VIKTIMAT SOVRANE

Mes shumë prapësive që mediat e Shqipërisë, pas 1990-ës, mësuan prej simotrave të tyre në Perëndim, ishte edhe interesimi i tepruar për viktimat – të krimeve ordinere, të sëmundjeve të rënda, të aksidenteve të ndryshme, të sëmundjeve profesionale dhe industriale, të keqtrajtimeve politike dhe ekonomike, të vetëvrasjeve, të dhunës në familje, të abuzimeve seksuale, të trafikut njerëzor, të drogës, të gjakmarrjes, të vetëvrasjeve, të pleqërisë e kështu me radhë; duke përfshirë këtu edhe familjarët përkatës.

Historitë me viktima kanë vetinë e çuditshme të mbajnë të gozhduar vëmendjen e një pjese të madhe të publikut, për arsye kryesisht psikologjike: identifikimi me viktimën, simpatia dhe empatia, ankthi se mos diçka e ngjashme të ndodh edhe ty ose të afërmve të tu, konfirmimi i frikërave dhe paranojave të ndryshme, konfirmimi i paragjykimeve se sjellje të caktuara do të çojnë në pasoja pak a shumë të parashikueshme e të tjera arsye edhe më të thella. Veçanërisht krimet e rënda, sidomos me sfond seksual, janë treguar jashtëzakonisht efikase në manipulimin e interesit të publikut, çka duket nga shitjet e gazetave ose numri i spektatorëve televizivë për programe të caktuara.

Vënia e viktimave në fokus pas 1990-ës do interpretuar edhe në kontekstin e një komunikimi mediatik të para-1990-ës, kur çdo lloj diskursi për viktimën ishte tabu, dhe mund të shtjellohej vetëm në mjedise private ose gjysmë-private. Nga kjo pikëpamje, të shkruaje në gazetë për një person që gjendej i vdekur në shtëpinë e vet ku jetonte i vetëm prej kohësh, ose për një aksident automobilistik në Qafë-Thanë do të perceptohej njëfarësoj edhe si shprehje e lirisë së shtypit ose në përgjithësi të fjalës; meqë mendohej se ishte e drejta e publikut që të informohej për ngjarje të tilla, edhe pse shpesh pa domethënie.

Më pas kësaj teknike sentimentale iu shtua edhe dhënia e fjalës viktimave drejtpërdrejt, në televizion, në radio ose në mediat e shkruara; nënës së një djali të vrarë për motive të dobëta, babait të një fëmije që kishte pësuar dhunë nga një pedofil, gruas të rrahur prej burrit, punëtorit të dëshpëruar në grevë urie, gjyshit të një familjeje të ngujuar për çështje të gjakmarrjes, motrës së një të mbyturi gjatë kalimit të Adriatikut me gomone… Një kategori gazetarësh të tabloideve dhe të televizionit trash e kishin kuptuar tashmë se vuajtja në ekran ose në kolonat e gazetës shiste më mirë sesa analizat sociologjike ose të politikës së jashtme. Me kalimin e kohës, diskursi për viktimat erdhi e u stërhollua dhe u nyjëtua deri në atë shkallë, sa t’i kundërvihej diskursit për elitat politike; duke u përftuar si diskurs që ka në qendër njeriun e thjeshtë, i cili përkufizohet nëpërmjet formulës vuaj, pra jam.

Pas këtij shndërrimi tipologjik, hapi tjetër i logjikshëm do të ishte njohja e sovranitetit të viktimave, për çështjet specifike që kanë lidhje me vuajtjet e tyre. Për shembull, nëna e një fëmije të abuzuar seksualisht dhe pastaj të masakruar prej një personi të çekuilibruar, pyetet nga gazetari se çfarë dënimi i duhet dhënë, sipas saj, autorit të krimit – “të dënohet me vdekje”, thotë gruaja, dhe askush nuk guxon ta kundërshtojë në dhimbjen e saj, meqë dhimbje të tilla u japin njerëzve shenjtëri. Këtë mekanizëm e shfrytëzojnë jo vetëm mediat, të cilat rendin të bëjnë publike deri edhe ndjenjat më private (“kur e morët vesh që ju kish vdekur fëmija”, “çfarë ndiet në atë moment”, “çfarë iu tha burri”, “çfarë mesazhi keni për nënën e vrasësit”), por edhe politikanët, për të cilët shpesh vuajtja e televizuar ose e rrëfyer shndërrohet në kanal për të përçuar mesazhet politike përkatëse. Zallahia e përditshme në shtypin opozitar për fatkeqësinë e Gërdecit, ose mënyra sesi vuajtjet e banorëve të atij fshati po përdoren, haptazi, për të luftuar qeverinë e Berishës, më duken si shprehja e fundit e kësaj manie në thelb imorale për të vënë gjithçka në shërbim të marrjes ose të ruajtjes së pushtetit.

Mediat që rendin me kamera, mikrofonë e magnetofonë pas familjarëve të viktimës së një krimi të rëndë, për t’u marrë e regjistruar drejtpërdrejt përshtypjet dhe reagimet për krimin janë dyfish fajtore – sepse ua cenojnë këtyre njerëzve të drejtën për ta vuajtur dhimbjen e tyre me dinjitet; dhe sepse, dashur pa dashur, kontribuojnë në deformimin e debatit për çështje madhore dhe delikate të ligjit, të moralit dhe të pushtetit. Është afërmendsh që një krim i rëndë e i shëmtuar për motive të dobëta të rikthejë në publik debatin për dënimin me vdekje; është imorale që të përziesh në këtë debat familjarët e viktimës.

Për të njëjtën arsye, familjarët e viktimave të aksidenteve rrugore të shkaktuara ngaqë në timon ka qenë një i dehur nuk janë personat më të përshtatshëm për t’u shqiptuar, kur është fjala për të ndryshuar ligjin përkatës; as janë familjarët e një viktime të kancerit të mushkërive personat më të përshtatshëm për t’u intervistuar, në lidhje me një propozim për ta ndaluar duhanin në trotuare. Në të gjitha këto raste, shoqëria vërtet ndërhyn për të parandaluar viktimat e ardhshme, ose për të ngushëlluar, sipas mundësisë, viktimat ekzistuese; por kjo nuk mund të bëhet duke i nxjerrë viktimat vetë para kamerave, për të nxitur ose manipuluar opinionin publik.

Nga ana tjetër, përvoja e vendeve Perëndimore tregon se, jo rrallë, për të çuar përpara çështje të ndryshme, ose propozime për ligje dhe iniciativa të tjera me vlerë sociale ose etike, energjia e viktimave ose e shoqatave të viktimave është e pazëvendësueshme. Mjaft të kujtoj rolin që ka luajtur këtu në SHBA Cindy Sheehan, nënë e një ushtari amerikan të vrarë në Irak, për të mobilizuar opinionin publik në lidhje me absurditetin e luftës së atjeshme; rol që, ndër të tjera, nuk do mund të realizohej pa ndihmën e mediave, tradicionale (gazeta, TV) dhe alternative (blogjet). Edhe shoqata të ndryshme të cilat përpiqen të tërheqin vëmendjen e opinionit dhe të institucioneve për probleme të ndotjes së ambientit, ose të dhunës në familje shpesh drejtohen dhe frymëzohen nga viktimat përkatëse dhe familjarët e tyre.

Si edhe në herë të tjera, më duhet të përfundoj se fajin nuk e kanë viktimat, as përpjekjet e një kategorie viktimash për t’i bërë vuajtjet dhe kalvaret e tyre publike, madje as ato media që nuk ngurrojnë t’u japin viktimave dhe shoqatave të viktimave hapësirën e nevojshme për të përcjellë mesazhet e tyre; por në radhë të parë e sidomos ato media që viktimologjinë e shfrytëzojnë për qëllime të cilat nuk lidhen drejtpërdrejt as me vuajtjet e viktimave, as me kauzat për të cilat ato luftojnë, të tilla si nevoja për të shitur më shumë, për t’ia marrë publikun konkurrencës, për të promovuar nisma të ndryshme politike, ose për të rrëzuar qeverinë në pushtet, ose çfarëdo autoriteti qendror ose lokal të prekur njëfarësoj nga krimi, vuajtja ose skandali i radhës. Suksesi i këtyre hijenave mediatike varet edhe nga sentimentalizmi i përgjithshëm që karakterizon komunikimin publik në Shqipëri, i cili tashmë e ka gjithë delikatesën e një soap opera portorikane.

Për fat të keq, mbizotërimi i këtij lloj komunikimi sentimental dhe i këtij manipulimi shpesh grotesk ua ka deformuar mesazhin edhe shoqatave dhe grupeve përfaqësuese të mirëfillta të viktimave në Shqipëri – të ndotjes së mjedisit, të abuzimit me ndërtimet, të mashtrimeve me shoqëritë financiare piramidale, të dhunës së pushtetit, të Kanunit, të krimit në familje, të diskriminimit, të sëmundjeve të pashërueshme, e kështu me radhë; sepse shumë nga këto shoqata dhe grupe kujtojnë tani se vëmendjen e publikut mund ta tërheqin vetëm në mënyrë sentimentale, ose duke i mëshuar frikës, tmerrit, neverisë, urrejtjes, dëshirës për hakmarrje, ose mëshirës së publikut. Në këtë vështrim, deri edhe vetë supozimi i heshtur se shoqëria, duke përfshirë këtu edhe shtetin, u detyrohen diçka të gjithë atyre që vuajnë, përtej mekanizmave të ligjit, të asistencës sociale dhe të mjekimit, është lënë dhe lejuar të kultivohet deri në absurditet.

2 Komente

  1. Po nisem nga nje premise per ta zgjeruar kete argumentim. Sovrani dhe robi jane ne korelacion. Ekzistenca e njerit mundeson ekzistencen e tjetri. Ky korelacion paradoksal mund te zhvendoset edhe ne raportin xhelat-viktime. “Xhelat”-i mund te jete gjithecfare: rrethane sociale, semundje, aksident rrugor, hakmarrje etj. Mjafton qe te jete lende e perdorshme per te krijuar nje storie, nje duf te brendshem dhe nje keqardhje. Mjafton qe te luhet me nocionin e te vertetes dhe te drejtesise. Mjafton qe te cytet sentimenti njerezor dhe per te marre ne mbrojtje viktimen dhe mjafton qe te krijohet dramaciteti per te marre secili rolin e vet, per te vene masken e nevojshme dhe per te shperfaqur ne hapesiren publike sentimente te padiskutueshme njerezore.

    Meqe jemi qenie njerezore, gjithe kjo pjesemarrje aktive dhe nganjehere afektive mbetet e padiskutueshme, nga se ne sfond te ketyre ngjarjeve rrine e kerleshur vdekja e gatshme per te na perveluar me pranine e saj dhe e gatshme per te na pershperitur lehtesisht ne vesh :” ti mund te jesh njeri nga ta”. Mendoj se prania e afert e vdekjes dhe pangishmeria e perhershme ndaj jetes shkulin lehtesisht pjesemarrjen melankonike ne raste te ketilla, te cilat mund te konsiderohen si normalitet. Kjo mund te perceptohet si ontologji njerezore dhe si fatalitet gjeneaologjik e mbeshtjell me gjene me serioze tonen, te perbashket, vdekjen.

    Hileja fillon, kur ky dimension njerezor ontologjik, i pakapercyeshem, zhvatet nga mediat dhe kur prej gjithe kesaj krijohet imazhi i percipte i pjesemarrjes shtirake, ne emer te vertetesise dhe drejtesise apo te ndonje “motivi” tjeter. Ne fakt, nga ky moment, nga nje “drame antike” me predispozita per te rene ne gjendje puro-njerezore, kalohet ne nje “teater kukullash”, ku penjte mrekullisht dhe fatalisht i terheq ambicia politike ose “detyra”, ne kete rast gazetaria…

    Mendoj se rrefimet ne kete rast, kam parasysh mediumet, nuk duhet te jene kuje per te nxitur pjesemarrjen e te gjitheve ne forcen perbashkuese te tragjedise, por fakte per te ndricuar dhe per ti dhene epilog njerezor ngjarjes. Ky keqkuptim me duket elementar te mediumet. Per me teper, ne kesi rastesh une shoh edhe nje korelacion tjeter paradoksal: tek ata qe perpiqen te shkulin keqardhjen nga viktimat per teke mediatike une shoh nje xhelat potencial!

  2. Tragjedi “shekspiriane” në qelitë e burgut të sigurisë së lartë, Peqin.

    Kështu e niste sot “Gazeta Shqiptare” lajmin për një ngjarje të rëndë në burgun e Peqinit, ku një i burgosur vrau gruan pastaj edhe veten.

    Tragjedi shekspiriane? Te ky shpërpjesëtim midis ngjarjes vetë dhe diskursit që e përcjell, e që nuk mund të shpjegohet vetëm me shijen e trashë ose padijen e gazetarëve ose të gazetës vetë, unë gjej provën se, këtë kategori mediash krime të tilla e lënë krejt indiferente. Vetëm nevoja për t’u shtirë, ose për të stimuluar një efekt emocional sa artificial aq edhe të menjëhershëm mund të prodhojë atribuime të tilla boshe.

    Media të këtij kallëpi natyrisht nuk janë të detyruara të ndiejnë së bashku me lexuesin, por kur duan të hiqen sikur po marrin pjesë në frikën ose hidhërimin publik e përdhosin edhe më tej vdekjen ose viktimën; sepse përshtypja që të lënë është se po duan të ndiejnë e të vuajnë në vend të lexuesit, duke ia dhënë të gatshme jo vetëm ngjarjen, por edhe reagimin përkatës.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: