SPEKULIMI ME MOTIVET

Po e nis me tre shembuj:

Shembulli A: Ministri i Punëve të Brendshme ka deklaruar se lufta kundër krimit ordiner, veçanërisht grabitjeve të pronës private të qytetarëve, do të marrë përparësi në punën e dikasterit që drejton. Një gazetë e opozitës u shpjegon lexuesve të vet se kjo politikë e re e qeverisë në lëmin e ruajtjes së rendit ka të bëjë me faktin që para pak muajsh, vëllai i ministrit humbi jetën në përleshje me hajdutët që i kishin hyrë në shtëpi.

Shembulli B: Ministri i Kulturës dhe i Sporteve, i cili ka qenë në të ri lojtar futbolli i Kategorisë I, ka shpallur dje një program të posaçëm investimesh, i cili do të bëjë të mundur që çdo shkollë në Shqipëri të ketë fushën e vet të futbollit. Mediat kanë vënë në dyshim, me këtë rast, paanshmërinë e ministrit në fjalë, duke spekuluar se e kaluara e tij ka luajtur rol të palejueshëm në orientimin e politikave ministrore.

Shembulli C: Kryeministri i ri dje bëri të ditur se qeveria e tij do t’i kushtojë vëmendje të veçantë ndërtimit dhe rehabilitimit të rrjetit rrugor automobilistik të vendit. Mediat shpejtuan të vënë në dukje se dhëndri i Kryeministrit është pronar i një kompanie të njohur e të madhe ndërtimi, e cila ka praktikisht monopolin në ndërtimet rrugore.

Këta pak shembuj të sajuar mjaftojnë për të krijuar një ide për natyrën e problemit – ose mënyrën si marrëdhëniet midis interesit vetjak dhe interesit publik pasqyrohen më një anë në veprimtarinë e pushteteve dhe më anë tjetër në përpunimin e opinionit publik prej mediave. A ka vend të mendohet se mediat priren ta analizojnë një politikë ose një propozim të caktuar me rëndësi publike jo aq në bazë të premisave që e kanë sjellë në jetë ose të pasojave që mund të ketë, por më tepër duke u përpjekur të zbulojnë motivet e fshehta që e kanë frymëzuar?

Në shembullin A, politika e dhënies përparësi luftës ndaj krimit ndaj pronës private duhej analizuar duke marrë në shqyrtim të dhënat e krimeve të kryera në Shqipëri; në qoftë se kategoria e vënë në shënjestër nga politika e re është vërtet mbizotëruese, atëherë fakti që ministri mund të ketë një motiv më tepër për t’i kushtuar vëmendje pikërisht atij krimi është irrelevant. Përkundrazi, nëse shifrat tregojnë se problemi kryesor për qytetarët mbeten vrasjet dhe plagosjet për vetëgjyqësi, atëherë mund të spekulohej se ministrit ia ka errur sytë fatkeqësia e të vëllait.

Në shembullin B, fushata për t’i pajisur shkollat me fusha sportive është e paqortueshme në vetvete; madje është mirë që ministri vetë, si ish futbollist, e kupton ndoshta më mirë se dikush tjetër sa rëndësi ka një sport si futbolli jo vetëm për zhvillimin fizik të fëmijëve, por edhe për të forcuar frymën e bashkëpunimit në grup dhe të solidaritetit, në emër të një qëllimi të përbashkët. Në këtë rast, plani i ministrit mund të kritikohej duke vënë në dukje se shkollat në Shqipëri kanë nevoja të tjera, më të ngutshme sesa fushat e sportit; për shembull për klasa, për mësues, ose për nëndrejtorë. Përndryshe, e kaluara futbollistike e ministrit është fakt anekdotik, që nuk ia vlen të përmendet.

Në shembullin C, i cili është veçanërisht delikat, dhëndri i Kryeministrit mund të ketë vërtet interes të drejtpërdrejtë në kontratat qeveritare për ndërtime rrugësh, por kjo megjithatë nuk provon aspak që politika në fjalë është formuluar në mënyrë të tillë, që të pasurojë familiarët e Kryeministrit. Këtë do ta provonte vetëm zbulimi i padrejtësive në tenderimet përkatëse, ose argumentimi se vendi nuk ka nevojë për rrugë automobilistike, por për hekurudha. Madje edhe sikur kompania e dhëndrit t’i fitonte këto tenderime dhe dhëndri vetë të pasurohej duke ndërtuar rrugët, kjo nuk mund të përdorej për të diskredituar politikën në fjalë, sa kohë që tenderimet janë zhvilluar të rregullta, rrugët janë të cilësisë së mirë dhe qytetarët kanë përfituar realisht nga kjo politikë.

Me fjalë të tjera, roli i mediave nuk është të gjykojë politikat në bazë të motiveve të atyre që e kanë formuluar ose e kanë zbatuar, por nga pasojat që këto politika kanë sjellë në jetën publike. Në qoftë se një kryetar bashkie, i cili qëllon të jetë i fesë katolike, miraton një projekt për ndërtimin e një kishe katolike në qendër të qytetit, përkatësia e tij fetare nuk mund të përdoret drejtpërdrejt si argument për të diskredituar miratimin. Tek e fundit, askush nuk mund ta dijë me siguri se për ç’arsye ky kryetar bashkie e ka miratuar projektin – ndoshta sepse qytetit vërtet i duhet një kishë katolike; ndoshta sepse është katolik dhe i prirur për të parë me sy të mirë çdo propozim që e ndihmon atë besim; ndoshta sepse një grup biznesmenësh katolikë i ka paguar një rryshfet të majmë; ndoshta sepse një natë para miratimit i doli në ëndërr i jati i vdekur dhe iu lut që ta miratonte projektin. Motivet që i shtyjnë njerëzit të veprojnë kurrë nuk mund të përcaktohen me siguri. Prandaj e vetmja mënyrë për të gjykuar është ajo që niset nga vlerësimi i pasojave; dhe në rastin konkret, një analizë e nevojave reale të komunitetit për një kishë të re katolike.

Sot në forumin “Peshku pa ujë” ishte hedhur për diskutim një shkrim i veprimtarit të PS Gjergj Koja, botuar në “Panorama”, me titullin “Shkërmoqja e rrezikshme e PS.” Autori analizonte në shkrim disa probleme organizative të partisë së vet, të cilat qenkan shkaktuar nga politikat drejtuese të kryetarit Rama. Unë nuk e ndjek nga afër Partinë Socialiste dhe nuk jam në gjendje të them asgjë për vërtetësinë e akuzave të Kojës; megjithatë më duket me interes të sjell këtu komentin e mëposhtëm, prej një anëtari të forumit:

Ky z. Koja mos eshte ai ish-Ministri i Shendetesise kur ishte vec 29 vjec, qe ka mbaru per mjeksi po s’ka punu ndonje dite si mjek, qe ka qene kryetar i FRESSH po ja boni pucin Rama?

Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në këtë koment, i cili ndjek një stil tashmë të rafinuar mirë prej mediave shqiptare, duke u përqendruar në faktorin biografik ose në motivet që mund ta kenë shtyrë autorin Gjergj Koja të shkruajë. Mirëpo që Koja ka qenë emëruar ministër shëndetësie në moshë të re dhe ndoshta pa përvojën e duhur; ose që është shkarkuar nga posti i kryetarit të FRESSH-it prej po kryetarit Rama që e kritikon në artikull nuk kanë asnjë lidhje me problemet që trajton artikulli vetë, ose krizën organizative të PS-së. Siç thashë, asgjë e jashtëzakonshme, përveçse që komenti arrin ta përmbledhë në pak rreshta gjithçka shkon keq me qasjen që u bëjnë mediat shqiptare analizave të politikave publike.

Nga ana tjetër, që mediat shqiptare e kanë shpërfillur krejt etikën e komunikimit me publikun, duke hulumtuar motivet e protagonistëve të jetës politike e duke u përfshirë në pseudoanaliza psikologjike ose teori komploti ndonjëherë qesharake, nuk do të thotë se pushtetarët e sotëm nuk përpiqen me çdo kusht që ta përdorin shtetin dhe pushtetin si mjete për të realizuar qëllimet e tyre private dhe pikërisht për t’u pasuruar me paranë publike dhe në kurriz të publikut; por vetëm që ky lloj korrupsioni në majë të shtetit nuk mund të zbulohet duke shtënë fall për motivet; as duke rrëmuar në faktet biografike të pushtetarëve, për të qëmtuar lidhje hipotetike midis interesave të tyre vetjake dhe politikave publike të promovuara dhe të miratuara prej tyre. Në një shoqëri liberale dhe pluraliste roli i mediave është të analizojë pasojat e politikave dhe të veprimtarisë së degëve të pushtetit, jo të gërmojë në nënvetëdijen e politikanëve e të pushtetarëve; meqë ky lloj abuzimi është i dënuar të mbetet gjithnjë shterpë në rezultatet.

Tani, spekulimi ka vendin e vet në gazetari; sidomos për një kategori të gazetarisë trash, e cila përpiqet ta dëfrejë lexuesin duke i ofruar pisllëqe, skandale, insinuime seksuale dhe të tjera thashetheme që kanë për temë protagonistët e jetës publike, politikanët dhe celebrities, ose politikanët si celebrities. Mirëpo kjo lloj gazetarie mund të përligjet në treg vetëm sa kohë që i kundërvihet gazetarisë serioze, ose atij institucioni mediatik që përpiqet të ndërmjetësojë midis ligjërimit politik të pushtetit dhe së vërtetës. Në qoftë se kjo e dyta mungon, atëherë e para nuk është më gazetari, por domate e prishur.

Përfytyroni për një çast momentin kur ministri ish-futbollist do t’i parashtronte parlamentit hollësitë e projektit të tij për t’i pajisur shkollat me fusha futbolli. Deputetët e opozitës nuk do ta kishin lënë as të mbaronte, por do t’ia prisnin fjalën duke ia kujtuar të kaluarën e vet si futbollist, që nga penalltitë e humbura deri te ndeshjet e shitura. Ndonjëri do t’ia përmendte edhe që, si futbollist, ministri nuk kishte shkëlqyer; ndonjë tjetër do t’i kthehej e do t’i thoshte se, po ta bënte punën e ministrit ashtu siç kishte luajtur futboll dikur, atëherë mjerë fëmijët shqiptarë të shkollave; ministri do të nxehej dhe do të provonte edhe ai dorën (ose më mirë këmbën) me ndonjë fakt pikant nga jeta e interpeluesit; pastaj e gjithë kjo do të degradonte në një breshëri akuzash reciproke me dosje të sigurimit, shitblerje, llogari bankare shumëmilionëshe dhe motra që prostituohen moteleve.

Shkaqet e farsës që luhet në skenat e përditshme të ligjërimit publik janë të shumta; por nuk gaboj po të rendit mes tyre edhe kulturën e sëmurë të komunikimit, ose paaftësinë e palëve për ta mbajtur veç publiken nga privatja, madje edhe atëherë kur këto janë të mpleksura. Mediat duhej të ofronin shembuj për t’u ndjekur në këtë lëmë dhe në të vërtetë shembuj kanë ofruar dhe vazhdojnë të ofrojnë – por gjithnjë negativë dhe dëmprurës, deri në atë shkallë sa të rrezikojnë të kthehen në gangrenë të vetë ligjërimit publik. Spekulimi me motivet është vetëm një nga simptomat e kësaj gangrene.

2 Komente

  1. Stili i “argumentimit” qofte ne rastin A, qofte ne rastin e shkrimit te Kojes dhe komentit qe eshte i atille per nje arsye. Mungesa e indikatoreve te besueshem e te pavarur. Pra mungesa e shifrave/statistikave. Psh. ne rastin A une personalisht nuk do te kisha shume besim tek statistikat (nese ekzistojne) e institucioneve shteterore si psh. ato te policise se shtetit (per shkak politizimi etj.). Ne kushtet shqiptare ku vete indikatore te rendesishem ekonomike vendosen me nje te rene te lapsit (mua me habiste psh. qe rritja ekonomike ne kohen e qeverive socialiste ishte cdo vit fiks 6%), per me teper kur dihej se nje pjese e mire e ekonomise ishte informale, nuk eshte fare habi qe edhe statistikat mbi krimet te jene jo te plota apo te trukuara ne rastin me te keq. Nga kjo mungese shifrash gazetaret kane vite tashme qe “punojne” ne nivelin e thashethemeve/motiveve eventuale per vendime te ndryshme.

    Rasti i shkrimit te Kojes mbi shkaterrimin e PS vete ndryshon sidoqofte nga rastet A, Bdhe C. Artikulli te linte shijen e nje sulmi personal ndaj X-it dhe ishte i ndertuar ne menyre te atille qe nuk mund te vertetoje shume nga ato qe pretendoheshin aty. Pra komentuesit nuk i mbetet asgje tjeter pervecse te spekulloje mbi motivet e shkruesit. Pra ishte vete shkrimi qe e linte veten te hapur ndaj goditjeve personalo/biografike.

    Sidoqofte, problemi eshte se ky lloj stili argumentimi eshte kthyer ne standart ne mediat shqiptare dhe pranohet tashme nga lexuesit. Pra edhe nese ne nje moment te caktuar shifrat do te ekzistojne, mediat do te vazhdojne per inerci me te njejtin stil dezinformues. Akoma me keq, ky stil ben “gazetar” kedo qe eshte ja thote pak ne alkimine e gjetjes se motiveve te errta te njerezve.

  2. Une nuk i ndjek me aq interes sa autori i ketij shkrimi mediat e shkruara ne Shqiperi. Por, duke lexuar disa gazeta, here pas here ndeshem me disa shkrime qe jane shume banale, pa pike etike. Kjo, mendoj une, eshte edukata qe i percillet lexuesve sepse edhe nje gazete percjell tek publiku nje tip mendimi qe e mbron nga llafazant, trafiku, kontrabanda apo dhe njohja e ligjeve ne menyre me te shkoqur.

    Problemi tjeter eshte se shqiptaret (nuk dihet shume mire me perqindje) ne te kaluaren u damkosen me vulat e sigurimit te shtetit. Kjo damkosje, ne nje menyre tjeter, me te sofistikuar, nderhyn ne sistemin kapitalist.

    Vetem te lexosh shkrimet qe u hodhen me ngut mbi plloçken qe beri Kryeministri dhe Kryetarja e Parlamentit qe harruan epoken vizuale ne te cilen jetojne, sheh sesa te poshter jane disa gazetaruce qe mundohen te thojne ndonje gje, por vetem perbaltin ate hov apo deshire qe ndodhet ne Shqiperi per te jetuar me mire.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin