NGA FORMULARËT TE PARANOJA

camelTë gjithë do ta kenë dëgjuar shakanë se deveja nuk është gjë tjetër veçse një kalë i projektuar nga një komitet.

Edhe sikur të mos e kishim dëgjuar, të gjithëve do të na ketë shkuar në mendje në një formë ose në një tjetrën, sa herë që na është dashur të përplasim kokën pas murit të një institucioni, korporate ose në përgjithësi një entiteti që i merr gjithnjë vendimet në mënyrë “kolegjiale”.

Në situata të tilla, shpesh më qëllon të pyes veten cila është IQ-ja e një institucioni; dhe nëse kam të drejtë të mendoj se kjo IQ nuk ka shumë të bëjë me zgjuarsinë ose eksperiencën ose ekspertizën e njerëzve që punojnë atje.

Kush ka provuar të sqarojë një çështje çfarëdo me kompaninë që i siguron furnizimin me elektricitet ose gaz, ose shërbimin telefonik me linjë tokësore ose celular, do të ma konfirmojë se dilema ime më sipër vlen përtej një batute të çastit, ose metafore të frustracionit.

 

Truri i automatit bankar

Truri i automatit bankar

Idiotizmi vjen e ndërlikohet edhe më, ngaqë kur komunikojmë me korporatat ose institucionet, shpesh një pjesë të transaksionit duhet ta bëjmë me një kompjuter, i cili përpiqet të lexojë çka shkruajmë në tastierën e telefonit ose të kuptojë fjalët që i themi.

 

Përfytyrojeni veten duke biseduar me një automat bankar; çfarë mund t’i thoni dhe ç’informacione mund të shkëmbeni me të?

Besoj se diçka e ngjashme do të ndodhte sikur të mund të komunikonim me një urith ose një kaktus.

Në një rrafsh më tradicional, me entitete të tilla kolektive mund të komunikojmë vetëm nëpërmjet formularëve.

punch_card

Formularët mua më kujtojnë njëfarësoj kompjuterët e hershëm, të cilët pranonin të dhënat vetëm në trajtën e kartave të perforuara. Vëreni çfarë ndodh me informacionin kur plotësoni një formular; të dhënat jo vetëm reduktohen në pak të vërteta banale – p.sh. që jeni i racës “kaukaziane”, ose që mashkull etj. – por edhe filtrohen në mënyrë të tillë që gjithçka e hollë dhe e rafinuar që ka lidhje me ju si person dhe që ju përkufizon si qenie njerëzore mbetet jashtë.

Për t’iu marrë në konsideratë, entiteti kolektiv ose kosherja kërkon t’ju depersonalizojë paraprakisht, për t’iu shndërruar në një nyje të dhënash statistikore.

Natyrisht, askush nuk shkon të shkëmbejë të dhëna me një qenie të tillë të frikshme, përveçse kur detyrohet për arsye pune, shëndeti, mirëqenieje ose të tjera të ngjashme.

*                      *                      *

Puna e përditshme që bëj, më fut në kontakt me agjenci të mëdha të “lokalizimit”, çka është një nga ato fjalë të bukura shumërrokëshe, që kanë zëvendësuar termin e vjetër dhe të nderuar përkthim. Agjenci të tilla zakonisht ndërmjetësojnë midis korporatave shumëkombëshe dhe specialistëve lokalizues (përkthyesve), në mënyrë që korporatat t’ua përshtatin produktet e tyre tregjeve lokale.

Ta zëmë që një korporatë, p.sh. Canon, kërkon të hedhë në treg një kamera të re dixhitale, për ta shitur anembanë botës. Për këtë, i duhet që manualin e përdorimit të kameras dhe të gjitha tekstet që afishohen në ekranin LCD të kameras t’i përkthejë në gjuhët lokale të vendeve përkatëse. Meqë nuk është praktike për Canon që të hyjë në marrëdhënie, bie fjala, me 55 zyra të ndryshme përkthimi, atëherë korporata lidhet me një agjenci lokalizimi dhe i jep asaj dokumentet bazë në anglishte; agjencia pastaj kujdeset për lokalizimin e këtyre dokumenteve.

Agjencia komunikon njëkohësisht me porositësin (Canon), dhe lokalizuesit – zyra përkthimi ose përkthyes individualë. Qëllimi i agjencive të tilla është të sigurojnë maksimumin e fitimit, i cili nuk është veçse diferenca midis çka paguan porositësi, dhe çka përfundon në xhepat e lokalizuesve individualë. Nga ana e tyre, lokalizuesit komunikojnë drejtpërdrejt me përdoruesit finalë të produkteve, meqë tekstet e prodhuara prej tyre në gjuhët lokale u shërbejnë atyre përdoruesve.

Kam vite që jap e marr me agjenci të tilla; dhe nga përvoja vetjake them se, me kalimin e kohës, të gjitha përpjekjet e tyre organizohen sipas një qëllimi kryesor, që është pikërisht mbijetesa e agjencisë vetë; qëllim ky që i mbivendoset edhe dëshirës për t’i mbajtur klientët e tyre të kënaqur (korporatat shumëkombëshe), edhe nevojës për të ruajtur marrëdhënie korrekte me shitësit e shërbimeve lokalizuese (përkthyesit).

mouse-frogPërfytyroni të keni të bëni rregullisht me një entitet kolektiv, jashtëzakonisht burokratik dhe të artikuluar në shumë nivele dhe departamente, i cili komunikon me ju duke iu përmbajtur IQ-së së bretkosës ose të lëpjetës, siç e përmenda më lart.

Në rrafshe të tilla, komunikimi mbetet peng i një inercie praktikisht të pamposhtshme.

Një nga këto agjenci, para tre muajsh, filloi një proces të rishikimit të terminologjisë së përdorur, i cili konsistonte kryesisht në një shkëmbim frenetik formularësh të ndërlikuar në Excel midis shumë palëve, prej të cilave një pjesë e madhe nuk e kishin idenë se çfarë po ndodhte. Në përfundim të këtij procesi, për shqipen u pa e nevojshme që të zëvendësoheshin vetëm tre terma, ndërsa dy terma të tjerë të shtoheshin si alternativë; në një kohë që lista totale e termave të shqyrtuar i tejkalonte 500 njësitë.

Për të zëvendësuar këta pesë terma, agjencia kishte përgatitur dy formularë në Excel dhe dy dokumente me udhëzime hap-pas-hapi për “implementimin” e ndryshimeve në formularët.

Mendja njerëzore nuk është në gjendje të krijojë, as të përdorë produkte të tilla djallëzore, të cilat përftohen nga kompjuterët ose nga grupe pune prej dhjetëra ekspertësh të burokratizuar, dhe për nga funksioni u ngjajnë helmeve ose toksinave të sekretuara prej gjallesave të ndryshme, gjatë luftës për ekzistencë. M’u deshën më shumë se 40 minuta për të marrë vesh se çfarë duhet të bëja pikërisht për t’i ndryshuar ata pesë terma të bekuar; operacioni erdhi dhe u ndërlikua edhe më, sepse formulari në Excel mori kaq vend në kujtesën RAM, saqë e ngriu kompjuterin; pastaj bash kur kujtoja se ia kisha dalë mbanë këtij tmerri, më erdhi një mesazh nga agjencia, për të më njoftuar se një prej udhëzimeve ishte gabim – duhej manipuluar kolona D, jo H…

Gjatë këtij procesi, një prej “vleftësuesve” terminologjikë besoj në Shqipëri, kishte sugjeruar që anglishtja subscription të përkthehej tash e tutje si abonim, në vend të pajtim që e kërkonte terminologjia e vjetër; sugjerim që mua m’u duk i drejtë dhe e miratova, por që logjikisht kërkonte edhe që përkthimi i vjetër i foljes subscribe si pajtohem, të zëvendësohej me abonohem. Siç mund ta merrni me mend, formulari nuk e pranoi këtë; teknokrati në anën tjetër të ekranit – ndoshta në Madras ose në Daka – u indinjua me guximin e kujt kërkonte të ngrinte krye ndaj autoritetit të formularit; më në fund, u gjet një neuron “i urtë” në ganglionet më të larta të trurit të bretkosës, për të më premtuar se sugjerimi im do të merrej parasysh herën e ardhshme që të rishikohej terminologjia…

Çfarë mbeti jashtë këtij procesi kaq shumëfazor e të studiuar, ishte pikërisht shqetësimi që produktet në fjalë të komunikonin sa më mirë me përdoruesit e tyre shqipfolës, edhe nëpërmjet përditësimit të terminologjisë. Përkundrazi, për entitetin kolektiv të agjencisë, lokalizimi i teksteve ndihmëse dhe i manualeve vlejtkësh si teknikë për të mbijetuar.

U zgjata pak në këtë shembull meqë fushën e lokalizimit terminologjik e njoh mirë; por marrëdhëniet e mia me këto agjenci gjithnjë më befasojnë me idiotizmin që i shoqëron. Para pak javësh, një agjenci nga Koreja e Jugut, e cila punon për llogari të një korporate shumëkombëshe nga më të mëdhatë, më dërgoi për të plotësuar një formular të “disponueshmërisë” kaq të ndërlikuar, sa unë nuk isha në gjendje ta plotësoja. Iu përgjigja duke i shënuar në tekstin e mesazhit datat kur kisha ndërmend të shkoja me pushime; për fat të mirë, korrespondenti im u tregua i gatshëm ta plotësonte formularin vetë.

*                      *                      *

Kompanitë e sigurimeve mjekësore përfaqësojnë një tjetër shembull flagrant entitetesh kolektive të cilat konstituohen për të kryer shërbime të caktuara përkundrejt pagesash, por pastaj degradojnë gjithnjë e më tepër në përbindësha të mufatur dhe kryeneçë, që shqetësohen vetëm e vetëm për mbijetesën e tyre.

Qëllimi i këtyre kompanive është, në thelb, të pasurohen, të riprodhojnë vetveten në rrethanat e tregut dhe të triumfojnë ndaj konkurrencës; por mënyra si e realizojnë këtë qëllim varet shpesh nga virtuoziteti i tyre për të gënjyer veten dhe autoritetet mbikëqyrëse deri në atë shkallë, sa të duken si përhershëm të kërcënuara në mbijetesë, të paktën në sytë e publikut.

Motra ime, që është mjeke, më tregon se i duhet të kalojë rregullisht orë të tëra në telefon, për t’u shpjeguar nëpunësve të kompanive të sigurimit se pse i sëmuri duhet të marrë barin A, dhe jo barin B që rekomandon kompania e sigurimit. Çështja këtu ka lidhje drejtpërdrejt me çmimet e barnave – një bar i vjetër kushton vetëm pak qindarka për kokërr, ndërsa një bar më i ri mund të kushtojë me dhjetëra dollarë. Për të përballuar diferenca të tilla çmimesh, kompanitë e sigurimit hartojnë lista të posaçme barnash, të quajtura “formularë” (prapë kjo fjalë e frikshme), të cilat bëjnë dallim midis barnave të rekomanduara, barnave të markës (më të shtrenjta) dhe barnave të parekomanduara; pa folur pastaj për barna të tjera që nuk mbulohen fare.

Në qoftë se mjeku, për arsye të ndryshme, beson se i sëmuri duhet trajtuar me një bar të parekomanduar nga formulari, atëherë i duhet të përballojë një bisedë të gjatë telefonike me një nëpunës të kompanisë së sigurimit, i cili nuk është mjek, as e njeh natyrën e shqetësimeve të të sëmurit në fjalë ose historinë e sëmundjes së tij, por vetëm ka para sysh një listë me pyetje (checklist), në trajtë formulari, të cilat duhet t’ia bëjë mjekut njërën pas tjetrës, para se të miratojë shpenzimin për barin. Kështu, ndërveprimi aq delikat midis mjekut dhe të sëmurit, turbullohet nga interferenca e një formulari pyetjesh i cili i shërben vetëm e vetëm interesave private të kompanisë së sigurimit. Edhe një herë, mjeku, që është qenie individuale dhe inteligjente, duhet të përballet me një hibrid formular + nëpunës robotik, me IQ detyrimisht të ulët.

signup-pagePërndryshe, edhe krejt protokollet e ndërveprimit tonë me faqet e ndryshme që vizitojmë në Internet, që nga dyqanet online e deri te bankat ose kazinot, nuk janë veçse forma komunikimi të ngjashme me formularin, meqë përballë nesh nuk gjenden qenie njerëzore, por inteligjenca rudimentare kompjuterike, të cilat përfaqësojnë zakonisht interesat private të korporatave. Në të gjitha këto raste, formulari, ose përshtatja e tapave cilindrike për gryka shishesh katrore, i shërben para së gjithash mbrojtjes nga interferencat; si një version burokratik i postbllokut, llogores, ose bunkerit. Ndonjëherë duket sikur një botë e sunduar gjithnjë e më tepër nga entitete kolektive – korporata, institucione, qendra komerciale, mass media, laboratorë kërkimi shkencor, think tanks, fondacione, borde e të tjera hidra shumëkokëshe – nuk mund veçse t’i dorëzohet një vizioni fund e krye paranoid të ndërveprimit mes tyre dhe me klientët/partnerët e mundshëm, të tillë që karakterizon gjallesat e ulëta shumëqelizore, të tilla si kandilët e detit, kërpudhat, anemonat, nematodët, artropodët.

Megjithatë, siç e thoshte edhe Keopsi, piramidën do ta ndërtojmë me këta skllevër që kemi, jo me skllevërit që do të dëshironim të kishim.

12 Komente

  1. Vertete disa gjera jane te tepruara, po qe ju jeni pothuajse komplet kunder teknologjise se re, jeni xaxha, ate pranojeni 🙂

  2. xhaxha, fatin e keq te plotesimit te formulareve idiote te excelit e kane kryesisht punonjesit e koncerneve te medha ose ata qe kane te bejne me keto koncerne.

    Kjo sepse neper koncerne te medha menyrat e komunikimit nuk ndryshojne aq shpejt sa teknologjia dhe ndryshimi i kultures se komunikimit zgjat shume me teper sesa ne firma me te vogla. Gjithashtu dhe brenda nje firme te vetme ka ndryshime ne komunikim brenda grupeve profesionale te ndryshme ne varesi te afinitetit te ketyre grupeve me teknologjine dhe shpejtesise se adoptimit te teknologjive te komunikimit.

    Tek inxhinieret e softwarit psh. wiki-t, rrjetet sociale chatt-et dhe mikro-blogjet po etablohen shpejt si pjese e komunikimit te punes. Me excel ne kete grup profesional nuk punon njeri dhe bile ekziston percmim i hapur pikerisht sepse eshte mjeti i dashur i menaxhereve (te konsideruar gjeresisht si jo-afin ndaj teknologjise :)).

    Sa i perket komunikimit me kompjuterat kjo eshte fushe qe do te njohe ndryshime shume interesante brenda 4-5 vjecarit te ardhshem. Menyra e komunikimit me komjuterat e me sistemet dixhitale ne pergjithesi po merr tani me shume rendesi sesa shpejtesia e sistemeve dixhitale dhe ky eshte ndryshim shume i rendesishem paradigme. Une kam shkruar pak me gjate per kete ne nje shkrim mbi bashkeveprimin e ri me kompjuterat.

  3. Xha xha, jemi tek terciari e aty nuk ka prodhim malli por prodhim leku, keshtu qe leku terheq/pjell mallin e jo malli lekun.
    Sistemi burokratik i ka dhene provat (per mijera vjet) ne shtet se eshte mjaft eficent ne triumfin e ‘fregatures’, keshtu qe edhe shoqerite private qe merren me terciarin, jane te prirura te shkojne drejt burokratizimit, pasi eshte e vetmja menyre qe vete sistemi ‘magna-magna’ i prodhuar nga merkantilizmi postindustrial te mbijetoje.
    Mosmbajtja e pergjegjesise nepermjet sistemit lodhes burokratik, shtyn te demtuarit te heqin dore e po ashtu edhe te demtuarit e ardhshem nuk do kene besim se do zgjidhin gje, keshtu qe do heqin dore pa i care kryet pergjegjesit.

    Por nuk duhet harruar, qe pikerisht ky sistem ‘ha te hame’ duke u nisur nga parimi ‘i eger’ i perfitimit maksimal, arrin te prodhoje te vetmin mall virtual qe ka statusin e mallit real, biles me real se mallrat reale, parane.

    Paraja per tu shumefishuar ka nevoje te kaloje shpejt nga nje dore tek tjetra dhe vendet me te pasura sot, jane pikerisht edhe ato qe kane shpejtesine e kalimit te parase me te madhe ( ne ekonomi me duket ka simbolin ‘M’), nderkaq kuptohet se vendet me te varfra kane shpejtesi me te vogel qarkullimi.

    Nese ata (sidomos ‘te medhenjte’) humbin kohe me gjetjen e se drejtes e mbajtjen e pergjegjesive per demet, kjo do perkthehej, ne humbje te kohes e perqendrimit ne prodhimin e parase, dmth te kalimit nga nje dore tek tjetra.
    Atehere krijohet sistemi burokratik, ku formularet jane jetike per shkak te pamjaftueshmerise (sic e permende) se informacioneve e sigurisht qe idiotizmi eshte po aq jetik, pasi mosditja shtyn ne kerkimin e njeriut qe di, pra sjell humbjen e kohes ne gjetjen e se drejtes,humbje qe perkthehet ne shtim parash nga pergjegjesi i demit.

    Nese i demtuari i drejtohet gjykates, atehere duhet te marre nje avokat, keshtu qe perseri kemi kalim leku nga i demtuari tek avokati, pra serisht leku qarkullon, kesaj radhe per te mbajtur gjalle e shtuar turmen e avoketerve dhe vetiu shtimin e gjykatesve e prokuroreve.

    Keshtu qe ky sistem ‘ha te hame’ , ka nevoje per triumfin e fregatures per te qene ne gjendje te shtoje parane ne shoqeri.

    Me kujtohet nje film humoristik me De Sica e Boldi, ku ngjarja vendosej ne Romen e lashte republikane.
    Ne fund te filmit, Boldi-gjykates e nxiti De Siken-senator i korruptuar te tradhtoje kryetarin e partise se tij , ‘senatore Cinico’ e keshtu i gjeten amzen e hamesise (doreshkrimi ku Cinico shenonte tangjentet) dhe e hodhen ne gjyq ne Senat per korrupsion e tradhti ndaj vlerave republikane.
    Cinico ne mbrotjen e tij nuk e mohoi aspak se kishte marre 285 milione sesterce (shume e stermadhe per kohen) tangjente nga provincat, por tha se pasuria, mireqenia e Romes e vete civilizimi romak bazohej tek taksat ndaj provincave e keto tangjente qe ai merrte hynin ne Rome nga provincat e nga te cilat perfitonin te gjithe romaket, perfshire senatoret, sepse keto para kalonin dore me dore e keshtu riprodhoheshin apo ne fund te fundit ishin para qe
    duke qene te pranishme ne Rome, e benin me te pasur kete te fundit.
    Keshtu – perfundoi- senatori Cinico, une kam shtuar pasurine e Romes, pasurine tuaj te nderuar senatore e kam ndihmuar ne mireqenien e civilizimin e Romes tone te dashur, prandaj tradhtaret e vertete te Romes jane keta qe me kane akuzuar e si te tille duhen ndeshkuar.

    Senati brohoriti me te kelthitura, e 100% e senatoreve quajten senatorin Cinico, hero te Romes e mbrojtes te civilizimit, ndersa senatori dhe gjykatesi qe e kishin hedhur ne gjyq duheshin denuar me burg e u cuan ne nje gurore.

    Keshtu xha xha, rrezikon qe pervec akuzes se apokalypsit, se je kunder teknologjise edhe akuzen se je kunder civilizmit e miqenies se pergjithshme apo akuzat qe ha une shpesh si anadollak e me mentalitet te mykur. 😀

  4. Mbaj mend një anekdotë, më duket për shpikësin Thomas A. Edison; porta e shtëpisë së tij kërkonte aq forcë për t’u hapur, sa njëri prej mysafirëve u ankua dhe e pyeti shpikësin se si kishte mundësi që ky nuk kish gjetur ndonjë mënyrë për ta bërë portën më të lëvizshme. Edison-i qeshi dhe i tha mysafirit se kushdo që i hynte në shtëpi, duke ia shtyrë portën i pomponte 5 gallonë ujë në depozitë.

    Kjo anekdotë më kujtohet sa herë që rri në radhë, për shembull në supermarket ose në postë; në një kohë që supermarketi mban vetëm një arkëtare edhe pse ka vend për gjashtë ose shtatë të tilla; ose posta mban të hapur vetëm një prej sporteleve, ndërsa tri ose katër sportele të tjera rrinë bosh. Më duket sikur posta ose supermarketi kursejnë rrogat e arkëtarëve ose të sportelisteve që normalisht duhej të kishin marrë në punë; duke më detyruar mua, klientin (blerësin) të pres në radhë më gjatë; ose në kurriz të kohës sime.

    E njëjta gjë më duket se ndodh edhe me sistemet automatike të shërbimit të klientëve, që tashmë përdoren gjerësisht nga të gjitha korporatat e respektueshme. Kush jeton në SHBA, besoj do të ketë provuar t’i telefonojë ndonjëherë UPS-it; në qoftë se nuk e ka ditur marifetin e të shtypurit të zeros në tastierë të telefonit, do ta ketë pasur të pamundur të arrijë të flasë me ndonjë qenie të gjallë (wetware). Megjithatë, kur ankohesh për shërbime të tilla, të thonë se ato kanë çuar në kursime të mëdha për korporatat. Po pse duhet të ngazëllehem unë kaq shumë se po kursejnë korporatat? Po të shohësh se çfarë kanë bërë korporatat amerikane me fitimet e tyre gjatë 20 vjetëve të fundit, të bën përshtypje fakti që rrogat e drejtuesve ekzekutivë janë shtuar në mënyrë eksponenciale… sidomos në krahasim me rrogat më të ulëta.

    Meqë ra fjala për shërbimin në postë dhe komunikimin me sistemet e automatizuara të shërbimit të klientëve, këto kanë të përbashkët mes tyre edhe diçka tjetër, përveç abuzimit që bëjnë me kohën dhe nervat e publikut: meqë në të dy rastet komunikimin e pengojnë gardhet e formularëve. Në postën amerikane tani të kërkojnë të plotësosh formularë për gjithçka; sidomos për të parandaluar “terrorizmin”. Por edhe dialogjet idiote me programet kompjuterike të shërbimit për klientët nuk janë veçse një lloj plotësimi formulari; ku ti trajtohesh me gjithë politesën dhe kujdesin e tepruar që zakonisht rezervohet për idiotë të certifikuar.

    Apokalypsis, nuk ka shumë rëndësi nëse Xha Xhai është pro apo kundër teknologjisë; por ka shumë rëndësi që të gjithë ne përdoruesit të jemi të vetëdijshëm për efektet e teknologjisë në marrëdhëniet sociale dhe në mënyrën si komunikojmë mes nesh dhe me institucionet e ndryshme. Të diskutosh për teknologjinë nuk do të thotë të jesh kundër saj, përkundrazi.

  5. Xha xha do shtoja se pritja jote apo imja ne supermarket apo poste, zakonisht perfaqeson kohen tone te lire, apo me sakte kohen kur nuk prodhojme mall apo leke. Ne rastin e shtepiakeve qe merren zakonisht me shpenzime e pagime postale, aq me pak keto nuk prodhojne, keshtu qe pritja ne radhe perkthehet ne kursim lekesh per korporatat, cka i ben ato te mbijetojne si eficente, perndryshe fitimi i vogel do conte ne mbylljen e tyre dhe shtimin e te papuneve ,qe pervecse nuk do prodhojne, do ngarkojne shoqerine me hollimin e surplusit, pasi do marrin asistence.

    Prandaj duhet ti falenderojme qe na lene radheve ,pasi indirekt ndihmojme veten e shoqerine , ashtu sikurse duhet te falenderojme financieret qe manipulojne, pasi meqe ata prodhojne parate, nese falimentojne ata , falimentojme edhe ne, apo duhet tu japim leke qe te rimarrin veten nese ata gabojne,pasi jane te domosdoshem per sistemin ‘ha te hame’, domosdoshmeri qe sot eshte me e qarte se kurre.

    Perderisa mireqenia e sotme i ka rrenjet ne kete paradoks, atehere nuk na ngelet vec ta gelltisim, sic bejme me shume paradokse te tjere. Nuk duhet harruar gota e veres pas gelltitjes.
    Teknologjia, ka vecorine qe con fuqine punetore nga bujqesia e industria ne terciar, keshtu qe sa me teper teknologji aq me teper terciar e aq me teper terciar aq me teper para dmth aq me teper financiere e njekohesisht manipulim.

  6. Në fakt edhe radha është një lloj teknologjie, që ka për funksion të evitojë konfliktet sociale; meqë aty rendi sekuencial, ose koha kur secili person i është bashkuar “grupit” që pret në radhë, spacializohet si distancë nga sporteli, ose arka, ose zyra e pritjes, ose çfarëdo objektivi tjetër i përbashkët. Natyrisht ky disiplinim nuk është optimal, ngaqë mirë do të ishte që njerëzve në radhë t’u jepej përparësi sipas nevojave; prandaj, si edhe gjetiu, edhe këtu barazitizmi është një zgjidhje kompromisi.

    Po a i shërben radha vetëm paqes sociale, duke u ofruar një lloj mbrojtjeje rudimentare më të dobëtve? Vështirë ta thuash. Më thonë se në Shqipëri radha për të paguar faturat, bie fjala, të telefonit është padurueshëm e gjatë. Tani, kush ka vizituar Shqipërinë, do të jetë habitur doemos me tarifat shumë të larta të telefonisë (celulare, por besoj edhe të tokës); prandaj normalisht duhej pritur që shërbimi ndaj qytetarëve t’u përgjigjej njëfarësoj këtyre tarifave; p.sh. për të shmangur sorollatjet dhe radhët, mund të shtoheshin pikat e pagesave, ose sportelet, ose të gjendeshin mënyra të tjera për të pakësuar kohën që njerëzit presin radhave.

    Zakonisht familjet çojnë nëpër radha pensionistët (ose kalamajtë), ose në përgjithësi njerëz që nuk kanë “punë”; edhe pse të ndenjurit në radhë është punë e papaguar, që shkon e tëra në xhepat e korporatave, kompanive private ose shtetit. Çfarë e pengon shtetin, bie fjala, të nxjerrë një rregull sipas të cilit qytetarët nuk mund të presin më shumë se 5 minuta në radhë; dhe se çdo shkelje e këtij rregulli do të dënohet me gjobë? Çfarë i pengon qytetarët që t’ia kërkojnë këtë përfaqësuesve të tyre? Në parim asgjë, përveç rutinës, ose faktit që jemi mësuar ta pranojmë radhën si kosto të detyrueshme të bashkëjetesës së qytetëruar.

    Në Shqipërinë e para 1990s, radhët jo vetëm shenjonin varfërinë totale të tregut, por edhe në mënyrë perverse shërbenin për të konfirmuar nënshtrimin e qytetarëve ndaj rendit ekzistues; sidomos po të kihet parasysh se, normalisht, radha konstituohet si grup edhe nëpërmjet solidaritetit të përgjithshëm në protestë; ndërsa në Shqipërinë e atëhershme protesta ndëshkohej penalisht.

    Sot radhët e dikurshme të qumshtit mbijetojnë vetëm në ëndrrat e atyre që i kanë përjetuar; por radha, si teknologji në thelb shtrënguese (koercive) disiplinimi ka mbijetuar për bukuri në dukurinë e trafikut në qytetet e mëdha, veçanërisht në Tiranë. Njëlloj si njëzet vjet më parë, autoritetet nuk janë në gjendje të zgjidhin kontradiktën ose disnivelin e theksuar midis kërkesës për një shërbim ose një mall, dhe përdorshmërisë së këtij shërbimi ose malli. Njëlloj si njëzet vjet më parë, koha e humbur e individëve është kosto që ia paguajmë ineficiencës; dhe që është gjithnjë shumë më e lartë, besoj unë, se kostoja e masave praktike që mund t’i evitonin ose reduktonin radhët. Por unë këtu flas në terma të interesit publik, ndërsa radhët gjithnjë e më tepër po u shërbejnë interesave private, madje edhe interesave private të institucioneve publike.

  7. Në të gjitha këto raste, formulari, ose përshtatja e tapave cilindrike për gryka shishesh katrore, i shërben para së gjithash mbrojtjes nga interferencat; si një version burokratik i postbllokut, llogores, ose bunkerit.

    :). Krahasimi me i mire eshte ai i grykes se shishes apo i filtrit. Kompjuterat kane probleme me gjetjen e kontekstit te duhur. Dhe eshte mire ashtu ndryshe ne njerezit ngelemi heret apo vone pa pune :).

    Megjithate bashkeveprimi ne dukje naiv me kompjuterat sherben si baza e bashkeveprimeve me inteligjente. Po ju tregoj nje histori te shkurter te programimit. Ne fillim programohej nepermjet nje liste te shkurter (6 apo 7) urdherash si

    -kopjo permbajtjen e nje adrese te memories tek nje tjeter;
    -vare permbajtjen e kesaj adrese tek kjo adrese tjeter;
    -shuaje permbajtjen e kesaj adrese;

    e keshtu me radhe. Me kete menyre autiste programimi mund te programosh pa te luajtur fiqiri i kokes vetem ndonje operator matematik si mbledha, zbritja, pjesetimi apo shumezimi. Por jo shume me teper. E megjithate mbi kete menyre programimi u ngriten me vone menyra me abstrakte programimi si

    -krijo nje objekt te tipit rreth;
    -llogarit siperfaqen e rrethit;
    -ngjyrose rrethin me te kuq;
    -shfaqe rrethin ne ekran;

    E mbi kete menyre programimi u ngriten e po ngrihen menyrat grafike te bashkeveprimit qe mundesojne njerezit e thjeshte te bashkeveprojne me programe komplekse si psh. globet virtuale (google earth) etj apo dhe te programojne vete.

    Dua te them qe bashkeveprimi i tanishem idot eshte proces nga ku perftohen bazat per nje bashkeveprim me inteligjent me sistemet. Pra eshte si kalimi nga njeqelizoret tek shumeqelizoret e me pas tek krijesa komplekse.

    Dhe nje shembull nga muzika psh. se e di qe e keni merak. Tek last.fm apo te pandora.com jep titullin e nje grupi dhe faqja fillon muziken. Ngaqe te njejten gje e kane bere me pare dhe miliona te tjere, pra kane dhene ne nje formular te shkurter idiot disa here cfare kengesh ju pelqejne pas njefare kohe nuk ke me nevoje te shkruash gje fare sepse faqja i gjen vete kenget qe te pelqejne nga te dhenat e te tjereve. E vetmja menyre se si bashkevepron me faqen eshte te shtypesh “next”. Pra nga bashkeveprimi idiot me sistemin sistemi behet inteligjent.

  8. Radhat ne Shqiperi (apo ne Itali) per te paguar telefonin apo bolleten apo taksat shkaktohen nga mungesa e konkurrences. Xhaxhai ka te drejte kur thote se njerezit ne radhe jane perfitim per korporaten, por nese nje korporate tjeter qe ofron te njejtin sherbim permireson nderfaqen (interface), atehere korporata e pare do te shohe humbje te klienteve pra edhe te perfitimeve. Ketu ne Sh.B.A. jane gjithnje aktivitetet pa konkurrence (zakonisht agjensite shteterore) qe ta nxijne jeten (posta, departamenti i mjeteve te motorrizuara, etj.). Nese UPS te ben te rrish ne radhe, pak me tutje eshte FEDEX keshtu qe ata nuk guxojne te mos te te trajtojne mire. Para nje jave arrita ne nje aeroport ku duhet te merrja nje makine me qira. Mesa c’duket ata kishin patur ndonje oferte sepse per disa minuta u mblodhen rreth 50 veta dhe nje radhe e gjate u krijua. Menjehere ata qe ishin te fundit, filluan telefonatat duke kerkuar makina te konkurrenca qe ishte vetem disa metra me tutje. Per 20 minuta dolen te gjithe manaxheret e kompanjise, u thirren agjente nga nje agjensi afer aeroportit dhe radha u zhduk sa hap e mbyll syte.

    Persa i perket ndryshimit te nje fjale per nderfaqen e software-it (pajtim-abonim pajtohem-abonohem) nje problem eshte edhe gjatesia e fjales dhe hapesira ku duhet te shfaqet. Software-i qe ne fillim ka qene ne anglisht, krijon shume probleme kur duhet te lokalizohet. Cdo gje ne Windows ofron zgjedhjen OK/Cancel. Nese programuesi ka rezervuar vetem 2 apo 6 shkronja per kete zgjedhje ne nje kuti 20x40mm (apo ekuivalenti ne pixel), atehere lokalizatoret ne te gjitha gjuhet duhet t’i pershtaten ketij kufizimi. Megjithate rasti i Xhaxhait per pajtim/abonim nuk duket ta kete problem. Me siguri atyre ne Dake apo Mumbai u eshte dashur te pyesin Project Manager ne NY apo ne Seattle.

  9. Hileja e radhes se vogel dhe afer 80 perqind te sporteleve pa shitese,e pakuptueshme ne pamje te pare, neper supermarketet e njohura Amerikane me ka ngritur dhe mua kushedi sa here nervat.Shikoj gjithmone robotet njerezore pereth meje te mos levizin as nervin me te vogel te pakenaqesise.Bile,ne nje rast ishin aq idiote sa me habiten.Ne linjen ekspres deri ne 12 gjera,dy sportele njeri pas tjetrit ne vertikalitet ishin te hapura,ku i pari me afer radhes ishte i zene,ndersa i dyti me i larget nga radha,ishte bosh.Para sportelit afer radhes ishin njeri pas tjetri duke pritur reth 10 veta.Kur une shkova I fundit ne radhe,pasi studjova shpejt situaten e ne periudhen kohore te pritjes,parakalova pergjate radhen duke shtyre I qete karrocen time dhe shkova tek sporteli bosh.Robotet njerezore u shendruan befasisht ne qenie njerezore shume agresive,ku u dallua nje grua.Ajo tha e egersuar:-Ju duhet te respektoni radhen.Une ja ktheva qete qete:-C’fare eshte gabim tek ju!Ky sportel eshte bosh.Asnjeri nuk vjen te paguaj ketu.Nuk eshte faji im qe ju nuk arrini te kuptoni kete fakt.Dhe pyeta shitesen me teper per te theksuar drejtesine e veprimit tim,pasi isha siguruar me pare duke pare shenjen qe sporteli ishte i hapur;-A eshte hapur? Ne vend qe te me vinte nje pergjigje e qete pohuese,me erdhi nje “po” e egersuar.Shitesja u soll ne nje menyre te cuditshme.Ajo u be me pale me turmen e egersuar,kunder personit qe nuk pranonte te harxhonte tepersisht pa kuptim kohen e tij.

  10. ””Në fakt edhe radha është një lloj teknologjie, që ka për funksion të evitojë konfliktet sociale; meqë aty rendi sekuencial, ose koha kur secili person i është bashkuar “grupit” që pret në radhë, spacializohet si distancë nga sporteli, ose arka, ose zyra e pritjes, ose çfarëdo objektivi tjetër i përbashkët.””

    Po, per disa lloje radhesh e kryen edhe kete funksion, por disa radhe si radha e bukes ne 1991, kemi kthimin e radhes ne burim dhune.
    Varet perhere nga siguria se do e kesh mallin apo sherbimin, pasi nese mungon kjo siguri, futet ne loje ligji i xhungles.
    Radha kendej, meqe askush sfutet ne muhabet, kthehet ne nje lloj stervitje te durimit, disiplinim per dicka qe te gjitheve u duket e padrejte (psh posta qendrore ne Piazza Bologna, ferr psikologjik vec kur e mendon) po njesoj si trafiku.

    Edhe tek radha kemi procesin e burokratizimit, sepse nese i ankohesh kasieres, te thote sdi gje, pyet drejtorin; ti kerkon drejtorin, te del nje tjeter e te thote se drejtori per momentin nuk eshte e nese kembengul e pas 1 ore e gjen drejtorin ai te thote se nje kasiere eshte semure prandaj kemi problem te perkohshem e per mirekuptim ta falim per vonesen qe na u shkaktua. Ti tashme mese i irrituar per sherbimin e sidomos per pritjen, duhet te gelltisesh edhe ikjen me bisht nder shale.
    Keshtu heres tjeter rri ne radhe me shpresen se personat para teje kane pak pune e keshtu do te vije radha shpejt e kur qellon ndonje qe ha me shume kohe se normalja qe ke parashikuar fillon e irritohesh jo me kasieren e me sistemin por me ate te ziun qe ka vertet pune, pikerisht pse dreqin ka kaq shume pune.

    Kjo hyn tek procesi i robotizimit e idiotizmit, por vjen jo si pasoje e nje sistemi me pak te sofistikuar me pare e qe po ben para me kalimin e kohes, por si pasoje e mbingarkimit te sistemit, sepse radha si pjese e pandashme e jetes eshte konceptim modern. Prandaj edhe Eni kur thote:

    ””’Dua te them qe bashkeveprimi i tanishem idot eshte proces nga ku perftohen bazat per nje bashkeveprim me inteligjent me sistemet. Pra eshte si kalimi nga njeqelizoret tek shumeqelizoret e me pas tek krijesa komplekse.””’

    Niset nga parimi se gjithcka vjen mirekuptimi i pales qe perdor teknologjine (il buon senso del pater familias) e jo nga fakti se teknologjia edhe pse e papershtatshme perdoret qellimisht per te forcuar sistemin e burokratizimit.
    Mbase per Enin, me shume se telashet e njerezve, ka me shume rendesi fakti qe teknologjia behet me inteligjente duke u shkaktuar probleme njerezve e keto probleme do gjejne zgjidhje duke permiresuar inteligjencen artificiale, mirepo edhe ne kete rast koha ka treguar se teknologjia ka zgjidhur nje problem por ka shtuar 2 te tjere, prandaj edhe nese behet me inteligjente nuk kemi siguri se situata do rregullohet.
    Prandaj c’eshte ne gjendje ta beje me mire njeriu,dmth komunikimi, le ti lihet njeriut derisa ushtria(apo ndonje institucion tjeter) te gjeje nje teknologji te pershtatshme per te zevendesuar njeriun pa i sjelle deme hallexhiut.

  11. Xhaxha keto formulare sot perdoren edhe per rekrutim. Informacioni eshte aq i madh saqe sot kerkohen metoda per t’a menaxhuar ate dhe kontrolluar, sesa per t’a mbledhur (per t’a mbledhur kujdesemi vete ne, duke e dhene ate falas).
    Shihni sot sesi behen rekrutimet nga nje zyre e Human Resources. Jane standartizuar aq shume CV-te dhe procedurat e marrjes ne pune saqe mjafton qe CV-te te permbajne vetem fjale kyce (key words), qe nje gjuhetar i ka renditur ne menyre te tille qe te japin nje struktur, e cila i perket nje profili te caktuar, asaj qe kerkon firma.

    Cfare presim qe te rekrutohen? Rober, qe i permbushin te gjitha parametrat (karakteristikat) qe kerkohen.

  12. Prandaj,kapedan, kur te besh CV-tende,mesatarizo kerkesat e kompanive mbi aftesite e te punesuarit.Cdo sistem ka dhe te meten e tij.Po e kuptove si funksionon mund ta mposhtesh dhe goxha te fitosh.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin