EKUACIONI GREQI – SHQIPËRI

nga Eleana Zhako

Stephen Shaw, Patriotic Anchor

Stephen Shaw, Patriotic Anchor

Para pak ditësh Kryebashkiaku i qytetit të Selanikut, Yannis Boutaris, në kuadër të binjakëzimit të Selanikut me qytetin-port të Durrësit, përuroi në ish-sheshin “Karaiskakis”  sheshin “Durrës – Shqipëri”, «për nder të dyzet mijë shqiptarëve emigrantë, të cilët jetojnë bashkë me ne, nxjerrin  bukën e gojës bashkë me ne dhe janë plotësisht të barabartë me ne”,  sikurse u shpreh në fjalimin e tij, në prezencë të Konsullit shqiptar në Selanik dhe një turme “protestuesish paqësorë”.  Iniciativa e Boutarit për të ndryshuar emrin historik të sheshit me emrin e një qyteti shqiptar, përveç elementit të befasimit të turmës “plangprishëse”, për këdo, që është në dijeni të ideve dhe ndërmarrjeve liberale të Boutaris, nuk përbën një taktikë spontane apo të rrufeshme.

Boutaris është kryebashkiaku i parë në historinë moderne të shtetit helen, që arriti tu kundërvihej “zotave dhe demonëve” neohelenikë, duke kanonizuar një frymë dhe mentalitet të ri në jetën administrative, sociale dhe kulturore të qytetit të Selanikut. Simpatizantët dhe mbështetësit e tij, shikojnë në figurën e Boutaris, kultivuesin e përkushtuar të verës (vera “Boutaris”, është ndër verërat më të njohura në Greqi),  mishërimin e njeriut avant-garde, shpirtin liberal dhe bohem, njeriun që theu tabutë, që nuk ngurroi të fliste hapur në publik për “njollat e errëta” të jetës së tij personale, vartësinë e tij të dikurshme nga alkooli, marrëdhëniet personale me të afërmit dhe të dashurit e zemrës, frekuentimin e qendrave përkatëse për detoksikim, përpjekjen e tij për tu çliruar nga pija, sëmundjen e pashërueshme të ish- bashkëshortes së tij, dashurinë dhe jetën seksuale të njerëzve të moshës së tretë. Kundërshtarët e tij, mishëruesit e frymës konservative, lokaliste, tradicionale-statike, religjioze-regresive, shikojnë në figurën e Butaris, një njeri pa “din e imam”, një alkoolik amoral, një atdhemohues të fandaksur dhe një njeri të krisur, që me politikat e tij pseudo-liberale mbjell katastrofë dhe përçarje mes vendasve.

Kjo turmë “mendjendriturish”, nuk u mjaftua vetëm me britmat blasfemike kundër aktit “alla shqiptar” të kryebashkiakut të tyre,  por sikur t’i drejtonte “një dorë magjike” u turrën për të çbërë, atë që bëri i Paudhi.  Pezmi i tyre “alla folklorik”, mund të gjente qetësi, vetëm duke e trajtuar monumentin, këtë masë të ngurtë dhe të “pashpirt-të”, si shkrehje vandale te fobive dhe kërpudhave helmatisëse, që kanë në kokë. Për këto masa burleske, problemi i zëvendësimit të emrit të heroit të tyre kombëtar, me emrin e një qyteti emigrantësh ekonomikë, që sjell nga mbrapa dhe zgjatimin “Shqipëri”, përbën përdhosje të imazhit – souvenir, që mbartin për atdheun e tyre: një Greqi bardhë e blu në miniaturë, ku në fushë-betejat e saj, heronjtë e Antikitetit, Revolucionit dhe Luftërave Ballkanike korrin fitore të lavdishme apo pësojnë humbje heroike; një Greqi ksenofobike, ku shprehja e Isokratit:  λληνας καλεσθαι τος τς παιδεύσεως τς μετέρας  τος τς κοινς φύσεως μετέχοντας (that men are called Hellenes because they have shared our common education rather than that they share in our common ethnic origin; që me një përkthim perifrazik, do të thotë, se është i denjë të quhet Helen, jo ai që ndan me “helenët e vërtetë” të njëjtën origjinë etnike, por ai që është pjesë e sistemit edukativ-arsimor helenik) përftohet si kalim-parrulla e një klubi të mbyllur tifozësh kokëngjeshur, që flenë dhe zgjohen nën tingujt e marsheve luftarake; një Greqi hermetike, ku homogjenizimi i ideve, vlerave, atributeve riciklohet brenda një qerthulli njerëzish, që e perceptojnë kombin dhe shtetin si truallin e tyre, qysh në zanafillën e kësaj bote.

Por, turma të tilla nuk ekzistojnë vetëm në Greqi. Çdo komb ka turmat e veta. Nëse në Durrës, qytetin simotërz të Selanikut, Kryebashkiaku i Durrësit, vendoste të përuronte një monument të ngjashëm, në shenjë mirënjohjeje ndaj ndihmës së ofruar shtetit shqiptar nga shteti grek, me emrin “Thessaloniki – Greqi”, kori i zërave nacionalistë do kapte majat e qiellit. Siç ndodh rëndom me gjithçka që lidhet me marrëdhëniet greko – shqiptare, ky akt do konsiderohej si një akt i pastër tradhtie ndaj interesave të kombit dhe monumenti, sikurse dhe në Selanik do gjymtohej në mënyrë paradigmatike.

Disa zëra do pretendonin, se “vandalizmi alla shqiptar” nuk do mund të njëjtësohej me vandalizmin analog në Selanik dhe gjithë vandalizmat e bëra  nga grekët ndaj shqiptarëve për vite me radhë, mbasi “asimetria e vandalizmave” anon nga ana e grekëve. Simboli i “Kalit të Drunjtë” është një simbol që u mvishet gjithmonë grekëve, sa herë, që bëhet fjalë për një “donacion grek”, të natyrës simbolike apo asaj ekonomike. Rrallë ndeshen në shtypin shqiptar analiza thelbësore dhe të balancuara rreth marrëdhënieve greko-shqiptare, shumica e tyre janë “kopje karboni” të retorikës së njohur, që  fajëson njërën pale dhe viktimizon palën tjetër. Realiteti greko-shqiptar, nuk është një realitet bardhë e zi. Teoria simpliste e prezantimit të grekëve si një turmë nacionaliste, që u punon mendja natë e ditë si të greqizojnë shqiptarët dhe të aneksojnë “Vorio Epirin”, si t’i kenë nën zgjedhë, si të përfitojnë në kurriz të tyre, përveç anakronizmit të rrezikshëm që mbart, nuk është një teori reale.  Nuk është reale, mbasi janë të shumtë ata grekë, që në shtypin e tyre dhe jo vetëm, dënojnë dhe stigmatizojnë mendësitë e mykura dhe mesjetare të pjesëve të caktuara të shoqërisë greke dhe shtetit grek.  Janë të shumtë ata grekë, që kërkojnë revizimin e teksteve të historisë në sistemin arsimor të shkollave greke, sikurse dhe eleminimin e epiteteve dhe përshkrimeve fyese për fqinjët.

Nëse në Shqipëri, reklamimi i simboleve kombëtare dhe i shqiponjës dykrenare është një shfaqje e rëndomtë, që ndeshet në gjithë spektrin e ngjyrimeve politike, në vende të ashtuquajtura nacionaliste, si Greqia, mbiekspozimi i simboleve kombëtare, siç janë kryqi dhe figurat mitike në rastin e Greqisë, konsiderohet si shfaqje “kitch” dhe “ultranacionaliste” nga pjesa anarko-liberale dhe e majtë e vendit. Po ashtu, demitizimi dhe demistifikimi i simboleve dhe heronjve kombëtarë në rrethet akademike dhe intelektuale greke, konsiderohet tashmë si një proçes normal dhe i domosdoshëm për shembjen e mekanizmave artificiale të krijimit të shteteve-kombe. Ideja e Greqisë së madhe është një ide, që gjallon në mendjet e fashistoidëve dhe matufëve nacionalistë, ndërsa në Shqipëri, ideja abstrakte e Shqipërisë së Madhe, me një pafajësi tinëzake, është bërë pjesë e perceptimit të historisë së Shqipërisë nga një pjesë e madhe e shqiptarëve të çdo grupmoshe.

Nacionalizmi ngelet një plagë e hapur në tërë hapësirën ballkanike.  Në disa vende  merr një trajtë më ofensive dhe agresive, ndërsa në vende të tjera të Ballkanit ka natyrë  më “idilike” dhe fle në peizazhe baritore të një kohe të shkuar, me penën në dorë dhe pushkën në krahë. Fantazma të  përgjakura heronjsh dhe luftëtarësh kombëtarë, enden mes të gjallëve, duke sfiduar  ritin e lashtë  “të gjallët me të gjallët dhe të vdekurit me të vdekurit”. Bunkerë imagjinarë ngrihen në fantazinë e gjithfarë politikëbërësve të shpallur dhe të pashpallur dhe sulmi trumbetohet në mendjet e njerëzve, si kanosje nga jashtë. Kjo kanosje mund të marrë forma të ndryshme:  ekonomike, politike, ushtarake, sociale, raciale, ideologjike, fetare – nën ombrellën kombëtare.

Por, nga ana tjetër, do ekzistojnë gjithmonë “antiheronj të vetmuar”, që porsi Boutaris grek apo shqiptar, do hedhin spirancën (simboli i monumentit për nder të shqiptarëve në Selanik) e fqinjësisë së mirë, komunikimit mes popujve, shkëmbimit ideor dhe kulturor në një det tallaztrazuar dhe kohësh të turbullta. Këta “antiheronj”, janë të gjithë ata që kanë luftuar dhe ëndërruar për një det të përbashkët, për një “mare nostrum”, ku anijet lundrojnë  të paqta me flamuj të gjithfarshëm. Dhe këta “antiheronj” janë të shumtë…

Nuk ka komente

  1. interesante eshte se inteligjenca me e perparuar greke takon ne Shqiperi ate me kombetariste, qe eshte me perparimtarja ne shqiperi..

  2. Nuk besoj te jete si thua, Kapedan. Nuk ka pse asgjeson edhe ate pak gje te mrie qe e kemi e qe duhet ta ushqejme. Pershtypja ime eshte se ne Shqiperi gjen jo vetem intelektuale qe aktivisht kundershtojne parjen e grekeve si nje mase totalisht e zeze, por edhe njerez mes turmave qe u rezistojne ideve se gjithe greket jane njelloj. Sidoqofte, pavaresisht nga sjellja e Boutaris-it me lart, sjellja institucionale ne Greqi ka qene tradicionalisht anti-shqiptare. Jam e sigurte qe kultura masive greke e reflekton ate ne menyra te ndryshme. Por Greqia, Shqiperia, Serbia dhe hapesira te tjera ballkanike kane nje prezantim intelektual anti-nacionalist me te mire se sa mendohet dhe pritet nga me te perparuarit e botes.

    1. Edhe unë jam me Presjen këtu – opinioni publik në Shqipëri është shumë i moderuar, se ç’lënë të duket mediat.

      Këto të fundit i japin hapësirë të madhe diskursit kombëtarist me nota grekofobike ndonjëherë obsesive.

      Dhe e bëjnë këtë thjesht ngaqë janë burracake – meqë diskursi kombëtarist me nota grekofobike është pozicioni default, në debatet publike.

      Por sa kurajoze kjo që kanë bërë autoritetet bashkiake në Selanik – dhe sa e meritueshme për vëmendje.

      Por jo; mediat tona preferojnë të merren me Agimin e Artë dhe pisllëqet futbollistike, duke rimarrë e përcjellë të njëjtat lajme trash, për njerëz trash.

  3. Eleana,
    falemnderit per shkrimin. Une besoj ne njerez me profil si ky qe ti jep per Boutaris-in. Ata, sido qe te zhvillohen ne perspektive, bejne me shume mire se keq kur vijne ne politiken ballkanike, sepse se paku perziejne fort ujerat dhe thyejne stagnacionin e ideve dhe kuptimeve. Mund te thuash konkretisht, te lutem, cilat ishin reagimet e turmes ne shesh? Gjithashtu ti permend nje monument. Per cfare monumenti behet fjale? Ate te Karaiskakis-it, apo dicka tjeter.

  4. presja,
    Faleminderit edhe une. Reagimi i turmes ishte i stilit: “bravo bravo kryetar” ne menyre ironike, “i shitur”, “turp”, etj si keto. Turma ishte relativisht e vogel, por me nderhyrjen e policise u fashiten te cirrurat anti – Boutaris dhe anti – Shqiperi. Persa i perket monumentit, monumenti ne fjale eshte me sakte dicka midis monumentit dhe pllakates. Por mes dilemes se emertimit dhe duke kerkuar kuptimet e shumta te fjales monument, vendosa te perdor fjalen monument mbasi edhe si simbolike edhe si masivitet eshte me afer fjales monument. Behet fjale per nje “pllakate” jo shume te larte, por as shume te ulet (sic jane zakonisht pllakatat) asimetrike, me nje gjeresi te konsiderueshme brinjazi, ku shkruhet ne greqisht dhe ne shqip emri “Durres – Shqiperi”. Ceremonine e hapjes e shoqeronte nje bande muzikore dhe u degjuan himnet e te dyja vendeve. Gjithashtu monumenti ka dhe nje spirance metalike.

    Ne fakt nuk eshte tamam shesh, shtypi grek here e emerton shesh, here park. Eshte nje park brenda sheshit Karaiskakis, i cili quhej gjithashtu Karaiskakis dhe tani u quajt “Parku Durres – Shqiperi” apo “Parku i Durresit te Shqiperise”.
    Dmth eshte nje shesh i vogel brenda nje sheshi me te madh, nese mund ta themi keshtu.

    Para ca ditesh, monumenti u ngjye me spray, ku shkruheshin parrulla te ndryshme dhe u shkul flamuri.

    1. Ah, e kuptoj. Mendova se mos ish hequr nje monument i vjeter i Karaiskakis-it dhe ish vene nje i ri per lidhjen mes dy qyteteve. Ne ate rast une nuk do t’i vija faj turmes greke. Njerezve nuk ua heq dot simbolet, sido qe mund te mos e kene ditur se i kishin deri ne castin qe ua heq.

      Por ne ngjarjen tende duket sikur emri i sheshit apo parkut eshte me shume per ta dalluar prej te tjeresh sesa me tregues simbolike te forte. Ne kete rast mund te rri mire pllakata, dhe sheshi te vazhdoje te mbaje edhe emrin e vjeter njekohesisht.

  5. Ne Shqiperi ka rruge e sheshe me emra nga me te fantaksurit, si t’ua jape truri kryetareve te bashkive (ai i Kamzes eshte spektakel fare), keshtu qe autorja mund te fleje e qete se nese ndonje zgeqe ose kthine brenda ndonje sheshi do quhej Thesaloniki, as nuk do e vinte re kush, aq me pak ta vriste mendjen.

    Autorja do kishte bere mire te kritikonte mungesen minimale te patriotizmit nder shqiptare qe e kane kthyer monumentin e ri te pavaresise ne shurrtore, mu ne zemer te Tiranes.

    Mare nostrum ne kete rast i perket nje (te supozuari) evolucioni semantik te konceptit imperialist. Nqs eshte nostrum nuk mund te jete shumeflamujsh,duhet te quhet i te gjitheve, me pak fjale o quhet Mare Orbium/Totius o kemi imperializem.

    Sidoqofte nacionalizmi eshte i vetmi fenomen qe bashkon shtetet duke u dhuruar nje barazi formale me vlere universale, e cila ben te mundur nje organizem si OKB-ja. Perndryshe shtetet do mblidheshin rreth fese, ideologjise apo qyteterimeve perkatese (sepse ato ofrojne barazi formale), pak a shume si Europa paranacionaliste.

    Motori historik i konflikteve eshte imperializmi, jo thjesht ky modern, por ai imperializem qe gjendet ne ADN e çdo shteti apo bashkesie parashteterore te politizuar. Eshte shteti qe sipas nevojave nxit ose frenon identitete te caktuara (etnike,fetare, qytetase, kaste etj) dhe rrjedhimisht prodhohet konflikti.

    Eshte shteti grek qe ka nevoje per nafte dhe don te grabise edhe ate qe duket se ndodhet ne nentoken tone detare, normalisht kur t’i nevojitet do te nxise identitetin e nevojshem (ne kete rast etnik) keshtu do te kemi konflikt.
    Leviatani eshte shteti jo nacionalizmi.

    Ne pergjithesi shteti i toleron rrymat intelektuale e politike qe i pengojne fuqizimin dhe zgjerimin, kur eshte i dobet (Shqiperia) dhe kur eshte teper i forte (Amerika).

    Kur eshte i dobet i toleron qe te jape imazhin e drejtesise, paqes universale, dashurise kristiane, me shprese se keshtu s’do ta ngacmojne (pak a shume si vartesi qe eshte i shtrenguar t’i buzeqeshe gjithnje eprorit), kur eshte teper i forte i toleron sepse ariu s’pyet per zukatjen e mizave).

    Shtetit i duhen edhe heronjte edhe antiheronjte, secili kryen detyren e vet ne kohe te ndryshme, por me siguri bolleku i antiheronjve eshte simptome e semundjes qe ka kapluar shtetin.

  6. Xha Xhai
    Ajo cka eshte e admirueshme tek Boutaris, eshte kembengulja e tij prej “mushke” per te cuar deri ne fund vendimet e veta, pa marre parasysh reagimet e kundershtuesve. Para nje viti bashkia e Selanikut ne bashkepunim me Konsullaten shqiptare ne Selanik, organizuan nje mbremje poetike me tiullin “Duam me shume Shqiperine”, me rastin e 100-vjetorit te pavaresise, ku u lexuan vjersha te Nolit, Poradecit, Kutelit dhe poeteve greke: Seferis, Ricos, Kavafis, Livaditis.
    Boutaris ngjalli reagime shume te ashpra kur shfaqi hapur idene e tij per kthimin e shtepise se Mustafa Ataturk ne shtepi – muze. Konkretisht u shpreh ” Pavaresisht dimensionit politik, Ataturk ishte nje udheheqes i madh, nder udheheqesit me te medhenj te shtetit turk. Te mos harrojme, qe ne Selanik u shpall Revolucioni i Xhonturqve. Ketu u themelua demokracia turke”. Ndersa persa i perket te kaluares se Selanikut, ai u shpreh: “te mos harrojme, qe Selaniku ka qene nje qytet polietnik. Nuk harrojme debimet dhe genocidet e bera, por eshte idiotesi te ushqejme akoma urrejtje”.
    Eshte e paimagjinueshme, ose me sakte ka qene e paimagjinueshme deri se afermi, qe nje bashkiak te pozicionohet hapur per ceshtje te tilla, sidomos ne nje qytet si Selaniku, qe gjeografikisht eshte afer me FYROM, ku shumica e popullise, jane greke te ardhur pas spastrimeve etnike te Ataturkut dhe ku elementi hebre ka qene dominues.

  7. Hyllin
    Kam pershtypjen se tinezisht e keqinterpreton termin “mare nostrum”, mbasi ne shkrimin tim del me se qarti efekti i perdorimit i tij. “mare nostrum” ka pasur kuptim “imperialist” kur u perdor per here te pare ne periudhen antike romake dhe me pas ka marre ngjyrime fashiste ne kohen e Musolinit. Ne kuptimin modern te fjales, eshte nje term qe gjitheperfshin diversitetin e kulturave (mesdhetare ne kuptimin gjeografik dhe nderkombetare ne plan simbolik) pa nivel hierarkie, si dhe bashkepunimin mes tyre.
    Sa per informacion, parku apo sheshi perkates “Durres-Shqiperi” nuk ndodhet ne ndonje qosheze, por perballe stacionit qendror te trenave. Por problemi nuk eshte aty, tek vendodhja. Ideja e shkrimit ishte per te treguar ndermarrjen e iniciativave te tilla, qe nderojne te dyja vendet, qofte edhe ne plan simbolik.
    Paralelizimi me nje skenar te ngjashem fiktiv ne Durres, i meshon idese se nacionalizmi nuk eshte vetem “stoli e grekeve”.
    Nuk po zgjatem me teorine per imperializmin dhe nacionalizmin, mbasi cdo lexues ka prizmin e vet te leximit dhe interpretimit. Mua me terheqin me shume antiheronjte, dike tjeter e terheqin heronjte. Gusto jane keto….

    1. Eleana, paralelizmi me ngjan me fantazine e Shmitit ne nje konference, ku nqs Shqiperia nuk do ish copetuar ne 1913, por do ishte etnike, do ishte ndonje tip sulltanati islamik ( Turqia ataturke duket se i shpeton si paralelizem konkret, prandaj shfrytezon fantazine).
      Ta kam llafin qe me paralelizmat hipotetike jo vetem qe subjektiviteti mbreteron sovran, por edhe keqperdoret per motive ideologjike.

      Tek Mare Nostrum per Mare Orbium evoluimi semantik eshte i atille si te marresh konceptin e nazizmit nje dite dhe ta homologosh si dashuri per hebrenjte, dmth ka disa koncepte ku evoluimi semantik o eshte absurd ose thjesht ‘fsheh’ nje mesazh subliminal ( sikunder besoj tek perdorimi i Mare Nostrum).

      Ajo qe une doja te thoja ne thelb eshte se rreziku eshte shteti e jo shovinizmi grek, prandaj nuk duhen pare edhe aq njerezit, sesa nevojat e shteteve.

  8. Hyllin, nuk e kuptoj ngerthimin tend me termin “mare nostrum”. Nuk kam as komoditetin kohor, as bibliografik ne keto momente, qe te sjell nje sere shembujsh te evoluimit te fjaleve nga kuptimi i tyre fillestar. E gjithe problematika jote kunder – argumentuese rreth “mare nostrum” me ngjan me nje orvajtje obsesive per te permbysur “mesazhin paqesor” te epilogut tim. Me pelqen ne nje fare menyre qe sjell nje kendveshtrim tjeter, ndonese une i perkas nje shkolle tjeter mendimi.
    Menyra si argumenton per shtetin dhe nacionalizmin civil, eshte sikurse te behet fjale per dy koncepte kryekeput te ndryshme. Shteti-komb eshte levozhga mbeshtjellese e nacionalizmit, pa shtetin nacionalizmi eshte nje relike e ndryshkur dhe e kunderta. Edhe duke vazhduar ne logjiken e komentit tend, mqnse shteti grek ka nevoja te tjera “jetesore” nga shteti shqiptar, shovinizmi i tij eshte me ofensiv dhe me gllaberues.
    Paralelizmi im nuk kishte per qellim te abuzonte me “nacionalizmin shqiptar” ne favor lehtesues ndaj “nacionalizmit grek”. Realiteti greko – shqiptar ofron shembuj te shumte te veprimeve dhe kunder-veprimeve te te dyja paleve.
    Uroj qe paralelizmi im te jete i pavlefshem ne rastin e “sheshit fiktiv te Durresit”. Por, do preferoja, qe ky shesh te ishte peruruar para se te behej ai i Selanikut. Mbasi keshtu do vertetohej apo do permbysej me se miri paralelizmi im.

    1. Ceshte e verteta une kam shume frike nga perdorimi ca i shpeshte i referimeve te ketij tipi nga elita e re majtiste (boterore jo thjesht shqiptare, se shqiptarja si gjthnje eshte vetem surrogat), krejt ndryshe nga e vjetra qe tregohej shume e kujdesshme ne terminologji dhe mjaft agresive ndaj imperializmit. Tani po ndodh te kemi njefare tolerance ndaj imperializmit( te moshuarit natyrisht qe jo) dhe agresivitet ndaj nacionalizmit (te moshuarit jane me tolerante).
      Mbase jam une i gabuari ne leximin e reales…

      Persa i perket shtetit dhe kombit, ne te vertete une dalloj mes shtetit dhe nacionalizmit etnik jo atij civik. Te ishte per nacionalizmin civik, vetevendosja e kombeve nuk do te ekzistonte fare si koncept, as popujt e botes s’do kishin vetedije, liri politike e legjitimitet nderkombetar, sepse shtetet ekzistuese te shek 19 thjesht do riformatoheshin si beri Franca multietnike (riformatim qe deshtoi ne menyre spektakolare ne sulltanatin osman).
      E megjithate shteti sado qe iu perkul fillimisht nacionalizmit etnik, fale nivelit me te larte te domosdoshmerise per njeriun ka arritur kudo te ndryshoje raportin e forces, psh asnje shtet deri me sot nuk ka rrezikuar ekzistencen e vet per hir te nevojave te nacionalizmit etnik, aq me pak Shqiperia e cila si shtet e ka dominuar dhe e dominon ne menyre absolute nacionalizmin etnik.

      Shteti grek eshte i rrezikshem, jo si pasoje e shovinizmit grek, por si pasoje e fuqise qe buron nga demografia, siperfaqja, ekonomia etj. Shovinizmi sllavo-maqedonas eshte edhe me i rrezikshem, por Maqedonia nuk perben rrezik, aq e pak psh Mali i zi. Qekur Greqia ka hyre ne krize, shqiptaret jane bere pergjithesisht me pak dhjaksa ndaj Greqise, pavaresisht rritjes se Agimit te Arte.
      Ceshtja e fqinjeve ndekombetare nuk dallon shume nga fqinji yne i perditshem ne pallat, rrugice apo lagje, fqinji eshte zakonisht miku ose armiku i pare, madje me shpesh armiku, te cilit me mire mos t’i jepet shume muhabet. Kur njeriu, privati, te jetoje miqesisht me gjithe .fiqnjet e vet, atehere edhe shteti mund te jetoje miqesisht me gjithe fqinjet e vet Por kjo eshte utopi.

      P.s mua s’me duket ndonje gje e jashtezakonshme puna e emertimit apo pllakates, thjesht kryebashkiaku i Durresit nuk eshte aq showmen sa ky i Selanikut, i duhet t’i marre Rames hua Fugen ndonje muaj.

  9. Ne fakt ne Shqiperi ka do kohe qe nje rruge eshte quajtur Selanik. Rruga ndohet ne Kamze dhe mesa di nuk ka pasur asnje ankese, aq me pak ndonje tubim kundershtimi.

  10. Përgëzime Eleana për shkrimin, dhe respekte për kryebashkiakun e Selanikut.
    Është e vërtetë se “antiheronjtë” po shtohen në të dy anët e kufirit. Unë kam shumë rezerva për mediat shqiptare, gjithsesi, në mënyrën sesi i trajtojnë këto çështje. Janë gjëra që i kanë përmendur tashmë komentuesit më sipër.

  11. presja,
    Une shkrimin tim e nis me perurimin e sheshit apo parkut (mqnse ka gjelberim) “Durres – Shqiperi”, qe me perpara quhej Karaiskakis. Ndoshta, kjo pjese e sheshit, qe mori emrin Durres – Shqiperi funksionon si “zemra e sheshit” me te madh, qe ende quhet Karaiskakis, duke iu referuar gazetave greke qe shkruajne “qe sheshi Karaiskakis u post-emertua ne Durres – Shqiperi”. Per me teper jo cdo shesh ne Greqi, qe mbart emrin e nje figure kombetare ka dhe monument apo shtatore ne qender te tij. Sheshe me emrin “Karaiskakis” ka anembane Greqise.
    Me pas shkruaja per gjymtimin e “monumentit”, ngaqe ky perurim u formalizua me ngritjen e nje “monumenti” apo “pllakate” perkatese. Por, sikurse dhe shkruajta ne komentin pararendes, mqnse ne perceptimin tim objekti ngjan me teper me monument (duke kerkuar gjithe kuptimet e fjales monument ne internet) sesa me pllakate, si dhe per efekt letrar, perdora fjalen monument.
    Une u perpoqa ta kaloj simboliken dhe jo vetem, me fjalimin hyres te Boutaris dhe me iniciativen e tij per te nderuar emigrantet shqiptare te Selanikut, me nje “park te tyrin”. Fjalet e tij “jane plotesisht te barabarte me ne” mendoj se mbartin nje simbolike te forte.

    Po dergoj nje link te “monumentit” perkates. Tani, shkarravinat dhe parrullat perkatese jane shtuar ne gjithe siperfaqen e tij, eshte bere gati i zi dhe nuk ekziston me flamuri shqiptar

    http://www.freepen.gr/2013/10/blog-post_6491.html

  12. Hyllin
    Nuk kisha parasysh nacionalizmin civil/civik ne ashtu si perfaqesohet nga idhtaret e nacionalizmit civik ( nacionalizmi civik vs. nacionalizmit etnik) Ishte me teper nje lapsus ne shkrim e siper. Sigurisht qe fjala ishte per nacionalizmin etnik.
    Kjo ishte sa per sqarim. Besoj se edhe une, edhe ti arritem qe te kalonim “pozicionet tona ideologjike” dhe do ishte e tepert per lexuesin te zgjateshim me shume.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin