të hap ekspozitë? Se mos po më japin lekë për këtë! E dini sa piktura ka prej meje në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve? Dy gjithsej. Njëra që hyri në fond sepse fitoi çmimin e dytë në “Onufri 1994” dhe njëra e vitit 1995.
Po nga piktura që keni bërë në periudhën e realizmit socialist?
Nuk më pëlqenin, s’i pëlqeja.
Kemi ardhur në fund të ekspozitës që ju e mbyllni me të njëjtin ton peizazhi si tabloja e parë: një sipërfaqe e fshirë në ngjyrë antike.
Jam me idenë që thotë Majakovski: Memoria ime është si rruga në Polanska, ku kalojnë makinat, karrocat, biçikletat, kuajt. Pra memoria e artistit nuk është si mermeri dhe nganjëherë lë një shenjë dhe kjo shenjë është një rrugë, një gjurmë, e cila duhet të jetë një shenjë e tillë që mos të tërheqë vëmendjen.
botuar në gazetën Shekulli, në vitin 2011
© 2011-2023 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat janë të autores.