UNË TË TERRORIZOJ

Vitet 2000, nën leadershipin intelektual të presidentit George W. Bush, do të mbahen mend edhe si vite të ripërkufizimit drastik të terrorizmit si dukuri, aq sa këtij koncepti specifik dhe të dobishëm ia plaçkitën kuptimin dhe filluan ta përdorin për të cilësuar çdo akt dhune me burim prej atyre që nuk na duan.

Nëse kjo përkoi me përqafimin e terrorizmit si monedhë shkëmbimi globale, në marrëdhëniet ndërkombëtare, këtë do ta diskutojmë gjetiu.

Gjithsesi, ripërkufizimi praktik i terrorizmit dhe i figurës së terroristit nuk ka çuar gjë në zhdukjen e terrorizmit të mirëfilltë, pavarësisht se prej kujt vjen dhe për ç’arsye.

Përkundrazi, karakteristika kryesore e terrorizmit sot duket të jetë mos-shpallja e agjencisë; ose fakti që autorët e terrorit zakonisht nuk dalin që ta marrin haptazi përsipër gjestin e tyre – ndryshe nga, bie fjala, e njëjta dukuri gjatë viteve 1970-1980.

Gjithsesi, terrorizmi është edhe produkt i mass mediave, në kuptimin që ka nevojë për këto, që të funksionojë frytshëm; sepse një krim sado i shëmtuar nuk mund të terrorizojë, në qoftë se nuk njoftohet masivisht dhe përcillet dora-dorës nga mediat.

Është gjithashtu risi e periudhës së tanishme, që mediat e kanë kuptuar se nuk ka nevojë që të ndodhë një akt terrorizmi, për të shfrytëzuar efektet e tij të shumta, disa prej të cilave të mirëpritura: mjafton që një akt kriminal çfarëdo ta etiketosh si terrorist.

Për shembull, hidhet në erë me tritol makina e një sipërmarrësi. Akt terrorist? Mundet, edhe pse akti drejtohet para së gjithash ndaj sipërmarrësit vetë, nuk e ka efektin masiv të terrorizmit të mirëfilltë, i cili gjithnjë shënjestron të pafajshëm.

Një akt i ngjashëm, për shembull vrasja e një shqiptari në Itali, quhet, përkundrazi, “larje hesapesh” ose “atentat mafioz”.

Kjo do të thotë se për ta kthyer tritolin tonë në instrument terrori, duhet edhe bashkëpunimi i mediave, të cilave thjesht u kërkohet të shqiptojnë dhe të shumëzojnë termin fatal.

Të mos harrojmë se fjala terrorizëm jo vetëm nxit prodhimin e hormoneve të frikës te masa e lexuesve, por edhe ndihmon për mobilizimin e fondeve të luftës kundër terrorizmit dhe u jep një arsye të majme ekzistence institucioneve anti-terrorizëm, të cilat terrorin e kanë mjet jetese.

Nëse dje ishte terrorizmi që përftonte anti-terrorizëm, sot mund të ndodhë edhe që anti-terrorizmi, në kërkim të buxheteve dhe të suportit politik dhe moral, të ketë nevojë për pak terrorizëm.

Të marrim hedhjen në erë, sërish me tritol, të një shtylle të tensionit të lartë. Akt kriminal? Patjetër. Sabotim? Gjithashtu. Protestë e dhunshme ndaj autoritetit lokal ose qendror? Patjetër. Terrorizëm?

U fol shumë këtë javë për rekrutimin e të rinjve shqiptarë, në xhamitë e Tiranës, për t’i dërguar të luftojnë në Siri; dhe jo rrallë kjo veprimtari u shoqërua me terrorizmin.

Dihet që gjetiu në botë xhamitë kanë shërbyer edhe si qendra rekrutimi për terroristë – para së gjithash, duke kultivuar fanatizmin fetar dhe vetëmohimin. Këtë edhe e kemi parë shpesh në filma me ekran të gjerë dhe në produkte për televizionin.

Megjithatë, arsyeja ta do që një terrorist mund të rekrutohet njëlloj edhe në një bankë, sikurse mund të rekrutohet në një shtrat hoteli ose në një stol parku.

E megjithatë, nuk më rezulton gjëkundi që shqiptarët që shkojnë të luftojnë në Siri, për çfarë u duket atyre kauzë e denjë, që të kenë kryer akte terrorizmi, ndaj sirianëve, shqiptarëve të tjerë, ose Perëndimit.

Mund të mos na pëlqejë çfarë po ndodh, por vënia e një etikete shkeleshko nuk është se ndihmon njeri.

Celula terroriste në Tiranë dërgoi 50 xhihadistë në Siri,” thuhej në një lajm të Shqiptarja.com, të para disa ditëve. Nga teksti i lajmit, kuptohet se këta të rekrutuar shkonin të luftonin përkrah opozitës në Siri – çfarë nuk mjafton për etiketimin si “terrorist”.

celula terroriste

Edhe media të tjera flisnin për një “celulë terroriste” në Tiranë; edhe pse, me sa arrij të kuptoj unë, pjesëmarrja përkrah opozitës siriane në luftën civile të atjeshme nuk mjafton, për të formuluar akuzën e terrorizmit. Ndoshta duhej shpjeguar dhe kushedi provuar, për shembull, se këta të rinj rekrutohen aktivisht prej Frontit Al-Nusra, të shpallur si organizatë terroriste nga OKB-ja dhe ShBA, mes të tjerash; por këtë s’e kam parë të thuhet gjëkundi, përveçse në ca komunikata të dyshimta të një agjencie iraniane lajmesh.

Nga ana tjetër, të rinjtë që shkojnë vullnetarisht të marrin pjesë në një luftë me nuanca fetare, fanatike dhe xhihadiste, u ekspozohen rekrutuesve të terrorizmit; dhe kur kthehen në vendet e tyre mund të shërbejnë, dhe historikisht kanë shërbyer, si kontingjent i gatshëm për lëvizje radikale, të dhunshme dhe, natyrisht, edhe për akte terrori. Të gjitha këto janë punë e shërbimeve sekrete, të cilat paguhen që të parandalojnë shkallëzime të kësaj natyre.

Çfarë duhet të shqetësojë, është kjo që thoshte ish kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, në një intervistë të paradokohshme: “ka plot shqiptarë që duan të shkojnë në luftë [në Siri],” çka do të thotë se problemi ka natyrë sociale dhe zgjidhja duhet t’i vijë me rrugë sociale, jo penale. Pse janë kaq të shumtë shqiptarët që tundohen prej formave radikale të Islamit? A ka një problem me të qenit të rinj haptazi myslimanë, në shoqëritë e sotme laike, në Shqipëri dhe në Kosovë?

Por edhe bash për këtë arsye etiketa e tanishme e terrorizmit është e parakohshme; sepse nuk ka terrorizëm në mungesë të një akti terrori, dhe sepse vetë etiketimi i ngutur ose bombastik e trivializon terrorizmin si dukuri, duke e normalizuar.

Dhe këtu e ftoj lexuesin të pyesë edhe një herë veten se kujt pikërisht i intereson normalizimi i terrorit. Cui bono?

Herën time të fundit në Shqipëri, kur gjendesha në stendën e shtëpisë botuese Dudaj në Panairin e Librit, për të nënshkruar ndonjë libër timin që qëllonte dhe shitej, më bëri përshtypje kryeministri Rama, ia behu te stenda si pa të keq, i pashoqëruar nga agjentë të shërbimeve sekrete, kamera, sekretarë dhe të tjerë portaborse.

Më bëri përshtypje, sepse jemi mësuar, në Perëndim, falë edhe filmit hollywood-ian dhe CNN-it, që lëvizjet e leader-ëve t’i përfytyrojmë ndryshe; ose, për ta thënë më hapur, jemi mësuar që, sa herë që shohim një “të madh” të politikës në publik, të na shkojë mendja me tmerr te bomba ose te snajperi.

Dhe më erdhi mirë që në Shqipëri nuk e njohim ende, këtë lloj komunikimi të dhunshëm me autoritetin dhe politikën.

Salla e Pallatit të Kongreseve, ku mbahej Panairi, ishte e mbushur plot; lloj-lloj njerëzish dhe ngjyrash, të futur aty pa kurrfarë kontrolli (në NYC të kontrollojnë për bombë edhe kur futesh në një koncert). Vetëm dy ditë më parë, bulevardi i Tiranës kish qenë i bllokuar nga protesta kundër armëve kimike – pra kish pasur një farë rritjeje të tensionit politik.

Mirëpo terrorizmi, për fat, ende nuk ka mbërritur në anët tona. Vite më parë më kish qëlluar të përshëndetesha së largu edhe me Berishën – aso kohe President – në bulevardin Zog I, tek kthehej natën vonë, i vetëm me një roje nga pas, te shtëpia në rrugën e Fortuzit.

Gjëra të vogla, por që të prekin.

Prandaj edhe më tingëllon keq gjithë ky terrorizëm në titujt e mediave shqip; më duket i papërgjegjshëm, instrumental dhe – në fakt – terrorist në vetvete, sa kohë që mbjell terror në mendjet e lexuesit.

Gazetat sot hapeshin me një lajm, për një konflikt të armatosur diku në Turqi, ku ishin vrarë dhe lënduar disa oficerë të sigurimit turk, nga disa persona të etnisë shqiptare.

terror

Terrorizëm, e kishin quajtur mediat turke këtë incident; dhe pas tyre, edhe mediat tona. Por dinamika e ngjarjes linte qartë të kuptohej se nuk ishte fjala për terrorizëm – por për një akt kriminal dhe të paplanifikuar, të disa personave të armatosur, për t’i shpëtuar arrestimit.

A ishin vallë terroristë këta persona? Kushedi edhe ishin, në kuptimin “profesional”; por fare mirë mund të qëllojë që një terrorist të kryejë edhe një akt kriminal, që nuk është akt terrori – p.sh. të vrasë policin që kërkon ta arrestojë.

E përsërit: terrorizmi është realitet specifik në botën e sotme dhe kërkon vëmendje maksimale nga forcat e ruajtjes së rendit; por jo çdo akt i dhunshëm dhe kriminal duhet cilësuar dhe trajtuar si terrorizëm – sepse kjo nuk i shërben as publikut, as vetë luftës kundër terrorizmit.

Nuk ka komente

  1. Mediokriteti i Vehbiut eshte i qellimshem. Edhe lopa e di qe terrorizmi eshte nje krijim amerikan per te gjetur pretekse per destabilizim te qeverive te dnryshme. Filloi nag afganistani, ne ceceni, kullat binjake, irak, libi, egjipt e itali dhe se fundmi ne siri. Por vehbi ka feike ti thote keto se ja heqin lejeqendrimin ne ShBA.

    1. E kalova komentin më lart thjesht për t’i dhënë lexuesit një ide për komentet që zakonisht nuk kalohen. Por, ju lutem, mos u ndikoni nga ky koment, nëse doni të shtoni mendime ju vetë – sepse nuk ia vlen.

  2. Terrorizmi eshte perdorur gjithmone si arme politike, sikurse nga ana tjeter etiketa “terrorizem” eshte perdorur gjithmone politikisht. Sa i perket realitetit shqiptar, besoj se termi ka hyre ne shqipe gjate luftes se dyte boterore kur shtypi fashist dhe nazist i konsideronte terrorizem aktet e rezistences shqiptare.

    Nuk eshte e vertete qe terrorizem kemi vetem kur vriten viktima “te pafajshme”.
    “Brigadat e kuqe” ne Itali nuk qellonin ne turme, por vrisnin njerez te caktuar pasi u benin gjyqin, i shpallnin fajtore dhe i denonin me vdekje. E megjithate askush nuk ve ne dyshim sot karakterin terrorist te tyre.
    Si te thuash, ai qe per ty eshte i pafajshem, per mua eshte fajtor.

    Çka i bashkon te gjithe terroristet eshte se vrasin ne emer te nje kauze. Pra edhe shqiptaret qe shkojne te luftojne ne Siri per te mbrojtur nje “kauze” pa dyshim qe jane terroriste. Edhe ushtaret e Asadit bij nenash jane. Ata nuk u kane asnje borxh shqiptareve. I vetmi “faj” i tyre eshte se u ra per hise te kryejne sherbimin ushtarak pikerisht ne kete periudhe.

    Mendo per nje çast sikur keta muzhahedine shqiptare te fillojne zhihadin e armatosur ne Shqiperi. Per ta do te jete krejt e ligjshme te vrasin “qafiret”, pra policet, politikanet, profesoret, gazetaret shqiptare ne emer te besimit. Praktikisht kete bejne ne Siri. A s’eshte terrorizem ky?

    Lexova diku ne nje gazete shqiptare se sot perkrahesit e tyre ne Shqiperi qenkan rreth 700 vete. Kujt ia merrte mendja para disa vitesh se shqiptaret do te luftonin ne emer te besimit!

    Sikur te mos merret seriozisht kjo pune, kam frike se do te shumefishohen dhe se shpejti do ta kemi problemin ne shtepi.

    1. Ke të drejtë për pasazhin e “viktimave të pafajshme” – kisha parasysh diçka tjetër, por nuk e mendova që me atë formulim do të mbeteshin jashtë disa akte terroriste “të shënjestruara”, si ato të Brigate Rosse në Itali.

      Kjo edhe ngaqë terrorizmi i këtij shekulli na ka mësuar me kamionë me ekspozivë, që shpërthejnë në mes të pazarit; ose me bomba që njëlloj shpërthejnë, në stacione të metrosë ose në supermarkete.

      Për t’iu kthyer “viktimave të pafajshme”, kisha parasysh faktin që akti terrorist, për të qenë terrorist, duhet të mbjellë në masë idenë se edhe ti mund ta kishe pësuar, madje se edhe ti mund ta pësosh. Natyrisht, BR në Itali ose RAF-i në Gjermani kërkonin që, duke vrarë një kolonel të karabinierëve ose një bankier, t’u shtinin tmerrin klasës së oficerëve të lartë ose të bankierëve.

      E gjithë kjo kërkon edhe bashkëfajësinë e mediave.

      Përndryshe, edhe në Itali, të gjithë janë dakord që të quajnë akt terrorist atentatin në stacionin e Bologna-s, por nuk di sa do ta quanin terroriste vrasjen e gjykatësve Falcone e Borsellino, nga Mafia; pa çka se edhe këto vrasje e kishin gjithnjë një element terrori brenda.

      Me një fjalë, cilësimi i një akti si terrorist kërkon të merret parasysh edhe synimi i atij që e kryen: një ish-i dënuar, që vret gjykatësin e vet, nuk bën terror; por nëse dikush vret gjykatësin për t’u dhënë një mesazh gjykatësve të tjerë ose establishmentit, atëherë flasim për terror.

      1. “…por nuk di sa do ta quanin terrorist vrasjet e gjykatësve Falcone e Borsellino, nga Mafia; pa çka se edhe këto vrasje e kishin gjithnjë një element terrori brenda”.

        Vertet, vrasja e tyre nuk para konsiderohet akt terrorist, por ne thelb ishte i tille. Aq me teper qe, nga sa po mesojme tani, pas vrasjes se tyre disa fragmente te shtetit ndermoren bisedime paqeje me mafian. Pra si akt terrorist rezultoi edhe efikas.

  3. Verrejtje me vend ceken ne kete shkrim por te mos harrojme se media shqiptare ka kohe qe i bie fyellit te terrorizmit. Kjo ka ndodhur deri tani kur nuk ka pasur asnje gjurme e jo me tash kur sikur po duket ndonje mirazh arabesk ne prag te veres…

  4. Shqiperia eshte anetare e Konfernces Islamike dhe dy nga detyrimet e saj jane: Clirimi i Palestines dhe promovimi i solidaritetit islamik mes vendeve anetare. Per te paren po perpiqen keta djemte. Per te dyten po perpiqet qeveria se po solidarizohet me Asadin. Keshtu qe jemi ne rregull. Thjesht nuk i kuptoj keto ligje. Ne SHBA ka forca politike qe kane qene ne Shtepine e Bardhe qe predikojne konflagracionin boteror si parakusht per ardhjen e Mesise, kurse ne Belgjike para disa kohesh u miratua ligji per te drejten e eutanazise te femijet, qe per nje pjese te botes eshte akt horrori. Pse valle ketyre djemve nuk u njihet e drejta per te shkuar ne lufte?

    1. Nuk me rezulton se Palestina gjeografikisht ndodhet ne kufirin Turko-Sirian, Irakeno-Sirian apo Jordano-Sirian, ca me pak ne rrethinat e Damaskut.
      Pak nga “ket djem” jane thjesht individe te indoktrinuar nga nje mori fondacionesh te hapura ne Shqiperi si vaji ne lakra nga kampione te demokracise si Arabia Saudite e Katari. Shumica e “djemve” jane thjesht gjynahqare qe nepermjet Turqise (Cucka e prek me shume te drejte faktin e rolit Turk ne luften “by proxy” qe beher kunder Asadit) ne shkembim te rrogave te paguara nga Sauditet dhe Katariotet bejne punet e ketyre te fundit.
      Ironik eshte fakti qe mbeshtetje kauzes Palestineze (nder fuqite kufitare) i jep Siria, ndersa Sauditet e me gjere, Keshilli i Gjirit jane ne shtrat fshehur me Izraelin e hapur me mbeshtetesin me te madh te tij USA.
      Ka dicka tragjiko-komike ne kete ceshtje. Para pak kohesh nje grup terrorristesh cecene pasi u arrestuan nga forcat qeveritare u shprehen shume te habitur qe gjate gjithe kohes se “luftes per clirimin e Palestines ne Siri” nuk degjuan asnje qafir sirian te ……..fliste hebraisht.
      Tema eshte mjaft e gjere dhe Siria eshte thjesht nje detaj ilustrues.

  5. Disa nga komentet më lart, të cilat nuk është se vijnë shpesh në blog, normalisht nuk do ta kishin kaluar moderimin. I lejuam, meqë disa na kanë qortuar se moderojmë fjalën e lirë; dhe meqë edhe tema vetë i kushtohet terrorizimit.

    Natyrisht, PTF nuk i ka mjetet që t’i qaset këtij problemi ballazi – por edhe e kemi të qartë se moderimi është zgjidhje vetëm e pjesshme, ose për kopshtin tonë.

    Këta që shkruajnë nuk është se ndeshën rastësisht në shkrimin në fjalë – nga ato që thonë, duket se janë të familjarizuar edhe me akuza të njohura që i janë bërë më parë autorit.

    Ka një botë të nëndheshme, ku gjyqet janë bërë tashmë dhe vendimet janë marrë. Lexuesit i ftoj të kenë kështu parasysh kontekstin e përgjithshëm ku operon blogu.

    Komentet do t’i heq pas 3-4 orësh.

  6. Shkruan Relapso:

    Çka i bashkon te gjithe terroristet eshte se vrasin ne emer te nje kauze. Pra edhe shqiptaret qe shkojne te luftojne ne Siri per te mbrojtur nje “kauze” pa dyshim qe jane terroriste. Edhe ushtaret e Asadit bij nenash jane. Ata nuk u kane asnje borxh shqiptareve.

    Këtu dua të diskutoj. Duke filluar që nga shprehja “vrasin në emër të një kauze” – sepse në emër të një kauze vret edhe shteti; sikurse vret edhe ushtari.

    Nuk e njoh mirë kontekstin e luftës civile në Siri, por kur dëgjoj për vullnetarët shqiptarë që nisen për atje, më kujtohet Lufta e Spanjës, në vitet 1930.

    Edhe atëherë u ngritën vullnetarë nga gjithë bota, për të mbështetur kauzën republikane. Vajtën plot edhe nga Shqipëria – si Mehmet Shehu dhe Petro Marko.

    Tani, shumë u thanë për ata vullnetarë, por terroristë nuk më rezulton që t’i ketë quajtur kush.

    Ishin njerëz që luftën civile në Spanjë e panë edhe si kauzën e tyre.

    A mund të themi, në këtë rast, që vullnetarët shqiptarë që nisen për Siri, e shohin kauzën e opozitës siriane si të tyren?

    Fakti që janë shqiptarë, nuk ngre peshë në këtë rast, sepse vizioni i tyre për botën nuk është etnocentrik, por teocentrik – ose, të paktën, po aq internacionalist sa edhe ai i luftëtarëve të Spanjës, për të cilët janë thurur vjersha dhe janë shkruar romane të mirëlexuara.

    Ngul këmbë, meqë jemi në argument, që problemi është social dhe kërkon vëmendje nga shoqëria civile.

    1. Jo te gjithe ata qe luftojne per nje kauze jane terroriste, por s’ka dyshim se te gjithe terroristet luftojne ne emer te nje kauze.
      Ketu mbetet per te diskutuar se sa e drejte eshte kauza siriane, cilat jane shtysat qe i çojne shqiptaret atje dhe a jane te vetedijshem ata vete se perse po luftojne.

      Kam frike se pjesa derrmuese e tyre as nuk e dine fare se si dhe pse lindi konflikti ne Siri. Ai nuk eshte konflikt fetar, por mirefilli politik. Asadi dhe ushtaret e tij jane po aq muslimane sa edhe kryengritesit. Asadi nuk i ka shpallur gje lufte te gjithe muslimaneve, por vetem atyre qe duan ta rrezojne nga pushteti. Shqiptaret qe shkojne te luftojne atje i jane bindur qorrazi thirrjes se disa hoxhallareve fondamentaliste qe jane pjese e nje detashmenti politik e qe manipulojne njerezit ne emer te fese.

      Me gjithe paralelet qe mund te hiqen me luften e Spanjes, mendoj se ai precedent historik nuk mund te sherbeje si justifikim per zhihadistet e sotem.

      Vullnetaret e Spanjes, sado te indoktrinuar te ishin, luftonin per vlera fisnike si te drejtat e njeriut, barazia, republikanizmi.
      Zhihadistet luftojne per te zevendesuar laicizmin e shtetit dhe te shoqerise, lirine e besimit dhe te ndergjegjes, bashkejetesen paqesore te individeve me besime te ndryshme, me ligjin e sheriatit.

      Ketu rreziku i vertete eshte ai i krijimit te nje kulture fetare fondamentaliste, pra perjashtuese, ne nje vend si i yni, per te cilin nje kulture e tille do te ishte me pasoja katastrofike, sepse do te hidhte ne ere bashkejetesen paqesore mes besimeve te ndryshme dhe kohezionin social ne Shqiperi. Keta fondamentaliste nuk jane njerez “me potencial te madh etik”, as “njerez te mire qe duan te jetojne ne paqe”, por jane njerez qe kerkojne t’ua imponojne idete e tyre te tjereve me zjarr dhe me hekur.

      Problemi eshte social, kulturor dhe politik.

  7. xhaxha, eshte e veshtire te ndermerret nje diskutim i distancuar mbi kete teme, sidomos kur ajo vazhdon nderkohe tek respublica, peshkupauje, e-zani.com etj. forume ku njerezit ndezin kokat .. do e shnderrojne edhe kete oaz (shih me siper) ne nje llogore apo poligon ku te provojne artilerine e rende te sharjeve

    une jam mese dakord me analogjine e spanjes, per motivet e luftetareve nderkombetare, edhe pse ne shqiperi duan te ndryshojne ligjin e ta kriminalizojne pjesemarrjen ne kesi konfliktesh .. nderkohe qe shteti yne eshte hipokrit edhe ne kete ceshtje sepse nuk eshte shtet neutral (si zvicra, por anetar i NATOs dhe ne lufte, se kete e harrojme se duam).. eshte ne listen e OKB-se si shtet qe merret me shitje armesh ne zonat e konflikteve te armatosura ne afrike e gjetke .. por si gjithmone cfare i lejohet shtetit (flit: shtetareve) nuk i lejohet nje individi te thjeshte..

    ve re tjeter, qe kur vjen puna tek keta vullnetare sistemi yne i drejtesise, SHISH etj.. funksionokan shume mire … apo jo?.. ne fakt terroristi i fundit qe doli nga burgjet e shqiperise u deklarua i pafajshem pas dy vjetesh! .. atehere funksionokan sic duan dhe jo sic duhet.. se nje gjykate apeli leshon ne gjykim te lire nje te kerkuar nga interpoli per ekstradim, nderkohe qe keta i mbajne ne paraburgim se perbejne rrezik? ne rrethinat e tiranes .. ku shteti funksionon vetem si zhvates se as per dukje nuk eshte ..

    problemi tjeter eshte qe ne diskutimin publik eshte perzjere profanja me ekspertizen – jane intervistuar agjente te shish, futur analiste pa fund e krye dhe populli virtual (me ato karakteristikat e kategorite te pishkashit) .. shih se fundmi edhe reagimin e nje fare eseisti gjimnazi tek mapo qe kerkon te behet pjese e nje diskutimi te brendshem te doktrines fetare islame, ai percakton se cfare eshte e huaj ne doktrinen fetare islame pa kurrfare autoriteti fetar apo njohuri te thella fetare, por thjeshte nga autoriteti qe i jep pozicioni i tij si kryeredaktor …

    corbe e nxehte dhe e pangrenshme..

    1. Diçka që duhet sqaruar menjëherë, besoj edhe nga mediat, është nëse këta qytetarë shqiptarë që shkojnë të luftojnë në Siri paguhen për ta bërë këtë. Nëse paguhen, atëherë dukuria mund dhe duhet trajtuar ndryshe – për shembull, duke ua hequr qytetarinë shqiptare mercenarëve.

      Përkundrazi, vullnetarizmi e ndërlikon shumë tablonë – sepse dikush që i del zot një kauze fetare dhe shkon të vërë kokën në rrezik për “ide” është njeri me potencial të madh etik; dhe është katastrofë për shoqërinë shqiptare që t’i humbë këta njerëz, sikurse është katastrofë që t’i përjashtojë ata, duke i etiketuar si terroristë.

      Të kemi parasysh origjinën dhe statusin shoqëror të “vullnetarëve” – këta nuk janë filozofë, as freethinkers, as post-modernistë, por njerëz të thjeshtë, të përvuajtur, që kanë gjetur te feja një ngushëllim, ose një përgjigje për hallet e tyre dhe dilemat e tyre. Njerëz me dilema, në një botë ku dilema konsiderohet si dobësi.

      Në një kuptim, dhe është kuptim i rëndësishëm, njerëzit që i afrohen fesë janë njerëz të mirë, që duan të jetojnë në paqe me veten, me familjen, me komunitetin dhe me Perëndinë. Dhe një shoqëri numerikisht e vogël, si kjo e jona, mund të nxjerrë vetëm një numër të kufizuar njerëzish të tillë – të cilët duhen përfytyruar si një lloj kapitali moral.

      Ne që diskutojmë me nge për këto punë kemi zakonisht qasje tjetër ndaj jetës; por do të bënim gabim sikur qasjen tonë ta projektonim edhe te Tjetri, dhe do të bënim gabim edhe më të madh sikur ta konsideronim këtë lloj projeksioni si një imperativ moral të parimit të barazisë.

      Për mua do të ishte gjëja më e çuditshme që të shkoja të luftoja në Siri, në emër të një kauze fetare; por kjo nuk do të thotë se e tillë do të ishte dilema edhe për atë Tjetrin, që dallon shumë prej meje; dhe nëse unë nuk jam në gjendje të empatizoj Tjetrin, atëherë nuk kam të drejtë as ta bëj atë subjekt të diskursit tim. Kështu çështja vjen dhe merr edhe për mua – apo të them më mirë për ne që e përflasim – përmasa morale.

      1. kjo eshte hipokrizia e klases sone politike, e kapur shume mire nga ai diplomati qe kishe cituar ne nje shkrim tjeter, ne i gjykojme te tjeret me politiken e te medhenjve e perfitojme nga politika e te vegjelve (duke luajtur rolin e viktimes) .. per sirine themi qe nuk eshte pune e shtetit shqiptar, por politikanet tane jane shprehur kundra regjimit .. tani shprehen kunder Rusise pa teklif e marrin pozicione e qendrime sikur po luajne ndonje rol ne arenen nderkombetare, edhe pa ja u kerkuar askush..

  8. “Jena mysliman/jena q’ata mjekrra/qe vdesim per vatan”. Thote kenga e “Gold Ag”.
    Kjo elite hajdutesh dhe banditesh qe si te tille kane uzurpuar edhe kauzen e integrimit dhe perfaqesimit te lidhjes sone me perendimin ka tashme nje problem shume serioz. Me ne fund shqiptaret po dine ku te besojne. Nenshtetesine thote xha xhai, t’ua heqin po qene mercenare. Kujt i duhet? Ka ca qe vdesin per vatan dhe aty nuk te ndal dot Sehir Tahiri dhe as ky kryeminister qe e sheh vendin si kanvaca ku ushtron imagjinaten. Fundja besimtaret jane ne thelb apatride.

  9. Jena mysliman/jena q’ata mjekrra/qe vdesim per vatan …
    dhe po shtoj: jeni ata qe besoni ne mitologji idiote te shekullit VII. Dhe megjithate keni edhe mjaft virtyte, qe askush nuk mund ti mohoje. Ne institucionet apo nder besimtaret myslimane mund te gjesh sot moralin, thjeshtesine dhe solidaritetin qe rralle e gjen ne ndonje institucion tjeter apo ne pergjithesi ne shoqerine shqiptare. Dhe per kete meritoni respekt.
    Perndryshe per sa i perket temes; bashke me “terrorist” jane nje grup fjalesh, siç edhe per shembull “komunist” apo “komb”, apo te tjera me te cilet kemi sot shume veshtiresi. Ne fjalore konceptet jane perkufizuar relativisht qarte, por megjithate duket sikur secili percakton me to koncepte te ndryshme dhe shpesh ata qe i perdorin nuk kuptohet se çfare duan te thone.

  10. Dikur Jaser Arafat, bashke me Rabin dhe Peres, moren cmimin Nobel per paqe. Te tre keta, ne menyre direkte kur ishin te rinj, dhe indirekte me ane te politikave te tyre kur u moshuan pak, kane merituar plotesisht termin terrorist ( kane vrare njerez qe nuk ishin objektiv ushtarak).
    Kjo i jep nje kuptim te ri termit terrorist. Terrorist eshte ai terrorist qe ne mund t’a mundim. Ne rast se na mund, na sjell lirine dhe demokracine dhe ne rast barazimi eshte negociator.

    Sa per rastin e Shqiperise, kemi te bejme thjesht dhe paster me islamofobi.
    Nuk kam ndnj simpati ideologjike per te arrestuarit, menyra e predikimit te tyre ka shume te ngjare te ishte e gabuar, druaj se ata percanin dhe hallakatnin muslimanet, kam pershtypjen, me aq sa pak e njoh legjistacionin islam ( sheriatin) se ne nje vend ku ky legjistacion aplikohet, do t’a kishin kapur burgun shume me heret, por nuk rezulton te jete krim ne shtetin tone qe te flasesh c’te te doje qejfi me ke te te doje qejfi, dhe ai te ndikohet nga ato qe ai thote.
    Ne Shqiperi kemi autore te njohur qe predikojne shfarrosjen e muslimaneve pratikante, konvertimin e te tjereve, dhe deportimin ne Turqi te fatlumeve ( K. Myftaraj).
    Kemi te dekoruar nga presidenti i republikes qe shprehin keqardhje qe Miloshevici nuk i vrau dot te gjithe Muslimanet e Kosoves.

    Por po te kesh ndnj cike mjekerr dhe po te falesh e ke keq punen. Nuk shan dot as ne stadium se je terrorist

  11. Te me falin moderatotet per kete nderhyrje jashte teme, por duke pare disa postime pak me lart, do te doja ti thosha dy fjale.
    Nuk me duket arsye e mjaftueshme qe per hir te kategorise (per mua shume e dyshimte) te “Lirise se Fjales” te shohim ne kete forum ndyresira te tilla qe nuk kalojne as testin minimal te etikes minimale njerezore!
    Personalisht do i klasifikoja keto qenie (te me falin kafshet per afersi klasifikimi) si materialin primar qe po ben bemat kanibaleske ne Siri.
    Keta jane dallendyshet e para te fondacioneve Sudito Katarioete ne Arnautistan.
    Nuk me duket se kane pak vend ku te vjellin vrerin e tyre pseudo-fetar keta trushpelare qe per hir te krizave te tyre ekzistenciale jane gati ti vene zjarrin botes.
    Lenia jashte ketij forumi (nga te paktet qe kane mbetur) nuk do ti hiqte asgje pozitive atij (forumit).
    Perkundrazi.

    1. Antares, që u lejuan ato komente ishte një përjashtim. Ka njerëz që na qortojnë për moderimin meqë, sipas tyre, u mohojmë të tjerëve të drejtën e fjalës.

      Prandaj edhe i lejuam, për t’u treguar kuriozëve një shembull se çfarë pikërisht moderohet, se çfarë pikërisht ua mohojmë lexuesve dhe se ku dhe si pikërisht ua shkelim të tretëve të drejtën e fjalës.

      E gjithë kjo është një teatër që nuk më pëlqen ta luaj. Ata që na qortojnë, e bëjnë këtë në keqbesim: jo sepse i ha meraku për fjalën e lirë, por sepse nuk u ka ecur me ndonjë kapadaillëk në blog – prandaj edhe nuk është se do të binden nga shembujt e mësipërm.

      Megjithatë, ka një opinion që qarkullon: në PTF nuk të lënë të flasësh. Shpresoj të mos e qarkullojnë të njëjtët me komentuesit lapërdharë më sipër.

    2. Fondacionet e Arabisë i kanë droguar islamikët deri në pikën që t’i shajnë njerëzit me shprehje tip “shkerdhatoislamikokatolikovlehovucidolsokomunistobuce”.

      Po nuk duhet të humbë ky farë basorelievi!

      Meqë komentet e ‘keti b’ duhen fshirë, le të qëndrojë këtu tek ky komenti im, deri në fund të erës digjitale, kjo kompozitë e rrallë, shkëputur nga pathosi i saj vëllazërues, gjithëpërfshirës.

      1. Pse quhet kaq kollaj tjetri terrorist ne Shqiperi? Po ja shikoni dy nga komentuesit me siper dhe kuptohet se pse. Edhe pse ne nje blog mbi nivelin mesatar, njerez qe e quajne veten te lecitur gjejne pas nje komentuesi halabak terroristin. Une per vete jam shume i paqarte se si nje terrorist islamik shan ndyre te gjithe por edhe Islamin tek kjo shprehja:
        ““shkerdhatoislamikokatolikovlehovucidolsokomunistobuce”

  12. Sot ne “panorama” u botua ky artikull nga Rudian Zekthi, ku autori ne dukje mundohet te perligje pjesemarrjen e “muslimaneve shqiptare” ne luften e Sirise.

    http://www.panorama.com.al/2014/03/26/siri/

    Pertej çeshtjes siriane, ne fakt artikulli eshte nje perpjekje per te shpjeguar e perligjur zhihadin e ardhshem ne Shqiperi si nje lufte mes grupesh shoqerore qe nuk e tolerojne njeri-tjetrin. Fitorja finale, sipas autorit, eshte “e parashkruar” (kupto “e shkruar nga allahu”).

    1. Shumë e bukur kjo “kupto”, shumë e rëndë.

      I ngjan asaj që kuptoi dikush këtu kur sharjen “shkerdhatoislamikokatolikovlehovucidolsokomunistobuce” ia veshi direkt dallëndysheve me mjekër të Arabisë.

      Se në fakt artikulli i R. Zekthit ka një skemë e sidomos kahje komplet të ndryshme nga sa urdhëron “kupto”-ja sipër.

      Sa saktë e ka R. Zekthi, nuk ka fare rëndësi – thjesht po thotë se është klasik në histori rasti kur një grup shoqëror në pakicë piketohet si mish i huaj nga shumica e shoqërisë dhe ky piketim numërohet si hap potencial drejt amputimit. Dhe zakonisht, vazhdon autori, fitorja (ose amputimi) në luftën e “së tërës” mbi “pjesën”, apo mbi më “të dobëtin”, “është e garantuar”. Mirë ose keq, autori po siguron shumicën se po iu shkrep të shfrehet mbi pjesën më të dobët të shoqërisë, fitorja “është e parashkruar” (kupto: për shumicën, jo për pakicën apo “zhihadin”).

      Ironitë me “fitore finale” “shkruar nga allahu”, pra, nuk janë me vend.

      Siç kuptohet dhe nga ilustrimet prej artikullit:

      “Angazhimi i hapur për sheshim të pjesëve në funksion të përparësisë të së tërës mbi natyrën e dhënë njëherë e mirë të shoqërisë si një e tërë ka ndodhur jo rrallë në histori, herë si raison d’etat e herë si ideal transhendental, si simptomë e gjykimit organicist mbi natyrën e dhënë njëherë e mirë të shoqërisë si një e tërë. Dhe për çdo herë që ka ndodhur, ka qenë shpallje e njëanshme lufte e shoqërisë si e tërë ndaj grupit si trup i huaj për të.
      (M)betet si mundësi eksplicite – e afërt, apo implicite – e largët, shpallja e luftës së të tërës ndaj njërës prej pjesëve të saj. Dhe sigurisht, me ndonjë përjashtim që vetëm sa do të përforconte rregullin, kjo luftë do të përfundonte me fitoren e së tërës mbi pjesën, si një fitore e paralajmëruar ndaj më të dobëtit apo më të pambrojturit.
      14. Këtu çështja pra nuk është cili do të fitojë luftën (siç shqetësohen elitat e rreme) sepse kjo është parashkruar”.

      Kurse për vullnetarët e Sirisë, R.Zekthi nënvizon parimin dhe qëllimin e mirë të ndihmës së të dobtëve dhe dënon sektarizmin si motiv për luftë:

      “(L)ufta në mbrojtje të të dobëtëve është një qëllim i lavdërueshëm dhe ajo që duhet të diskutohet janë mjetet në realizimin e tij dhe jo qëllimi.

      20. Dhe se vajtja vullnetare në një luftë mbrojtëse, në të cilën ushtria qëllon mbi të pambrojturit, si veprim autonom i personit të panxitur nga fryma sektare dhe të paprekur nga mendjelehtësia e shpërnguljes me gjithë familjen në një zonë lufte, është një e drejtë e tij që ligjet mund ta ndalojnë, por jo ta zhvlerësojnë. Dhe nëse shkon jashtë këtyre kushteve, i nxitur nga sektarizmi brendafetar, ai bart mbi vete sektarizmin e të gjithëve ne, sektarizmin dhe mjerimin kulturor të gjithë kësaj shoqërie.”

      1. post-op,

        artikulli i Zekthit pershkohet nga nje fryme konfliktuale dhe luftarake qe nuk perkon me realitetin social shqiptar. Mbizoterojne aty fjale si “gjendje lufte”, “mbijetese”, “grupe sociale”, “amputim”, “shkermoqje e shoqerise” etj. aq sa sikur ta lexoje dikush qe nuk e njeh shoqerine shqiptare, do te mendoje se eshte fjala per nje shoqeri ne prag te luftes civile.

        Me ane te disa akrobacive logjiko-stilistike Zekthi perpiqet t’u jape statusin e “grupit” a te “trupit social” disa individeve qe paskan zgjedhur “ta tolerojne shoqerine si te keqen me te vogel”, por qe nuk u pelqeka fare statusi i “te qenit te toleruar nga shoqeria”, sepse duan te zene kryet e vendit ne shoqeri.

        Gjithe kjo fryme luftarake alternohet me sentenca programatike te tipit: “shoqeria ku jetojme nuk eshte me e mira e mundshme dhe Islami eshte me siguri nje kontribues potencial ne te gjitha nivelet per permiresimin e saj”.
        Ketu eshte problemi! Zekthi “harron” se per nje shoqeri si kjo e jona e vetmja vlere agregacioni social eshte laicizmi a shekullarizmi dhe jo besimet fetare. Besimi eshte dhe duhet te mbetet permase shpirterore e individit dhe jo e shoqerise. Shoqeria nuk mund te behet as xhami e as kishe, perndryshe vertet shkermoqet.

        Titulli i artikullit “Siri” nuk ka lidhje fare me permbajtjen e artikullit qe ka per objekt shoqerine shqiptare. Ai titull mua me tingellon si nje metafore ogurzeze.

        Se fundi, me duhet te them se Rudianin e njoh personalisht. Ia kam respektuar gjithmone zgjedhjet dhe bindjet, madje e kam mbrojtur kur te tjeret e kane paragjykuar per shkak te atyre zgjedhjeve. Une e kam pranuar ate si individ dhe pretendoj vetem qe edhe ai te me pranoje keshtu siç jam, pa u perpjekur te me permiresoje.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin