Një term që e kam parë e dëgjuar të endet në komentet tek “Tema” dhe mbase edhe në ndonjë faqe të ngjashme: pazarokracia. Përshkruan çfarë e bën unik sistemin e sotëm politik në Shqipëri. Nuk e citoj dot autorin, as tekstet specifike, sepse në ato mjedise ligjin e bën anonimiteti dhe pseudonimet janë shpesh kontekstuale: të tilla që ndonjëherë janë pjesë e komentit vetë, ose të paktën shërbejnë si çelësi muzikor për të treguar tonalitetin e tekstit që vijon.
Por pazarokracia është term dhe dukuri që meriton vëmendje, sepse ka potencialin që të përshkruajë diçka thelbësore, në mënyrën si funksionon pushteti te ne.
E përfton kombinimi, jo i zakontë, i një fjale orientale si pazar, me një prapashtesë diturore si –krat qëshënon mbajtësin e një pushteti. Kjo –krat vjen, me rrugë librore, nga greqishtja e vjetër -kratos, dhe sot ndeshet në fjalë aq të zakonshme sa demokrat, autokrat, aristokrat, burokrat. Nga –krat vjen pastaj –kraci, që i referohet sistemit vetë. Brenda grupit të parë, gjen fjalë si plutokrat, meritokrat, teokrat, falokrat, eurokrat që i përkasin ligjërimit libror dhe nuk janë gjithnjë të kuptueshme për folësit, madje edhe për ata që e kanë bërë zakon t’i përdorin.
Përkundrazi, pazarokrat dhe pazarokraci i përkasin një grupi tjetër, që sjell me vete një element parodik dhe që, pavarësisht nga dukja morfologjike, janë specifike për shqipen. Tema pazar- mund t’i referohet tregut dhe vendit ku ndodhin shitblerjet, por kuptimi që ajo sjell në fjalën e formuar rishtas vjen nga fjala pazarllëk, që është procesi i diskutimit të termave, kushteve ose çmimeve me një palë tjetër, me synimin për të arritur një marrëveshje të kënaqshme për të dyja palët – një lloj transaksioni ku negociohen pozicione që, në krye, nuk pajtohen mes tyre.
Fjalori i madh e përkufizon pazarllëk si “bisedë që bëjnë blerësi dhe shitësi, duke dhënë e duke marrë me njëri-tjetrin, për të rënë në ujdi për çmimin e mallit; marrëveshja që arrijnë ata për çmimin e mallit” dhe më tej “marrëveshje e ulët, jo e ndershme që bëjnë dy a më shumë njerëz, palë, shtete, etj. për interesa të ngushta, në dëm të dikujt.”
Nëse është kështu, atëherë pazarokrati është ai që specializohet dhe shquhet për marrëveshje të tilla dinake, të cilat negociojnë çmimet e mallrave dhe të projekteve, por edhe emërimet e personave që do t’i drejtojnë dhe do të përfitojnë prej tyre; dhe që, duke vepruar kështu, ushtron pushtetin. Pra, pazarokracia është ai rend politik ku pushtetin e kanë specialistët madje virtuozët e pazarllëkut, ose të marrëveshjeve në zgrip të ligjit, në mos të kundërligjshme; të cilët njëherazi ashtu edhe e ushtrojnë atë pushtet.
Pazarokrati merret jo vetëm me caktimin e çmimeve, të financimeve, të investimeve dhe të granteve; por edhe me rezultatet e “tenderëve” dhe ndarjen e fitimeve. Dhe e bën këtë jo duke u imponuar drejtpërdrejt, por nëpërmjet presionit të butë, lëshimeve, rrjetit të njohjeve dhe favoritizmit dhe, në përgjithësi, mjeshtërisë prej lojtari sa të regjur aq edhe të pacipë. Ndryshe nga një sistem demokratik, ku vendimet merren – në analizë të fundit – me votë, pazarokracia privilegjon garën e interesave dhe ndjek parimin tjetër, se gjithkush e gjithçka e ka një çmim, i cili duhet gjetur ose, idealisht, përcaktuar. Kjo do të thotë edhe se në një pazarokraci është paraja që merr atributet e votës.
Mendësia e mishëruar në shqipen e folur gjithnjë e ka përçmuar “pazarllëkun”, duke e futur në një kategori me “allish-verishin”, si forma negocimi në të cilat ajo që ndodh dhe që bëhet publike nuk është veçse një pjesë e vogël e çfarë vendoset me dyer të mbyllura, në fshehtësi dhe larg atij kontrolli që do t’i bënte palët përgjegjëse. Edhe pse në një pazar real diskutimi për çmimin është pjesë e eksperiencës së shitblerjes dhe ndonjëherë edhe i zbavit pjesëmarrësit, sërish pazarllëku asnjëherë nuk arrin të çlirohet nga dyshimi i pandershmërisë a i hiles; sikurse nuk arrin të çlirohet nga ky dyshim ai sistem komunikimi ku termat mbahen qëllimisht fluide, pa kuptim fiks, të përkufizueshme nga konteksti.
Pazarokracia spikat veçanërisht në diskutimet për emërimin e dikujt në një post politikisht të rëndësishëm – siç po ndodh rëndom në radhët e ekzekutivit Rama, vit pas viti dhe çdo vit e më rëndë. Edhe pse mediat gjithnjë merren hareshëm me atë që italishtja e quan toto-ministri, në praktikën e sotme qeveritare caktimi i një ministri të ri po shfaqet, jashtë çdo përpjesëtimi të arsyeshëm, si akt i kulluar pushteti politik, duke mishëruar në vetvete arbitraritetin e “prijësit”. Në pamje të parë, duket sikur kryeministri Rama i vendos këto emërime duke pyetur ndonjë orakull ose nëpërmjet sistemit të divinacionit i-ching; pa çka se në mungesë të çdo shpjegimi ose racionaleje, emërimi do të fillojë herët a vonë të shihet nga të tretët si rezultat i një pazarllëku, ose negocimi të çmimit të personit të emëruar (“kuadrit politik”), që e shpërfill pothuajse haptazi meritokracinë.
Në një demokraci artificiale, performative dhe të papjekur e të paformuar, si ajo e Tiranës, pazarllëku politik gjithnjë ka të bëjë me gjetjen e mënyrave për ta anashkaluar, shpërfillur ose shkelur ligjin; në një kontekst ku edhe vetë ligji shpesh nuk është veçse produkt i një pazarllëku të vjetër, që tashmë e ka humbur domethënien; kur nuk është kopje cargo-cult-iste, e një ligji të cilin nuk e kupton askush e as ia ndien kush nevojën, por që na e kërkojnë “ata” (Europa, BE-ja, NATO-ja, amerikanët, aleatët). E vetmja gjë që i kërkohet tani ligjit është që të mos e pamundësojë pazarllëkun. Me fjalë të tjera, misioni i pazarokracisë është që të punojë vijueshëm për t’iu shmangur ligjit, pa u dukur se po e trajton si pengesë. Të gjitha skandalet e mëdha politike, të cilat kanë çuar para gjyqit dhe pastaj në burgje një masë habitshëm të madhe të elitës politike në Shqipëri kanë mishëruar, secili në mënyrën e vet, forma të këtij konflikti mes pushtetit siç duhej të buronte nga kushtetuta dhe ligjet që rrjedhin prej saj, dhe pushtetit real, që kërkon të tregtojë interesin publik, edhe të monetizuar, për të kënaqur interesat privatë të palëve.
Anë e mirë e kësaj pazarokracie është se ajo provon ekzistencën e fortifikuar të një lloj pluralizmi të tillë që të kërkojë ndarjen, shpërndarjen dhe rindarjen e privilegjeve, të influencës, të proteksionit, të kredisë politike dhe të besnikërisë – por edhe, vice versa, të shantazhit – si monedhë që mban në këmbë vetë pazarin e pushtetit. Tek e fundit, asnjë pazar, edhe ai më i korruptuari, nuk mund të funksionojë pa një marrëdhënie të besimit (trust) mes atij që ofron dhe atij që kërkon; dhe kusht për ekzistencën vepruese të këtij besimi është edhe që transaksionet të zhvillohen të fshehta dhe të mbulohen me gënjeshtra nga më banalet. Kjo do të thotë edhe që këto transaksione e prodhojnë besimin po aq sa ç’e prodhon besimi transaksionin – në një kontekst ku ligji vepron si formë kërcënimi sado abstrakt.
Një farë pazarllëku, si negocim interesash në fshehtësi ndaj publikut, është gjithnjë i pranishëm në transaksionet politike; por karakteristikë e pazarokracisë është që i jep një interpretim ekstrem meritokracisë, duke e shpallur zotësinë për allish-verishe të çdo lloji e të paskrupullta si virtytin e preferuar të politikanit dhe duke e shndërruar pazarllëkun në formën supreme të ushtrimit të pushtetit. Megjithë dëshirën shpesh të shprehur, për të tërhequr në pushtet ekspertin teknokrat, ndonjëherë edhe të importuar nga jashtë me bujë, praktika ka treguar se ky ekspert ka shkëlqyer ose ka dështuar jo nga mënyra si e ka vënë ekspertizën e vet në dispozicion të qeverisjes, por thjesht nga aftësitë për ta luajtur lojën me rregullat e pazarit. Mund të përmendja disa ekspertë të njohur që nuk e kanë duruar dot këtë lloj travestie dhe janë larguar; por nuk dua të “lëndoj” ata të tjerët, që ekspertizën e tyre e kanë përdorur si kredencial në pazarin e influencave, të favoreve dhe të rindarjes së parave.
Pazarokracia nuk është thjesht sfidë ndaj ndershmërisë politike; por themel i anti-kushtetutës së padukshme të pushtetit, në një shtet post-komunist si Shqipëria, ku për ushtrimin e detyrës në një post me rëndësi nuk kërkohet profesionalizëm, por besnikëri dhe nënshtrim ndaj bonsensit, ose parimit “edhe unë si të tjerët”. Pazarokrati standard e riprodhon rolin e vet i bindur se është edhe ai nënprodukt i pazarokracisë – madje jo rrallë duke uruar në heshtje se çdo lloj pazarllëku, të cilin e mundëson dhe e realizon, i shërben, në analizë të fundit, një kauze për t’u përshëndetur, madje edhe moralisht. Mbase pikërisht këtu do kërkuar edhe shpresa.
(c) 2026 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.