VESA E MËNGJESIT

Zgjedhjet e fundit shqiptare për parlamentin duken tashmë të largëta. Është shuar prej kohësh edhe jehona e analizave paszgjedhore. Mirëpo heshtja ndonjëherë flet më shumë se zhurma, sidomos kur heshtja bëhet shurdhuese si në rastin e Aleancës Kuqezi. Ku është vallë kjo forcë politike? Çfarë bën? Nuk dëgjohet më. Kemi bllokadë mediatike, apo Akz mund të konsiderohet e mbyllur si përvojë politike?

Është e vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetje. Aktivistët e Akz-së me siguri nuk janë dakord. Megjithatë, është fakt, se pas zgjedhjeve të fundit, aktivitetet e kësaj partie, në qoftë se ka pasur, janë pllakosur nga heshtja totale. Si shpjegohet kjo? Nuk mund të akuzojmë mediat, sepse ishin po ato që i dhanë hapësira të jashtëzakonshme kësaj force politike gjatë dy viteve të fundit, sidomos nga përvjetori i Pavarësisë deri në zgjedhjet parlamentare, duke i dhuruar dukshmëri të paparë. Përse do ta bojkotonin tani?

Fenomeni Akz pret ende të studiohet nga politologët shqiptarë, anipse, e pranoj, nuk mund t‘ia dorëzojmë çështjen historianëve.  Fakti është se nga dukshmëria e lartë në media, ku tregonte aktivizëm e energji të lartë, kjo forcë politike kaloi pothuajse në harresë, e nga pikëpamja e veprimtarisë pothuajse në letargji dimërore. E njëjta gjë mund të thuhet për praninë e jashtëzakonshme në rrjetet sociale. Pa pritur, pa kujtuar, aktiviteti i Akz-së, nga Shqipëria në diasporë, u shkri si vesa e mëngjesit, pas rrezeve të para të diellit.

Nuk besoj se ndjenjat që frymëzonin Akz-në janë zhdukur nga trojet shqiptare, por projeksioni politik i tyre nuk pati jetë të gjatë në skenën politike. Arsyet mund të jenë të shumta. Pa mëtuar zhbirimin e motiveve që çuan në disfatën politike të Akz-së gjatë zgjedhjeve të fundit, mund të ngrihet ndonjë hipotezë për  ta shpjeguar atë.

Faktet treguan se Akz-ja nuk gëzon sot për sot mbështetjen e gjerë të qytetarëve shqiptarë. Rezultatet e fundit folën hapur. Po përse vallë? Ja disa arsye të mundshme. Programi i Akz-së ishte i paplotë, ose me fjalë të tjera i çekuilibruar. Shpeshherë ngjasonte me një çorbë politike, ku brenda gjeje copa mendimesh krejt pa lidhje. I qartë nga pikëpamja politike (projekti mbarëkombëtar), i mjegullt nga pikëpamja ekonomike (programi ekonomik mbeti i panjohur). PD-ja e Berishës, e cila u kërcënua prej saj nga ana e djathtë e spektrit, bëri disa zhvendosje në atë krah, sidomos gjatë festimeve përkujtimore të pavarësisë, çka mund ta ketë shfryrë pëlqimin e forcës së re politike. Kjo lëvizje djathtas e Berishës, me karakter mbrojtjeje nga ai kah, mund të ketë çuar në erozion të mëtejshëm të partisë qeveritare, duke lënë zbuluar sektorë të tërë andej nga qendra.

Akz-ja mund të ketë qenë meteorit politik: shkëlqim i jashtëzakonshëm në një periudhë të caktuar, admirim i përhapur, vështrim me kokën lart i turmave, interes nga të gjithë, pastaj shkrirje dhe përhumbje në hapësirën e errët të politikës shqiptare. Retorika e rëndë që përdori Akz-ja gjatë fushatës elektorale nuk solli frytet e pritura. Kjo dëshmon se qytetarët shqiptarë dinë ta dallojnë në një farë mënyre retorikën e pastër e të ekzagjeruar, sidomos ajo kombëtariste, nga objektivat e realizueshme politikisht. Këtu kundërshtia midis retorikës dhe realizmit është e dukshme. Akz-ja mund të ketë pasur më shumë simpatizantë se sa votues. Kjo mund ta shpjegojë flamujt e valëvitur nga numri votave të mara, zhurmën e madhe mediatike nga heshtja e rëndë paszgjedhore.

Shprehjet mediatike e shpeshherë folkloriste të Aleancës Kuqezi nuk na e vërtetonin a priori pëlqimin e popullsisë, por débâcle zgjedhor dhe veçanërisht harresa e mëvonshme tregoi se kjo lëvizje nuk ishte e rrënjosur në territor. Tani nuk flitet fare për të, por heshtja ka mbuluar edhe projektet që ajo trumbetonte, ndërkohë që duhet të shënojmë se mungojnë edhe forca të tjera që mund t’i përqafonin ato ide. Si të thuash, nuk është se ia vodhën idetë ose programin parti të tjera konkurruese. Disa dashakeqë shohin tek Akz-ja vetëm një operacion parazgjedhor, gjithsesi instrumental, që pasi e përmbushi misionin e vet, nuk ka arsye të mbijetojë; të tjerë e shohin  si flluskë retorike që u shpua nga sensi realist i qytetarëve.  Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Akz-ja nuk ishte parti politike, me program organik politik, por një forcë që shprehte disa ndjenja që nuk arritën të kondensoheshin politikisht.

Rezultatet zhgënjyese të zgjedhjeve parlamentare mund të kenë qenë shokuese edhe për vetë aktivistët e saj. Pritshmëria ishte e madhe për të gjithë, në kuptimin që kujtonin se Akz-ja do ta merrte ndonjë vend në Parlament. Kjo nuk ndodhi. Për më tepër, muajt paszgjedhore u karakterizuan nga mungesa e propozimeve politike të kësaj force, çka mund të jetë edhe për arsye organizative, megjithatë kemi të bëjmë me heshtje të pashpjegueshme politikisht, ndërkohë që temat e nxehta nuk kanë munguar.

Në qoftë se heshtja rreth Akz-së do të vijojë gjatë, së bashku me rezultatet politike të deritanishme, atëherë arsyet e saj do t’i lexojmë në librat e historisë politike.

Nuk ka komente

  1. AK-ja u përça në kokë mu përpara zgjedhjeve, me sa mbaj mend për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me aleancat.

    Unë s’kam pasur kurrfarë simpatie për ta, më janë dukur një grup demagogësh në kërkim të votave, përkundrejt tregtimit të një ideje fisnike, por krejtësisht kallpe. Për fat të keq, ashtu edhe rezultuan.

    Çfarë më la shije të keqe, ishte mënyra si Kreshnik Spahiu, ky “qytetar nderi i New York-ut”, i trajtoi mijëra mbështetësit e vet, pas fiaskos. Dhe jo vetëm Spahiu, por edhe ca mbështetës të tij të atëhershëm, që sot kanë frikë t’ia zënë emrin në gojë, pa çka se deri dje e trajtonin sikur të ishte ambasadori i shqiptarisë dhe kalorësi i Bashkimit Kombëtar.

    Dua të them se AK-ja nuk e mbajti dot fisnik mesazhin e vet patriotik, por e la të degradohej në diçka të pistë, fashiste dhe futbollistike në bazë; dhe në balet klounësh, në nivelin e kuadrove.

    Nuk e kam aq me Spahiun – ky kishte një qëllim, doli haptazi, mori në sy rreziqet, dhe dështoi; të gjithëve mund të na kish ndodhur.

    Nuk e kam aq as me teatrin komik që shoqëronte “tubimet” e Spahiut, flamurët dhe qeleshet dhe xhamadanët dhe shqiponjat – ose spektaklin e trishtuar të kombëtarizmit shqiptar, të vënë në shërbim të marrjes së pushtetit.

    E kam më shumë me ata të tjerët, që iu lëpinë Spahiut, me shpresë se ky do t’u hapte vend në autobusin e suksesit.

    Spahiu u rrëzua dhe u zhduk nga skena; këta të tjerët mbeten aty, në kërkim të ndonjë autobusi tjetër; duke tundur po atë flamur e duke shpalosur të njëjtat tatuazhe totemike; dhe, çfarë është më e keqja, me të njëjtat klishe mendimi politik të tatuuara në tru.

    Jo me idenë kombëtariste pra, por me shushunjat e kësaj ideje.

    Spahiu pati ai vetë disa tundime për t’u tepdilosur si fashist (mbaj mend një foto me ca xhaketa me shumë xhepa, e cila u shëtit në FB; si edhe atë foton tjetër me dylbi në Korfuz, që desh e shpërbëri NATO-n); por nuk i eci, sepse pasuesit e tij mund të kenë pasur vërtet ndonjë tundim fashist, ose të paktën etnocentrik; por jo energjinë që kërkon fashizmi.

    Përndryshe, AK-ja komprometoi një mundësi që, me drejtues të tjerë dhe vizione të tjera, mund ta kish pasuruar mirëfilli tablonë politike shqiptare. E komprometoi deri në atë shkallë, sa ta bëjë të papërdorshme, të parikuperueshme; ose duke e diskredituar.

    1. Folklorizimi që shoqëronte nismat e Akz-së ishte i padurueshëm, sikurse shprehjet bajate të lidershipit të tij. Megjithatë duhet të reflektojmë nëse fenomeni Akz ishte thjesht një flluskë sapuni, event mediatik, meteorit paraelektoral, apo një fitil që nuk u ndez dot nga paaftësia e nismëtarëve. Duket sikur çarja, më shumë se taktike, domethënë punë aleancash, ishte thelbësor; projekti i paraqitur nga Akz-ja e Kreshnikut ishte i pabesueshëm, që mund të paraqitej bukur në skenë, në sheshe dhe ekrane, mundësisht gjatë përvjetorëve kombëtarë, me flamuj e pankarta, por jo për zbatim konkret. Disa pohime të asaj force, ia fërkonin bishtin ndjenjave instinktive të turmës; të tjera kishin mesazhin patriotik të pranueshëm, por me garniturën e zakonshme të retorikës kombëtariste, çka ia humbte sakaq vlerën. Projekti politik i Akz-së duket në dështim e sipër, në mos i mbaruar. Një nga të metat ishte se programit të bashkimit kombëtar, sa i ligjshëm aq edhe i diskutueshëm, nuk i përkonte ndonjë ide interesante në rrafshin ekonomik. Ndoshta i gjithë operacioni u percetua si shashkë, si koreografi me fishekzjarre. Si e tillë Akz-ja, me sa duket, humbi në tymin e retorikës që krijoi vetë.

  2. Mbase ka dicka me te thelle ketu, por pare sic eshte shkruar (ne artikull dhe komente me siper) nuk di si ta vleresoj/kuptoj kete trajtim thuajse letrar (fiction) dhe me dorshka te bardha te skemes politike shqiptare, pare nen rrjedhen e AKZ-se dhe deshtimit te saj. Shkon padyshim pertej logjikes “fitimi te pagezon me moral dhe humbja me vese”.

    2xha ne repliken e tij flet per demagogji dhe mungese fisnikerie nga ana e Spahiut, kurse Pishaku permend si shkaqe te mundshme te deshtimit te AKZ-se paplotesine dhe cekuilibrin e programit te saj, si dhe shfryrjes qe i beri kesaj flluske politike sensi realist i votuesit shqiptar.

    Me krijohet ndjesia tamam si ne nje skene filmi ballosh me maska, ne mos si nje skene filmi surrealist, duke ditur qe naivitetin e shprehur ketu (per skenen politike shqiptare) s’mund ta marr te mireqene keshtu si paraqitet, ne ‘face value’.

    Per krahasim, le te marrem LSI-ne, kete parti qe ndryshe nga AKZ-ja pati rritje shume fish ne krahasim me zgjedhjet e kaluara, e le te aplikojme te njejtat kritere vleresimi per te. P.sh. cili eshte me pak fjale programi i LSI-se dhe ku dallon ai nga programi i PD-se dhe PS-se? Ku eshte fisnikeria e Metes (apo Rames fundja) ne pikiatat/milestones te karrierave te tyre politike, apo tek bashkimi i tyre qe solli fitoren? Ku eshte sensi realist i votuesit shqiptar ndaj partise se Metes, ketij megahajduti qe ky popull e pa me presh/bllok ne dore, ‘me ze e me figure’, sic tha Rama.

    Nuk them se s’ka nuanca fare politika shqiptare apo se votuesit shqiptare jane te gjithe dele. Gjithashtu isha njesoj i peshtirosur nga skenderbeizmat e Kreshnikut, bile me shume se keto nga marrja peng e levizjes kombetare prej tij, sic Veliaj dikur beri me levizjen joqeveritare. Por ama s’mund te mbulojme elefantin qe qelbet ne mes te ketij diskutimi me flete palmash dhe me qasje sikur po flasem per nje gare politike ne Amerike a gjetke, qofte kjo qasje me doreza per hir te korrektesise politike apo cfaredo arsyeje tjeter.

    Gjithashtu, vlen krahasimi i deshtimit te AKZ-se me ate te FRD-se, pare me te njejtat kritere, si dhe vleresimi me te njejtat kritere i fitores te Rames dhe Metes.*

    Mendoj se eshte, se pari dhe se parafundi, ceshtje kapje, pra mafiozerie. Me Berishen ose Ramen kishte shpresa per vende pune, koncesione, tendera, etj, ku me shume e ku me pak, ne mos sot neser. Me Kreshnikun, apo qofte dhe me Bamirin, s’kishte garanci apo shume shpresa per keto, ne fakt gjasat ishin per nje ose dy mandate kuvendore ne rastin me te mire, pra hicmosgje po ta krahasosh kete me % e Rames apo Berishes. Me Meten nga ana tjeter ishte e sigurt kjo pune, se pavaresisht nese kryeminister do ishte Rama apo Berisha, Meta do ishte ne qeverisje gjithsesi, si faktor percaktues qe e bere me sukses ai veten dhe partine e tij.

    *Nuk e permendja ketu humbjen spektakolare te Berishes per dy arsye. Se pari, mendoj se ishte e tille (kaq e madhe ne shifra) per rrjedhoje te faktoreve te tjere, pra ceshtje ekuacioni/matematike. Se dyti, them se vertet kishte nje reagim real te popullit per largimit te tij me vote, pra nje numur i konsiderueshem votash jane dhene vertet per ate qellim primar, pra per largimin e Berishes, dhe jo ato interesat e tjera te vendeve te punes, etj, per te cilat interesa ne fakt s’duhen gjykuar njerzit ne nevoje por kasta politike qe i ka katandisur keshtu ata, si qente e zgjebosur pas kockave, si kucedra mitologjike qe ze burimin e ujit dhe te detyron te besh si do ajo.

    Pra nese do deduktonim realisht nje reagim te votuesve ne qershor 2013 ndaj politikaneve dhe partive shqiptare (pertej interesit vetiak te lidhur pas kerthizes se partive, dhe sado i vogel qe te kete qene ky qendrim ne proporcion me ate punen e kucedres) ky reagim s’ishte as zhgenjimi ndaj Kreshnikut/AKZ apo Bamirit/FRD dhe as renia ne dashuri me programin e Rames/PS apo Metes/LSI; ishte lodhja dhe neveria ndaj Berishes, si njeri, jo PD-se si parti.

    Por dhe njehere, e reja e ketyre zgjedhjeve ishte qe s’kishte asgje te re thelbesisht, qe politike-mafiozeria vazhdon te beje ligjin, dhe qe vota e shqiptareve eshte ne kete kendveshtrim aspak e lire. Te rejat e mirefillta ishin nuanca pare ne raport me kete ‘te re te vjeter’; konsolidimi i Metes si vendimtar per fitoren, ndac si parti/njeri ndac si model qeverisje, qitja ne pension e Berishes, dhe deshtimi jo i AKZ-se por i shanseve (te pakten he per he) per parti te reja dhe politike ndryshe, pare kjo e tille me shume sa i perket i perket votave per FRD-ne.

    1. Nuk synoja të bëja analizën e plotë të zgjedhjeve të fundit. Megjithëse i mirëpres krahasimet me partitë e tjera politike. Pyetja ime për Akz-në, shkon përtej zgjedhjeve dhe rezultateve të tyre. Ku është sot kjo forcë politike? Përse firoi? Ku vajti dukshmëria mediatike që kishte? Përse nuk dëgjohen më në skenën politike “i cavalli di battaglia” të Akz-së? Po rrjetat sociale që gëlonin nga aktivistët paskan qenë veprimtari fiktive? Kanë kaluar pak muaj nga zgjedhjet e fundit, ndërkohë që temat e nxehta dergjen po aty. Pritshmëria parazgjedhore ishte shumë e lartë, të paktën kështu dukej nga zhurma. Analiza e Akz-së na nevojitet për të kuptuar fenomene të tjera të ngjashme. Nuk i dihet, në qiellin e politikës shqiptare rrotullohen gjithfarë planetësh.

      1. Pishak, dakort, po nuk mendoj se mund te synojme seriozisht pergjigjet e ketyre pyetjeve keshtu te shkeputura, jashte kontekstit te pergjithshem te skenes dhe zgjedhjeve politike shqiptare; ne fakt eshte domosdoshmeri qasja kontesktuale mendoj, ndryshe i bie te bejme thjesht argumenta per hir te argumentave.

        Gjithashtu, s’mund ta gjykojme AKZ-ne sikur te qe nje parti amerikane, as votuesit shqiptare si amerikane. Jo se amerikanet apo gjermanet jane njerez me te mire, po e kam fjalen per jetegjatesine dhe pjerkurine e demokracise, votuesve, etj.

        Nga ana tjeter, nese ti thjesht u rreke te vesh AKZ-ne dhe Kreshnikun para pergjegjsise se braktisjes se kauzes dhe elektoratit pas humbjes, kjo eshte disi ndryshe, dhe plotesisht e drejte (do desha te kishte me shume vemendje ne media per kete ne fakt, per gjithe partite jo-fituese), por se pari kerkon pak info te brendshme (nese ka ndonje kontakt dhe angazhim te antareve dhe simpatizanteve nga partia etj) dhe se dyti, prap duhet pare ne kontekstin e partive te tjera, qe te mos stonoje argumenti si kapje thjesht me AKZ dhe Kreshnikun; zhurma e tatamlleqeve te Kreshnikut para zgjedhjeve s’besoj se e legjitimon vecimin e AKZ-se ne trajtimin/vleresimin pas zgjedhjeve.

        Tek e fundit, une te pergezoj per vemendjen qe i kushton ketyre ceshtjeve tashme qe s’jane me ‘ceshtje dite’, dhe shpresoj qe te pakten replikat te mos kene tingelluar si kritika per ceshtjen qe trajton, perkundrazi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin