MJERIMI I SHKRONJARËVE

Vërejtja e hollë që më bënë, në komentet e ResPublica-s, se e kisha “dizinformuar” publikun qëllimisht, për të marrë “honorarin,” më kujtoi gjendjen e mjeruar financiare të atyre që shkruajnë e që, në përgjithësi, krijojnë në Shqipëri.

Natyrisht, mua ResPublica nuk më paguan gjë, sikurse nuk besoj se tani i paguan gjë kujt.

Ndërkohë, të thuash mes shqiptarësh se jeton me honorare është turp; sepse burri që është burrë nuk i fiton paratë duke shkruar, por me punë të tjera burrnore – p.sh. duke shitur autorizime dhe leje-ndërtimi, duke koordinuar një çetë të vogël “vajzash,” duke provuar e ndonjëherë edhe manipuluar fatin me baste, duke shitur drogë, me grykën e alltisë ose edhe thjesht duke të lënë ty gjallë.

Ka qenë një kohë, kur ndonjë gazetë edhe jepte honorare – për shembull Rrfeja!; mirëpo edhe te Rrfeja! filluan ta kuptojnë se edhe sikur t’ua mohonin hakun e punës shkronjarëve, asgjë nuk do të ndodhte. Dhe ashtu e bënë.

E kam ende në sirtar marrëveshjen të nënshkruar nga një bos i atëhershëm i gazetës, ku përcaktohet me hollësi se sa do të paguhesha për shkrimet origjinale, dhe sa për shkrimet që m’i merrnin, kur të donin, nga blogu.

E megjithatë, për një vit të tërë ajo marrëveshje nuk u zbatua. Kur vajta në Tiranë herën e fundit, dhe u interesova, më thanë se Rrfeja! as gazetarëve të vet heronj nuk po ua paguante rrogat; dhe në këto rrethana pikëllimtare, nuk m’u bë ta vazhdoja luftën.

Drejtuesit e Rrfesë! t’i gëzojnë shkrimet që më kanë vjedhur; nuk janë as të parët, as të fundit, as të vetmit. Çfarë më shqetëson, është që publiku e konsideron normale këtë lloj marrëdhënieje, ku ai paguan, qoftë edhe simbolikisht, për të blerë një produkt, i cili mbahet me lëndë të parë të papaguar.

Të thonë: informacioni duhet të jetë falas. Parim fisnik (dhe komunist nga natyra), por që disa prej nesh e kanë kuptuar jangllëç, dhe pikërisht kështu: krijuesit e teksteve nuk duhen paguar, por të punojnë për shpirt të babait.

Të thonë: gazeta shitet me çmim aq të ulët, sa nuk arrin dot t’i mbulojë as shpenzimet e shtypshkronjës. Por nëse është kështu, ajo nuk është më gazetë, por fletushkë propagandistike, vitrinë partiake a megafon; në qoftë se nuk është thjesht hobby e pronarit megaloman, si ca skuadra futbolli që i njohim.

Dy vjet më parë, u interesova, gjithnjë në Tiranë, që të gjeja ndonjë grant modest, për të vazhduar studimin tim për Shqipen totalitare, meqë do të më duhej të kaloja shumë kohë në bibliotekat dhe arkivat e atjeshme.

Më thanë të shkoja te Sorosi. Pastaj më thanë se Sorosi nuk financonte më studime dhe libra, prandaj duhej të shkoja te ambasada zvicerane, ose ajo spanjolle. Kushedi edhe Selia e Shenjtë mund të kontribuonte diçka, ose Shkencologjia, ose Shoqata Skandinave për Mbrojtjen e Pelikanëve.

Më thanë këtë dhe atë… gati sa nuk më bindën se propozimi im do të kishte më shumë shanse, sikur shqipen totalitare ta studioja nëpërmjet ndonjë baleti a pantomime; ose ta paraqitja nëpërmjet shqetësimeve të ndonjë pakice etnike ose kulturore – p.sh. romët.

(Për romët ka gjithnjë pará, edhe pse romët vetë nuk kanë asnjëherë gjë, veç kujdestarëve!)

Çfarë nuk më thanë, ishte që t’u drejtohesha institucioneve shqiptare. Ministria? Je në metro? Po ku ka lekë ministria?

Po mirë, Akademia atëherë. Qenke në humor sot – Akademia nuk ka lekë as për të larë perdet!

Unë isha gati t’i kërkoja grant deri edhe Ministrisë së Brendshme, ose Gardës së Republikës – por më siguruan se shteti nuk financonte dot asgjë; e shumta, mund të jepte ndonjë çmim ose dekoratë. Sidomos për dekoratë nuk ishte fare problem.

Më thanë: kërkoje një grant në ShBA, se mund ta fitosh.

Të nëjtët njerëz që gjykonin se shteti shqiptar dhe institucionet publike nuk kishin interes të financonin një studim, i cili merrej me një aspekt kritik të kulturës dhe të historisë kombëtare; më shpjegonin pastaj se si do të më ndihmonte një shtet ose institucion tjetër, i huaj.

Se a nuk janë donatorët gjithnjë të huaj?

(Këto ishin vitet kur shteti shqiptar i blatoi nuk di sa qindra-mijëra dollarë kineastit shqiptaro-amerikan Derek Kapshtica, për të përpunuar një skenar filmi! Granti që kërkoja unë nuk do t’i kish dalë zotit Kapshtica as për të paguar hakun e lustraxhiut.)

Me një fjalë, unë kisha më shumë shanse që ta fitoja grantin për shqipen totalitare nga një kolegj provincial në Indiana, sesa nga Universiteti i Tiranës ose nga Ministria e Kulturës.

Nuk di të them nëse është kështu apo jo; por di të them se njerëzit kështu besojnë – dhe pikërisht, se paratë për kulturën në Shqipëri i japin të huajt, ndërsa shqiptarët veç i futin në xhep.

Përkundrazi, institucionet shqiptare, madje edhe ato të kulturës, specializohen që t’u japin para të huajve për “promovimin e imazhit” të Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare; dhe ky është gjithashtu fakt.

Njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën.

Publiku i përcjell këto hatá me indiferencë totale; duke shijuar, ndërkohë, frytet e një kulture e cila paguhet prej të huajve, për arsye që nuk i dimë dhe që nuk duam t’i dimë.

Pa çka se kjo kulturë, e subvencionuar nga jashtë, nuk ka shumë shanse që të hedhë rrënjë dhe të integrohet në mënyrë organike në indin kombëtar.

Në të njëjtën mënyrë, ajo gazetë që nuk i paguan autorët, do të rrezikojë të përfundojë në fletushkë që mbijeton me shkrime të porositura partiake; kur nuk mbijeton duke marrë materiale poshtë e lart, në qipshtet e botës.

Ka shpirt të babait, por ka edhe shpirt të padronit dhe shpirt të partisë. Mjaft të dish të zgjedhësh.

Duke u mohuar profesionistëve të fjalës dhe të shprehjes mundësinë për të jetuar falë profesionit të tyre, shoqëria vë në rrezik jo thjesht kategorinë profesionale, por vetë fjalën e lirë.

Shënim: për arsye të vetëkuptueshme, disa emra të përveçëm në shkrimin më lart i kam ndryshuar.

Nuk ka komente

  1. Ne Shqiperi ne shumicen e rasteve, do zgjedhin shpirtin e padronit apo shpirtin e partise. Kultura e fitimit apo e parase eshte nje kulture akoma tranzitore ne Shqiperi. Perfitimi, abuzimi, veteafirmimi gangsteresk jane tiparet e neobiznesmenit, neoafaristit, neopolitikanit tranzitor shqiptar. Kultura ne Shqiperi konsiderohet akoma si luks i pakices apo “te krisurve”. E mire kultura, por s’te sjell buke, s’ia vlen te investosh ne kulture. “Me i shpejti, me i shkatheti, me i zoti” – kjo eshte motoja me e njohur ne Shqiperi. Nese dikush perveteson “pasurine krijuese” te tjetrit, kjo s’konsiderohet vjedhje, mbasi krijimtaria nuk konsiderohet “pasuri e patundshme”. Ne rastin me te mire, mund ta perdoresh si te duash “te drejten e shenjte individuale te krijimtarise” te tjetrit, mbasi ligjet jane krijuar vetem per “pronat e patundshme”.

  2. Nuk di të them nëse është kështu apo jo; por di të them se njerëzit kështu besojnë – dhe pikërisht, se paratë për kulturën në Shqipëri i japin të huajt, ndërsa shqiptarët veç i futin në xhep

    Eksperienca ime e para 5-6 viteve eshte shume e ngjashme. Jo vetem per kulturen por edhe parate per shoqerine civile vijne ne pjesen derrmuese nga te huajt, ambasadat, pelikanet, sorosi etj. E kote te thuhet se kjo nuk eshte aspak e shendetshme dhe njerezit nuk duhet te habiten kur gay paradat financohen si maskarade e importit te neurozave perendimore dhe levizje shoqerore me potencial nuk mbijetojne. Shqiptaret akoma nuk e kane zhvilluar kulturen e kontributit per nje kauze megjithese barqet dhe qafetrashurit dhe pipezat partiake jane shtuar ne menyre alarmante. Ndryshe Kosova ku edhe pse me e varfer se Shqiperia njerezit kontribuojne.

    1. E të mendosh se ne kemi patur edhe gjysmë shekulli komunizëm. Pak ironike. do të thoja. Vallë ku shkuan gjithë këta komunistë “idealistë”?

      Duket se i përqafojmë gjërat, siç edhe vihet re nga fenomeni i përshkruar këtu, të cilin e njoh edhe vetë personalisht, sa për t’u dukur, për t’i shfrytëzuar e më pastaj kur nuk na duhen, e kur në arsenalin e armëve tona nuk ka vend më, për t’i hedh në kosh të plehrave.

  3. Vrojtime me vend. A kisha mujtë disi me të dërgue të holla me Paypal? S’pakut nji shumë simbolike e kisha nda herë pas here, tue pasë parasysh që ka sa kohë që ta lexoj bllogun rregullisht e me kënaqësi.

    1. Të jam mirënjohës për sa shkruan. Po mendojmë për një mënyrë si ta “formalizojmë” këtë, duke shtuar një buton në faqen hyrëse të blogut. Por mesazhi yt është gjithsesi shumë fisnik.

      1. Shume e mire ideja me butonin – presim ta shtoni ne blog, qe ta perdorim! Nje menyre tjeter per financimin e plote apo te pjesshem te projekteve te vecanta si psh nje liber te ri apo nje studim si ai per ‘Shqipen totalitare’, mund te jete nje lloj ‘donation-based crowdfunding’..

  4. Po te ishin burra ato te Respublikes, Dites, MAPOs, Shekullit, Shqiptares, PPU, Panorames e etlj. do te merrnin kete shkrim e do ta publikonin, jo per ti bere nder autorit sesa publikut.

  5. “Sidomos për dekoratë nuk ishte fare problem.”

    natyrisht shteti eshte gati per te dhene dekorata, sepse ato nuk kushtojne asgje (artan lame qe meret me keto gjera kishte shkruar para disa vitesh se deokoratat dhe medaljet behen nga llamarina kineze qe u del boja, as gjasash te prodhuara ne ‘people’s republic of led paint’), as si materjal fizik as si materjal moral.

  6. Atë punën e Derek Kapshticës e kam dëgjuar edhe unë. Turp për besë; dhe ç’ka është me e keqja, as film u bë dhe as për t’u bërë ka.
    Për të folur më konkretisht, kam parë vetë me sytë e mi borderonë e Panoramës para ca vitesh në Tiranë, ku Blendi Fevziu ishte në krye të listës me 500 mijë lekë të vjetra në muaj. D.m.th. i binte një shkrim në javë ia paguanin rreth 100 Euro. Jo keq për besë, edhe pse këto pare janë si qindarka xhepi për autorin, po të krahasojmë megarrogën që merr tek Klani. Besoj se edhe ty, xhaxha, të paktën të kanë vendosur në të njëjtën kategori si Blendin, tek Rrfeja, ose më lart, se përndryshe, sa mund të krahasohet kallaji me sermin, aq mund të krahasohen edhe shkrimet e Blendit me të tuat.

  7. Xhaxha,
    Bëre shumë mirë që e hape këtë temë. Më vjen ligsht që Respublica nuk paguan.
    Interesant edhe ajo puna e këshillës që të kanë thënë për të kërkuar fonde në Amerikë për “”Shqipen totalitare”. Kjo vepër e meriton plotësisht mbështetjen!
    Sa për dijeni, në Amerikë, dhe më saktë – tek National Endowment for Democracy – ka mundur të marrë pare jo tjetër por pikërisht Respublica…
    A mos ta ka dhënë këtë idenë e financimit atlantikas themeluesi i Respublicës? Ose të paktën ai duhet t’ia kishte bërë të ditur bashkëpunëtorëve të vet këtë fakt. Jo për gjë, por nëse e meriton njeri të marrë honorare atje jeni pikërisht ju…
    Shpresoj që pronari/themeluesi i Respublicës, të dalë nga kuvlia krijuese ku po shkruan librin e tij të pritshëm, dhe të jetë më i kujdesshëm me ata kontribues që vërtetë e kanë ngritur cilësinë e faqes së tij.

    1. Shkruan:

      A mos ta ka dhënë këtë idenë e financimit atlantikas themeluesi i Respublicës?

      Jo, nuk ma ka dhënë Nanoja. Në fakt, Nanoja është treguar shumë korrekt me mua që në krye – dhe sa kohë që ai e ndiqte nga afër faqen, unë nuk kam pasur probleme. Në fillim ResPublica paguante; pastaj, kur iu shterrën fondet, ndali së paguari – dhe Nanoja më njoftoi vetë për këtë.

      Mua më bezdis jo marrja e shkrimeve në vetvete – por mungesa e respektit për autorin, ose harbutllëku. Alfred Lela, për shembull, merr ndonjëherë ndonjë shkrim për MAPO-n, por gjithnjë më kërkon leje – dhe nuk kam pasur kurrë problem me të. Njëlloj edhe moderatorët e ndryshëm të PPU – kur e kanë parë me interes ndonjë gjë, ma kanë kërkuar. Asnjë problem.

      Leja i jep autorit kënaqësinë, në mos qoftë edhe thjesht iluzionin, se është në kontroll të produktit të vet. Ndryshe nga gazetarët e papaguar të Rrfesë!, unë nuk kam nevojë për paratë e këtij apo atij biznesmeni shqiptar, për të jetuar. Por një gjë është kur të vjen tjetri dhe të thotë se kërkon ta nxjerrë shkrimin në faqe, dhe një gjë tjetër kur të fut duart atje si në mall të babait. Kjo e dyta nuk shkon, dhe aq më e hidhur të vjen, kur ta bën dikush me të cilin ke marrëdhënie miqësore.

      Sa për pagesën, kjo gjithnjë themelon një lloj tjetër raporti, më profesional; madje edhe për ata që kanë. Duke ndërruar duar paraja, personat e përfshirë në transaksion lihen të lirë në qenien e tyre. Një kulturë që shqetësohet për fatet e veta, kujdeset edhe për të gjithë ata që krijojnë content; sepse nuk janë kaq shumë, sepse duhet kohë e gjatë që ata të përgatiten dhe të gjejnë zërin e tyre individual.

  8. I nderuar xhaxha!
    Eshte mire t’ju kujtoj dicka qe, besoj, qofte edhe ne nje forme tjeter, duhet ta keni degjuar. Nje mik nga Berati, me tregonte, se nje i marre i kish marre nje 1000 lekshte (behet fjale per ne ate kohe) nje te vuajturi, duke i premtuar se pas nje muaji do ja kthente. Por kaluan disa muaj dhe i marri as qe behej i gjalle per te permbushur detyrimin. Ndonse besonte, se ish ne te drejten e zotit ti beje mire dikujt, i varfri priti me durim per disa muaj dhe kur pa se i marri nuk kish ndermend tja kthente shumen qe i kish borxh, i thote: Ore, ti mik… Me te drejten e Zotit dhe duke gjykuar se kam bere mire, ju kam dhene 1000 leke borxh para disa muajve. Sipas marveshjes qe beme ju duhet t’mi kthenit pas nje muaj. Tani, qe te ngas llafin, kane kaluar disa muaj dhe shoh se ju as qe doni te vini uje ne zjarr per t’mi dhene? Sic e dini, une ato para i kam nxjerre me djersen e ballit, femijet mezi po i rris, nje shume qe mund edhe te falej nuk eshte, pra, shkurt, kur do mi ktheni leket qe me keni borxh?
    Sqarojme, se ne ate kohe amerikanet sapo kishin zbritur njeriun e pare ne Hene, fakt ky, qe kurresesi nuk mund ti shpetonte te marrit. Ndaj, duke u kthyer nga borxhdhenesi, me nje keqardhje qe te kepuste shpirtin i thote: Ore Sheme, te keqen, te dija dhe burre te mencem. Ca 1000 lekshi thua, or ti mik? Amerikanet zbriten njeriun e pare ne hene, ti thua 1000 lekshi, 1000 lekshi… Mo u merr me vogelsira, or te keqen Fecorri ty. Gjithe keto arritje shkencore fare nuk lene gjurme ne ate te flamosurin trurin tend? Thellou Sheme vellai, thellou ne arritjet e sotme shkencore dhe sic te thash mos u merr me vogelsira si kjo puna e 1000 lekshit…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin