THE DIBRAMAN

Filmi më i fundit i M. Scorcese, transmetuar në Netflix, mendova se do të ishte i fundit, para pensionit, sikur edhe aktorët që nxitojnë tanimë për atëbotë. Por lexova se njërin film e ka në prodhim, e tjetrin në kokë. Zoti i dhëntë ymër Scorcese-s. Irishman hyn kaq dinakërisht në mikrokozmosin e krimit të organizuar, sa nga poshtë duket shumë qartë se ç’ngjet aty sipër.

Siper parakalojnë: zgjedhja e Kenedit me ndihmën e organizatave mafioze e sindikatave që kishin lidhje me babanë e tij, instrumentalizimi i mafias për vrasje politike (Wormwood – E. Morris, Netflix), përpjekjet e Robert F. Kennedy për të pastruar makinerinë elektorale nga ndikimet mafioze, vrasja e presidentit etj. Se çfarë ndodh poshtë, shihni filmin. Dhuna e atyre poshtë, edhe pse mund të kërcejë ndonjëherë për të vendosur balancat sipër, i drejtohet përjashtimisht atyre poshtë (shih edhe Gangsters of New Yorks). (Shtresëzimi hapësinor, social apo gjenetik në këto filmat idiot distopik më duket aspak bindës: Divergent, Maze Runner, The Hunger Games etj.)

Filmi dhe historia e sindikalistit të lidhur me Mafien, Jimmy Hoffa, që përbën bazën e rrëfimit, ndihmon të kuptohet se çfarë po ndodh sot në industrinë minerare në Shqipëri: konfliktin ndërmjet sindikatave, sindikatave me pronarët, korrupsionin në sistemin gjyqësor, në sindikatat e në shoqërinë civile, turbokapitalizmi dhe lidhjet e tij me organizatat kriminale.

Me pak fjalë, historia që ka nisur në Bulqizë është: Organizata Politike, një organizatë joqeveritare radikale e majtë, që ka ndihmuar në themelimin e një sindikate të re (SMBB) më përfaqësuese për minatorët, ka nisur një konflikt me sindikatat e vjetra në Bulqizë dhe pronarin e kompanisë Albchrome, Samir Mane. Shkaku është largimi nga puna i disa minatorëve që kishin pranuar të organizoheshin në sindikatën e re. Inspektorati i Punës (ISHPSHSH) e ka parë të arsyeshme largimin e minatorëve dhe për pasojë sindikata e re ka gjasa të dobësohet. (Sami Curri në Reporter.al e ka mbuluar mjaftueshëm këtë konflikt.)

Nevoja për një sindikatë të re, për shkak të mungesës së përfaqësimit dhe aksidenteve të vazhdueshme në minierat e Bulqizës, nxjerr në pah problemet e ngjashme që kanë kaluar minatorët në vende e histori të tjera. P.sh. me ndodhitë gjatë Luftërave të Qymyrit në SHBA në vitet 1920, ku u vranë mbi 100 vetë në konfliktin ndërmjet sindikalistëve dhe grevëthyesve të mbështetur nga administrata e minierave. Ngjarja filloi kur administratorët e minierave që kishin korruptuar policinë, qeverisjen vendore, gjykatat dhe funksionin si organizata kriminale, u përleshën me armë me një grup minatorësh të armatosur. Pa hyrë në hollësi, me ndërhyrjen e qeverisë federale, minatorët e humbën davanë dhe u shpërndanë.

Por përveç konfliktit klasik ndërmjet minatorëve dhe korporatave të mbështetura nga strukturat shtetërore, unë mendoj se organizatat kriminale kanë infiltruar sindikatat, edhe pse një pjesë e tyre kontrollohen nga partitë politike dhe financohen kryesisht nga organizatat ndërkombëtare joqeveritare. Unë nuk di që lidhja e krimit të organizuar me sindikatat të jetë studiuar në Shqipëri.

Quajtur në anglisht „labor racketeering“ (Jacobs, 2006)[1], për disa kjo është një dukuri tipike amerikane. Qëmtuar edhe atje ndoshta jo mjaftueshëm, në SHBA ka një histori të gjatë të ndikimit mafioz mbi veprimtarinë e sindikatave.  Disa prej veprimtarive janë gjobëvënia ndaj punëdhënësve duke i kërcënuar me greva, apo të tjera veprimtari ndërprerëse e sabotuese; mitmarrja; vjedhja e grabitja; vrasja e rrahja; zjarrvënia; krime financiare si krijimi i monopoleve e asgjësimi i konkurrencës etj. Këto organizata kanë qenë më së shumti të pranishme në sektorin e shërbimeve (shërbimet sanitare, të transportit, gastronomi etj.). Jacobs i referohet L. Adamic, sllovenit me prirje të majta jugosllave, i cili në librin e tij Dinamiti: Historia e Dhunës së Klasave në Amerikë (1931) hedh tezën, se përballë dhunës së pronarëve e kapitalistëve, punëtoria ishte e detyruar të krijonte aleancë me krimin e organizuar. Gangsterizmi, përkthyer këtu lirisht nga Adamic, „ishte një faktor i rëndësishëm në fillimet e luftës së klasave, fillimisht në anën e kapitalistëve e më vonë në anën e punëtorëve; dhe kjo histori është e lidhur ngushtë me historinë e punëtorisë së organizuar“. Dikujt mund ti kujtohet që komunistët e parë, Stalini, veç të kaluarës së tij, apo edhe Lenini, nuk u tutën nga përdorimi i kriminelëve për të mbushur arkën e partisë. Deri në vitet 80, krimi i organizuar e kishte ngulfatur dhe njollosur sindikalizmin në Amerikë. Në kurriz të punëtorëve mafiozët vendosnin interesat personale në radhë të parë dhe më pas të punëdhënësve. Ndërsa përpjekjet për ti çliruar organizimet e punëtorëve nga ndikimi dhe elementët mafiozë rezultuan të suksesshme vetëm kur sistemi gjyqësor federal u aktivizua seriozisht për zhdukjen e tyre (ligji special RICO – Racketeer Influenced and Corrupt Organizations Act).

Kromi ka qenë një mallkim për Bulqizën prej kur filloi të shfrytëzohej, dhe po kështu zonat e tjera ku ka industri nxjerrëse. Unë mendoj se vdekshmëria në këtë zonë ka qenë më e lartë edhe në periudhën e socializmit. A. Gjonça (2001)[2], që ka publikuar një libër mbi zhvillimin demografik të asaj kohe dhe mbështet tezën se populli ishte i mirëushqyer, jo nga bollëku, por nga dieta e shëndetshme, nuk merret me vdekjet në vendin e punës. Por statistikat tregojnë se vdekshmëria më e lartë ka qenë në zonat me miniera: Tropojë, Dibër, Librazhd dhe Pogradec. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet, që ndër zonat me vdekshmëri më të lartë të të rriturve janë kryesisht ato veriore, dhe nga jugu vetëm Librazhdi dhe Pogradeci. Tezën e tij Gjonça e vërteton nga një krahasim i Shqipërisë me vendet përreth, duke mos u marrë shumë me dallimet rajonale në Shqipëri sa i përket të ushqyerit. Po të vërehen burimet e kromit në Shqipëri, harta përkon pikërisht me rrethet ku vdekshmëria ndër të rriturit është edhe më e lartë (shih hartën e vdekshmërisë për 1000 banorë).

Shpërndarja e burimeve të kromit në Shqipëri. Burimi: METE 2011.

Pas ndryshimit të regjimit, edhe me krimin e organizuar në lojë, miniera ka vazhduar të varrosë njërëz. Nga përllogaritjet e mia, prej 2012 deri në 2018, Dibra shënon numrin më të madh të vdekjeve nga aksidentet në vendet e punës për 1000 banorë. Në shifra absolute është thuajse sa Fieri, Elbasani dhe Shkodra, edhe pse popullsinë e ka shumë më të vogël (sipas INSTAT, në 2018 nuk ka të vdekur nga aksidentet në punë).

 

vdekjet ne pune per 1000 banore

Një reportazh interesant për kromin e Bulqizën ka Sokol Çobo (Reporter.al, 28.05.2016). Fillimisht minierën më të madhe në Bulqizë, ndër 117 leje që janë dhënë për shfrytëzim (2016, nga totali në vend prej 264 lejesh), e ka pasur një koncesion Italian (2001, DARFO Albania). Në vitin 2009, licenca e kësaj miniere i kalon Albanian Chrome, kaluar korporatës mëmë Balfin. Një oficer policie citohet në reportazhin e Çobos, se disa prej galerive shfrytëzoheshin nga individë të dënuar apo të dyshuar për krime të rënda. Reportazhi evidenton përplasje me armë ndërmjet pesë-gjashtë fiseve, grabitje me armë të kromit, vrasje e plagosje, dhe lidhje me politikën dhe policinë lokale.

Në disa raportime të BIRN për gjykatës të korruptuar që nuk kanë kaluar Vetingun, janë vënë re se rastet e aksidenteve në punë janë mbyllur pa hetime të plota, ku kryesisht janë fajësuar minatorët (p.sh. është larguar nga sistemi i drejtësisë drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, H. Vata; gjykatësi A. Jangulli nga Gjykata Administrative e Shkodrës, mbiemri i të cilit figuron edhe si i një prej fiseve në konfliktet e kromit). Por veç një sinteze të gjithë kësaj katrahure, në këtë analizë mungon edhe roli i sindikatave.

Studiuesit e gazetarët lipset të analizojnë edhe veprimtarinë e sindikatave, e jo vetëm të industrisë së minerareve. E këtu duhet pak fantazi që të kujtosh se pikërisht përpara se Albanian Chrome të merrte koncensionin në vitin 2009, pati disa greva punëtorësh të drejtuara nga F. Xibri., ish-kryetari i sindikatës së minatorëve dhe aktualisht punonjës në administratën qendrore (në konflikt me kryetarin e konfederatës, sa edhe u zu me grushta në emision televiziv me të). Grevistët mbështeteshin edhe në grevat e 2008 nga disa personazhe të shoqërisë civile dhe opozita; sot dy syresh di që janë të punësuar në qeveri dhe Partia Socialiste deklaron se sindikatat nuk janë faktor. Andaj ftoj që Organizata Politike të mbështetet, se për herë të parë, veç kompanive private, goditen edhe sindikatat që janë bërë palë në aleancat kundër interesave të punëtorëve.

 


[1] JACOBS, J. B. (2006). Mobsters, unions and feds: the Mafia and the American labor movement. [New York, N.Y.], [John Jay College of Criminal Justice].

[2] GJONÇA, A. (2001). Communism, health and lifestyle: the paradox of mortality transition in Albania, 1950-1990. Westport, Conn, Greenwood Press.

3 Komente

  1. Labor racketeering ndihmoi ne formimin e klases se mesme ne SHBA .Eshte e vertete qe sindikatash u infiltruan nga mafia te cilat I perdoren fondet e mbledhura nga union dues per te financuar aktivitetet e tyre etj dhe metodat e tyre ishin te dhunshme por punetoria pati perfitimet e saj .Pensionet ,pushimet e paguara,siguracionet ,mbrojtja e punes ,kushtet e punes etj u siguruan prej luftes se ketyre sindikatave .Ky nuk duket te jete rasti ne Shqiperi .

    1. Ne disa sektore mundesoi rritjen e pagave, por ne te tjere krijoi probleme, duke i shtuar armiqesise ndaj ideologjise komuniste edhe elementin mafioz. Besoj se ka ndihmuar ne dobesimin e punetorise se organizuar prej kohes se Reganit.

      Sa i perket rastit te Shqiperise. Spekullimi im eshte se krimi i organizuar ka vepruar nepermjet partive e politike fillimisht, tani i kontrollon ai sindikatat. P.sh. greva ka pasur vetem ne ato te administruara nga kompani te medha. Ne kompanite e vogla ku jane punesuar edhe te mitur, nuk ka pasur. Por ata te organizates politike duhet ta dine me mire kete pune, nese prononcohen direkt mbi mbeshtetesit e sindikatave aktuale.

  2. Cfar skandali ne studion ku po diskutonin dy sindikaliste! Ne kohen qe tjetri po nxirrte pislleqet, tjetri hakerrehet dhe i gjuan me shpulle!
    Per sa i perket mafiozillekut ne sindikatat amerikane, kjo eshte e vertete, po te shohim metodat e tyre. Por ky mafiozitet eshte jo vetem thjesht i shtuar nga kinematografia e Hollivudit, por i tipitizuar si kategori e caktuar skenike deri me sot. P.sh. filmi “Enemy of the state” (armiku i shtetit), i tregon edhe sot si tipike mafioze sindikatat, ndonese ky subjekt eshte anesor ne kete film.
    Fatkeqesi qe situaten e tanishme ne Bulqize e prezantojne kaq pak mediat shqiptare! Mileti nuk i njeh te gjitha hollesite! Por vetem ndjen eren e keqe qe atje ekziston!

Lini një Përgjigje te Alba Anuloje përgjigjen

Këtë e pëlqejnë %d blogues: