TË MOS KESH QENË RROTULL

Lexova një ditë dikë që shprehej kështu, në lidhje me një ngjarje të bujshme në Tiranën e viteve 1970: “Unë nuk di ç’të them, në atë kohë nuk kisha lindur akoma.”

Kjo tkurrje, në përmasat e ngushta të përvojës personale, e imazhit dhe kuptimit që kemi për të shkuarën është simptomë e një deformimi konjitiv.

Ngjarja në fjalë nuk kish të bënte fare me jetën e atij personi; por më tepër me një aksident a skandal, ku ish përfshirë një personalitet i kohës.

Ky person refuzonte të “shqiptohej” ngaqë s’e kish përjetuar vetë; pa çka se, edhe sikur të kish qenë rrotull në atë kohë, njëlloj nëpërmjet thashethemeve do ta kish përjetuar.

Prezumimi, në këtë kontekst, është se filtrimi i një ngjarjeje përmes subjektit i jep ngjarjes vetë diçka më tepër legjitimitet ose vërtetësi.

E quajta simptomë deformimi dhe ja pse: ne, si shoqëri, nuk jemi në gjendje ose refuzojmë që ta përpunojmë të shkuarën.

Të marrim një ngjarje katastrofike të fillimviteve 1980, si vetëvrasjen e kryeministrit të atëhershëm, M. Shehu. Unë kam qenë student aso kohe, dhe e kam përjetuar drejtpërdrejt.

Por si e përjeton atë dikush që, në 1980, ka qenë vetëm dy vjeç?

Dhe a i lejohet këtij të fundit të thotë se “nuk mund të them gjë për atë vetëvrasje, sepse në atë kohë kam qenë fëmijë”?

Ku është deformimi këtu? Te mungesa e një narrative, të përpunuar nga kultura përkatëse. Për ngjarje të tilla sillen, kryesisht në media pa reputacion dhe nga njerëz pa reputacion, versione gjithfarësh, që ofrojnë po aq realitete paralele.

Nëse është tepër herët për të thënë se “këtë do ta sqarojnë historianët”, nuk është herët për t’u shqetësuar se ne, si shoqëri dhe kulturë, nuk arrijmë të krijojmë narrativa të përbashkëta.

Çfarë është më serioze se ç’mund të duket: pa këto narrativa të përbashkëta, ose të bashkëndara (shared), nuk funksionojmë dot si shoqëri, por veç si një pranëvënie segmentesh të ngjitura keq mes tyre.

Këtë faj nuk ua faturon dot historianëve dhe akademisë, edhe pse këta kanë kusuret e tyre.

Por ka procese të tjera kulturore – që nga biografitë e autorizuara dhe të paautorizuara, autobiografitë, memuaret, kronikat, ditaret, rrëfimet, arkivat, investigimet publicistike dhe letrare, që arrijnë ta mbushin zgavrën midis përjetimit personal, subjektiv, dhe asaj çfarë ka ndarë realisht dhe së cilës mund t’i përafrohemi, por nuk e arrijmë dot kurrë si të tillë.

Ka edhe procese psikologjike, tek ata që rrëfejnë, dhe që synojnë – së paku idealisht – të pengojnë gënjeshtrën me vetëdije.

Ky personi, që shfajësohej për injorancën dhe – le ta them tani – burracakërinë e vet, në fakt po e kompensonte mosbesimin te narrativa(t) nëpërmjet një tërheqjeje taktike në zhguallin e subjektivitetit primitiv.

Duke thënë “unë nuk kisha lindur atëherë”, në fakt është duke pohuar se nuk u zë besë narrativave të përpunuara nga shoqëria dhe kultura, produkt i së cilës është.

Pa çka se edhe eksperiencat subjektive, të një personi në zotërim të vetes, janë edhe ato të kushtëzuara nga gjithfarë procesesh: të pranishme, subliminale dhe të pavetëdijshme.

Për shkak të këtij deformimi, rriten breza që (1) nuk kanë vizione dhe nocione të përbashkëta për të shkuarën, të largët dhe të afërt; (2) refuzojnë të pozicionohen, deri edhe për ngjarje me valencë morale elementare, kur nuk i kanë përjetuar “vetë.”

Disonanca konjitive dhe relativizmi moral mund të jenë kështu dy shfaqje të së njëjtit çrregullim të thellë, që rrezikon të na çojë në shpërbërje sociale.

2 Komente

  1. Une kam lindur rreth asaj periudhe qe vdiq M. Shehu dhe ndonese shume vone mesova rreth shkaqeve te vdekjes se tij, gjithmone figura e tij me intrigonte, sikur kishte dicka ndryshe ne te. Ndoshta ngaqe kur pyesja prinderit si vdiq, pergjigjet e tyre abstrakte kishin efektin e kundert dhe, e thellonin me shume kersherine time

  2. Verejtje (dhe obzervim) shume me vend per kete fenomen, xhaxha!

    Mendoj se ndodh per nje sere arsyesh, e mbase ajo qe duhet te na shqetesoje me shume, si tregues kolektiv, dmth social, eshte ajo qe thua, deshtimi yne per te prodhuar narrativa te perbashketa dhe te pakontesuara pafundesisht, kjo sepse besoj eshte ne thelb e njejta arsye me deshtimin tone per te formuar nje shtet funksional, akoma tashme ne shekullin 21…ngelem duke u krenuar me Skenderbeun se s’kemi ku ti hedhim syte gjetke. Biles pertej shtetit si njesi, deshtimi yne per te lene menjane dasirat dhe egot individuale ne shkembim te te mirave te perbashketa dhe afatgjata, po dhe deshtimi i formimit te sukseshem te njesive formale qe rrjedhen si pasoje, a.k.a. kultura dhe spirancat e nje kombi e vendi, si dhe padyshim progresit qe pason, prej te cilit progres pefitojne te gjithe (ose humbin te gjithe nga mungesa e tij). Shume shoqeri e kane kaluar kete stad (ta quajme tribal per thjeshtezim e kronologji me shume sesa vlersim negativ) pak etapa pasi lane shpellat dhe kasollet individuale (shpesh endacake) dhe u mblodhen ne nje vend stabel (qyteti p.sh.) dhe filluan te japin e marrin me njeri-tjetrin.

    Arsyeja tjeter, e lidhur fort me kete, eshte psiko-individuale. Ne jemi ne shumice tipa qe i besojme konspiracive dhe thashethemeve me shume se te vertetave dhe narrativave formale dhe te qendrushme. Ku me shume e ku me pak kjo vihet re tek nje sere shoqerish qe sot per kollajllek perifrazohen si “vende ne zhvillim” (developing countries), dmth jo perendimore, cka ne kete pikpamje Evro-Atlantike centriste nenkupton shtete e kultura qe s’kane kaluar ne stade te ngjashme zhvillimi.

    Ndersa ne mund te flasem pa fund per te drejten tone qe te jemi ‘alternativiste’ dmth ndryshe nga te tjeret, deshtimi yne per te pasur narrativa te perbashketa, e sidomos deshtimi per tu ballafaquar me te shkuaren tone, ka pasoja fatale per te tashmen dhe te ardhmen tone, qofte ne rang te gjere si shoqeri/komb qofte ngushtesisht si familje e individ. Nuk perseritet vetem e shkuara vete-demtuese, por dhe perveristeti, i cili me kalimine kohes behet kulture, pasi s’ka si te kete ngritje etike dhe morale sa kohe qe s’ka narrativave te perbashketa dhe perballjes me te shkuaren perverse.

    Shiko p.sh. si ilustrim mjaft aktual deshtimin per tu perballur me menxyren vellavrasese dhe vete-viktimizuese qe ishte monizmi dhe gjithe cka ajo perfshinte ne Shqiperi, deshtim i cili na ben te vete-skllaverohemi ndaj pasardhesve te politbyrose, dmth mafio-politikaneve te tranzicionit. Te vjen gjynah kur shikon njerez te deshperuar dhe trushperlare qe si dele renditen ne protestat partiake ne sherbim te kesaj kaste polit-mafioze, ne vend qe te protestonin kunder tyre dhe per interesat vetiake.

    Deshtimi i narrativave te perbashketa dhe perballjes me te shkuaren eshte vecanerisht problematik pasi as qe nuk percepetohet si problem nga shumica, jo vetem shumica e njerzve por dhe e elitave, apo ‘elitave’ qe trullosin miletin neper faqet e gazetave dhe TV-ve. Arsyeja pse s’guxojme, apo pse s’mundemi, ne vetvete perben interes jo vetem si kersheri intelektuale po dhe si celes potencial.

    Valle cfare do mjaftohej qe ne shqipet te perballeshim me te shkuaren dhe te guxonim per nje narrative te perbashket? Nje provokim tip jemi komb buracakesh qe s’na i mban ta shikojme veten ne pasqyre, shoqeri shpellaresh qe s’dime te bejme perpara? Nje thirje tip po Skenderbeu cfare do bente (what would Skenderbe do), do dorezohej njesoj si ne?

    E kush do ta merrte kete inisiative? A kemi ne vertet nje elite, qofte brenda e jashte Shqiperise? Si cdo shoqeri patjeter qe kemi elitare apo intelektuale t’i quajme per kollajllek, po a munden dot ata te organizohen e te behen elite, apo deshtojne per te njejtat arsye qe ne si shoqeri kemi deshtuar te organizohemi me sukses prej shekujsh? Pike se pari, a begenisin ata, apo mjaftohen duke i hedhur nje sy lajmeve e duke tundur koken?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin