LAJMI DHE FAKTI

Nga Zampanò

14094Lajmi është ky: Berisha bën lajm. Ngado që të hedhim sytë shikojmë Berishën. Mediat i kërkojnë intervista, televizionet ia transmetojnë vazhdimisht, madje shpesh i marrin deklaratat e tij edhe kur i bën në rrjetet sociale, duke i bërë jehonë pranë publikut. Përse ndodh kjo?

Pak ditë më parë, gjatë diskutimeve për projektbuxhetin Berisha përsëri e vodhi disi skenën. Me akuza, metafora, retorikë politike, arriti t’i tërheqë si me magnet telekamerat dhe vëmendjen publike shqiptare.

Përshtypja është se palës tjetër, domethënë Partisë Socialiste, nuk para i vjen keq për këtë veprimtari të ethshme. Partia në qeveri nuk e injoron Berishën, i përgjigjet, e sulmon, e kundërsulmon, praktikisht e konsideron bashkëbisedues real politik.

Mirëpo, siç e dimë, Berisha nuk është më kryetar i Partisë Demokratike. Ai vetë e ka shprehur disa herë, se nuk dëshiron të bëhet më kryetar partie, megjithëse nuk e mohon se dëshiron të bëjë ende politikë. Nëpër intervistat e tij Berisha nuk flet vetëm kundër, domethënë vetëm me akuza politike të thata, thjesht për ta mbajtur lart nivelin e përplasjes. Po t’i dëgjosh, ose t’i lexosh, mirë intervistat e tij, dallohet qartë se ish-Kryeministri shqiptar kritikon edhe politikën ndërkombëtare, ekonomike, sociale të qeverisë së sotme. Me fjalë të tjera, bën politikë të pastër, e jo vetëm me fjalë prej opozite të ashpër. Hyn në detaje, bën akuza konkrete, ndonjëherë bën kundërpropozime dhe praktikisht duket sikur dikton politikën e opozitës.

Ja ç’thotë në një intervistë:

“Ju po paralajmëroni protesta kundër rrënimit të ekonomisë nga kryeministri Rama?
Absolutisht mbështes çdo protestë, demonstratë, grevë, për t’u ndaluar shndërrimi i financave publike të Shqipërisë në një piramidë që do t’i kushtojë çdo qytetari shqiptar, dhe unë kam besim të madh, që shqiptarët kanë tashmë vetëdijen e nevojshme për tregun për të ndaluar këtë rrokullisje të madhe që iu ofron ky ekip”.

Nga pyetjet, dallohet qartë edhe qëndrimi i gazetarit, i cili e konsideron sikur të ishte kryetar i PD-së, sikur ta drejtonte Berisha opozitën. Me sa duket mediat e konsiderojnë si të tillë.

Kjo mund të shpjegohet me autoritetin e fortë të Berishës, i cili prapë së prapë mbetet lideri historik i PD-së dhe veteran i politikës. Që Berisha do t’i bënte hije kryetarit të ri, mund të imagjinohej nga të gjithë. Mirëpo, partia opozitare tani ka lidership të ri. Përse Basha e lejon futjen në fushën e vet të ish kryetarit të PD-së? Nuk ka ç’bën apo nuk e kupton? Apo i leverdis?

Lulzim Bashën nuk e ndihmon fakti që është jashtë parlamentit. Nuk është deputet. E politika bëhet kryesisht në parlament. Atje Berisha noton në ujërat e veta. Pastaj është në shoqërinë e atyre që ka zgjedhur vetë, një më një, me emër e mbiemër. Basha është larg dialektikës parlamentare, ndoshta as për një kafe nuk shkon andej.

Ka mundësi që mazhorancës t’i leverdisë që ta mbajë Berishën si pikë referimi, ndaj edhe jep e merr me të në publik. Duke e konsideruar si humbës, si të kaluar kohe, i jep zë që t’i ulë peshën specifike opozitës.  Por mund të jetë e kundërta. Berisha nuk është fillestar në politikë, ndërsa Lul Basha, edhe pse Kryebashkiak, ka ende për të mësuar. Ish Kryetari i PD-së luan si lojtar i lirë, gjuan kur t’i teket e si t’i teket, sepse nuk ka mbi supe si dikur drejtimin e partisë, që një farë ekuilibri e kërkon gjithsesi. Kjo lojë dyshe, kush më i avancuar e kush më pak, kush me top e kush pa top, mund t’i bëjë dëme qeverisë dhe mazhorancës.

Nëse lajmi është që Berisha bën lajm, fakti është se Berisha bën ende politikë. Madje shumë aktive.

Nuk ka komente

  1. Ky shkrim duket si nje limonade pas vjelljes qe te shkakton menyra te te berit politike nga, ta zeme, Taulant Balla. Pra thjesht, shkrimi perben nje ushqim, pas te cilit stomaku ndihet I ledhatuar nga kenaqesia per ate qe ju dha.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin