LET’S DO IT IN ENGLISH

Pasi njoftonte lexuesit për një veprimtari të mbajtur sot në Tiranë, për mbrojtjen e mjedisit, Shqiptarja.com me të drejtë pyeste pse ishin në anglisht dhe jo në shqip parullat që mbanin manifestuesit.

Duket si një çështje e vogël që e sjell përgjigjen me vete; por në të vërtetë ndihmon për të hapur një debat më të thellë për komunikimin publik sot në Shqipëri.

Një parullë e shkruar anglisht, me çdo gjasë, i drejtohet kujt atë gjuhë e lexon dhe e kupton. Meqë anglishtja është gjuhë ndërkombëtare, mund të supozohet – dhe unë do ta bëj këtë menjëherë – se synimi i kësaj anglishteje publike, në mes të kryeqytetit shqiptar, ka të bëjë me dëshirën për t’u ndier pjesë e një komuniteti të mbarëbotshëm, që shqetësohet për fatet e mjedisit dhe problemet që krijon ndotja dhe rrëgjimi i tij.

Nëse është kështu, atëherë ky manifestim i dërgon një sinjal botës, jo doemos qytetarit shqiptar. Përkundrazi, parullat në shqip do të interpretoheshin si një përpjekje për komunikim dhe veprim lokal – sikurse edhe ta do logjika se duhej vepruar, për të bërë diçka për mjedisin.

Sërish me hamendje, do të themi se parulla të shkruara në anglisht do të shfaqen në një “event” që po regjistrohet nga kamerat – foto dhe video – për t’u pasqyruar pastaj nga mass mediat, përfshi edhe rrjetet sociale; në kuptimin që kur “evente” të tilla e kapërcejnë kufirin midis realitetit dhe riprodhimit mass-mediatik, atëherë ato i flasin botës jo kontekstit; dhe vetë manifestimet shndërrohen në akte ose performanca skenike dhe anglishtja vjen aty si pjesë e butaforisë. Luhet më parë për kamerat, pastaj për Qytetin (me Q të madhe), pa çka se protesta ose shqiptimi paraqiten si “qytetare.”

english

Nuk di as mund të di përse i shkruajnë anglisht dhe jo shqip mesazhet e tyre këta manifestues në mes të Tiranës (qëllimin), por nuk ka nevojë ta di, nëse më intereson thjesht efekti i këtij gjesti.

Dhe efekti nuk mund të ndahet nga anglishtja vetë – në kuptimin që këto “evente” duket sikur bëhen ngaqë janë sponsorizuar nga organizata ndërkombëtare ose OJQ të financuara nga jashtë dhe ashtu anglishtja funksionon si një lloj alibie ose prove ose dëshmie se protesta për mjedisin është organizuar vërtet; përndryshe, le të pranojmë edhe një mundësi tjetër, sado teorike, dhe pikërisht atë që mbishkrimet e parullave janë në anglisht sepse të huajt janë ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në Shqipëri.

Edhe një hipotezë e tretë, meqë i hymë kësaj loje: të huajt mund të mos kenë ndonjë faj për ndotjen dhe shkatërrimin e mjedisit te ne, por ata janë të vetmit që mund të bëjnë diçka, për ta ndaluar shkatërrimin dhe ndotjen; qoftë edhe duke ndihmuar për të denoncuar dhe pezulluar të gjitha ato investime ekonomike, që shoqërohen me kosto mjedisore të papranueshme.

Një mënyrë alternative, për t’iu qasur enigmës së anglishtes, është të nisesh nga financimet, ose të ndjekësh rrugën e parave – jo doemos për “evente” të tilla, sesa për OJQ-të që qëndrojnë pas tyre, sidomos në rrethanat kur një pjesë e madhe e shoqërisë civile në Shqipëri mbahet në këmbë artificialisht, nga financime që vijnë nga jashtë dhe që u shërbejnë interesave të palëve të treta, pa lidhje me interesat qytetare në Shqipëri.

Për këtë kategori OJQ-sh, e cila mëton të shërbejë si ndërfaqe midis vetëdijes qytetare lokale dhe botës, anglishtja nuk është vetëm gjuhë ndërkombëtare, por edhe e vetmja gjuhë; sepse organizatave të tilla, për të mbijetuar, u duhet detyrimisht anglishtja, e shkruar dhe e folur; por jo detyrimisht shqipja. Ato u japin llogari instancave që nuk flasin shqip, as kanë ndonjë interes të flasin shqip – në kuptimin që të përfshihen realisht në komunikim me bashkësitë lokale të interesuara, ose me stakeholders, siç i quajnë.

Anglishtja e përdorur në mënyrë demonstrative ose teatrale, si pjesë e performativitetit OJQ-ist, do të shërbejë, kështu, si gjuhë konstitutive e veprimtarive qytetare kësisoj të sponsorizuara dhe jo thjesht si mënyrë për të tërhequr vëmendjen e kamerave dhe të publikut përtej detit.

Në kuptimin që, po të mos flisnin anglisht, këto “evente” as që do të ishin mbajtur dot.

Tani, duhen edhe mirëkuptuar të gjitha ato organizata ose grupe që luftojnë për të mbijetuar, në konkurrencë mes tyre dhe në përpjekje për të siguruar fondet që u duhen; sidomos në kushtet kur qytetarët – në Tiranë dhe gjetiu në Shqipëri – nuk janë ende të gatshëm t’i mbështetin financiarisht, sepse i shohin si organizime për “të rrjepur” fonde të huaja, jo si instanca të shoqërisë së tyre civile.

Me këtë parasysh, le të shtojmë se disa nga problematikat që bëjnë publike këto OJQ, si kjo e mjedisit por edhe të tjera, janë tepër të rëndësishme, për t’u likuiduar si të ishin thjesht pjesë e përpjekjeve të disa individëve të shkathët për t’u marrë pará “të huajve.” Dhe mua pikërisht këtu më duket se ekziston rreziku kapital: që ftohtësia e qytetarit ndaj këtyre projekteve dhe problematikave, të perceptuara si të kota dhe vetëshërbyese për organizatorët e tyre, të djegë rëndësinë e tyre të mirëfilltë, për të ardhmen e të gjithëve.

Se si mund të zgjidhet ky konflikt i heshtur mes OJQ-ve e shoqërisë civile në atë masë që kjo mbështetet me fonde nga jashtë Shqipërisë nga njëra anë dhe qytetarit e publikut shqiptar nga ana tjetër, kjo kërkon debat më vete. Këtu le të mjaftohemi me një thirrje, krejt miqësore, për ta zëvendësuar anglishten me shqipen edhe para kamerave, madje sidomos para kamerave.

11 Comments

  1. “ate pune kane” – keshtu flasim mes vedi kur shohim nisma te tilla qe iu adresohen audiencave te huaja edhe pse ndikimin e kerkojne ne kete komunitet. Pra eshte puna e tyre te marren parate dhe te nxjerrin carcafe.

    Vereni faqet e internetit te shume organizatave, me e pasur eshte ne gjuhen angleze sesa ne shqip, ne mos disa e kane perjashtimisht ne anglisht (http://www.aiis-albania.org/).

  2. Shkruani:

    …këtu më duket se ekziston rreziku kapital: që ftohtësia e qytetarit ndaj këtyre projekteve dhe problematikave, të perceptuara si të kota dhe vetëshërbyese për organizatorët e tyre, të djegë rëndësinë e tyre të mirëfilltë, për të ardhmen e të gjithëve.

    Pikërisht. Perceptimi i OJQ-ve nga publiku shqiptar si të importuara, të paguara, artificiale për vendin dhe paternaliste ndaj qytetareve shqiptare, krijon në fakt efektin e kundërt te shoqëria civile; që nga injorimi i OJQ-ve dhe i veprimtarive të tyre, deri te një lloj alergjie nga këto nisma, që shpesh perceptohen si “kinezërirat” një herë e një kohë. Pjesëmarrja mëse e vakët e publikut (për të mos thënë mospjesëmarrja) në aktivitetet e ndërmarra nga këto OJQ duket se e vërteton këtë… Çfarë shpjegon, për mendimin tim, dhe një nga shkaqet e apatisë sociale dhe të mosngjizjes së protestës civile në Shqipëri, ku me ato ç’ka dëgjojme dhe ç’shohim nga kasta politike shqiptare, revolucioni duhet të ishte pas derës!

    Madje do të shtoja që OJQ, megjithë qëllimet fisnike që mund të kenë, aty ku ato e kanë pozicionuar veten në spektrin e organizimit social – si opozita qytetare, jashtë-parlamentare dhe jashtë-partiake – ato në fakt i kanë zënë vendin një levizjeje të mirëfilltë qytetare shqiptare, duke rrezikuar me këtë që, kur gjendja të shkoj aty ku s’mban më, opozita jashte-partiake t’i drejtohet formave të tjera të opozitës dhe protestës, më radikale dhe ndoshta më të rrezikshme për vendin.

    1. Jam shume dakort me karakterizimin e OJQve pak a shume si mish i huaj ne shoqerine shqiptare, madje lind edhe pyetja nese ka vertet aq shqiptare sa do te mund te nisnin nje levizje, sado te vogel, ne nje prej ketyre ceshtjeve qe trajtohen nga shoqeria civile. Pra, a do te kishim shoqeri civile pa financim te huaj?

      Ng ana tjeter, sa problematik eshte fakti qe shoqeria civile eshte mish i huaj? Duhet te mos i hapim fare keto tema, meqe njerezve nuk u vjen nga brenda frymezimi?

      1. Po e nis përgjigjen nga fundi. Shkruani:

        Duhet te mos i hapim fare keto tema, meqe njerezve nuk u vjen nga brenda frymezimi?

        Ndoshta njerëzve nuk u vjen nga brenda frymëzimi për temat e ngritura nga OJQ-të, sepse këto tema mund të mos jenë në krye të listës së problemeve sociale, ekonomike dhe politike që shqetësojnë qytetarët në Shqipëri? Varfëria, papunësia, korrupsioni endemik, degradimi total i politikës, kapja e partive, e shtetit dhe e drejtësisë nga kriminelët, shpartallimi i sistemit shëndetësor etj. këto janë, besoj unë, në krye te listës së halleve të shqiptarëve, shumë më lartë se, le të themi, problemet e komunitetit LGBT apo se konferenca e COP21 (kur mezi e nxjerrë tutje muajin, vështirë ta çosh mendjen te dioksidi i karbonit apo te vrima e ozonit, sado të rëndësishme – madje jetike – që të jenë këto për njerëzimin).

        OJQ-të bëjnë shumë mirë që i ngrenë këto tema, por rezonanca e dobët nga publiku më shtyjnë të mendoj, që këto janë temat e “gabuara” për të frymëzuar qytetarët në Shqipëri. Zëvendësimi i anglishtes me shqipen, që sugjeron Xha Xhai, do të ishte një hap i parë drejt afrimit të OJQ-ve me qytetarët shqiptarë; rivlerësimi i prioriteteve sociale për të cilat ngrenë zërin OJQ-të, do të ishte një hap më tutje.

        Nga ana tjeter, sa problematik eshte fakti qe shoqeria civile eshte mish i huaj?

        Barazimi i shoqërisë civile me OJQ-të, nëse ju kuptova drejt, më duket i guximshëm. Në rastin më të mirë, OJQ-të mund të jenë vetëm një pjesë aktive apo plotësuese e shoqërisë civile. Në rastin më ekstrem, janë thjeshtë përfaqsuese të një grupi interesash apo të një personi.

        Pra, a do te kishim shoqeri civile pa financim te huaj?

        Shoqëria civile është e tillë/mund të jetë e tillë, pikërisht atëherë kur nuk ka nevojë për financim të huaj. Drejtimi dhe financimi nga jashtë sa mund t’i ndihmoj lëvizjet civile, aq dhe mund t’i diskretitoj ato (këtë u perpoqa që të them në komentin e djeshëm.)

        …lind edhe pyetja nese ka vertet aq shqiptare sa do te mund te nisnin nje levizje, sado te vogel, ne nje prej ketyre ceshtjeve qe trajtohen nga shoqeria civile.

        Kur erdhi puna te importimi i helmeve kimike, shoqëria civile në Shqipëri reagoi, madje fuqishëm dhe me sukses… Pyetja është, pse vetëm atëherë dhe pse jo për çështje të tjera si varfëria, korrupsioni, papunësia etj. Pyetje e hapur, për të cilën besoj se ka shumë përgjigje…

        [Unë përdora fjalën “artificiale”për OJQ-të, sepse shprehja “mish i huaj” ka një ngarkesë negative, që as ka kuptim në këte rast, as nuk dua që ta lidh me OJQ-të]

        1. Për krahasimin (barazimin) që bëj unë mes shoqërisë civile dhe OJQve më kuptuat fare drejt: nuk është vetëm i guximshëm, po është edhe i paturp, në fund të fundit, sepse nënkupton mungesën time të besimit në shoqërinë civile shqiptare. Kjo do të thotë që jam dakort me të dyja komentet e mësipërme qoftë parimisht (temat me rëndësi urgjente për shoqërine duhet të jenë ato që adresohen) qoftë në terma të mënyrës së ekzekutimit (problematika e OJQve në Shqipëri). Gjithësesi, mendoj se Xha Xhai dhe Relapso më poshtë e trajtojnë gjerësisht e në mënyrë informative denominimin ‘shoqëri civile’.

          Megjithëse mendoj se keni të drejtë në atë që mund të ketë tema që e prekin popullin më shumë doja të thoja se nuk mund t’u heqim legjitimitetin as çështjeve të ambjentit, dhe as të drejtave LGBT. Sipas meje, këto nuk janë çështje luksi, po ky është një diskutim që mund të lihet për herë tjetër.

          Për sa i përket të tjerave, jam shumë dakort me ju, se këto tema të varfërisë, korrupsionit e të tjera që prekin shoqërinë shqiptare në mënyrë kërcënuese, duhet të adresohen më shumë. Ajo që dua të them, dhe deri diku doja ta thoja edhe me komentin e mësipëerm, është se nuk më duket gjithnjë shumë e drejtë t’u hedhim helme atyre që e bëjnë shoqërinë civile ‘gabim’. Në fund të fundit, ne me të drejtë diagnostikojmë problematikën e qasjes, por të paktën dikush u qaset çështjeve që prapë se prapë janë legjitime për shoqërinë. Mbase ajo që doni të thoni ju është se OJQtë vetë duhet t’u qasen problemeve ekonomike e varfërisë, po ja që për shumë arsye, nuk po e bëjne. Si t’ia bëjmë, përtej diagnostikimit?

      2. Shkruan:

        Duhet te mos i hapim fare keto tema, meqe njerezve nuk u vjen nga brenda frymezimi?

        Pa i hequr gjë përgjigjes të hollësishme nga Gjilpëra, po dua vetëm të shtoj se disa tema janë aq të rëndësishme, aq kapitale, aq kritike, sa nuk duhen “djegur”; dhe aq më pak, nuk duhen “privatizuar” nga grupe që kanë mbështetje nga jashtë, por jo nga brenda.

        Parulla pat shkruar dikur, shumë vite më parë, për monopolizimin e protestës publike nga “Mjafti” – të gjithë e dimë se si përfundoi ai eksperiment, tani që ish-mjaftistët i sheh në pushtet, por me dëshirat dhe instinktet e OJQ-së të paprekura.

        Edhe unë kam shkruar për përdorimin që i është bërë shoqërisë civile si trampolin drejt lartësive të pushtetit ekzekutiv; një patologji serioze e aktivizmit social në Shqipëri – jo sepse të trampolinuarit nuk e meritojnë të jenë elitë në pushtet, por sepse ata lënë bosh hapësira që nuk i mbush kush kollaj; dhe që përndryshe përbëjnë atë buffer aq të nevojshëm midis qytetarit si individ dhe shtetit.

        Shoqëria civile në Shqipëri do të duhej të shërbente si enë për fermentimin e virtytit edhe social; sepse tashmë e kemi parë që, në shqip, fjala pushtet rrjedh nga fjala e vjetër pusht.

  3. Xha Xhai:
    “…një pjesë e madhe e shoqërisë civile në Shqipëri mbahet në këmbë artificialisht, nga financime që vijnë nga jashtë…”

    Në fakt edhe unë, sikurse Gjilpera, vura re se në shkrimin e mësipërm togfjalëshi “shoqëri civile” përdoret si një lloj sinonimi i OJQ-ve. Të krijohet përshtypja se OJQ-të janë përfaqësuese të “shoqërisë civile” shqiptare në mos qofshin vetë ato dhe vetëm ato “shoqëria civile”, gati-gati një lloj kaste e privilegjuar, ku për t’u pranuar si anëtar, duhet të jesh doemos pjesë e një OJQ-je, përndryshe je i dënuar të shtosh radhët e “shoqërisë jocivile”.

    Sa më shumë që lexoj e dëgjoj për të, aq më vështirë e kam ta kuptoj shprehjen “shoqëri civile”. Jashtë kontekstit shqiptar mua më tingëllon si një shprehje e tejngarkuar ideologjikisht, një lloj pleonazme a tautologjie e përsosur që duhet përfshirë në manualet shkollore të retorikës.
    Ndërsa në kontekstin shqiptar paradoksalisht ajo merr vlerën e oksimoronit për arsye që vetëkuptohen e që nuk po humb kohë t’i shtjelloj këtu.

    Xha Xha, qysh kur kam lexuar “Shqipen totalitare”, ky libër më vjen pashmangshëm ndër mend sa herë që dëgjoj të flitet për “shoqëri cilvile” e bashkë me librin ec e merre vesh pse më vijnë ndër mend bashkëshoqërime të tipit “demokracia popullore”, “masat e gjera” etj.

    1. Në fakt jo, Relapso. Edhe pse në shkrim unë merrem me OJQ-të, konstatimin më lart, që citon ti, e bëj për shoqërinë civile në përgjithësi, pa e identifikuar me OJQ-të (të cilat janë një pjesë e saj).

      Si shembuj institucionesh, organizmash dhe organizatash të shoqërisë civile të cilat nuk do t’i identifikonim si OJQ dhe që, megjithatë, mbahen në këmbë me para të ardhura nga jashtë, do të sillja institucionet fetare, bamirësitë, fondacionet dhe partitë politike të lidhura me minoritetet.

      Financimi nga jashtë i institucioneve fetare, për shembull, nuk ka lidhje drejtpërdrejt me problematikën e shkrimit tim, por si temë meriton vëmendje dhe, mundësisht, edhe një zgjidhje të ndryshme nga kjo e tanishmja: mjaft të shohësh çfarë po ndodh tani me ekstremizmin islamist fondamentalist dhe xhamitë që ndonjëherë funksionojnë si troje rekrutimi për Luftën në Siri.

      Ngaqë OJQ-të kanë aq vitalitet sa të kapin kryetitujt e mediave, kjo krijon iluzionin se ato janë pjesa më përfaqësuese e shoqërisë civile. Në të vërtetë, disa institucione të shoqërisë civile, si organizatat profesionale ose sindikatat, janë jetike për shëndetin e qytetarisë; dhe fakti që në Shqipëri mungojnë nuk është se i bën më pak të rëndësishme.

      Mjaft të mendosh se çfarë roli mund të kishin luajtur organizata profesionale të juristëve ose të mjekëve, për t’u imponuar anëtarëve të tyre atë etikë profesionale aq të nevojshme; dhe që sot publiku më kot ia kërkon shtetit që ta imponojë – p.sh. urdhri i Mjekut.

      1. Une e kam problemin me inflacionin e termit “shoqeri civile” ashtu siç perdoret rendom sot ne gjuhen e perditshme, pertej perdorimeve terminologjike ne lemin e filozofise sociale, ku ky term perdoret gjithmone si element dikotomik, çka parakupton edhe nje term tjeter qe, sipas rastit, i kundervihet ose e ploteson ate.

        Sa per OJQ-te, ato duhet te jene me perkufizim struktura sociale mbi baza vullnetare, pra jo-fitimprurese, te tilla qe te shprehin spontanisht vullnetin e qytetareve qe perfaqesojne, qofshin ata “civile” apo “jocivile” Prandaj me duket tejet i ideologjizuar perdorimi i mbiemrit “civile”, a thua se ekziston nje pjese civile dhe nje pjese jocivile e shoqerise dhe OJQ-te monopolizojne vetem pjesen civile.

        Teorikisht “shoqeria civile” u kundervihet strukturave politike dhe atyre te pushtetit, prandaj edhe partite politike nuk perfshihen ne te, mirepo praktikisht e dime se qofte OJQ-te, qofte organizata te ndryshme sociale si sindikatat qe permende ti, nuik jane gje tjeter veçse zgjatime te forcave politike, qe mbahen, financohen dhe perdoren per qellime politike.

        Gjilpera permendi si sukses te OJQ-ve rastin e mbeturinave kimike te Sirise qe amerikanet kerkuan te eliminonin ne Shqiperi. Edhe kjo eshte nje hipokrizi e madhe, sepse protestat e atehershme u nxiten dhe u organizuan nga vete kryeministri dhe i sherbyen atij si argument per refuzimin. Ishte teater i vertete ne qiell te hapur.

        Perndryshe mendoj se fjala “shoqeri” i mjafton vetvetes.

        1. Nuk më kish shkuar mendja ta analizoja termin “shoqëri civile” si të formuar nga një emër e mbiemër – e kam marrë më tepër si togfjalësh të njësuar; të krahasueshëm, bie fjala me “parti politike” – sa kohë që parti të tjera që të mos jenë politike, të paktën atje ku flitet shqipja nuk ka.

          Përndryshe, dhe meqë ra fjala, partitë politike i konsiderojnë zakonisht si pjesë e shoqërisë civile; pavarësisht se ato pastaj marrin pjesë në zgjedhjet dhe i japin njerëz pushtetit.

          Por nevojën për shoqëri civile unë do ta ilustroja me një shembull të thjeshtë: të marrim një mjek, që punon në një spital privat. Institucioni ku ai punon është biznes dhe synon fitimin monetar; në një kohë që ai, si qytetar, ka marrëdhënie të caktuara me shtetin, p.sh. i paguan taksa, etj. Por për këtë mjek kanë rëndësi edhe struktura të tjera që ndërmjetësojnë marrëdhëniet e tij si të punës, ashtu edhe ato me shtetin; p.sh. familja, komuniteti fetar dhe institucioni përkatës, ndonjë shoqatë bamirësie ose vullnetarizmi ku merr pjesë, urdhri i Mjekut i të cilit është anëtar, klubi i shahut ku shkon ndonjëherë, shoqata e filatelistëve ose rrethi i tenisit dhe kështu me radhë.

          Të gjitha këto janë pjesë e shoqërisë civile; dhe që, në bashkëveprim mes tyre, e pasurojnë jetën dhe i japin kuptimin e duhur edhe të qenit qytetar. Nëse në spital mjeku ushtron profesionin e vet dhe fiton të ardhurat që i duhen për të jetuar, ndërsa në marrëdhëniet me shtetin ushtron të drejtat dhe detyrat e veta si qytetar, në hapësirat e shoqërisë civile mund të realizojë veten si qenie morale – duke filluar nga familja, farefisi, miqtë dhe të njohurit, komuniteti dhe organizatat profesionale jashtë marrëdhënieve të punës.

          Përkundrazi, të vetmet forma spontane të shoqërisë civile që unë shoh të lulëzojnë spontanisht në Shqipëri dhe mes shqiptarëve janë organizatat parakriminale, të cilat zakonisht veprojnë në hapësirat midis ligjit dhe paligjshmërisë (duke i parë këto si reflektimi, brenda shoqërisë civile, i strukturave të biznesit të paligjshëm), edhe pse, edhe brenda këtyre, kultivohen disa forma virtyti, si besnikëria, mbajtja e fjalës ose solidariteti dhe ndihma për familjarët në vështirësi.

          Personalisht, kur e kam bërë kalimin nga Shqipëria (e fundviteve 1980) në Itali, e kam ndier menjëherë peshën e madhe të shoqërisë civile atje; duke filluar nga Kisha Katolike dhe më tej organizata të tilla si klubet (Rotary, Lyons) dhe shoqatat kulturore dhe të bamirësisë. Këto të fundit i përmend edhe pse më ka bërë përshtypje mobilizimi i tyre, në ndihmë të refugjatëve që kapërcyen Adriatikun, në pranverë dhe në verë të vitit 1990. Shoqëria civile ishte palë me shtetin në trajtimin e refugjatëve, për mirë dhe për keq. Nuk e vë në dyshim natyrën e tyre konservatore dhe provinciale, por vetëm dua të theksoj pavarësinë e tyre relative nga strukturat e shtetit dhe të pushtetit. Pa folur pastaj për një shoqëri tjetër civile aq të pranishme në Napoli, dhe që është Camorra, e cila veç veprimtarive kriminale ka pasë luajtur edhe një rol social të rëndësishëm në komunitetet, sidomos ato të degraduarat ose që jetonin në kufi të mbijetesës.

          1. Xha Xha, vete ky diskutim i yni eshte nje deshmi e qarte e karakterit abuziv dhe demagogjik te ketij termi.

            E perseris, me perkufizim (kam parasysh perkufizimet leksikografike qe japin fjaloret terminologjike dhe manualet e sociologjise) shoqeria civile nuk perfshin partite politike konvencionale dhe strukturat e pushtetit. Perkundrazi, se paku ketej nga Europa termi perdoret masivisht ne media thuajse gjithmone ne kundervenie me pushtetin. Sipas ketij perdorimi, “shoqeria civile” eshte ajo pjese e angazhuar e shoqerise qe i terheq veshin politikes sa here qe del nga binaret.
            Paradoksi eshte se “shoqeria civile” konsiderohet si nje lloj alter politike qe i kundervihet politikes konvencionale duke zhvilluar politike me mjete “civile”, ku perfshihen edhe protestat e dhunshme, vandalizmat, bombat molotov, ne perpjekje per t’iu imponuar me çdo kusht shumices qe ka zgjedhur me vota te lira strukturat e pushtetit.

            Tubimet e paangazhuara te shoqerise, si klubet e golfit, shoqatat e shahisteve, pergjithesisht argalisjet dhe egledisjet apolitike, nuk kane shprese te nderohen me percaktorin “civile”.

            Termi “shoqeri civile” sot ka pesuar te njejtin zvetenim demagogjik qe pesuan dikur mbiemrat “progresiv” dhe “reaksionar”.

            Gjithsesi me duhet te pranoj se keto te miat jane thjesht pershtypje prej profani. Per ta shkokolepsur lemshin do te duhej ketu ndonje ekspert sociolog. Veçse per nje fakt jam i sigurt. Termi “shoqeri civile” doli nga fjalori i specializuar i filozofise per te hyre ne perdorim masiv vetem pas renies se Murit te Berlinit, si per te kompensuar a mbushur me ngut boshllekun e krijuar.

Comments are closed.