Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

PARË NGA VENDI FQINJË

Protestat në Shqipëri – shpresat, vizioni dhe sfidat me të cilat përballen

Protestat masive që vazhdojnë të reagojnë aq fuqishëm në Shqipëri janë veçanërisht inkurajuese për të gjithë ne që jetojmë në diasporë. Ato ndiqen me preokupim të thellë nga të gjithë ne që shqetësohemi për problemet e shoqërisë shqiptare, periudhën pafund të një tranzicioni të lodhshëm, demokracinë e brishtë, shtetin e së drejtës, si dhe rreziqet që u kanosen.

Përshtypje të thellë dhe reagime të drejta pati për mosreagimin dhe apatinë, ose më qartë, për reagimin shumë të dobët të diasporës shqiptare këtu në Greqi në mbështetje të demonstratave në Shqipëri dhe kërkesave të tyre të drejta.

Kjo bëhet edhe më e dukshme po t’i krahasojmë me komunitetet shqiptare të vendeve të tjera, shumë më të vogla në numër sesa diaspora e Greqisë, e cila është më e madhja. Ky pasivitet nuk është aspak i veçuar nga mungesa e rezistencës së komunitetit shqiptar ndaj problemeve të mëdha me të cilat përballemi prej dekadash pafund, për shkak të politikave emigrante të shtetit grek që ushtrohen dhe na e bëjnë jetën të vështirë. Megjithatë, kjo është një çështje e madhe më vete, që mbetet objekt i një analize tjetër.

Shkaku i kësaj apatie është se komuniteti shqiptar këtu në Greqi, duke përfshirë shumë organizata dhe shoqata të ndryshme, është i angazhuar me partitë shqiptare, veçanërisht me partinë në pushtet. Po ashtu, një pjesë e brezit të dytë është e angazhuar kryesisht me partitë e majta brenda dhe jashtë parlamentit grek. Rasti i një tubimi përpara parlamentit grek jo vetëm që nuk mundi të mobilizonte emigrantët shqiptarë, por humbi edhe simbolikën e vet. Demonstrimet përpara parlamentit grek do të kishin kuptim për rezistencën ndaj politikave të imigracionit këtu, ndërsa për mbështetjen e protestave në Shqipëri, ato do të ishin kuptimplote nëse do të organizoheshin përpara Ambasadës Shqiptare në Athinë, si përfaqësuese e shtetit shqiptar.

Demonstratat janë një grusht i fortë për qeverinë shqiptare dhe një goditje për të gjithë klasën politike që qeveris vendin dhe po kalon tashmë dekadën e saj të katërt. Janë një shpresë se rinia dhe populli nuk do të tolerojnë më asnjë shprehje të arrogancës dhe autoritarizmit.

Kjo kryengritje nuk erdhi rastësisht. Lufta e organizatave mjedisore dhe e banorëve të zonave të ndryshme, të cilët prekeshin nga zhvillimi i këtij lloj turizmi, është e hershme dhe në të kaluarën ka pasur sukseset e veta. Organizatat mjedisore janë gjëja më progresive dhe demokratike që ekziston në Shqipëri, dhe rezistenca e tyre ka pasur një jehonë dhe mbështetje të madhe edhe jashtë kufijve të vendit.

Shpërthimi i gjerë dhe masiv, me kërkesa përtej mbrojtjes së mjedisit dhe të banorëve, është jashtëzakonisht optimist. Aty ku dukej se qytetarët, rinia dhe e gjithë shoqëria shqiptare ndiheshin të bllokuar në një sistem të korruptuar politik dhe qeveritar, të dorëzuar në dëshpërim, ku e vetmja rrugëdalje ishte të largoheshin nga vendi “në mes të natës” për në kurbet, situata duket se po ziente dhe po kërkonte një shkak për të shpërthyer.

Dhe shkaku erdhi me pamjen e rrethimit të egër dhe sulmit ndaj një mjedisi të ndjeshëm dhe të mbrojtur, si dhe të dhunës së pabesueshme ndaj një qytetari nga banditët e kompanisë investuese, madje në praninë e policisë. Edhe pse kjo ngjarje u instrumentalizua edhe një herë nga mediat greke dhe nga gjithë spektri politik në Greqi, të cilët  gjithashtu i bënë një

“dhuratë” edhe Ramës, i cili nga ana e tij u përpoq ta shfrytëzonte këtë për të shpërqendruar opinionin publik nga protestat, fatmirësisht dështoi.

Mesazhi qendror “Shqipëria nuk shitet!” është i qartë: Asnjë zhvillim turistik nuk do të mund të bëhet pa mbrojtjen e mjedisit dhe të banorëve të zonës, pasi mbi të gjitha do të jetë interesi publik. Sjelljet e tipit “ja ligji, ja Maliqi” duhet t’i përkasin së kaluarës dhe protestat kanë mesazhe të shumëfishta, të cilat i tejkalojnë çështjet mjedisore. Janë zemërim për padrejtësitë dhe shkaqet e grumbulluara, janë kërkesa për drejtësi, llogaridhënie të qeverisësve, transparencë, shtet të së drejtës, barazi sociale dhe demokraci.

Këto protesta, sa i përket cilësisë dhe kërkesave, nuk kanë asnjë lidhje me protestat e militantëve dhe mercenarëve të Sali Berishës së korruptuar. Ato arritën t’i shkaktonin tërmet karriges së Ramës, i cili e konsideronte veten si një udhëheqës të plotfuqishëm, dhe të shkaktojnë një çarje të një sistemi politik qe përkufizohet  në “duetin” Rama–Berisha. Rama nuk vazhdon të jetë në pushtet për shkak të ndonjë vizioni politik. Këtë e vërtetuam nga fushata elektorale që zhvilloi në Athinë, ku fjalimi i tij u kufizua nga “bufi i kënetës’ deri në PS si “forca e vetme për garancinë e hyrjes në BE”. Qeverisjen e tij afatgjatë ia detyron si pozicionit të përhershëm të Berishës në opozitë, ku njerëzit zgjedhin “të keqen më të vogël” midis dy alternativave të pushtetit, ashtu edhe mekanizmit partiak me disiplinë të hekurt dhe pa asnjë kontestim ndaj liderit të Partisë Socialiste.

Njerëzit që kanë dalë në rrugë janë heterogjenë dhe megjithatë nuk duket se po formohet një rrymë e fortë që do të çonte në dorëheqjen e Ramës dhe do të ofronte një propozim tjetër qeverisës për vendin me një tjetër etikë dhe vizion.

E vetmja parti që shpreh socialdemokracinë me një kah të majtë, lëvizja Bashkë, ndonëse merr pjesë shumë aktivisht, nuk luan një rol aq vendimtar. Gjuha që ajo ka adoptuar ngjan më shumë me gjuhën e drunjtë të së majtës ekstreme greke. Parullat e saj janë në mospërputhje me realitetin shqiptar, dhe si rezultat, shoqëria vendase e ka të pamundur t’i përqafojë, i refuzon ato dhe, në fund të fundit, kjo strategji rezulton në dëm të saj. Kjo strategji e largon nga programi i saj serioz politik që parashtroi gjatë fushatës elektorale këtu në Athinë dhe që, për të gjithë ne që kërkojmë një klasë të re politike për të ardhmen e Shqipërisë, na mbushi me shpresë.

Parulla bombastike dhe plot eufori “Revolucion, revolucion”, në një vend ku kjo identifikohet me regjimin e mëparshëm autokratik dhe ku retorika makartiste antikomuniste vazhdon të jetë e egër, është e pakuptimtë. Një retorikë ku idetë e vërteta të majta dhe komuniste konsiderohen si diçka «absolutisht e keqe» dhe identifikohen me regjime të dështuara, qoftë të Shqipërisë apo diku tjetër, e bën këtë parullë të tingëllojë sa anakronike, aq edhe e huaj për realitetin shqiptar.

Në fillim, pas 7 tetorit, kjo parti kishte një qëndrim shumë cilësor që ndryshonte nga qëndrimi problematik dominues i së ashtuquajturës e majtë këtu në Greqi. Lëvizja Bashkë dënoi masakrën më të madhe të kryer nga Hamasi kundër civilëve në Izrael që nga Holokausti, duke mbështetur në të njëjtën kohë luftën e drejtë të palestinezëve për të fituar shtetin dhe lirinë e tyre, pa nënkuptuar kjo zhdukjen e shtetit të Izraelit. Kohët e fundit ajo ka adoptuar një retorikë dhe parulla që e largojnë nga parimet dhe vlerat e një të majte të vërtetë internacionaliste, gjë që në rastin e Shqipërisë do t’i kthehet në boomerang.

Në rastin e Shqipërisë, depërtimi i elementeve që përfaqësojnë Islamin politik radikal përbën një rrezik që në të ardhmen mund të çojë në situata me pasoja tragjike.

Në një bisedë të para disa viteve për këtë çështje, një familjar imi më shpjegonte se klerikët e arsimuar në Lindjen e Mesme shfaqen shumë më të rreptë e agresivë. Ata nuk kanë lidhje me besimin dhe traditën tolerante myslimane në Shqipëri, e as me klerikët e brezit të vjetër, të cilët e ruajtën besimin e tyre pavarësisht ndalimit dhe represionit që pësuan nga regjimi i Hoxhës. Për më tepër, shpeshherë këta klerikë të vjetër ranë shënjestër e dhunës dhe sulmeve nga klerikët e rinj me qasje fundamentaliste.

Prania në rritje e Islamit politik ekstrem do të përbëjë një kërcënim për traditën e Shqipërisë dhe për bashkëjetesën e feve të ndryshme në vend. Aq më tepër, kur besimi mysliman përfaqëson fenë më të madhe në vend. Dhe përtej kësaj, do të jetë një rrezik për një shtet laik ku, që nga themelimi i tij, ka pasur një ndarje të qartë midis shtetit dhe fesë, ndërkohë që pjesa më e madhe e popullsisë është gjithashtu jofetare.

Zemërimi i papritur kundër Izraelit nuk është vetëm rezultat i dhunës nga qeveria e Netanjahut ose nga ekstremisti i djathtë Ben-Gvir në Gazë, por edhe rezultat i propagandës së madhe antisemite me teori konspirative të pabesueshme për Shqipërinë, si për shembull se “vendi i është shitur Izraelit”, se “ Shqipëria do të jetë Gaza dhe Bregu Perëndimor i ardhshëm” e shumë histori të tjera të marra, me të cilat tentohet depërtimi dhe manipulimi i njerëzve që rezistojnë dhe protestojnë në rrugë. Bëhet fjalë për propagandë të pastër, pasi Irani dhe satelitët e tij “ prisnin rastin” për “vendetën personale” ndaj Ramës dhe qeverisë së tij, e cila zgjat prej shumë vitesh.

Tensioni midis dy vendeve ka rrënjë të thella. Ai u përshkallëzua sepse Shqipëria strehon mijëra anëtarë të opozitës iraniane (MEK – Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit) që nga viti 2013, pas një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara dhe OKB-në. Në korrik të vitit 2022, sulme kibernetike masive paralizuan shërbimet digjitale dhe faqet qeveritare të internetit të Shqipërisë. Qeveria e Shqipërisë ia atribuoi ato zyrtarisht Teheranit. Si përgjigje, Kryeministri shqiptar Edi Rama shpalli personelin diplomatik iranian të padëshiruar (persona non grata) dhe urdhëroi mbylljen e Ambasadës në Tiranë. Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Iranit janë ndërprerë plotësisht që nga shtatori i vitit 2022.

Së fundmi, tërbimi antisemit i njerëzve të ndryshëm këtu në Greqi e ka çuar situatën në një tjetër pikë qesharake dhe ata përpiqen ta eksportojnë atë në Shqipëri përmes lajmeve të rreme (fake news) dhe fotove të rreme të krijuara me inteligjencë artificiale (AI).

Për zhgënjimin e tyre, duket se asnjë njeri serioz në Shqipëri nuk merret apo nuk i përqafon këto teori konspirative, të cilat kërkojnë të zbulojnë nëse në sfond fshihet ndonjë prejardhje hebreje apo ndonjë investim izraelit. Bëhet fjalë për teori konspirative me qëllim që të vërtetohet propaganda e vjetër antisemite, se pas sistemit të shfrytëzimit fshihet gjithmonë një hebre.

Ajo që është optimiste, duke ndjekur protestat në Shqipëri, është se propaganda antisemite dhe agresive nuk duket se po infekton shoqërinë shqiptare dhe protestuesit në mënyrë dominuese.

Përtej faktit se teori të tilla qesharake u rrëzuan plotësisht, pasi Kushner dhe vajza e tij janë të lidhur me investitorë arabë nga Katari, propaganda antisemite nuk zë rrënjë sepse:

– së pari, historikisht nuk ka antisemitizëm të rrënjosur në Shqipëri;
– së dyti, mbrojtja e hebrenjve gjatë pushtimit nazist përbën një burim krenarie;
– dhe së treti, njerëzit, dhe veçanërisht të rinjtë, nuk do të përqafojnë ideologji të fundamentalizmit fetar, pasi kanë emancipimin e duhur për të mos “gëlltitur pa përtypur” çdo gjë që u shërbehet.

Ajo që është e rëndësishme në këto protesta, është fokusimi në përmbushjen e kërkesave për mbrojtjen e interesit publik, mjedisit dhe qytetarëve. Gjithashtu, fokusimi për forcimin e demokracisë, drejtësisë, llogaridhënies, transparencës, barazisë sociale dhe shtetit të së drejtës.

Megjithatë, konsiderohet urgjente që protestuesit të jenë në vigjilencë të vazhdueshme, duke mbrojtur mobilizimet nga rritja e të djathtës ekstreme dhe nacionalizmit të brendshëm që instrumentalizon gjuhën e urrejtjes me kërcënime për “ekzekutime dhe litarë” ose për “vdekje tradhtarëve”. Ata duhet të ruhen gjithashtu nga urrejtja antisemite, e shfaqur në shumë afishe ku Rama paraqitet me kapelë çifute (kippa), me Netanyahun nga pas ose dhe afishja me Adolf Hitlerin që thotë “ju kisha paralajmëruar”, si dhe nga ndikimi në rritje i radikalizmit islamik në Shqipëri.

Sfidat dhe rreziqet me të cilat përballen protestuesit dhe e gjithë shoqëria shqiptare janë jashtëzakonisht kritike, sidomos në një vend ku nuk ekziston asnjë lloj rezistence e organizuar për të përballuar këto fenomene të rrezikshme, siç ekziston këtu në Greqi.

Pavarësisht kësaj, protestat i kanë ofruar tashmë oksigjenin e domosdoshëm shoqërisë shqiptare.

 Ato dërgojnë një mesazh të fuqishëm se asgjë nuk është vendosur përfundimisht dhe se asnjë qeveritar autoritar nuk mund veprojë në mënyrë arbitrare në dëm të popullit dhe të vendit.

Tashmë, qytetarët po fitojnë një rol dhe zë aktiv në zhvillime.

(c) 2026 Liliana Saliaj. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading