LISTA E INTELEKTUALËVE

Kur më del përpara një listë intelektualësh, ose personash që mbahen a i mbajnë për të tillë, dhe që kërkojnë diçka ose shqiptohen ose ankohen për këtë ose për atë, them me vete: mos ka gjë që nuk shkon këtu? Mos është vallë togfjalëshi listë intelektualësh oksimoron?

Edhe pse për intelektualin janë sjellë gjithfarë përkufizimesh, përfshi këtu edhe atë se intelektuali në fakt nuk ekziston, sërish këto përkufizime i afron ideja se intelektuali është dikush që të paktën kërkon të jetë intelektualisht i pavarur, duke shprehur atë që mendon.

Intelektuali është diferencë nga tjetri.

Përkundrazi, lista nuk është veçse një formulë për renditjen e një grupi, një grigje, një mase njerëzish që do të këndojnë në kor; është hieroglifi i turmës së organizuar, i disiplinës që kërkon solidarizimi në mendim.

Intelektual është ai që nuk thotë kurrë “ne”, por që ka aq kurajo dhe integritet sa të thotë “unë.” Është ai që nuk ecën me hapin e togës.

Shpesh në mos gjithnjë, listat e intelektualëve i krijojnë mediat, ose propagandistët e shkathët, ose operativët e marrëdhënieve me publikun; u kërkojnë njerëzve firmën ose pëlqimin ose mbështetjen për një iniciativë çfarëdo; dhe pastaj të lajmërojnë: “ja çfarë kërkojnë 450 intelektualë të trojeve shqiptare.”

Kjo në rastin më të mirë, më të favorshëm; sepse ka pastaj edhe intelektualë që bëhen të tillë në momentin që përfshihen në lista; dhe që dalin në publik krah për krah të mëdhenjve, përçorëve të tufës, kampionëve të konformizmit dhe mjeshtërve të klishesë.

Të tipit: 450 intelektualë kërkojnë me forcë që të mbahet lart nderi i kombit.

Jo, nuk janë budallenj, por thjesht njerëz që rreken ta mbajnë kokën mbi ujë, pa e kuptuar se tashmë po bëhet fjalë për ujëra të zeza.

6594421Lista i vesh intelektualët me uniformë, nën moton “bashkimi bën fuqinë.” Mirëpo intelektuali që i bashkohet një liste, e dorëzon kartën e vet të identitetit dhe të kredencialeve si intelektual tek dera, për të marrë në dorëzim teserën e përkatësisë.

Për t’u shënjuar me hekur të nxehtë, për të ulur kokën që t’i varet në qafë kulari, për të pranuar inokulimin.

Ka pasur edhe një shprehje, “intelektualët partiakë”, që në anglishte ka përfunduar në shaka (party intellectuals); por që buron nga leksiku i stalinizmit. Përvoja ka treguar se shumë prej këtyre i kanë mbijetuar ndërrimit të epokave; dhe kanë mbetur intelektualë partiakë edhe pasi Partia u ka lënë shëndenë.

Duke u kapur pas iluzionit qesharak se, në momente qoftë edhe me rëndësi kritike, qenka e mundur të mendohet kolektivisht.

Lista e intelektualëve është preludi dhe paradhoma e kooptimit dhe korruptimit të intelektit – sepse bashkimi i këtyre njerëzve të mendjes dhe të fjalës nuk sjell fuqinë, por pafuqinë.

Është lista shumemërore e konformizmit ideologjik, në rrethanat kur pluralizmi rrezikon të katandiset në një pluralitet bandash para-mafioze që kërkojnë t’ia marrin pushtetin njëra-tjetrës.

Është presidiumi i një mendimi sklerotik, që nuk ngre më peshë, përveçse për t’u konfirmuar turmave të rrugës paragjykimet dhe supersticionet gjithfarësh, duke filluar nga instinktet e turmës vetë.

Është një kooperativë e mendimit.

Intelektuali, madje edhe kush thjesht e quan veten të tillë ose e quajnë epigonët dhe ata që ia kanë nevojën, i ka mundësitë të shprehet individualisht: të shkruajë editorial ose kryeartikull ose letër të hapur, të flasë në televizion, të botojë libër brenda 10 ditësh, të dalë në radio, të komunikojë me miqtë e vet në rrjetet sociale.

Ky privilegj i të qenit publik ia heq nevojën për të thënë me çdo kusht “ne,” për t’u fshehur pas vetës së parë shumës, për t’u sintonizuar, për t’u konformuar.

Madje intelektuali që ofron zellshëm nënshkrimin në “lista intelektualësh” dëshmon një përtaci për të luajtur rolin që i përket në komunikimin publik, edhe kur nuk dëshmon burracakërinë dhe frikën për të përfaqësuar veten.

Lista e intelektualëve është byroja politike e mendimit të sotëm shqiptar.

Ka njerëz të vegjël, mes elitave, që intelektualët gjithnjë duan t’i shohin të organizuar në lista – dhe nuk e kam fjalën për Stalinin. Kërcënimi kryesor që vjen sot prej Stalinit, është bindja se stalinizmi, si dukuri me gjithë efektet e veta anësore, i përket së shkuarës.

Listën e intelektualëve e kanë pasë përpiluar ato regjime që intelektualët kanë dashur t’i likuidojnë. Tani praktika përdoret nga një regjim komunikimi publik që intelektualët kinse synon t’i shpëtojë, pa çka se duke u dhënë një habitat të kontrolluar nga konformizmi e duke i mbyllur në një stallë, në një kafaz, në një zoo.

Mirëpo, në një shoqëri që kërkon të jetë pluraliste, intelektuali bën emër dhe fiton besimin dhe respektin dhe aq më shumë vëmendjen e publikut jo duke u konformuar dhe duke pëllitur “shkromëni dhe mua”; as duke përqafuar kauza të lehta dhe populiste; por duke notuar kundër rrymës, duke i dalë zot mendimit të vet, duke e sfiduar autoritetin që bazohet në forcën dhe në frikën; dhe jo duke u ngjitur me të në tribuna dhe presidiume, në pritje për një vështrim të ngrohtë e një rrahje shpatullash.

Përndryshe, askush nuk duhet të ndihet i detyruar të jetë intelektual: mjafton të jetë mësues, politikan, piktor, deputet, mjek, gazetar, polic, ushtarak dhe, para së gjithash, qytetar.

Çfarë ofrohet si “listë intelektualësh” shpesh nuk është veçse një listë qytetarësh që publiku përndryshe i respekton; ndonjëherë edhe si intelektualë.

Publiku u respekton individëve publikë para së gjithash integritetin – por intelektuali është në luftë, shpesh dramatike, edhe me integritetin e vet.

Qytetarët, nga ana e tyre, kanë të drejtën dhe ndonjëherë edhe detyrën të mblidhen bashkë dhe të shprehin opinionin e tyre kolektivisht, ose të kërkojnë që të veprohet kështu ose ashtu.

Në një shtet të përkufizuar si republikë demokratike, qytetari është titulli më i lartë, burimi i sovranitetit, masa e së drejtës dhe ligjit.

Se flasim për republikën e sotme, jo për atë të Platonit!

Dhe në këtë shtet, sado të parealizuar dhe të përçudnuar që e kemi, intelektualët kanë ende rol të madh për të luajtur; një rol që gjithsesi e përjashton grupimin dhe mbathjen me çizme të një modeli madje numri, të kënduarit në kor dhe të kapur për dore, të vepruarit në ansambël.

Shteti mund të jetë republikë demokratike, por e vërteta nuk vendoset dhe as e drejta nuk del në dritë me shumicë votash; dhe as duke ia kruar bishtin “popullit.”

Aq sa mund të shtyhesh deri në ekstrem dhe të thuash se intelektual është ai që, kur i del publikut përpara, e merr në sy që një shumicë zërash nga salla do t’i thonë: e ke gabim. Do t’ia përplasin mospajtimin në fytyrë, si domate të kalbur a vezë të prishur. Do t’i thonë ti ia fut kot, ti je i shitur, kush të paguan; ose ike edhe ti, luajte mendsh; ose akoma flet ti, akoma ke fytyrë, ç’na e sillni këtë këtu… etj. Kohë të ashpra.

Intelektuali nuk konformohet; as me vijën zyrtare, as me zërin e masës, as me anti-konformistët e radhës – dhe aq më pak mund të displinohet në rreshtoren e listës.

Lista e intelektualëve është si radha e atyre që presin, me gavetë në dorë, për një garuzhde supë të ngrohtë nga kuzhina fushore e konsensusit popullor.

Kjo orvatje për ta shfrytëzuar prestigjin si forcë argumentative nuk i ndihmon as prestigjit të së listuarve, as argumentit.

Emrat e mirëfilltë, në listë, personat që i njeh dhe i respekton publiku, mund t’i sillnin argumentet të nënshkruara individualisht; të tjerët, thjesht duket sikur i kanë hipur atij treni për të përfituar nga statusi i liderëve (pa çka se shpesh, po t’i pyesësh, as që e dinë se për çfarë është fjala); ose për t’u bërë intelektualë by association.

Në këto kohë, kur grupet gjithfarësh – nga partitë politike dhe OJQ-të dhe mafiat – kërkojnë të imponohen si i vetmi faktor me një farë agjencie në jetën publike, roli i intelektualit, për t’u imponuar si individ dhe individualisht, bëhet edhe më i rëndësishëm se çfarë intelektuali mund të thotë për këtë ose për atë çështje.

 

3 Komente

  1. Lista, sikundër grupi, jep siguri. Trimi i mirë me shokë shumë, thotë fjala e vjetër. Lista pra si mburojë kolektive dhe ilaç qetësues.
    Por lista jep edhe status, një lloj vetëcertifikimi modern. Ai që mbetet jashtë listës së intelektualëve, mund të quhet intelektual? E kam emrin në listë, pra jam intelektual, pra ekzistoj.
    Lista? Kontradiktë e gjallë. Si renditen emrat? Në bazë të fushave, moshës, peshës, apo alfabetit? Një renditje sipas konvencionit që intelektuali mundohet ta vërë në pikëpyetje?
    Lista si këmishë force apo si shprehje lirie? Klub elitar apo grupim spontan? Listë e përhershme (që ndërron emra), apo listë e përkohshme? Intelektuali dhe lista, dy koncepte që përjashtojnë njëra tjetrën. I pari humbet statusin e tij kur jep firmën për të hyrë në rresht. I dyti triumfon kur rekruton intelektualin.
    Lista? A mund të ekzistojë lista e atyre që nuk futen në listë?

    1. patjeter qe edhe ata qe nuk firmosin jane ne nje liste – u regjistrohet mungesa e prezences ne nje liste tjeter. Edhe une jam i idese se nuk shpetojme nga listat, vetem ne disa jemi me vullnet, e ne te tjera me pahir ose padije. Madje jemi te listuar ne disa lista njeherazi, me atribute te ndryshme (firmosur/nuk firmosur, i ketij apo atij grupi, me kapele/pa kapele etj.).

      Por Xhaxhai nuk e permendi shtysen per shkrimin. Une besoj se ishte nje liste ne mbeshtetje te Albin Kurtit. Ne te gjendeshin intelektuale (te afirmuar ne boten virtuale) qe listohen per t’iu kundervene listave te tjera. Kjo liste ishte nje anti-liste. Kunder listave (edhe te borderose) ku firmosin ‘anal-istet’ e editorialeve te Panorames, Shqip, Mapo e Shekullit apo te mediave vizive.

      1. Në atë listë pashë disa emra që, me pak mundim dhe përkushtim dhe guxim publik, mund të kishin shkruar individualisht për lirimin e Albin Kurtit. Dëshira e tyre për të dalë në krye formacionesh para-ushtarake nuk më emocionon.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin