Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Nacionalizëm / Sociologji

SHQIPËRIA NUK ËSHTË KËSHTJELLË, POR URË

Ka një frikë të vjetër që zgjohet herë pas here në shoqërinë shqiptare: frika se hapja ndaj të huajës mund të na largojë nga vetja. Sa herë që përmenden investimet e huaja, turizmi ndërkombëtar, projektet e mëdha, zhvillimi apo ndikimet kulturore nga jashtë, një pjesë e jona reagon sikur diçka thelbësore shqiptare është në rrezik. Sikur toka, deti, malet, ishujt dhe kujtesa jonë të mund të zhduken vetëm sepse mbi to do të vijë një dorë tjetër, një gjuhë tjetër, një kulturë tjetër, një kapital tjetër.

Por a është me të vërtetë kaq e brishtë shqiptaria jonë? A është identiteti ynë kaq i dobët sa të shembet nga kontakti me botën? Apo, është historia jonë ajo që na mëson se shqiptarët kanë mbijetuar jo duke u mbyllur hermetikisht, por duke ditur të jetojnë në kryqëzim?

Shqipëria nuk ka qenë kurrë një hapësirë e izoluar nga bota. Gjeografia jonë na ka vendosur në një vendkalim kulturash, perandorish, gjuhësh dhe besimesh. Ne kemi qenë mes Lindjes dhe Perëndimit, mes Adriatikut dhe Ballkanit, mes botës osmane dhe asaj europiane, mes traditës vendase dhe ndikimeve të jashtme. Nëse ka një të vërtetë të madhe për historinë shqiptare, është kjo: Ne jemi bërë ata që jemi përmes ndikimeve, takimeve dhe përballjeve me botën. Identiteti ynë si komb nuk është ndërtuar mbi boshllëk, por është ndërtuar mbi përballje, mbi përzierje, mbi rezistencë dhe në përthithje te kulturave.

Perandoria Osmane ka lënë gjurmë të thella në jetën tonë: në gjuhë, kuzhinë, muzikë, në mënyrën tonë të jetesës, në arkitekturë, në qytetet tona. Por ajo nuk e zhduku atë që është dhe mbetet shqiptare. Përkundrazi, brenda asaj bote të madhe e të fuqishme perandorake, shqiptarët mundën të ruajnë gjuhën, zakonet, kujtesën dhe ndjenjën e përkatësisë. Ne huazuam fjalë, forma, shije, tinguj, por nuk u bëmë kurrë dikush tjetër. Ne, si me magji, i shqiptarizuam ndikimet e huaja. I trupëzuam në trupin tonë kulturor dhe i bëmë pjesë të një vetveteje më të gjerë, me të bukur, më unike.

Më vonë, periudha totalitare u përpoq të bënte të kundërtën: të na izolonte nga bota. Ajo ndërtoi një Shqipëri të izoluar, një Shqipëri që i druhej çdo ndikimi të huaj, çdo mendimi tjetër, çdo kulture tjetër. Por pikërisht ajo periudhë na tregoi se mbyllja nuk e forcon identitetin; e varfëron atë. Izolimi nuk na bëri më të pasur shpirtërisht, as më të sigurt, as më dinjitozë. Na bëri më të varfër, më të frikësuar, më të shkëputur nga ritmi i botës. Shqiptaria nuk lulëzoi sepse u mbyllëm; ajo mbijetoi pavarësisht mbylljes.

Pas viteve ’90, Shqipëria u hap me një uri të madhe për botën. Shqiptarët mësuan gjuhë të huaja, emigruan, studiuan jashtë, punuan, sollën përvoja, zakone, ide dhe ëndrra të reja. Sot, pothuajse çdo familje shqiptare ka një lidhje me botën: një fëmijë në Itali, një kushëri në Greqi, një mik në Gjermani, një motër në Angli, një student në Francë, një profesionist në Amerikë. A na bëri kjo më pak shqiptarë? Jo. Na bëri më të ndërgjegjshëm se identiteti nuk është burg, ai është pikënisje.

Prandaj, kur sot flasim për investime të huaja në Shqipëri, duhet të jemi të kujdesshëm, por jo të trembur. Duhet të jemi kritikë, por jo armiqësorë ndaj vetë idesë së të huajës. Sepse problemi jonë nuk është e huaja. Rreziku është investimi që nuk njeh etikë, që nuk njeh transparencë, respekt për natyrën dhe pa përfshirjen e komunitetit vendas.

Një investim i huaj mund të jetë shkatërrues nëse vjen si pushtim ekonomik, nëse e trajton tokën si mall dhe njerëzit si pengesë. Por mund të jetë bekim, nëse sjell punë, dije, standarde, turizëm cilësor, kujdes për mjedisin, arkitekturë të bukur dhe mundësi për komunitetet lokale. Prandaj, pyetja nuk duhet të jetë: “A duhet ta lejojmë të huajin?” Pyetja duhet të jetë: “Me çfarë kushtesh vjen ai? Çfarë sjell? Çfarë lë pas? Kë pasuron? Kë respekton?”

Në këtë pikë, më duket se debati shqiptar shpesh bie në një keqkuptim të madh: e barazon mbrojtjen e identitetit me refuzimin e përzierjes. Por kultura nuk funksionon kështu. Asnjë kulturë e gjallë nuk mbetet e pastër në kuptimin absolut të fjalës. Pastërtia kulturore është më shumë mit sesa realitet. Kulturat që mbijetojnë janë ato që dinë të hapen pa u shpërbërë. Ato që marrin nga të tjerët, por nuk humbin boshtin e tyre. Ato që nuk e shohin ndikimin si ndotje, por si mundësi për rritje.

Në të vërtetë, dashuria për atë që është shqiptare mund të bashkëjetojë më së miri me të huajën. Madje, ajo ka bashkëjetuar gjithmonë. Ne pimë kafe turke por ndihemi 100% shqiptarë. Këndojmë këngë me ndikime orientale, mesdhetare, ballkanike por ndihemi shqiptarë. Jetojmë në shtëpi ku tradita vendase përzihet me elemente italiane, greke, osmane, europiane dhe ndihemi shqiptarë. Flasim një gjuhë që ka pranuar fjalë nga shumë burime, por që mbetet thellësisht shqipe. Kjo është fuqia jonë: jo pamundësia për t’u prekur, por aftësia për ta kthyer prekjen në pjesë të vetes.

Ismail Kadare, në shumë reflektime të tij mbi identitetin shqiptar, ka këmbëngulur se shqiptarët nuk janë jashtë Europës, por pjesë e pandarë e saj. Për të, Europa nuk është një kostum që Shqipëria duhet ta veshë sot për t’u dukur moderne; është një gjendje e natyrshme e saj. Kjo ide është shumë e rëndësishme, sepse na kujton se hapja nuk është tradhti ndaj vetes. Përkundrazi, në rastin shqiptar, hapja drejt Europës dhe botës është një lloj rikthimi në një rrjedhë historike nga e cila shpesh jemi shkëputur me dhunë, me pushtim, me izolim apo me varfëri.

Nëse shqiptarët janë ndjerë gjithmonë europianë, atëherë nuk duhet të sillemi sikur çdo takim me botën është kërcënim. Europa vetë është ndërtuar mbi përzierje: romake, greke, kristiane, osmane, mesdhetare, veriore, lindore, perëndimore. Nuk ka Europë pa lëvizje, pa shkëmbim, pa qytete porte, pa tregti, pa përkthim, pa bashkëjetesë ndikimesh. Në këtë kuptim, Shqipëria nuk bëhet më pak europiane kur hapet ndaj investimeve, kulturave dhe njerëzve të tjerë. Ajo bëhet më europiane kur mëson t’i administrojë këto ndërveprime me ligj, me shije, me dinjitet dhe me përgjegjshmëri publike.

Nga një perspektivë tjetër, duhet të kemi kujdes të mos jemi naivë. Jo çdo gjë që shkëlqen është flori. Jo çdo investim është i mirë. Jo çdo projekt që vjen nga jashtë është zhvillim. Një vend mund të shkatërrohet edhe në emër të modernizimit. Mund të humbasë kujtesën dhe identitetin e vet nëse nuk di të vendosë kufij. Por përgjigjja ndaj kësaj nuk është mbyllja. Përgjigjja është pjekuria.

Pjekuri do të thotë të vendosësh standarde. Të kërkosh studime mjedisore të pavarura. Të kërkosh transparencë në kontrata. Të kërkosh që komunitetet lokale të përfitojnë realisht. Të kërkosh që arkitektura të mos dhunojë peizazhin. Të kërkosh që vendet e punës të mos jenë thjesht premtime. Të kërkosh që natyra të mos jetë sfond për luksin e pak njerëzve, por pasuri e përbashkët.

Shqipëria ka nevojë për këtë lloj pjekurie. Sepse ne jemi një vend që ka shumë bukuri, por shumë varfëri. Kemi natyrë të mrekullueshme, por edhe të rinj që largohen. Kemi trashëgimi kulturore, por edhe zona që braktisen. Kemi potencial turistik, por edhe mungesë infrastrukture. Nuk mund të themi thjesht: “Mos prekni asgjë.” Sepse edhe mosveprimi ka koston e vet. Një vend i lënë pas dore nuk mbrohet vetvetiu. Një peizazh pa ekonomi, pa kujdes, pa njerëz që jetojnë mirë pranë tij, mund të dëmtohet po aq sa nga ndërtimi i keq.

Prandaj unë besoj se Shqipëria nuk duhet t’i rezistojë përzierjes kulturore që mund të sjellin investimet e huaja. Duhet t’i rezistojë vetëm përzierjes të padrejtë dhe grabitqare. Duhet t’i thotë jo shkatërrimit, betonizimit, por jo zhvillimit. Jo arrogancës së kapitalit, por jo bashkëpunimit. Jo zhdukjes së identitetit, por jo pasurimit kulturor.

Në përfundim, Shqipëria nuk është një kështjellë që duhet mbajtur e mbyllur. Shqipëria është një urë. Ka qenë gjithmonë e tillë: mes detit dhe malit, mes Lindjes dhe Perëndimit, mes kujtesës dhe ardhmërisë. Një urë nuk e humbet kuptimin kur njerëzit kalojnë mbi të. Ajo ekziston pikërisht për këtë: për të lidhur.

Të duash Shqipërinë nuk do të thotë ta mbrosh nga çdo ndikim i huaj. Do të thotë të ruash rrënjët, por të mos presësh degët. Do të thotë të pranosh se një kulturë që nuk takon më askënd, fillon të vyshket. Një kulturë që takohet me botën me dinjitet, me vetëdije dhe me zgjedhje, nuk humbet. Ajo thellohet.

Shqipëria nuk duhet të ketë frikë nga përzierja. Duhet të ketë frikë vetëm nga mungesa e vetëdijes. Sepse nuk na rrezikon bota kur vjen tek ne. Na rrezikon vetëm paaftësia jonë për t’i thënë botës: mirë se vjen, por KJO ËSHTË SHTËPIA JONË, KI RESPEKT.

(c) 2026 Irena Cani. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është gjeneruar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading