Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Sociologji

REVOLTË, JO REVOLUCION

Përse protesta qytetare duhet të mbetet përherë revoltë dhe të mos shndërrohet në revolucion.

Albert Kamyja ka shkruar në esenë e tij “Reflektime mbi gijotinën” se i qe rrëfyer një tregim mbi të atin i cili kishte dëshmuar njëherë një ekzekutim me gijotinë. Pasojat e atij dëshmimi qenë aq të thella në mendjen e të atit, saqë menjëherë posa u kthye në shtëpi volli të ngrënat e ditës. Pa dyshim që neveria që një vrasje e atillë të ngjall duhet të jetë e madhe. E megjithatë francezët e patën këtë lloj dënimi ligj, deri sa Kamyja ishte mjaftueshëm i rritur për të shkruar kundër tij, duke nisur nga një traditë që filloi me Revolucionin Francez rreth fundit të shekullit XVIII, dhe zgjati për zëre dyqind vjet. Them traditë, sepse nuk mund të ketë shpjegim tjetër sesi një popull që udhëhiqej nga idealet e humanizmit të pranonte, pikë së pari, dhe për më tepër aq gjatë, një lloj dënimi të atillë. Mirëpo ajo që ndodhi gjatë Revolucionit Francez, ushqyer nga një urrejtje e pangopshme ndaj një shtrese sunduese, mund të jetë afërmendsh nëse marrim parasysh natyrën e pavetëdijshme njerëzore. Në çastin që një turme i vjen në majë të hundës padrejtësia që pëson, shpërthimi i ndjenjave që u është mbledhur bëhet gati shtazore. Të tërë aristokratët që u kapën u ekzekutuan me po të njëjtën mënyrë dhe u dëshmuan nga publiku që kërkonte kokat e tyre. Ato pamje për ta, të zgrapur nga ndjenjat e urrejtjes, mund të kenë qenë momentalisht çliruese, pavarësisht makabritetit të dëshmuar. Ky mund të jetë shpjegimi sesi nisi, arsyeja pse u kthye në traditë duke qenë se ngjarja qe me rëndësi të madhe historike, si dhe kuptimi se çfarë ndodh kur një turmë që udhëhiqet më tepër nga ndjenjat sesa nga parimet merr në dore fatin e të dënuarve.

Marr me mend se duhet të ketë qenë ky tregim mbi babanë e vet që e bëri Kamynë të shmangej nga fjala “revolucion” gjatë shpalosjes së filozofisë së tij dhe të shkonte drejt fjalës “revoltë”. Meqenëse gijotina kishte një lidhje të pandashme me revolucionin si mënyra e përzgjedhur e ekzekutimeve, si dhe meqë po ajo kishte ngjallur atë traumë, revolucionit mbase nuk duhej t’i jepej tepër rëndësi. Në fazën e dytë të krijimtarisë së tij sipas kritikëve, ai shkroi për revoltën e njeriut (në esenë “Njeriu i revoltuar” apo siç është përkthyer më rëndom “Rebeli”) dhe argumentoi se përse njeriu nuk duhet të udhëhiqet nga dëshirat e revolucionit, por nga ndjenjat e revoltës, në mënyrë që të kundërshtojë sa më vërtetësisht padrejtësinë njerëzore. Nga vetë kuptimi gjuhësor i tyre, kemi të bëjmë tashmë me dy fjalë të ndryshme, pavarësisht rrënjës së njëjtë latine. E para nënkupton një ndryshim themelor, një kthim prej 180°; ndërsa e dyta nënkupton një kundërshtim që jo domosdoshmërisht sjell ndryshim. Një protestë qartazi bie në kuptimin e dytë, për më tepër një qytetare që qëndron e paqtë. Është vetëm pasoja e asaj proteste ajo që sjell ndryshimin. Sigurisht që vetë revolucioni mund të jetë po aq i paqtë dhe nuk ka pse të sjellë ndryshime me dhunë. Megjithatë, pavarësisht kuptimit ballor gjuhësor, fjalët mbajnë edhe ngjyrime të ndikuara nga e kaluara. Revolucioni Francez, ndotur mbase nga përgjakja me të cilën erdhi, ka lënë shenjën e vet në mendjen e njerëzve. Ajo shenjë mund të bëjë këdo që bie ndesh me atë fjalë të mendojë për mënyrën me të cilën u krye. Siç ka shkruar edhe Oruelli, fjalët që përdoren kanë rëndësi në ndikimin e mendimit të njerëzve, kështu që kushdo që shkruan mund të nxitet të përdorë njërën fjalë përpara tjetrës. Kamyja mundej bukur fort ta kishte titulluar esenë “Njeriu revolucionar” dhe kuptimi brenda saj nuk do të kishte qenë ndryshe. Mirëpo duke marrë parasysh historinë dhe dhunën me të cilën revolucioni ishte tashmë ndërlidhur, lindi mbase nevoja e një shprehjeje tjetër, një që nuk ishte përngjitur me përgjakjen, pra revolta.

Për këtë arsye mund të themi se, kur bëhet fjalë për protestën qytetare, nuk mund të flasim për revolucion, por për revoltë; si dhe që kjo revoltë nuk duhet t’i tejkalojë ato kufij për t’u kthyer në të ashtuquajturin revolucion. Ai francez i ka kaluar tashmë dy shekuj, por shoqëria e sotshme mbarëbotërore vijon të udhëhiqet në një pjesë dërrmuese nga idealet për të cilat u krijua, pra ato të humanizmit. Suksesi i tij me mënyrën sesi erdhi ka ngelur në histori dhe, në një mënyrë ose një tjetër, mund t’u japë mendimin njerëzve se ndryshimi i vërtetë mund të vijë vetëm me dhunë. Vetë historia ka treguar se kjo nuk është e vërtetë. Madje edhe vetë Revolucioni Francez nuk kishte pse të bëhej i dhunshëm. Populli i tyre zëre se kishte marrë tashmë pushtetin në dorë me krijimin e Asamblesë Kombëtare, lufta civile që pasoi qe thjesht një përgjigje ndaj frikës që ata kishin se sunduesi nuk do ta lëshonte atë pushtet pa luftuar, i cili vetë kishte mbledhur rojet nga frika se do ta vrisnin. Pra, një drojë e dyanshme që degjeneroi në dyluftim. Pas dyluftimit, urrejtja e mbledhur bëri të vetën. Megjithëkëtë ai sundues kishte bërë disa lëshime dhe me kalimin e kohës patjetër që do të bënte më tepër. Është e pamundur ta mbash pushtetin në po të njëjtën trajtë të përhershme kur populli nuk do që ta mbash, sidomos kur ka sjellë mjerim dhe dështim. Prandaj revolucioni do të kishte qenë me shumë mundësi një maratonë ku një sërë lëshimesh të njëpasnjëshme do ta kishin shndërruar sunduesin në një josundues; ashtu siç njerëzit prehistorikë ndiqnin gjahun deri në rraskapitjen e këtij të fundit. E njëjta gjë vlen edhe për të tjerët që u ekzekutuan, të cilët mund fare mirë të rifuteshin në shoqëri me një status të ndryshëm. Mjaftonte që atyre t’u hiqej pushteti, ato të mira që përfitonin prej tij. Pra, do të ishte një revoltë me pasojë ndryshimin e sistemit. Dhuna dhe përgjakja thjesht përshpejtoi të pashmangshmen, vetëm se e bëri këtë me një kushtim të tmerrshëm nga ana njerëzore. Ky kushtim bëri gjithashtu që shkrimtarë të mëvonshëm ta shmangnin fjalën “revolucion”. Mund të thuhet, duke marrë këtë pikëpamje, se tjetërsia thelbësore midis dy fjalëve është kohëzgjatja me të cilën sjellin ndryshimin. Mirëpo kur bëhet fjalë për të mirën e shoqërisë, koha bëhet e pakuptimtë, një faktor jondikues në mendjen e përbashkët të një shoqërie.

Thënë këto, se me cilën prej fjalëve emërtohet një protestë qytetare ka rëndësi vetëm për anën gjuhësore, me ndikimet historike që mund, ose jo, të përfillen. Në praktikë, ajo çfarë ka vërtet rëndësi për një protestë qytetare është që të ngelet paqësore dhe brenda ligjit, sepse tejkalimi i tyre bie ndesh me qëllimin parësor të saj, që është kundërshtimi i padrejtësive. Nëse revolta apo revolucioni shërben për të shlyer padrejtësinë, a nuk mund të themi se ardhja e tyre duhet të jetë gjithashtu në mënyrë të drejtë? Për këtë arsye, qytetarët që protestojnë, pra populli, në një sfond demokratik (që kam përshtypjen nuk ka sesi të mos jetë i tillë përderisa ka protestë), ka për detyrë të jetë përherë i drejtë në plotësimin e kërkesave të veta. Çfarëdo përpjekje për të dalë jashtë atyre kufijve bëhet kundërprodhuese, qoftë edhe vetëm nga pikëpamja e efektshmërisë së protestës e cila varet nga numrat në një demokraci e për pasojë mund të bëjë një shumicë të mundshme ta shmangin prej pranisë së padrejtësisë në atë vetë, dhe çfarë del prej saj kthehet thjesht në një sistem shtypës të radhës ku humbësi bëhet viktimë dhe fituesi do të ishte po njëlloj si kushdo që i mungon skrupulli për të dhunuar, pra një shtypës tjetër; e kështu njëra pas tjetrës ciklet e fituesit me humbësit që mund t’u zënë vendin njëri-tjetrit e ku drejtësia, ai qëllim parimor i protestuesit, asnjëherë nuk triumfon. Populli, si përfaqësues i njerëzimit, duhet të qëndrojë larg nga këto. Populli duhet të tregojë që është ndryshe nga ca që shfarosin, ca që internojnë; ata që plaçkisin prej mendësive të gabuara, ato mendësi që shpërfillin humanizmin. Populli duhet të tregojë se për çfarë duhet të mundohet njerëzimi: liri, barazi, vëllazëri… drejtësi.

(c) 2026 Alban Dano. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading