HITLERI MES SHQIPTARËSH

Chomsky citohet të ketë shkruar diku se, nëse nuk besojmë në lirinë e shprehjes për njerëz të cilët i përbuzim, atëherë nuk besojmë në lirinë e shprehjes.

Këto fjalë m’u kujtuan, tek lexoja këto ditë polemikat për botimin e Mein Kampf-it të Hitlerit në shqip, edhe pse kam frikë se, ata që e kanë botuar, nuk e kanë bërë këtë për të ushtruar lirinë e tyre të fjalës.

Unë nuk do ta ndaloja kurrë botimin e një libri për arsye “pedagogjike” – por kjo nuk ma heq të drejtën të spekuloj rreth motiveve të botuesit.

Pse Mein Kampf-in? Pse pikërisht tani?

Disa thonë se vepra e liderit nazist i duhet lexuesit, për të kuptuar arsyet që çuan në katastrofën naziste. Nuk di sa lexues ka në Shqipëri, që nuk i zë gjumi natën për arsyet që çuan në katastrofën naziste; por di, me siguri, që këta lexues hipotetikë janë shumë më të paktë sesa ata të tjerët, që e shohin Hitlerin me admirim – në mos si nazist, së paku si dorë të fortë, si njeri që i zgjidhte nyjet gordiane me shpatë.

Për mua, Mein Kampf-in e kanë botuar, në thelb, për të ushqyer nevojat shpirtërore të llumit fashist në Shqipëri.

Ata historianë, filozofë, politologë, antropologë, sociologë që duan të kuptojnë psikologjinë e Hitlerit dhe rrënjët e doktrinës naziste, mund ta lexojnë atë vepër në origjinal ose në ndonjë nga gjuhët në të cilat qarkullon lirisht, madje edhe falas online.

Në Shqipëri, çdo libër i kësaj natyre, që përkthehet nga gjuhët perëndimore, përkthehet për të edukuar a manipuluar publikun, jo elitat akademike; sepse elitat akademike nuk kanë nevojë për përkthime të tilla.

Ndërkohë, ngërçi politik në Tiranë është i tillë, dhe figurat e politikanëve kryesorë janë diskredituar në atë masë, sa opsioni fashist, autoritar dhe populist vjen e imponohet gjithnjë e më natyrshëm – sa kohë që njerëzve u ka ardhur në majë të hundës me cargo cultin e demokracisë majekrahi të Sali Berishës & Co.

Situata është tipologjikisht e ngjashme me atë që polli fashizmin dhe nazizmin, në Europën e Pasluftës së parë botërore; dhe në këtë situatë, Mein Kampf-i nuk është ndonjë ofertë për mendjet e paqeta të historianëve të nazizmit, por një alternativë, për mendjet e topitura dhe të çoroditura shqiptare, produkt i njëzet vjetëve zhgënjim, poshtërim dhe lapërdhi publike.

Radikalët e djathtë, që në Shqipëri i gjen në çdo kafene të periferisë, papritur kanë zbuluar, me rastin e këtij botimi, parimet e tolerancës, të diversitetit, të pluralizmit dhe të lirisë së fjalës; pa çka se, sikursa ca prej tyre do ta dinë patjetër, më 10 maj 1933, turmat e studentëve nazistë, të frymëzuar nga führeri i tyre, dogjën gati 25,000 libra “jogjermane”, duke përfshirë vepra të Heinrich Mann-it, Ernest Hemingway-t, Alfred Adler-it, Walter Benjamin-it, Bertolt Brecht-it, Sigmund Freud-it, André Gide-it, Jaroslav Hashek-ut, Franz Kafka-s, Karl Kraus-it, André Malraux-së, Marcel Proust-it, Erich Maria Remarque-ut, Stefan Zweig-ut, Jack London-it dhe H.G. Wells-it; dhe pa kursyer as poetin e madh Heinrich Heine-n.

Çfarë efekti të papritur emancipues paska pasur Mein Kampf-i shqip, për këta pishtarë të së djathtës shqiptare, që e zbatojnë kaq hareshëm parimin e tolerancës, të lirisë së shprehjes dhe të pluralizmit të mendimit me rastin e botimit të veprës së Hitlerit! Çfarë ironie, për Hitlerin vetë!

Dhe çfarë lehtësimi, për të gjithë ne të tjerët, tek i shohim këta avokatë të befasishëm të liberalizmit, të ngrihen e t’u japin leksione të të drejtave të njeriut të gjithë atyre që shpresojnë se Hitleri mund të mbahet larg shqiptarëve duke mos ia përkthyer ose duke censuruar veprën!

Qesharak, në krahun tjetër, argumenti i disa kundërshtarëve, se ky botim ka shpërfillur të drejtat e autorit, të cilat i paska pasur Landi i Bavarisë. Ç’fatkeqësi edhe për Landin e Bavarisë – goditje e dytë, pas asaj që i dhamë presidentit Strauss, në vitet 1980, kur ia treguam plagët e Luftës në trup…

Nëse mbaj mend mirë, kish edhe atëherë njerëz që e lidhën vizitën e magnat-it gjerman me nazizmin dhe përmendën faktin që nazistët na paskëshin klasifikuar ne, shqiptarëve, mes arianëve – ose të zgjedhurve.

Për t’u trishtuar edhe fakti tjetër – ose reklama falas që iu bë këtij botimi, duke e përcjellë në kryetitujt e lajmeve në Tiranë (unë shpresoj të jem i fundit); dhe duke ia ofruar një shërbim të mirëpritur botuesit të tij, i cili tani me siguri do të mund të financojë edhe vepra të tjera të kësaj hullie, duke filluar nga Protokollet.

Në fakt, tregu shqiptar i librit, që prej vitit 1945 deri më sot, ka provuar më se një herë se veprat e politikanëve, tek ne, shiten shkëlqyeshëm, meqë delet gjithnjë i kemi në kërkim të barinjve.

Ndërkohë, e majta radikale, ose kundërpesha – së paku teorike – e hitlerofilëve shqiptarë, nuk po gjen, as mund të gjejë ndonjë autor të baraslvershëm, ose një Gjergj Elez Ali, për t’ia nxjerrë bajlozit nazist në mejdan.

Madje, madje, kjo e majtë radikale ka shpenzuar kaq shumë energji teorike dhe adrenalinike, për të përqeshur dhe dekonstruktuar cargo cult-in e klasës së sotme në pushtet, sa e ka përgatitur publikun për Mein Kampf-in e shqipëruar njëlloj siç e përgatiti e majta radikale gjermane, në vitet 1920, ardhjen e Hitlerit në fuqi.

A ka rrezik për nazizëm në Shqipëri? Natyrisht jo – nazizmi mund të hidhte rrënjë dhe të jepte fryte vetëm në një shoqëri me standarde të larta socializimi dhe përkushtimi publik, si ajo në Gjermaninë e viteve 1920-1930. Çfarë jep tek të tjerët rezultate të shkëlqyera, në daç për mirë në daç për keq, tek ne mbetet vetëm në nivelin e tundimit, të velleità-së, të psherëtimës me frymë alkooli, të tipit “ah, si nuk kam, një grusht të fortë!”

Nëse në Gjermani nazizmi mori trajta të një pitbulli, ose të një dragoi flakëhedhës, ndër ne do të shfaqej, ndoshta, në formë të një lakuriqi nate.

Por gjithsesi më duket moment i mjeruar ky kur, për të konfirmuar se edhe ne, shqiptarët, mund ta ushtrojmë të drejtën e shprehjes dhe të fjalës, na duhet t’i referohemi botimit të një manuali të urrejtjes, si Mein Kampf-i; dhe pavarësisht nga ç’ka thënë hebreu i majtë Chomsky, të cilin autori i bestseller-it tonë do ta kish degdisur nga të parët në Auschwitz.

Nuk ka komente

  1. Xhaxha ju shkruani:
    “Këto fjalë m’u kujtuan, tek lexoja këto ditë polemikat për botimin e Mein Kampf-it të Hitlerit në shqip, edhe pse kam frikë se, ata që e kanë botuar, nuk e kanë bërë këtë për të ushtruar lirinë e tyre të fjalës”

    E vertete. Ata mesa duket jane bisnesmene dhe synojne fitimin ekonomik, por eshte shoqeria dhe jo ndonje anti-njeri anti-nderhyrje ne Kosove (jo nen-njeri se kjo eshte gjuhe e poshter, the) qe i vendos emer vepres qe bejne; E quan liri fjale ose nxitje urrejtje, dhe pastaj nese deshiron i ndalon apo jo sic mund te veproje me nje biznesmen qe deshiron te shese veze te prishura e semur femijet, apo me ndonje ekstremist tjeter fetar apo seksual.
    Mund te vendosim te gjithe shtetasit e Shqiperise ose perfaqsuesit tane ne kuvend se nuk ekziston asnje liri per te nxitur urrejtje, sic nuk ekziston per ekstremizmat e tjere.

    P.S. E kam per Chomsky qe ka shkruar se nuk duhej nderhyre ne Kosove dhe se masakrat u provokuan nga Nato.

  2. Autori shkruan:

    “A ka rrezik për nazizëm në Shqipëri? Natyrisht jo – nazizmi mund të hidhte rrënjë dhe të jepte fryte vetëm në një shoqëri me standarde të larta socializimi dhe përkushtimi publik, si ajo në Gjermaninë e viteve 1920-1930.

    Une them se po. Sigurisht jo iasaj shkalle si i Hitlerit, jo me ato ngjyra dhe permasa, edhe pse i pershtated “idese se madheshtise” shqipetare.

    Ca nga arsyet e nje diktature te mundshme po i reshtoj me poshte:

    1. Situata ekonomike sic e pranon dhe autori i ketij artikulli eshte e afert me ate te viteve 1930te.
    2. Partia naziste ose me mire Nacional Socialiste u bazua ne nje element shume te forte nacional kombetar, gje qe nuk eshte larg nga idete nacionale shqipetare (ne krahesohemi me gjermanine dhe Hitlerin me permasa boterore edhe kur e krahesojme komunismin shqiptar me nazismin gjerman. Nje ide megalomane qe na perkedhel sendren edhe pse per te keq).
    3. Ne Shqiperine aktuale nuk ka nje klase te mesme te fuqishme, dhe per me teper nuk ka borgjezi kombetare. Ata qe jane ne pushtet nga te dyja palet jane te korruptuar, fuqine ekonomike e kane forcuar ne vitet e fundit, e jo te trasheguar ose te fituar ne menyre te ndershme. (ka mjaft dokumenta per kete). Keshtu qe te ruajne kete pushtet ekonomik, aktualisht te koncentruar ne nje dore, pushtetaret mund ti drejtohen nje diktature te re ose nje tipi te ri mbreterie, qe te mbrojne thesaret e tyre personale,edhe pse Sala eshte ne fyqi qe per reth 20 vjet.
    4. Psykologjia moniste dhe e nje dore te hekurt te nje shteti qe rregullon e sheh gjithshka eshte akoma e fresket, vecanerisht ne nje kohe te tille si sot. Korrupsioni ne shtet pjell nevojen e nje diktature, edhe pse diktature vete nuk i shpeton dot korrupsionit.
    5. Shtypi shqipetar tejskajshem partiak dhe i centralizuar, dhe pa rregulla te mirfillta demokratike mund te manipulohet fare lehte bazuar ne aksiomen ” me mua ose kundra meje”.
    6. Situata nderkombetare e dobet dhe me shume probleme, mund te ndihmoje qe ne emer te stabilizimit te nje regjioni te caktuar (Balkanit), ne vendosjen e nje shteti te vogel e te pa rendesishem si Shqiperia, e perkrahur kjo edhe nga vendet fqinje, kur fuqite e medha jane te zena me probleme te tjera me te medha (lindja e mesme).

    Si do qofte diktatura shqipetare nuk do te kete ngjyra te mirfillta naziste e fashiste, por si zakonisht to te permbledhe ne vehevehte te gjitha gjyrat e diktaturave te meparshme, Gjermane, Rumune, Bullgare, Russe, Kineze, Italiane, Kiliane, Spanjolle dhe natyrisht to te jete me e mira dhe me e arrira. Nuk eshte e veshtire qe ne emer te meritave te”luftes” per demokraci te kemi nje Zog te II, edhe pse jo me emrin Ahmet. Ne kte kontext libri i Hitlerit mund te ndihmoje disi.

  3. Ne keto kohe me shume se Hitleri mes shqiptaresh, duhet pare Hitleri mes sllavomaqedonasve, se si po duken bathet pas vizites se Hitlerit mes serbeve , Hitleri paska zbritur ne Maqedoni.
    Hitleri mes shqiptaresh vika vetem per te masakruar shqiptaret, se per gje tjeter aha, pese miza zuri qeni.

  4. Cfare eshte interesante ne botimin e Mein Kampfit, eshte se botuesit e tij, qe une kam patur fatin ti njoh, jane te njejtet persona qe me shkrimet e tyre sulmojne osmanet dhe mbrojne nacionalizmin laik shqiptar. Mein Kampfistet e sotem jane incidentalisht edhe adhurues te Fishtes, poetit tone kombetar, i cili ne vitet 39 himnizonte Hitlerin dhe mbronte Kristallnachtin. Dhe Fishta, sic dihet, lavderohet sa nga e djathta aq edhe nga e majta. Qe te dy kampet kane perqafuar “Rilindjen” kuq e zi, vetem se haen me njeri tjetrin per pune datash dhe emrash.

    Tani qe 28.000 deshmoreve partizane, iu shtua edhe nje shqiptar pushtues i NATO-s ne Afganistan, botimi i Mein Kampfit duket se nuk stonon shume me trendin e kohes.

  5. Mein Kampf e kam lexuar para shume vjetesh, eshte nje liber medioker i shkruar nga nje autor medioker. Ky liber u be i famshem nga famekeqesia e autorit, “ubermensc-it” psikopat Adolf.

    1. Une s’e kam lexuar, i hodha nje sy pjeses falas ne google-libra, meqe xha xhai tha se ka falas, pjeset autobiografike shume vertikalisht se besoj qe Hitleri ia ka kercitur mashtrimit per qejf, duke ndalur tek mendimi.

      Nuk m’u duk medioker, perkundrazi njohes i mire i darvinizmit social dhe me nje pene qe s’e besoj te jete e tija, pasi dukej dore e stervitur e Hitleri ne ndryshim nga Musolini nuk ka pasur dore.

      Problemi qe vjen prej ketij libri, besoj une, eshte qe Hitleri flet me ‘teza perendimore’, darvinizmi social, shovinizmi, racizmi shkencor, imperializmi, parti-shtet, antisemitizmi etj dhe nuk ka asgje realisht hitleriane ne kete mes.
      Hitleri s’ka prodhuar absolutisht asgje te re, dmth nuk vendoset dot tek teoricenet e politikes, ato jane 1000 faqe permbledhje te tezave perendimore qe i vinin per shtat Hitlerit.
      Nuk ka asnje mendim mirefilli hitlerian, ka vetem permbledhje, asemblazh, hitlerian, kap nje teze bashkoje me nje tjeter, ate me nje te trete e me radhe, derisa u poll nazizmi.

      Perendimi nuk ka frike nga Hitleri, ka frike nga tezat e veta te se shkuares, te cilat Perendimi vete i perpunoi ne menyre te afte dhe bindese, kane nivel le larte provash e ku mungojne provat ka sofizem shume te perpunuar.

      Une s’kam fare frike nga Hitleri, une kam frike nga ai Perendim qe me thote mos kerko te drejtat e tua, nga ai Perendim i vjeter, ajo kurva plake, qe thote shqiptaret jane ushtare ne fushen e shahut, ku lozin shah Perendimoret me Rusine.

      Hitleri s’pi uje ne Shqiperi, por ai Perendim qe ka pjelle ato teza, e qe na thote rrini aty ne skaj te Ballkanit, mos kerkoni te drejta se s’ua njohim, na duheni vetem per te lozur shah me Rusine, ky pi uje sa gati s’mbytet ne Shqiperi dhe prandaj me tremb.

      Libri i Hitlerit mund te mos botohej fare mire, biles me mire te mos botohej, keshtu s’do prishja gjakun me nje kungull qe quhet Fatos Baxhaku, qe gjeti rastin per te treguar sa kungull eshte.

      1. Hyllin, si është kjo puna me Fatos Baxhakun? Ka shkruar gjë edhe ai për botimin e Mein Kampf-it në shqip?

        1. Ka pase nje artikull, nuk mbaj mend se ku e lexova, ku erdhi verdalle nja 1000-1200 fjale pa thene asnje gje, pastaj ne fund e hodhi me spond qe halli na qenkesh pak a shume tek AK-ja, nje ad hitlerum i paster fare e krejt pa lidhje me artikullin.
          I kam ndjekur rregullisht keto artikujt rreth hitlerit apo kritikat ndaj AK-se ne pergjithesi, sheh gjera haluçinante, komuniste, enveriste, naziste, fashiste, ekstremiste, futja t’ja fusim.

          Po deshe, flasim edhe Agollin, qe e nisi dhe e mbaroi duke thene se nuk duhet botuar ngaqe shqiptaret kane shpetuar hebrejte. Ku di une, debat me te varfer publik sesa kjo rreth botimit te ketij libri s’kam pare.
          Ndoshta kjo tregon qe edhe njerezit jane ndjere me shume te terhequr prej flokesh ne kete debat, se duhet ta thone nje gje, pasi ne thelb nuk u behet shume vone, ne botohet apo jo, biles une besoj se shumica e tyre as qe e kane lexuar.

  6. Kerkesa e tregut shqiptar te librit, si pasoje e zhytjes ne injorance, qe ironikisht po vjen duke u rritur ne perpjesetim te drejte me kohen, pavaresisht se kemi numrin me te madh te universiteteve ne Europe ne raport me popullsine, anon nga konspiracite e David Icke apo perrallat e Dan Brown, te perkthyera nga anglishtja sa per te kaluar rradhen dhe per te mastubuar mendimet ne menyre qe produktiviteti trunor i turmes te mbetet ne nivele mesjetare. Gjithsesi, kalimi tek librat konspirative dhe me perralla, ishte nje hap i madh nga kapercimi i romaneve 1$ te Danielle Steel. Tek Mein Kamp, ngerci fokusohet tek perceptimi i drejte shqiptar ndaj politikes si filozofi. Keta te fundit nuk kane ende te qarte se cfare do te thote e majte dhe e djathte dhe e identifikojne krahun politik ende ne menyre militante, pa hyre ne brendesi te struktures dhe filozofise politike, qe reflektohet me mungesen e programeve politike nga partite shqiptare, e cilesuar jo me kot si te pavlefshem ne paranteze me shprehjen tone popullore, ”Sipas vendit, behet dhe Kuvendi”. Nga ana tjeter, libri, qe per nga terminologjia e perdorur kerkon nje klase te vecante lexuesi, rrezikon te keqinterpretohet dhe te kthehet ne nje ”trend” te adoleshenteve. Ne kete pike lind natyrshem pyetja: cfare i duhet nje Hitler lexuesit shqiptar, perpos turbullimit te metejshem te corbes mendimore qe na karakterizon si popull? Kuptohet, duke lene anash anen komerciale te botimit, si nje risi qe erdhi ne pluralizmin tone politik, dhe sigurisht duke anashkaluar edhe perkthimin.

  7. Hyllin writes:
    “Une s’kam fare frike nga Hitleri, une kam frike nga ai Perendim qe me thote mos kerko te drejtat e tua, nga ai Perendim i vjeter, ajo kurva plake, qe thote shqiptaret jane ushtare ne fushen e shahut, ku lozin shah Perendimoret me Rusine.”

    Kjo phraze me kujton retorikat e Hoxhes. Nese Shqiperia nuk mbeshtetet ne perendim, ku do te gjeje mbeshtetje ne Lindjen e Mesme e ne boten arabe??

    1. Ja çfare po thosha me lart, futi nje ad hitlerum, ad enverum e ad arabia felixum e je ne rregull.

      Ka dy Perendime, nuk ka nje, nje eshte vetem ai i Diellit.

      Nje Perendim eshte ai vlerave, i demokracise, i vetevendosjes, etj, ky eshte Perendimi im (hiq natyrisht nje pjese te vlerave se te gjitha s’ia pranoj).

      Ka dhe nje Perendim te dyte, te pershkruar mire nga Fishta, ai i Eduart Grey-t qe thote ne parlament se i beme nje padrejtesi shqiptareve po ruajtem paqen ne Europe.
      Ky nuk eshte imi, per asnje çast e per asnje arsye, per faktin e thjeshte se une nuk pranoj te behem kurban i askujt, as kurban i paqes ne bote, se kush do lufte do e gjeje nje arsye.

      Hitleri si kategori i takon Perendimit te dyte, sa per te sqaruar me mire pozicionin tim.

      Tani, ti e shume te tjere, e shihni Perendimin si nje te vetem, ky eshte problemi im vetem per aq kohe sa me detyroni te pranoj rolin e kurbanit, kurse pjesa tjeter eshte problemi juaj.

      Une e shoh esenciale thirrjen e Perendimit te pare, per zgjidhjen e çeshtjes kombetare, nderkaq Perendimi si e koncepton ti, mua me se shumti me vjen si Perendimi i dyte sesa si i pari.

      Deshira ime eshte qe dale ndokush e t’ia plase ne sy hipokrizine ndonje te derguari te BE-se, nga ata qe vijne me qendrime caze si teper superiore dhe japin leksione e ta beje per dy leke, qe kur te dergoje BE-ja ndonje tjeter, te mos sillet si para ndonje tufe bagetie.
      BE-ja per vete natyren politiko-diplomatike te te derguarit, vjen si Perendim i dyte.

  8. Edhe unë mendoj si Julius, që përkthimi i Mein Kampf-it vjen më shumë për të plotësuar dëshirën e publikut shqiptar për teori konspiracioni sesa për t’i shërbyer frymës fashiste të së djathtës ekstreme. Ata që do të arrijnë ta lexojnë (se libri është është edhe i shkruar keq, plot me të dhëna autobiografike, retorikë boshe, plane ushtarake, plane utopike; personalisht e mbrarova me tre a katër përpjekje) do i qasen më shumë nga kurreshtja dhe duke gjykuar nga tirazhi mesat që ka sot një libër i përkthyer nuk do jenë dhe kaq shumë.

    Nuk pres pra as që të ndikojë në mendimin politik të lexuesit mesatar, as atij ekstremist, se diçka të tillë nuk e bëri as në lexuesin e tij origjinal, ngeli një libër mediokër dhe i mërzitshëm që nuk dha ndonjë përgjigje në problemet e epokës së vet (këtu citoj historianin gjerman Hans Mommsen). Edhe nga përmbajtja e tij ekstremiste prapë libri nuk përmban diçka të re. Nuk thotë diçka të re as nga ana e shovinizmit, as nga ana e antisemitizmit, as nga ana e ekspansionit të detyrueshëm të Gjermanisë drejt Lindjes. Madje shteti ideal i Hitlerit është më pak i rrezikshëm nga politeia e Platonit (jo rastësisht ky i fundit paraqitet si dokumentimi i parë i djegjes së librave).

    Pastaj, nqs librit i ndalohej përkthimi apo qarkullimi, kush na garanton se nesër nuk do veprohet kështu me Biblën, Darvinin, Marksin, pse jo edhe Enciklopedisë Maqedonase.

  9. Ti autor, nga na qenke aq i sigurt qe botuesit nuk jane luftare te shprehjes se lire, ahbal?

    1. Edhe ajo është një mundësi, të cilën besoj se e kam sjellë, të nënkuptuar, në tekstin më lart.

      [Tjetër herë, kur të lësh komentin e parë në blog, të lutem përpiqu që të mos ketë formë pyetjeje.]

  10. Të botosh sot Hitlerin në shqip është një sjellje infantile, është si një lloj cigareje pirë nga adoleshentë ngrehur mbi kolltuk atë ditë që prindërit janë në një udhëtim të largët. Është një veprim krejtësisht i papërgjegjshëm.

    Botimi i “Mein Kampf”-it në Shqipëri është gjithashtu një kitsch intelektual, një gjest vetëm me funksione ornamentale. “Ja, i kemi të gjitha, edhe Hitlerin po të duam ta lexojmë, e kemi në kuzhinë mbi kanape”. “Evropë hapna derën tani!”.

    Megjithëse tematikisht nuk qasen fare, por mesazhi që bie ky lajm është i të njëjtës ekuivalencë si legalizimi i martesave midis homoseksualevë, lejimit apo ndalimit të prodhimit të energjisë bërthamore (nuk e di se cili është statusi aktual i gjërave), e plot rasteve të tjera të përditshmërisë politike e intelektuale shqiptare, që nuk kanë asnjë kuptim, janë bosh, pa substancë dhe për më tepër pa as edhe nevojën minimale subjektive për të ekzistuar.

    Megjithatë edhe në këtë kitsch ka përsëri ka diçka fondamentale shqiptare, për t’i bërë gjërat anapolla. Jetojmë kohë, ku të majtë e të djathtë, në çështjet e rëndësishme të përditshmërisë politike botërore të ndikuara nga kriza ekonomike dhe keqfunksionimi i bankave lexojnë Karl Marx-in. dhe e bejnë jo nga frustrimi, por se kritika e Marx-it mbi sistemin ekonomik kapitalist rezulton vizionare.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin