MOLLË TË PABËRA

Gjithnjë e më dendur dëgjon lexues të shqipes të ankohen për cilësinë e dobët të shqipes të përdorur jo vetëm në shtypin e përditshëm dhe në mediat e folura (TV), por edhe në librat e botuar sot në Shqipëri, me autorë shqiptarë dhe të përkthyer. Jo vetëm që shqipja e shkruar po i shërbehet lexuesit me gabime shtypi, gramatikore, sintaksore dhe gjithfarë barbarizmash, ose fjalësh të huaja të panevojshme; por edhe krejt tekstet tingëllojnë të shkruara keq, pa shije dhe me struktura të ngecura, nga njerëz të cilët nuk e përdorin dot mirë gjuhën e tyre, as e njohin mjeshtërinë e të shkruarit për publikun. Meqë letërsia e shkruar keq është vetvetiu letërsi e keqe, edhe problemi gjuhësor shndërrohet në problem letrar e në përgjithësi kulturor.

Arsyet për këtë rrëgjim të shqipes janë të shumta; një prej tyre, ndoshta më praktikja, është pakësimi deri në zhdukje i redaktorëve, si ndërmjetës të heshtur të komunikimit midis autorëve të teksteve dhe publikut lexues; dhe këtu nuk e kam fjalën për korrektorët teknikë dhe letrarë, të cilët ndreqin gabimet e shtypit ose ato gramatikore, por të gjithë ata lexues të kualifikuar të dorëshkrimeve, të cilët e ndihmojnë autorin ta bëjë gati veprën për publikun. Për arsye kryesisht ekonomike, redaktorët shkurtohen kudo – nga gazetat dhe revistat, nga shtëpitë botuese letrare, nga shtëpitë botuese të teksteve shkollore; por edhe kur mbijetojnë, detyrat u vijnë duke u burokratizuar, meqë jo rrallë u kufizohen në mirëmbajtjen e marrëdhënieve të autorit me shtëpinë botuese.

Gjendja e shqipes së shkruar sot ofron një provë empirike se, pa redaktorët, cilësia e veprës letrare origjinale ose të përkthyer, ose e ligjëratës së shkruar publike në përgjithësi nuk mund të ruhet. Megjithatë, gazetat, revistat dhe shtëpitë botuese që shkurtojnë postet e redaktorëve, e bëjnë këtë ose ngaqë nuk ua vlerësojnë punën, ose ngaqë mendojnë se shitja e veprave përkatëse nuk do të ndikohet dhe aq nga cilësitë e tyre formale, sidomos nga cilësia e gjuhës në rastin e përkthimeve. Kjo është veçanërisht e vërtetë për letërsinë e ashtuquajtur eksploitative, ose pa prendendime letrare; por që e ngacmon lexuesin me temat e trajtuara: histori të krimit, fantashkencë, erotizëm, romancë, letërsi detektivësh, fantazi, etj. Nga ana tjetër, jo vetëm që niveli i kompetencës gjuhësore të lexuesit shqiptar standard po bie në nivele të mjerueshme teksa ekspertët rrahin mendime për paskajoren gege, por edhe vetë shqipja e këtyre veprave të vona ndihmon për ta shkatërruar atë kompetencë edhe më tej. Kështu krijohet një rreth vicioz, i cili ushqen breza lexuesish që jo vetëm nuk duan t’ia dinë për cilësinë e veprave të shkruara, por edhe që nuk i kanë mjetet dhe reflekset e nevojshme për ta gjykuar këtë cilësi.

Dukuria e shpërfilljes së redaktorëve nuk është vetëm shqiptare. Këto ditë ndesha rastësisht në një artikull të paradokohshëm të Blake Morrison në gazetën Observer, me titullin “Ditë të zeza për lapsin blu” (“Black days for the blue pencil”), i cili u bë edhe shkas për këto shënime, sepse më kujtoi se sa shumë u detyrohemi ne të gjithë, si lexues, redaktorëve të atyre veprave letrare të cilët na kanë bërë të dashurohemi pas letërsisë dhe fjalës së shkruar. Puna e redaktorit letrar është e shumanshme – që nga niveli i fjalisë dhe i metaforikës, deri në çështje të kompozicionit dhe të barazpeshës së veprës; sepse redaktori është për shkrimtarin zëri i lexuesit, ose shkëmbi i nënujshëm të cilin shkrimtari timonier duhet ta marrë parasysh gjatë lundrimit drejt lexuesit, për t’ia garantuar veprës së vet portin e suksesit.

Në rrafshin tekstual, ose ligjërimor, detyra e redaktorit është që ta mbajë gjuhën e veprës në funksion të rrëfimit; ose të mos lejojë që lexuesit t’i ngecë rrjedha e leximit në shprehje të ngathëta, fjali të ndërtuara keq, keqkuptime dhe ambiguitete, epitete ose metafora të konsumuara, fjalë të përsëritura pa dashur, përemra të pabashkërenduar dhe të tjera tipare që, në tërësinë e tyre, përbëjnë atë që është quajtur ndonjëherë stil i veprës.

Për ta ilustruar këtë, po sjell disa shembuj fjalish të ndërtuara keq, edhe pse gramatikisht korrekte:

(1) Karficat rrezëlluese të flokëve të rëndë, dhe krehja e tyre e mermertë sipër qafës, që ndriçohej si në ballo, kërkonin ndjesë që larg për vonesën.

Problemi me këtë fjali ka të bëjë me mbiemrin e tyre, i cili logjikisht u referohet flokëve, meqë vetëm flokët mund të krihen; por gramatikisht u referohet karficave, meqë karficat është kryefjalë e fjalisë (kjo për shkak të bashkërenditjes: Karficat rrëzëlluese… dhe krehja e tyre e mermertë). Që këtej lexuesi e ndien se në fjali ka diçka që nuk shkon, meqë karficat nuk mund të krihen.

(2) E përfytyrova prapë përqafimin me të dhe, njëlloj si më parë, flokët e saj me erën e mirë dhe gufmimin e mëndafshtë zinin vendin kryesor.

Në këtë fjali të dytë, ngecja ka të bëjë me ndërprerjen e vijueshmërisë që sjell shprehja “zinin vendin kryesor.” Vendin kryesor ku? Natyrisht në përfytyrim, por struktura e thënies është e tillë, që lexuesit i duhet ta nxjerrë veten për një çast nga hipnoza e leximit, për t’ia lidhur tekstit fijet e logjikës.

(3) Kur e lija në hotel që të hante konservat që kishte sjellë për të kursyer dietën, e dija se mendonte për mua me smirë dhe me mllef hakmarrës.

Këtu, përkundrazi, problemi është i natyrës sintaksore; ose tek dy fjalitë e varura që ndjekin njëra-tjetrën, por që nuk janë të bashkërenditura, duke u pasuar nga një formë e pashtjelluar, e cila funksionon edhe ajo në mënyrë predikative. Përsëritja e lidhëzës krijon një premisë për bashkërendim; por në të vërtetë fjalitë e varura i nënrenditen njëra-tjetrës.

Puna e redaktorit lejon pikërisht të mënjanohen probleme të tilla, ose papastërti të stilit, të cilat ia turbullojnë tejdukshmërinë ligjërimit të veprës.

Të tre shembujt e mësipërm i kam nxjerrë nga romani “Hija”, i Ismail Kadaresë (Onufri, 2003; përkatësisht në faqet 162, 208 dhe 85); dhe e kam zgjedhur autorin qëllimisht, për të treguar se edhe më i madhi shkrimtar i sotëm i shqipes nuk bën dot pa redaktor; dhe se nuk është rastësi që në prozën e këtij shkrimtari probleme të tilla kanë ardhur duke u shpeshtuar qëkur atij iu njoh zyrtarisht roli i patriarkut ose i “princit” të letrave shqipe dhe dorëshkrimet nisën t’ia trajtonin sikur të ishin faqet e munguara të “Mesharit” të Buzukut. Përkundrazi, në veprat kadarejane të viteve 1980, kur me to merrej drejtpërdrejt i palodhuri Sami Çabej, të tilla shkarje stilistike as që mund të mendoheshin dhe ligjërimi i Kadaresë gjithnjë funksiononte si instrument ideal për t’ia përçuar artin tek lexuesi.

Dihet edhe se shkrimtarët shpesh nuk kanë ndonjë konsideratë për redaktorët; por Blake Morrison kujton një thënie të bukur të T.S. Eliot, të cilin kur e pyetën nëse ishte e vërtetë se redaktorët nuk janë veçse shkrimtarë të dështuar, u përgjigj “vërtet, po a nuk janë ashtu edhe shumica e shkrimtarëve?” Në të vërtetë, roli i redaktorëve në ngjizjen e kryeveprave letrare nënvlerësohet sistematikisht; krahas me uljen e përgjithshme të cilësisë stilistike të ligjërimit të shkruar në të gjitha nivelet – leksikor, sintaksor, tekstual dhe kompozicional.

Një konfirmim, sado të tërthortë, të këtij rëgjimi të përgjithshëm ma jep lulëzimi kohët e fundit i letërsisë shqipe të botuar në Internet, kryesisht blogjeve, nga amatorë herë të talentuar e herë të stonuar; herë të sinqertë e herë të gënjeshtërt e të fryrë me veten; por që nuk i kanë as mundësitë e ndoshta as dëshirën që veprën e tyre t’ia japin një redaktori para se t’ia dorëzojnë lexuesit. Natyrisht, të shumtë janë edhe ata amatorë ose shkrimtarë të dobët që i botojnë poezitë, skicat, tregimet dhe novelëzat e tyre, madje edhe romanet në rrugë tradicionale; dhe jo vetëm në Shqipëri, ku përkundrejt një pagese të vogël mund të botosh edhe konspektet e leksioneve të Historisë së PPSH, që të kanë mbetur në sirtar nga kohë të tjera. Letërsia mund të jetë e keqe vetvetiu, jo ngaqë nuk ka kaluar nëpër duar redaktorësh; por mungesa e redaktimit në vepërzat e nxjerra online u jep këtyre një status prej fetusi të dështuar, ose embrioni të vdekur; çka është për të ardhur keq, sidomos kur autorët kanë diçka për të thënë, ose i kanë dhuntitë e nevojshme për të shkruar mirë. Problemi më shqetësues këtu, megjithatë, nuk ka të bëjë me autorët, por me lexuesit, të cilët mësohen të konsumojnë produkte të cilësisë shpesh shumë të ulët; në një kohë që autorët vijnë e mësohen me idenë absurde se redaktimi mirëfilli do t’ua dhunonte, njëfarësoj, të drejtën e fjalës, si njerëz dhe si shkrimtarë!

9 Komente

  1. Si gjithmonë, shkrim i menduar mirë, por pse kanë kaq nevojë shkrimtarët për redaktorë? Nuk më duket se skulptorët pasi mbarojnë veprën ja kalojnë ndonjë ndihmësi për ta lëmuar pak që t’i pëlqejë më shumë syrit. A mendon se dhe redaktorët do të kryenin gabime të tilla me veprat e tyre letrare dhe do t’u duhej ndonjë redaktor? Pra, a është thjesht dobësi gjuhësore/teknike tek shkrimtari, apo është diçka që shkrimtari s’mund ta bëjë për veprat e tija por mund ta bënte për veprën e dikujt tjetër?

    P.S. “nga amatorë herë të talentuar e herë të stonuar” –buzëqesha pak pasi “stonuar” e kuptova ndryshe 🙂

  2. Si do ti rishkruaja unë dy paragrafët e parë:

    Gjithnjë e më dendur dëgjon lexues të ankohen për cilësinë e dobët të shqipes së përdorur jo vetëm në shtypin e përditshëm dhe në mediat e folura (radio e TV), por edhe në librat e botuar sot me autorë shqiptarë dhe të huaj. Jo vetëm që shqipja e shkruar po i shërbehet lexuesit me gabime shtypi, gramatikore, sintaksore dhe gjithfarë barbarizmash ose fjalësh të huaja të panevojshme por edhe krejt tekstet tingëllojnë të shkruara keq, pa shije dhe me struktura të ngecura, nga njerëz të cilët nuk e përdorin dot mirë gjuhën e tyre as e njohin mjeshtërinë e të shkruarit për publikun. Meqë letërsia e shkruar keq është vetvetiu letërsi e keqe, edhe problemi gjuhësor shndërrohet në problem letrar e në përgjithësi kulturor.
    Arsyet për këtë rrëgjim të shqipes janë të shumta. Njëra prej tyre, ndoshta më praktikja, është pakësimi deri në zhdukje i redaktorëve si ndërmjetës të heshtur të komunikimit midis autorëve të teksteve dhe publikut lexues; këtu nuk e kam fjalën për korrektorët teknikë dhe letrarë, të cilët ndreqin gabimet e shtypit ose ato gramatikore, por për të gjithë ata lexues të kualifikuar të dorëshkrimeve, të cilët e ndihmojnë autorin ta bëjë gati veprën për publikun. Për arsye kryesisht ekonomike, redaktorët shkurtohen kudo: nga gazetat dhe revistat, nga shtëpitë botuese (letrare dhe të teksteve shkollore); kur mbijetojnë, detyrat u vijnë duke u burokratizuar, meqë jo rrallë u kufizohen në mirëmbajtjen e marrëdhënieve të autorit me shtëpinë botuese.

    Tek shëmbulli (1),
    zgjidhja është e lehtë, mjafton që ta pranojmë: për lehtësi marrim “e tyre” si shkurtim të “e atyre” dhe “e këtyre” e duke ditur se “e atyre” është “e atyre atje” ndërsa “e këtyre” është “e këtyre këtu”, fjalia do të shkonte lirshëm dhe shprehur sipas dëshirës të vetë autorit:
    (1) Karficat rrezëlluese të flokëve të rëndë, dhe krehja e këtyre e mermertë sipër qafës, që ndriçohej si në ballo, kërkonin ndjesë që larg për vonesën.

    Për të sqaruar rastet ku shkrimtarët ngecin do të mjaftonte një buklet i ngjashëm me “The elements of style” të W. Strunk Jr. dhe E.B. White.
    Sipas tyre (për anglishten, kuptohet) kur ka një lidhëse në mes nuk përdoret pikëpresja por presja. Në dhjetra shkrimet tuajat ju përdorni pikëpresje dhe lidhëza tok. Ndonjë rregull nga shqipja?

    Dhe e fundit:
    Kam përpara librin “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, hapur në kapitullin III. Disa tipa fjalësh me prejardhje të huaj dhe emrash të përveçëm të huaj, nga prej ku shkëput:
    36
    Fjalët me prejardhje të huaj që kanë hyrë në gjuhën tonë kryesisht pas Shpalljes së Pavarësisë, në përgjithësi nëpërmjet gjuhës së shkruar, dhe që i takojnë sidomos terminologjisë tekniko-shkencore, shkruhen kështu:
    d) Fjalët dhe emrat e përveçëm, kryesisht me burim grek, latin a iliro-trak me au, eu shkruhen edhe në shqipen me au, eu: …
    Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të tipave të mësipërm: … Euripidi, Eube-ja, Euklid-i, … etj.

    Shënim. Në pajtim me shqiptimin e ngulitur prej kohësh, shkruhen me v: Evropë, evropian, …

    Them se në pajtim me rregullin 36 pika d dhe shqiptimin e ngulitur tashmë, duhet të shkruhen me eu: Europë, europian.

  3. AC, më shkoi edhe mua mendja te krahasimi me arte të tjera, p.sh. me skulpturën.
    Nuk them dot se e njoh mirë procesin e punës të skulptorit, por kam parë se shpesh, para se të kalojë në mermer, skulptori ndërton modele prej balte ose allçije, të cilat ndryshohen derisa të arrijnë një ekuilibër të mjaftueshëm për syrin. Natyrisht, kjo nuk mund të barazohet me redaktimin letrar, por megjithatë ia vlen të përmendet.
    Nëse artet vizuale dhe muzika nuk i njohin redaktorët, letërsia, teatri dhe filmi mbështeten gjerësisht në punën e tyre; madje teatri dhe filmi edhe më tepër se letërsia e mirëfilltë. Ndoshta ky dallim themelohet mbi karakteristikat e lëndës që përdor letërsia, krahasuar me artet e tjera.
    Skulptura, piktura, muzika, baleti tradicionalisht përdorin si materie diçka që ekziston në natyrë pavarësisht nga njeriu; ose materiale elementare, të tilla si guri, ngjyra, tingulli, trupi i njeriut. Përkundrazi, letërsia krijohet duke manipuluar një lëndë ose materie e cila e ka tashmë një përdorim të vetin, si sistem shenjash – ose pikërisht gjuhën.
    Kjo do të thotë se gjuha vjen në letërsi me bagazhin e vet shenjues; sjell kuptimet dhe referencat e veta, të cilat autori mund t’i manipulojë, por nuk i mënjanon dot.
    Prandaj do të thoja se redaktori i duhet shkrimtarit edhe për ta ndihmuar t’i bëjë ballë inercisë së materialit gjuhësor; meqë letërsia përveçse përdor gjuhën si materie, është edhe vetë gjuhë (në kuptimin që funksionon si sistem shenjash pavarësisht nga gjuha që përdor; çka edhe bën të mundur përkthimin, madje edhe transpozimin në një formë tjetër arti, p.sh. teatër, balet ose film, madje edhe muzikë programatike; ose edhe arti vizual, siç ndodhte rëndom në Mesjetë me rrëfimet biblike).
    Përndryshe, një art si muzika vërtet nuk i përdor redaktorët gjatë aktit të kompozimit të veprës, por kjo kompensohet nga praktika e provave; sepse është e pamendueshme që një pjesë muzikore të interpretohet në publik pa u provuar paraprakisht.
    Njëlloj edhe teatri ose baleti.
    Kjo më bën të mendoj se çdo art e zgjidh me mënyrat e veta kontradiktën midis autorit dhe publikut – dhe se është e mundshme që redaktimi, si praktikë, të jetë specifikë vetëm për artet e mbështetura në gjuhën; njëlloj siç janë provat për artet interpretative.

  4. CD, e pranoj që kam edhe unë nevojë të ngutshme për redaktor; por të kërkosh redaktor në blog është pak e tepruar.

    Sa për pikëpresjen, këtë më kanë mësuar ta përdor për pauza që kërkojnë më shumë se presja, por që nuk e përligjin dot pikën. Shpesh kjo ndodh kur pauza e sugjeruar nga sintaksa e fjalisë është më e madhe sesa pauza që sugjeron kuptimi ose logjika e mendimit. Ndryshe nga shenja të tjera pikësimi, pikëpresja i lejon më tepër hapësirë eksperimentimit. Përndryshe, di që ka autorë që e urrejnë, madje njëri prej tyre (Kurt Vonnegut) i quante pikëpresjet “transvestite hermaphrodites, standing for absolutely nothing. All they do is show you’ve been to college” (hermafroditë travestitë, që nuk kryejnë absolutisht asnjë funksion. Vetëm sa tregojnë që ke studiuar në universitet). Të tjerë mendojnë se pikëpresja është e vetmja shenjë pikësimi e cila ndihmon kryesisht ata që lexojnë në heshtje, për qejfin e tyre. Ka edhe nga ata që përdorimin e pikëpresjes e marrin si kriter për kulturën e një shkrimi – por unë nuk do të shkoja aq larg.

  5. Redaktoret tru-kokalle
    redaktojne vjershetoret
    po me thoni cilet valle
    redaktojne redaktoret?
    Lasgushi

  6. AC thote:

    Nuk më duket se skulptorët pasi mbarojnë veprën ja kalojnë ndonjë ndihmësi për ta lëmuar pak që t’i pëlqejë më shumë syrit. A mendon se dhe redaktorët do të kryenin gabime të tilla me veprat e tyre letrare dhe do t’u duhej ndonjë redaktor?

    Besoj se ka lidhje me kompleksitetin e vepres, ose me sakte me kompleksitetin e perkufizimit te vepres. Per shembull nese do t’i referohesha arkitektures – nje tjeter arti hapesinor – duke qene se ajo perkufizohet nga nevojat funksionale ose strukturore atehere kjo e ben shume te nevojshme pjesmarrjen e konsuleteve te fushave te ndryshme. Jo rralle arkitektet “turperohen” perballe konstruktoreve per gafat qe bejne. Sic e vuri re edhe Xha Xhai, skulptoret po ashtu kane menyrat e tyre te redaktimit te veprave, megjithese jo aq te institucionalizuar sa shume arte te tjere me kompleks per nga sasia e mediumeve qe u duhet te permbledhin per t’u shprehur.

  7. Duke mos pasur blog (me duket i tepert), nuk mund te kerkoj prej atyre qe kane – redaktor ne blog; kjo do te me dukej lluks.
    Ka dy grupe blogjesh: se pari, ata ne te cilet autoret bejne cka eterit e tyre benin para pasqyres, dhe se dyti, ata, autoret e te cileve kerkojne dhe shpesh ja dalin ti kthejne ne podiume te mendimit.
    Peizazhe te fjales, i takon grupit te dyte. Cka shkruhet ketu amplifikohet tek peshku, shekulli, forumet, duke pasur aq lexues sa ka cdo media tjeter. Hamendesoj (ju duhet ti njihni) se keta lexues, nje pjese e mire e te cileve jane rritur e shkolluar jashte vendit, vijne ketu edhe per te marre nje model te shqipes se shkruar qe nuk mund ta gjejne ndryshe. Keshtu shpjegohet dhe debati qe ju bejne pa ju gjykuar si shkruani por cfare shkruani, po ashtu dhe ato dufet e nxjerra prej tyre ne anglisht.

  8. E lexova me vemendje dhe, kur lexon dicka nga pena juaj, duhet t’i ngulesh “briret mire!”, padyshim, keshtu bera. Redaktoret jane te domsodoshem, por, patjeter, duhet te jene njohes te mire te gjuhes, letersise, metrikes etj. Ndryshe, ndodh qe ne vend t’i vene vetulla, i nxjerin syte nje krijimi letrar. Per te ndjerin Sami Cabej, me vjen mire qe e kujton, se qe skrupuloz ne punen e tij. Megjithate, i nderuar, ne shembujt qe sjell per illustrim, kam edhe ndonje “verejtje” te vogel. Te ndalem tek shembulli (3): ato fjalite qe fillojne me qe, vertet jane te nenrenditura, por nuk jane te ndertuara qe te dyja me lidhez. Qe-ja e pare eshte nenrenditese qellimore, kurse e dyta eshte peremer lidhor qe, ne rastin ne fjale, sherben si kundrinor i drejte per fjaline.

  9. Përparim, ke plotësisht të drejtë: njëra nga -të tek ajo fjali është përemër lidhor, jo lidhëz! Më kishte shpëtuar. Të falënderoj që na e nderon blogun, i dashur.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: