Pasi dola nga xhamia, ku pas lutjeve të darkës, bashkë me disa vëllezër u kujdesëm për ca kotele që, ndoshta duke ndjerë se është hapësirë e sigurt, e ëma i ka lënë aty, mora të kthehem në shtëpi, kur nga larg dëgjova brohoritje.
Dhe u afrova te kryqëzimi i Partizanit të Panjohur, duke pritur që t’i bashkohesha marshimit të ditës së 90 të protestës që do të kalonte atypari. Në krye, si gjithmonë, ishin makinat e televizioneve që filmojnë protestuesit në lëvizje, banderola e rastit dhe pjesa tjetër e marshuesve. Bashkë me mua kishin ndaluar edhe nja dy turistë dhe një kalimtar tjetër vendas, të cilët po bënin video.
Por teksa protestuesit ishin fare pranë, u përballa me një vështrim hetues. Ky ishte një djalë që po më shihte me njëfarë agresiviteti të mëdyshtë. Dukej sikur ende nuk e kishte ndarë tamam sesi duhet të ndihej ndaj meje. Kaluan dy të tjerë, ku sërish njëri më hodhi një shikim të dyshimtë dhe një hundë të skërmitur. Pastaj, një vajzë, edhe kjo disi skiç, i rrotulloi sytë për një çast dhe tendosi muskujt e fytyrës.
Paraqitja ime ishte tepër normale, për të mos thënë e mërzitshme – hiq mbajtësen e krahut për supin e lënduar në një aksident të vogël me biçikletë. Prandaj kjo vëmendje thuajse agresive mu duk e çuditshme. Aq sa për një çast dyshova (dhe këtë nuk po e shpik) se ishte pikërisht anormaliteti i tyre që hetoi të urryeshmin normalitetin tim.
Vetëm pasi një pjesë e mirë e protestuesve kaluan dhe pasi më në fund, pashë një bollëk fytyrash për së mbari, vendosa t’i bashkohem rrymës, kur pikasa se te banderola në krye të marshimit shkruhej: POSHTË SOROSISTËT. Te ky shënim që luhatej në kufijtë e përdhunimit të kaligrafisë, mund të vëreje edhe një hezitim brenda lëmit të shkrimit e këndimit.
Banka e dhunës
Janë të njëjtët protagonistë që, ditë pas dite, sillen vërdallë në grupe, me megafonë e gjeste të shëmtuara, duke bezdisur, përtallur, provokuar e kanosur çdokënd që u duket më interesant se ç’duhet. Para ca ditësh, të armatosur me hunj e një larmi mjetesh të forta, ushtruan dhunë fizike ndaj protestuesve të tjerë. Kjo ndodhi para përplasjes së raportuar mes Sali Lushaj dhe Dritan Goxhaj.
Kanë qenë gjithmonë këta, dhe kryesisht këta, që më parë u thoshin trumbetuesve të grupit me flamingo: “Hiqini flamingot se janë gej!”, apo “Ne s’jemi flamingo, ne jemi shqiponja”, apo në ndonjë rast, “Pse i keni lyer flamingot rozë?”
Kjo hije dhune, e qëndrueshme dhe e shkallëzuar, pluskon mbi protestën si një re e ngrysur e përhershme, duke dekurajuar familjarët, grupet më të cenueshme dhe qytetarë të tjerë që duan t’i bashkohen asaj. Ndoshta pikërisht ky është qëllimi.
Këta keqbërës operojnë kurdoherë në grup. Ata i tremben mejdanit si dreqi ujit të bekuar. Edhe në përplasjet te Kuvendi i Shqipërisë, këta kujdeseshin që të fshiheshin pas grave dhe protestuesve të tjerë paqësorë, duke i shtyrë të koordinuar nga mbrapa drejt konfrontimit me policinë. Gjithmonë në grup. Kurrë vetëm.
Asnjë frikacak nuk është vrarë në duel.
Përplasje qytetërimesh
Tek po i bashkohesha marshimit, hapa kamerën e përparme në celular. Pasqyra digjitale nuk shfaqi asgjë të jashtëzakonshme: i krehur, me mjekër relative, disi më i shplodhur se zakonisht dhe i veshur thuajse “deçent”. Asgjë që të shpjegonte ato mikroreagime agresive.
“Çehreden beli”, – thashë me vete, kurdoherë i vetëdijshëm se kjo shprehje pret në secilin kah. Ajo bërthamë primitive brenda secilit prej nesh nuhat të njëjtën te tjetri; dhe përmes çehres, veshjes, apo një intuite mistike, apo të gjitha këto bashkë, çdokush me përvojë në latimin e shqisave lëndore, shpirtërore dhe shoqërore, di se me kë përket dhe se cilin ka gjasë ta ketë kundërshtar.
Vëzhgimi mund të jetë edhe kryekëput intelektual, nëse fjala që bie, vëzhgon ato selfies që në mënyrë demonstrative u shkrepën me Alfred Çakon. (Po, ai Alfred Çako.) Dhe prej aty, absurditeti i ngjarjes fillon të fitojë njëfarë kuptimi.
Kjo është edhe një luftë klasash: ata që vetidentifikohen si të përulur pahiri u hakërrehen atyre që “bëjnë si më të mirë”, dhe që, sipas tyre, u kanë rrëmbyer mundësitë që u takonin.
Edhe armiqësia e të njëjtëve ndaj flamingove nuk është thjesht semiotike, por qytetërimore. Mëria, po ashtu, mbruhet nga konkurrenca në komunikim dhe spikatje në publik. Një mori mediash ndërkombëtare që kanë mbuluar protestën, u janë referuar “The Flamingo Revolution”, ndërsa në intervista kanë dalë thuajse gjithmonë qytetarë të mirartikuluar, jo idhnakë nofullshtrënguar që edhe nëse do të donin të përtypnin diçka rreth “Sorosit”, nuk do të dinin sesi ta formulonin.
Fronti i përçarjes
Supozoj që çështja do të bëhej shumë interesante nëse këta do të pranonin që në mënyrë të dokumentuar, dikush t’i pyeste një nga një, duke u drejtuar shumë pak pyetje bazike:
- Çfarë është “Sorosi”?
- Si po ndikon “Sorosi” te protesta?
- Çfarë kërkon konkretisht të arrish duke protestuar kundër “Sorosit”?
“Sorosi” – me fjalë të tjera, Fondacioni për Shoqëri të Hapur – prej vitesh nuk e ka më atë shtrirje dhe rol që pati në financimin apo mbështetjen në forma të tjera për organizatat e shoqërisë civile, individë apo edhe aktorë politikë.
Në fakt, thirrjet “Poshtë sorosistët”, krahas atyre “Poshtë komunistët”, të dirigjuara me elokuencën karakteristike të të njëjtit grupim, nuk shënjestrojnë sorosistët imagjinarë. Këto janë fletërrufe kërcënuese për këdo që mishëron çfarëdo rrezeje të qytetarisë aktive, të shoqërisë civile – jo domosdoshmërisht të asaj të organizuar në OJF, por të individëve dhe grupeve solidare, që duke sakrifikuar diçka nga bindjet e veta, kanë bashkuar trupat e zemrat për Shqipërinë e Re.
Këta gënjejnë të tjerët dhe veten kur vërtisin “Sorosin” si gogol alegorik që justifikon dhunën dhe frikësimin. Por ky grup cinik, grotesk, i vrazhdë dhe tashmë i dhunshëm vështirë se e orkestron i vetëm një sistem kaq të bashkërenduar agresioni. Nëse pas tij vepron një dorë politike, dhe nëse kjo dorë i përket PD-së, pushtetit apo një interesi të përbashkët mes tyre, mbetet për t’u provuar.
Mund të ngrihen shokët e shoqet më skrupulozë, të njohurit më të ndjeshëm, e të na qortojnë e paralajmërojnë se këto pohime, sado të besueshme e të vërteta qofshin, nuk mund të thuhen; sepse jo çdo e vërtetë mund të thuhen, sepse rrezikojnë të përçajnë protestën.
Puna është se:
- Protesta tashmë është përçarë.
- E vërteta do të na bëjë të lirë.
Dhe sa u takon të vërtetave të sikletshme: Çfarë durimi vetëvrasës dhe çfarë miopie të vetëshkaktuar nevojiten që këto shfrenime të tolerohen? Që marshimit t’i prijë ai baner karagjoz, duke rrezikuar që protestën praktikisht ta shndërrojë në një karnaval, me synimin e qartë që këto slogane absurde e kanosëse, ta zhvendosin vëmendjen nga arsyet dhe qëndrimet rrënjësore që i mblodhën njerëzit në shesh.
Çfarë duhet të ndodhë që dikush apo shumëkush të reagojë? A mos duhet t’ju rrahin të gjithëve? A mos duhet pritur që protesta të sakatohet deri në një pikë moskthimi? (Gjithmonë nëse ky prag nuk është kapërcyer sakaq.)
Dhe çfarë bën i quajturi dhe i vetëquajturi grup organizues, përveç se përcakton itinerarin e marshimeve – diçka që ia ka marrë dorën – dhe mbikëqyr dixhejimin e foltores – një adet ku nuk është se ka shkëlqyer…
Sepse, kujt i hyn në punë roja që fle? Dhe sa vlen organizatori, që teksa qëmton logjistikën, i kalojnë para hundës turma huliganësh të armatosur, të cilët tashmë as që tentojnë më të infiltrohen, apo të paktën, të bëjnë sikur.
Në Kujtime-t e tij, Eqerem bej Vlora tregon se kur një anije e madhe e Portës së Lartë mori detin drejt Lindjes së Mesme, në një mision diplomatik të nivelit të lartë, ai kërkoi Sekretarin e Oborrit – një pozicion ky tepër i rëndësishëm. Sapo e gjeti, nisi t’i bënte një sërë pyetjesh për takimet, protokollet, procedurat, planet dhe kalendarët. Por tjetri ngriti supet dhe me pak fjalë i tha se detyra e tij kryesore ishte që në këtë udhëtim me kaq shumë njerëz, të sigurohej që racionet e pilafit të shpërndaheshin siç duhej. Në njëfarë pike, anija për pak u mbyt vërtet. Ishte një kumt për rënien e mëvonshme të perandorisë.
Edhe kjo protestë rrezikon të mbytet, nëse ata që supozohet të kujdesen për timonin, por edhe çdokush tjetër brenda saj, nuk zgjohen përballë kërcënimit që ka kohë që është shfaqur në horizont. Historia është e stërmbushur me shanse të humbura. Dhe për to, thuajse nuk flitet kurrë.
(c) 2026 Ervin Qafmolla. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përpunuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.