MË THUAJ Ç’SHUMËS PËRDOR…

wheat-info1Të apasionuarit pas hartave politike dhe kurioziteteve e dinë se Sudani i Jugut u shpall shtet i pavarur tani vonë – ekzaktësisht më 9 korrik 2011, pas një referendumi.

Sudani i Jugut e fitoi pavarësinë nga Sudani (pa u shndërruar gjë ky i fundit në Sudan të Veriut).

Gjatë dy vjetëve jetë, ky shtet i sapolindur ka përjetuar skena konfliktesh ndëretnike dhe lufte civile me viktima të panumërta.

Lexoj tani në The Guardian, për çfarë i paska ndodhur një Simon K., student 20-vjeçar që jeton në kryeqytetin Juba. Para një jave, ai u ndal në rrugë nga disa ushtarakë, të cilët i bënë një pyetje e cila, sipas artikullit, paska marrë rëndësi kritike, madje për jetë a vdekje, në këtë shtet bebe: incholdi – “Si e ke emrin?”

Pyetja fatale u bë në gjuhën dinka, të cilën e flet presidenti i vendit dhe grupi më i madh etnik i atjeshëm.

Ata që, si ky Simoni, nuk i përgjigjen dot pyetjes, rrezikojnë të identifikohen si nuer – grupi etnik i ish-zv. presidentit dhe që tani po udhëheq kryengritjen e armatosur kundër forcave në pushtet.

Shumë prej atyre të identifikuar si nuer janë masakruar tashmë.

Vështirë që të dëgjosh për këto çudi, dhe të mos të kujtohet historia e shibboleth-it në Bibël.

Rrëfen Libri i Gjyqtarëve (Kapitulli 12) se dy fise semite, efraimitët dhe gileaditët, patën një herë një betejë të madhe mes tyre, e që u mbyll me fitoren e gileaditëve. Pas fitores, këta e bllokuan lumin Jordan, që të kapnin të gjithë ata efraimitë që, pas disfatës në betejë, rrekeshin të ktheheshin në tokat e veta.

Rojet gileadite ndalnin çdo njeri që kërkonte të kalonte lumin dhe i kërkonin të thoshin një fjalë të vetme: shibboleth (që në hebraishte ka kuptimin “kalli gruri”).

Efraimitët nuk e kishin bashkëtingëlloren sh në dialektin e tyre, prandaj e shqiptonin fjalën me s: sibboleth – dhe pas kësaj shkoheshin në thikë. Dyzet e dy mijë efraimitë u vranë kështu, përfundon rrëfenja.

Një ndodhi e kohëve moderne heq një paralele të frikshme me ngjarjen biblike – në tetor 1937, refugjatët haitianë përgjatë kufirit me Republikën Dominikane nisën të identifikohen duke u kërkuar të shqiptonin fjalën perejil (majdanoz); kush nuk e kalonte këtë provë, do të pushkatohej, me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit dominikan Rafael Trujillo – thuhet se midis 20,000 dhe 30,000 vetë u vranë, në çka do të njihej më pas si “masakra e majdanozit.”

Ku dhëmb dhëmbi, vete gjuha; këto histori diskriminimesh fonetiko-politike më çuan te rekomandimet e fundit të Këshillit Ndërakademik, për ta ndryshuar standardin e shumësit të emrave mashkullorë me –i të theksuar: jo më priftërinj, por tash e tutje priftërij.

M’u përfytyrua pa dashur një skenar apokaliptik: njerëz të armatosur, që kapin një qyqar në rrugë dhe ia bëjnë pyetjen gramatikore: pa na thuaj, si bën fjala kalli në shumës?

(Vëreni ironinë e përkimit me hebraishten shibboleth.)

Shqiptarët nuk janë vrarë kurrë për mbaresat e shumësit; madje as alltitë nuk besoj t’i kenë nxjerrë ndonjëherë nga brezi. E megjithatë, viti 1997 i pati disa karakteristika të zymta, të një lufte gramatikore; dhe vetë debati me dyer të mbyllura për mbaresën e shumësit në fjalë, në forumin përkatës, nuk do të ketë qenë fare pa gjak.

Fatmirësisht, duket sikur ky Këshill Ndërakademik, organizëm i pamençur burrash shumë të mençur, e ka kapërcyer krejt fazën e tragjedisë, për të hyrë në histori drejtpërdrejt si farsë – dhe për këtë, mjafton të shihni si shkruajnë në Facebook përçorët e grigjës që flet shqip.

Nuk ka komente

  1. Shkruani
    Fatmirësisht, duket sikur ky Këshill Ndërakademik, organizëm i pamençur burrash shumë të mençur, e ka kapërcyer krejt fazën e tragjedisë, për të hyrë në histori drejtpërdrejt si farsë – dhe për këtë, mjafton të shihni si shkruajnë në Facebook përçorët e grigjës që flet shqip.
    Jam i një mendjeje me ty.
    Veçse dyshoj se revani i filluar në fillim të viteve 90 nga ai që vetëm plumbi e zbret prej kalit,”përçor i grigjës që flet shqip”,me tezën antishqiptare të persekutimit të dialektit geg,nuk do të ndalet.Këta akadhemykë nesër mund të ngordhin,por helmi,fara që mbollën asesi nuk do të sublimohen.Këtë përçarje-urrejtje unë e konsideroj fillimin e një tragjedie të re që PO I KANOSET Shqipërisë.
    Po jap një fakt,jo nga blogjet,nga anonimët,por nga kllounët – analistë alias publicistë.Një farë Migjen Kelmendi,bash në TV e Prishtinës,iu thotë panelit dhe shikuesve:Dërgoni fëmijët në jug të Shqipërisë që t’i tallin moshatarët e tyre.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin