PUBLIKU I KËTIJ TEATRI

Vërej një prirje të dalë dore, në marrëdhëniet e institucioneve publike me historinë dhe historiografinë në Tiranë, për të hapur, për të gërmuar, për të zhvarrosur, për të zbardhur “sekrete” ose çfarë ishte mbajtur e fshehtë deri më sot, që nga bunkerët anti-atomikë deri tek librat e rezervuar të bibliotekës kombëtare; pa folur pastaj për rishikimin e historisë deri në detaje dhe, më në fund, dosjet.

Të nxjerrësh në dritë çfarë deri dje ishte mbajtur nën dhé, qëllimisht ose ngaqë ishte harruar atje, është pjesë e punës së historianit; ose e luftës së tij të pabarabartë me kohën. Megjithatë, duke parë zhbalancimin e tanishëm dhe animin, gati histrionik, ndaj çfarë deri dje nuk dihej, ndoshta duhet shpjeguar se të rejat e sapo-zbuluara nuk mund të kuptohen dot, jashtë kontekstit të informacionit të njohur prej kohësh.

Thuhet se brezat e rinj duhet ta mësojnë historinë përtej syzeve ideologjike; mëtim i drejtë, me kusht që të lihet jashtë fraza patetike “ashtu siç ka ndodhur”; por e keqja me brezin e ri është se po njihet me të rejat e zbuluara dhe të zhvarrosura, në një kohë që nuk ka mësuar ato të tjerat, që kujtonim se diheshin dhe që ne vetë kushedi i dimë.

Ata që kanë pushtetin sot në Tiranë – politik dhe kulturor – gjenden përpara një sfide të dyfishtë: të kujdesen për edukimin korrekt dhe pluralist të brezit të ri, ose pikërisht për çfarë atyre vetë u ka munguar gjatë viteve të totalitarizmit; por edhe të kujdesen për ri-edukimin e vetes, duke vendosur me historinë dhe kulturën shqiptare raporte të reja, të ndryshme nga ato me të ishin mësuar deri dje.

Dhe kjo do të thotë që dallimi mes brezave, përndryshe i natyrshëm, të shndërrohet në hendek; sepse i njëjti proces që, për brezin e 40-50 vjeçarëve në Shqipëri synon të transformojë qasjen tonë ndaj shoqërisë, kulturës dhe historisë, rrezikon të përçudnojë qasjen – sërish ndaj shoqërisë, kulturës dhe historisë – të brezit të ri, që nuk e ka vuajtur indoktrinimin totalitar.

Për ta thënë troç: të rinjve të interesuar po u blatohen budallallëqe; në të njëjtën kohë që ne të tjerët, më të vjetrit, vërtet kemi nevojë të korrigjojmë dekompensimin në edukim dhe në informacion, të trashëguar nga sistemi i mëparshëm.

Sekretet e së shkuarës janë për t’u nxjerrë në dritë; por e shkuara ka lënë pas edhe informacione të tjera që, gjithë duke mos qenë ndonjëherë sekrete, janë po aq të rëndësishme, në mos edhe më të rëndësishme se ato të ruajturat. Edhe vetë dosjet, për të cilat ka një çerek shekulli që po debatohet, përmbajnë vetëm një përqindje të vogël informacioni, në krahasim me çfarë dihet botërisht për persekutimin e qytetarëve të Shqipërisë nën totalitarizëm; mekanizmat e përgjimit, ostracizmit, deklasimit, internimit, burgosjes, drejtësisë qesharake dhe pushkatimeve.

Kemi një problem të madh të normalizimit të marrëdhënieve tona me të shkuarën, por që nuk do të zgjidhet, sepse nuk mund të zgjidhet, thjesht duke zhbërë sekretet e djeshme. Përndryshe, meqë shumë nga këto sekrete – duke filluar që nga vila e Enverit hapja e së cilës u shoqërua me bujë para pak muajsh – do të japin efekt të kundërt, qoftë edhe thjesht me banalitetin e tyre.

Ne që e kemi përjetuar totalitarizmin, kemi një vizion tonin unik e të papërsëritshëm për atë periudhë, e cila është pjesë e historisë së brezit tonë aq sa ç’është pjesë e historisë së Shqipërisë. Prandaj do të gabonim rëndë, sikur procesin e pastrimit, të purifikimit dhe të rilindjes sonë qytetare ta përgjithësonim edhe ndaj brezave që diktaturën nuk e kanë jetuar.

Ne nuk kemi nevojë të na tregojë kush, bie fjala, se cili ka qenë Enver Hoxha; sepse për ne Enver Hoxha është tashmë pjesë e super-egos sonë, gjysmë-perëndi private, pa çka se e rrëzuar nga froni dhe e degdisur në Hades. Por Shqipëria – që sa vjen e rinohet dhe përtërihet – ka nevojë të ngutshme për të kuptuar se cili ka qenë pikërisht ky njeri, çfarë e solli në krye të vendit, çfarë e mbajti atje për 40 e kusur vjet dhe ç’trashëgimi ka lënë pushteti i tij i djeshëm në Shqipërinë e sotme.

Dhe për këtë zhvarrimet dhe zhgroposjet nuk kanë ndonjë rol të madh për të luajtur; sepse historia e totalitarizmit shqiptar nuk ka qenë kurrë sekrete. Çfarë mund të jetë për ne, të indoktrinuarit e djeshëm, një kuriozitet më shumë ose një mënyrë për të çliruar frustrimet e persekutimit intelektual që përjetonim dikur, mund të japë efekte të çuditshme, të paparashikuara dhe madje të dëmshme te të indoktrinuarit e sotëm – le t’i quajmë kështu – në qoftë se këtyre historia nuk u prezantohet si narrativë koherente, por si njëpasnjëshmëri zbardhjesh dhe zbulimesh të papara.

Me një fjalë, le të mos e ngatërrojmë psikanalizën për të cilën kemi nevojë dhe gjithnjë do të kemi nevojë ne si brez, me historinë që u duhet ofruar brezave të rinj, si pjesë e qytetarizimit të tyre dhe integrimit të tyre në shqiptari. E famshmja “wo es war soll ich werden” nuk ka asnjë kuptim për ata që do të trashëgojnë Shqipërinë, përfshi këtu edhe pushtetet përkatëse.

Nuk ka komente

  1. Po e nis me titullin e ketij shkrimi. Nje titull i vetemjaftueshem te percjelle nje imazh te plote, duke iu referuar librave te Guy Debord “Shoqeria e Spektaklit” dhe Jean Baudrillard “Simulacra and Simulation”. Po te ndjekim metaforen e titullit, shoqeria shqiptare po shnderrohet ne nje publik individesh pasiv i thjeshte qe konsumon histori te pre-paketuar dhe te ndermjetesuar nga nje mori simbolesh dhe shenjash; simulakra e kopje te nje realiteti te zbrazur, perderisa jane zhveshur nga konteksti ose dhe vete konteksti eshte nje simulaker. Nje publik qe eshte ngarkuar, nga nje elite e cila vazhdimisht vetepergezohet per clirimin nga komplekset, me barren e pergjegjesise per tu perballur urgjentisht me historine, ne versionin qe kjo elite po perpunon ne real time ne nje ekran, skene, muze apo dhe liber.

    Eshte folur e sterfolur per Ramen e djeshem si “guerrilla artist” dhe Ramen e sotem si artist politikan e padyshim pakkujt i ben pershtypje lehtesia me te cilen simbolet dhe shenjat e te shkuares po percillen permes artit, kryesisht atij vizual. Ka plot per te thene per kete “art”, dhe uroj qe kritika nje dite ta thote fjalen, por dua te ve ne dukje sa e veshtire eshte te flitet ne menyre kritike per historine, ngjarjet, personat dhe objektet e saj kur ato i percillen publikut si ART ne fillim dhe si kopje fisnike te historise ne plan te dyte! Kryesisht publikut te “thjeshte” i lejohet ta pelqeje ose jo nje veper artistike, dhe te pozoje per selfie ne “bunkerin e Enverit” dhe ky “aktivizim” merret pastaj si shenje e vleresimit kritik te gjestit artistik duke e cliruar gjestin politik dhe inskenimin e historise nga syri kritik.

    Prandaj kam pershtypjen se arti po perdoret jo vetem si zbukurim estetik e ilustrim i se kaluares por kryesisht si nje objekt ku kritika te kanalizohet si shije. Keshtu, nese dikush shpreh pakenaqesi per ekspoziten tek Bunk’Art, kjo do te pakenaqesi perqendrohet vetem tek arti dhe ekspozita duke lene ne hije e te pacenuar politiken. Paradoksalisht, sa me shume pritet te luajme rolin e nje publiku konsumator qe aprovon me shije aq me shume zbehet mundesia per kritike si per artin ashtu dhe per politiken meqe vleresimi yne thjesht interpretohet si nje shije personale (kur nuk interpretohet si larje hesapesh personale). Duke e ofruar historine si bashkesi simbolesh e shenjash artistike behet e pamundur te “kritikosh” pertej vleresimit subjektiv te nje publiku te thjeshte e pa pretendime.

    Dhe eshte per te ardhur keq sepse arti ndoshta eshte shpresa jone e fundit per te ndertuar dialog ne shoqeri. Ka patur plot perpjekje ne kete drejtim (me vjen ndermend puna e A. Lulaj, NEVER) por fatkeqsisht cdo tentative artistike (e re apo e ricikluar) per te trajtuar keto tema po perdoret nga elita si kapital i akumuluar per te ruajtur pushtetin.

  2. Një ilustrim për sa kam shkruar më lart:

    BUNK’ART, çfarë fshihej në dhomën e nëndheshme të Mehmet Shehut

    Kështu e titullon një shkrim, në rubrikën KULTURË (vëreni ironinë e pavullnetshme) Shqiptarja.com.

    Në fillim kujtova mos kishin gjetur ndonjë skelet në dollap atje, ose ndonjë program të pluralizmit politik; por fotografitë më zhgënjyen – duke më kujtuar një dhomë gjumi nga një film standard i kinostudios “Shqipëria e re.”

    Asgjë “të fshehtë” nuk ka në këto imazhe; dhe objektet që tregohen atje nuk është se ishin “fshehur” në dhomën e nëndheshme të Mehmet Shehut.

    Shumë thjesht: ai ishte strehim për udhëheqjen e shtetit dhe kryeministrit i duhej një dhomë më vete.

    Po ku është sekreti këtu? Vëreni manipulimin që i bëhet lexuesit që në titull: “çfarë fshihej” (edhe pse asgjë nuk fshihej); “çfarë…” a thua se ka pyetur kush; “në dhomën e nëndheshme”; në fakt nuk është dhoma e nëndheshme por krejt struktura; dhe pastaj, natyrisht, Mehmet Shehu, të cilit vetvetiu i shoqërohet misteri, sekreti dhe shpresa se më në fund gjithçka do të zbardhet dhe do të bëhet e qartë con buona pace di tutti.

    Nesër do të na nxjerrin në fotografi nevojtoret e vendstrehimit dhe do ta titullojnë shkrimin: “Nevojtorja sekrete e Komandantit.” Dhe e gjithë kjo do të bëhet pastaj aq absurde, sa vetvetiu do të shndërrohet në një lloj arti të pashmangshëm; edhe pse të ndryshëm nga ai që kishin në mend kuratorët.

    Krejt “bunkeri” nuk më rezulton të jetë përdorur ndonjëherë; prandaj të gjitha këto zyra dhe mjedise pune dhe pushimi të mobiluara paq, përfshi edhe pajisjet hidrosanitare, ngjajnë më shumë me butafori teatri, sesa me objekte vërtet të prekura nga historia.

    https://xhaxhai.files.wordpress.com/2014/11/146540.jpg

    Pastaj më shkon syri te librat në raft, dhe atje shoh që ka vepra të N. Jorgaqit, M. Kallamatës, Z. Sakos dhe P. Markos, madje edhe diçka nga Hygoi. Disa nga librat janë të përdorur. Kush t’i ketë lexuar vallë? Të ketë dërguar Mehmet Shehu vetë në bunker libra të vjetër nga biblioteka e vet, për t’i rilexuar kur të binin bombat atomike mbi Tiranë? Ja një informacion që do të ishte me interes – po vallë ta ketë zbuluar kush? Mërgatës së Nashos i mungon vëllimi i parë: ta ketë marrë ndonjë nga rojet? Po radioja Mimoza, vallë merrte ndonjë stacion nën dhé? Mistere të mëdha, po kushedi do t’u vijë radha të zbulohen për 71-vjetorin e Çlirimit.

    https://xhaxhai.files.wordpress.com/2014/11/146542.jpg

  3. Jashte cdo interpretimi tjeter, mendoj se veprimi afatgjate i ketij “teatri” eshte ne kete paragraf:
    “… Çfarë mund të jetë për ne, të indoktrinuarit e djeshëm, një kuriozitet më shumë ose një mënyrë për të çliruar frustrimet e persekutimit intelektual që përjetonim dikur, mund të japë efekte të çuditshme, të paparashikuara dhe madje të dëmshme te të indoktrinuarit e sotëm – le t’i quajmë kështu – në qoftë se këtyre historia nuk u prezantohet si narrativë koherente, por si njëpasnjëshmëri zbardhjesh dhe zbulimesh të papara….
    Thene ndryshe, ne pak kohe, do te flasim per te njejtin problem dhe per arsye qe nuk kane te bejne me realitetin, nuk do te merremi vesh më me kalamajte tane.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin