THIRRMËNI MENTOR

Një shënim i çuditshëm i Mentor Petrelës (i prezantuar si “profesor i universiteteve, Paris”) tek “Panorama” e sotme, të cilin po e riprodhoj të plotë më poshtë:

“THIRRMËNI ISMAIL”, Herman Melville tek “Moby Dick”

Në këtë mishmash kur shoqëria ka vështirësi në ruajtjen dhe përcaktimin e vlerave, po shtohen edhe përpjekjet për humbjen e tyre.
Në Gjenezë (16:12), Ishmael, djali i Abrahamit dhe i Agarit, konsiderohet i ekziluari i Biblës me mesazhin, që lidhet me civilizimin që ai përcjell.
Eshtë rasti më i mirë që të reagojmë sot kur me mohimin e simboleve të kombit, po dëmtojmë patriotizmin bazik.
Përpjekjet e rilindësve tanë në shek. XIX-XX në histori, kulturë, gjuhë, ngjajnë me atë ç’ka është shkruar më parë nga patriarkët në Bibël, por përpjekjet e tyre nuk mjaftuan e në një moment historik u desh Davidi që të krijohej shteti. Paralelizmi në histori pranohet nga Plutarku; e pra, nuk është aq i pavlerë akti i Ismail Qemalit që 8 vota të prishnin ëndrrën që ju stimulon fëmijëve këndimi në arsimin fillor.
E kuptoj lajthitjen pas globalizmit, por jo pa identitet, pasi kulla e Babelit mbetet akoma mësim (më shumë për inspiruesit e idesë së futur në atë senat).
Megjithatë, kur e dëgjova m’u duk sikur pashë një ëndërr të keqe si ato që thotë Frojdi, që na shfaqen për të na trembur përpara një evenimenti, por kur hapim sytë realiteti është krejt ndryshe. Gjithsesi duke respektuar autonominë e universitetit, qëndrimi i pro-votuesve më kujton “ndërrimin e dekoreve” te David Lodge, sepse vetëm aty mund të gjesh një përshkrim me çarje kulture të ngjashme, ku mund të imagjinohen lehtësisht anëtarët e atij senati.

Kaq. Shkurt, por jo qartë, sepse unë e paskam të vështirë t’ia gjej kuptimin këtij shënimi, përveçse ta shoh si vetrinë ose ‘trailer’ të erudicionit të autorit – që nga fjalët e huaja, deri tek referencat e shumta herë të qarta e herë të paqarta.

Lidhja e Ismail Qemalit me Ismaelin biblik është artificiale; edhe pse “paralelizmi në histori pranohet nga Plutarku” (të thuash se Plutarku po bënte ndonjë polemikë me të tjerë historianë që e mohonin këtë paralelizëm).

Nuk e gjej dot se çfarë kanë shkruar patriarkët në Bibël (unë nuk di që patriarkët të kenë shkruar gjë në Bibël edhe pse në Bibël shkruhet shumë për patriarkët), as se ç’janë këto ëndrra të këqia paralajmëruese për të cilat paska folur Freud-i.

As e marr vesh ç’janë ‘pro-votuesit’, nuk e njoh “Ndërrimin e dekoreve” të David Lodge (nuk më rezulton në listën e plotë të veprave të tij, edhe pse një roman i këtij autori, “Changing places”, qenka përkthyer frëngjisht me titullin “Changement de décor; thua të jetë përkthyer ashtu edhe në shqip?), nuk e ftilloj dot shprehjen ‘çarje kulture të ngjashme ku mund të imagjinohen lehtësisht anëtarët e atij senati’), as shprehjen tjetër “konsiderohet i ekziluari i Biblës me mesazhin”; nuk marr vesh se ç’lidhje mund të kenë ëndrrat e stimuluara në arsimin fillor me emrin e një universiteti, as përpjekjet e Rilindësve tanë me bëmat biblike të Davidit me shokë – por ignorantia non est argumentum, tha, prandaj po e mbyll gojën.

Sa më lart është shkruar nga Mentor Petrela për Mentor Petrelën; tema e Ismailëve është krejt aksidentale, edhe pse nuk do kish qenë keq sikur të ishte shfrytëzuar rasti për ta mbyllur rrethin duke përmendur edhe të tretin, ose më të njohurin për publikun e “Panoramës”.

2 Komente

  1. Motra e vëllezër, ma shpjegoni dot ç’lidhje ka Ishmaeli i Biblës me Ismail Qemalin tonë dhe me Ishmaelin e “Moby Dick” të Melville që përmendet në titull të këtij artikulli? Përtej koincidencës së emrave? Kam gjithë darkën që vras mendjen e nuk e gjej dot. Se Ishmaeli i Biblës është figurë minore atje dhe as hebrenjtë as të krishterët nuk e përfillin shumë, ndërsa për myslimanët është doemos i rëndësishëm, meqë Kurani e konsideron profet. Ndërsa rrëfimtari i Melville vërtet rrëfen historinë e Ahabit dhe të Moby Dick, por vetë nuk është as Ahab, as Moby Dick. Kam frikë se këtij profesorit do t’ia kenë redaktuar rëndshëm artikullin pa ia kursyer gërshërët dhe përgjigjja e pyetjes sime do të ketë humbur përgjithmonë në sirtaret e redaksisë së “Panoramës”…

  2. “…E kuptoj lajthitjen pas globalizmit, por jo pa identitet…”

    “…Megjithatë, kur e dëgjova m’u duk sikur pashë një ëndërr të keqe si ato që thotë Frojdi, që na shfaqen për të na trembur …”

    Cdo bashkesi njerezore qe mbahet nga fryma fetare apo kombetare, per te mos u shperbere e sheh veten te detyruar te frenoje prirjet agresive, seksuale, anarkike te individit dhe ti mbaje te nenshtruara prapa digave qe quajme Moral dhe Ligj.

    ( Stefan Zweig)

    si rrjedhoje: “agresiviteti” i senatit te universitetit (i thene ndryshe, i qenieve njerezore qe jane ne perberjen e ketij stafi drejtues) te vlores, i drejtohet “vlerave” false nacionaliste, te cilave iu ka dale boja prej kohesh…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin