MALI JETIM

Santa Katerina Valfurva ёshtё nё veri tё Italisё, nё provincën e Sondrios, pra nё pjesёn e lartё tё Lombardisё, pothuajse nё kufi me Zvicrёn. Ta quash qytezё ёshtё tepёr, fshat ndoshta ёshtё pak. Sheshi qendror ёshtё Sheshi i vetёm. Xhiroja mbaron pa filluar. E vendosur nё majё tё luginёs, nё njё pikё strategjike do tё thoshin ushtarakёt, e shikon detyrimisht nga lart poshtё luginёn e Valfurvёs e tё gjitha fshatrat qё shtrihen varg; majat me borё tё pёrhershme i vёshtron gati pёrballё, pa e ngritur asfare kokёn, ndoshta vetёm pak sytё, duke i rudhur nga bardhёsia akullnajore e nga kaltёrsia qiellore e pazakontё. Pavarёsisht nga hotelet shumёyjёshe, nuk ka grimё mendjemadhёsie nё kёtё vend tё vogёl, 1800m mbi nivelin e detit, njё mijё e ca banorё: ja nga karakteri diskret i malёsorёve tё kёtyre anёve, ja nga fakti se gjeografia jo gjithnjё ka qenё bujare.

Aktualisht banorёt rezidentё nuk janё shumё. Pata rastin e fatin t’ia dёgjoj historinё kёtij komuniteti malёsorёsh. Na e shpjegoi kryetari i komunёs gjatё njё nisme publike pёr malin dhe ekonominё pyjore. Aty mёsuam se ky fshat i vogёl nuk paska qene gjithnjё “i pasur” siç mund tё duket tani nga hotelet e gjithkundgjendshme, ose nga fletёpalosjet shumёstinёshe, me ski e me marshime tё kёndshme. Dikur ky fshat ka qenё tejet i varfёr e nuk po flasim pёr kohёn e Luftës sё dytё, por deri dyzet vjet mё parё. Tani shtëpitë janё pothuajse tё ndёrtuara me materiale tё mbajtshme, tё telengrohura, ekonomia pyjore ose e malit ecёn mirё, ajo turistike gjithashtu. Po ç’lidhje ka kjo histori me malin shqiptar? E gjeta nё fjalёt e kryetarit tё komunës: “Kur ishim tё varfёr kishim vetёm dy cilёsi si malёsorё: kokёfortёsinё dhe mikpritjen”.

Vendet malore kanё potencialitete tё mёdha ekonomike. Sidomos nё Shqipёri ku jemi ende nё fazё embrionale tё zhvillimit. Ekonomia e malit duhet parё nё sistem sepse nuk ka tё bёjё vetёm me pyjet, pra me lёndёn drunore. Atje ёshtё mjedisi, mund tё zhvillohet turizmi malor, me veçoritё e dimrit e tё verёs, mund tё zhvillohet ekonomia e produkteve nёnpyjore, malore, e kёshtu me radhё.  Çdo gjё ёshtё e lidhur, pyjet duhen mirёmbajtur sepse japin produkte, mbrojnё tokёn e nxisin turizmin, terreni duhet sistemuar sepse jep siguri e infrastrukturё, mjedisi duhet ruajtur sepse siguron tё ardhura, ekonomia bujqёsore i plotёson tё gjitha.  Pra mali ёshtё shumё i lidhur me njeriun. Pa praninё e kёtij nuk do tё kishte pyje tё sistemuara, nuk do tё kishte zhvillim ekonomik, nuk do tё kishte turizёm malor e kёshtu me radhё.

Fjalёt e kryetarit tё Komunёs Santa Caterina Valfurva vazhduan kёshtu: “Tё pajisur me kokёfortёsi e me mikpritje e kuptuam se turizmi mund tё ishte shpёtimi ynё. Përndryshe shpopullimi do tё na kishte zhdukur tё gjithёve nga faqja e dheut”. Rezultatet ishin pёrpara syve. Turizmi cilёsor bёnte qё edhe rezidentёt tё jetonin jetё cilёsore (shkolla, shёndetёsia, etj.), edhe pse dimri nga ato anё nuk ёshtё i butё. Nёpёr dyqane gjeje produkte autoktone (mjaltё, reçel, qumёsht, mish, fruta, por edhe produkte artizanale) qё kishin njё mbivlerё tё jashtёzakonshme. Vetё restorantet ofronin gjellё tradicionale, tё pёrgatitura me produkte tradicionale. Me pak fjalё, malёsorёt e atyre anёve i kishin pёrveshur mёngёt e me cilёsitё e tyre kishin krijuar njё ekonomi tё mbajtshme lokale.

Kujdesi i territorit nuk duhet anashkaluar. Kur flitet pёr zjarre nё pyje, pёr rrёshqitje toke e tё tjera dukuri si kёto, nuk duhet harruar se shumё herё shkaktohen nga mungesa e punёs sё njeriut. Toka dhe pyjet, edhe pse ambjentalistёt do t’i donin tё virgjёra krejtёsisht, kanё nevojё pёr dorёn e njeriut. Mali shqiptar po braktiset tёrёsisht. Nga pikёpamja statistikore, po tё shikohen tё dhёnat zyrtare, atje banojnё ende shumё shqiptarё, popullsi qё duhet shkarkuar akoma nё fushё, por banorёt nuk e jetojnё malin, e pёsojnё atё, e durojnё deri nё momentin sa ta braktisin. Pra e konsiderojnё malin si tё keqe jo si mundёsi, si jetё provizore jo tё pёrhershme. Nё kёto kushte mali shqiptar vlen mё shumё pёr internime se sa pёr verime. Provokimi pёr t’ia mbathur qё andej sa tё hapёsh e tё mbyllёsh sytё lind vetvetiu si nevojё shpirtёrore.

Politikat e qeverive pas rёnies sё totalitarizmit kanё pasur nё bazё urdhrin “Qetёsohu! Shpёrndahu nga rreshti!”. Asnjё planifikim, as nё nisje as nё mbёrritje. Por kjo ёshtё çёshtje tjetёr. Fakti ёshtё se mali nё Shqipёri nuk ёshtё marrё asnjёherё seriozisht, si mundёsi zhvillimi nё kushtet e ekonomisё sё tregut. Kёtё fat mund ta ketё çdo qytezё, qoftё edhe nё Myzeqe. Po ta lёsh mbas dore, po ta konsiderosh si fjetore kolektive, si qendёr provizore, atёherё ajo do ta humbё vlerёn e saj nё pak kohё. Qё mali shqiptar ka qenё i mbipopulluar ёshtё fare e qartё, por edhe qё tё braktiset tёrёsisht nuk ёshtё e udhёs. Malet e Shqipёrisё nuk mund t’i mbajnё tё gjithё malёsorёt me bukё, por njё pjesё tё tyre po. Madje nё mёnyrё cilёsore. Mirёpo kёta duhen ndihmuar tё ndёrrojnё mentalitet dhe ekonomi njёkohёsisht. Malet shqiptare duhet tё zhvishen nga mitet qё e kanё rrethuar deri mё sot e ta shikojnё realitetin me sytё e ekonomistit. Fakti ёshtё se shumёkush ёshtё sjellё si shushunjat me to, duke e çuar deri nё grabitje shfrytёzimin e pyjeve dhe tё pasurive tё tjera tё malit (shiko shfrytëzimin e boronicës e të gjahut). Bashkёsitё qё jetojnё atje kёrkojnё pak investime nё infrastrukturё e pak organizim. Pasuritё nuk u mungojnё.

Le ta marrim rastin e gështenjës. Sipas pohimeve të specalistëve aktualisht ky frut importohet në Shqipëri nga Greqia, edhe pse kjo si sipërfaqe nuk ka më shumë gështenjishte se sa vendi ynë. E njëjta gjë vlen për bimët mjekësore. Gështenjat gjenden në zonat kodrinore e malore. Në Tropojë, në Malësinë e madhe, etj. ekzistojnë masive jo të vogla gështenjash. Mirëpo kjo pasuri nuk shfrytëzohet siç duhet, kryesisht për shkak të mentalitetit të popullsisë vendase dhe mungesës së përkujdesjes ndaj masive të gështenjishteve nga ana e institucioneve.  E megjithatë me pak investim, predispozitë e inteligjencë, ekonomia e gështenjës mund të sillte të ardhura të jashtëzakonshme.

Krijimi i qendrave urbane dytësore të subvencionuara nga Shteti mund të ishte një rrugëdalje. Shteti totalitar e pati bërë në funksion të industrisë së rëndë, si në Kurbnesh, Kalimash, Bulqizë, etj. Pas nëntëdhjetës nuk janë ndërtuar qendra të tilla, por praktikisht është bërë ripompimi i të dikurshmeve në mënyrë spontane, si rrjedhim në mënyrë kaotike. P.sh. nga malësitë e Tropojës njerëzit kanë zbritur në Bajram Curr. Mirëpo edhe në këtë qendër të vogël mundësitë për të jetuar denjësisht nuk janë të mëdha sepse tregu i punës nuk ofron kushedi se çfarë. Kush ka mundësi shpejton të zbresë drejt Durrësit ose në kryeqytet.

Shembuj si Santa Katerina Valfurva e mësipërme mund të jepen me qindra, pasi fshatra të tilla ka anembanë botës. Ajo që ka rëndësi të kuptohet është se mali nuk është jo rentabël me përkufizim. Varet nga kushtet, varet nga pozicioni gjeografik, varet nga popullsia, varet nga aftësitë njerëzore. Duket sikur institucionet shqiptare i kanë larë duart prej kohësh e nuk duan të merren me planifikimin e zhvillimit territorial, ose kanë një filozofi tjetër për zhvillimin, që shkon kundër qendrave të vogla edhe atyre të zonave malore. Këtë verë, dua t’ia kujtoj edhe vetes, Kryeministri shqiptar i ftoi të gjithë t’i qepeshin bregdetit, çka dëshmon për vullnetin politik të largimit nga malet drejt zonave fushore. Kjo është e pashmangshme, por do të ishte mirë të shoqërohej nga politika ndihmëse që t’ua lehtësonin integrimin migrantëve të brendshëm. Kurse braktisja e maleve, in toto, duhet shmangur plotësisht. Tek e fundit, nuk duhet harruar, se malet më shumë se shtojzavallet mbajnë ujin që pijmë çdo ditë edhe ne të fushës.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin