KRITIKË LOGOSH TË 100-VJETORIT TË TIRANËS

Kritikë mbi dizajnin grafik nga Taulant Sulko.
Editimi fillestar nga Erlind Sulko.

Parathënie[1]

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka shpallur së fundmi se Tirana do të ketë logon e saj për 100-vjetorin e shpalljes së saj si kryeqyteti i Shqipërisë. Nga 50 aplikimet fillestare, Bashkia e Tiranës ka përzgjedhur katër logot më poshtë si finalistet. Si dikush që ka studiuar dizajn grafik dhe ka vite që punon në këtë fushë në Kanada, po dua të bëj një vlerësim dhe gjykim të këtij konkursi dhe katër logove në fjalë. Synimi im nuk është të fyej apo të ul punën e askujt, por të jap një gjykim sa më profesional.

https://www.facebook.com/ErionVeliaj/posts/10158044193391926

Punimet

Karrota

Autori Karrota  
Ilustrimi Grafik 3/5 Megjithëse ekzekutimi është i saktë nga ana gjeometrike, logoja është më e pastër se sa duhet dhe i mungon gjallëria organike. Do ishte më e mirë për ndonjë korporatë telekomunikacioni.
Ngjyrat 5/5 Bashkim i këndshëm ngjyrash.
Tipografia 3/5 Tipografia nuk është e përshtatshme për 100 vjetorin. Më kujton një logo për një produkt në supermarket.
Lexueshmëria 1/5 Lexueshmëria është shumë e dobët. Në qoftë se e sheh këtë logo nga larg, nuk kuptohet dot se çfarë thotë fjala. Për shembull,  shkronja “a” ngjan më shumë si “o”. Shkronjat janë ngjitur me njëra tjetrën. Numri 100 brenda fjalës “Tirana” është shumë i vështirë për t’u lexuar.
Koncepti 4/5 Më pëlqen koncepti i ngjyrave të ndryshme. Tirana është e njohur për pallatet me ngjyra.

Kuadr

 

Autori Kuadr  
Ilustrimi Grafik 1/5 Kjo logo të jep më shumë përshtypjen e një grupi aktivistësh ekologjikë rinorë. Malet simbolizojnë natyrën, jo qytetin. Mali i Dajtit është më i vjetër se Tirana.
Ngjyrat 1/5 Zgjedhja e ngjyrave ngjan shumë e rastësishme dhe pa lidhje me njëra tjetrën. Më duket i pakuptimtë përdorimi i ngjyrës blu dhe të kuqe brenda fjalës “Tirona”.
Tipografia 1/5 Mendimi tipografik mungon. Ngjan thjesht si një skicë.
Lexueshmëria 3/5 Ikona e orës nuk kuptohet lehtësisht se është shkronja “a”. Nuk kuptohet kollaj që është për 100-vjetorin.
Koncepti 1/5 Koncepti shumë i dobët. Më ngjan thjesht një bashkim i papërshtatshëm i dy gjërave: maleve dhe numrit 100. Malet dhe numri 100 nuk janë koncepte që kanë lidhje me njëri-tjetrin.

 

Florian Sallo

Autori Florian Sallo  
Ilustrimi Grafik 2/5 Ilustrim i dobët. Kulla është shndërruar në një gjarpër. Ornamentet në pjesën e poshtme të punimit nuk më kujtojnë aspak Tiranën.
Ngjyrat 2/5 Kombinimi i ngjyrave vjollcë me të bardhë dhe me të kuqe dhe të verdhë më duket i dobët.
Tipografi 4/5 Ka koncept të fortë tipografik, ku mundohet te bashkoj kullën me numrin 100. Kontrasti midis “100” dhe “Tirana Vjet Kryeqytet” është shumë i madh dhe ngjajnë gati të ndara.
Lexueshmeria 4/5 Kuptohet kollaj qe është për 100-vjetorin. Teksti tjetër është i vështirë për t’u lexuar.
Koncepti 4/5 Koncepti është i fortë. Lidhja e Tiranës me kullën dhe numrin 100 është për t’u vlerësuar.

 

Blerim Tuzi

Autori Blerim Tuzi  
Ilustrimi Grafik 4/5 Ilustrim i fortë dhe ka kontekst kulturor. Një problem është që ky koncept ngjan mirë vetëm në sfond të zi. Do të doja ta shikoja se si funksionon në sfond të bardhë.
Ngjyrat 5/5 Ngjyrat janë shumë të këndshme dhe më kujton një muzg vere në Tiranë.
Tipografia 2/5 Tipografia këtu ngjan si zgjedhje pa rrezik dhe pak e mërzitshme.
Lexueshmëria 4/5 Kuptohet kollaj që është për 100 vjetorin. Teksti nuk është vështirë për t’u lexuar.
Koncepti 5/5 Më pëlqen koncepti i prezantimit të kullës si një mozaik. Tirana është e famshme për ngjyrat e saj. Tirana është një mozaik njerëzish që vijnë nga shumë qytete.

 

Mendime mbi konkurset e dizajnit

Mendimi im është që konkurset e dizajnit nuk ndihmojnë profesionin e dizajnit. Qyteti i Tiranës nuk bën konkurse për profesionet e tjera. Do ishte qesharake në qoftë se do të bëheshin konkurse për avokatët. Për çdo profesion, bëhet një intervistë dhe kryhet punësimi. Nëse duam të respektojmë profesionin e dizajnerit, ajo gjë nuk bëhet nëpërmjet konkurseve për disa arsye:

  1. Ti vë të konkurrojnë një studio me një individ. Më ngjan e padrejtë dhe e pabarabartë si konkurrencë. Një studio ka shumë herë më shumë të ardhura dhe mundësi.
  2. Ti je duke i kërkuar një profesionisti të bëjë punime falas ose me të ardhura të pagarantuara, që në shumë profesione të tjera është ilegale.
  3. Publiku nuk është gjykues i mirë i dizajnit. Dizajni nuk është konkurrencë popullariteti. Në kontekstin e Facebook-ut, në qoftë se dikush ka më shumë ndjekës, mund të fitojë ndaj konkurrentëve edhe me një punim të dobët. Publiku i gjerë sheh vetëm sipërfaqen e një punimi dhe i heq sytë. Njëlloj sikur sheh domatet në treg. Një punim i mirë dizajni nuk është thjesht estetikë popullore, por duhet të ketë një frymëzim nga bindjet kulturore.

(c) 2020, autorët. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Ky shkrim ishte përfunduar dhe dërguar para se të shpallej sot fituesi, Karrota, pas votës elektronike.

21 Comments

  1. Karrota dhe kastraveci mozaik nuk me pelqyen, aq me pak ajo logoja per qender pushimi. Ajo e sahatit ishte e mire pa lejlane partiake.

    1. Ai ilustrimi posht logos se Florian Sallos, me te kuqe dhe te verdhe. me kujton menjehere ato produktet ne China Town. E pakuptimte, e teperte dhe e papershtatshme.

  2. Shkrim shumë instruktiv. Përsa i përket ngatërresës midis “a” dhe “o” te karrota, mendoj se është e qëllimshme.

    1. Mbase mund të jetë e qëllimshme,- mua nuk më kishte vajtur në mendje kjo gjë. Në vazhdim të kritikave që jepen në shkrim, unë do i mëshoja dy problemeve me atë logo: 1) logoja më duket më e thjeshtë seç duhet, duhej gjetur një lidhje tjetër me Tiranën përveç ngjyrave; 2) numri 100 i futur brenda më duket gati i palexueshëm dhe jo i shprehur qartësisht.

      Kam përshtypjen se mund të ishte një logo shumë e mirë për ndonjë kompani, por jo për 100 vjetorin.

      Më mirë mos të flasim fare pastaj për konkursin dhe zgjidhjen nëpërmjet pëlqimeve në fejsbuk. Më duket një çmenduri.

      1. “Më mirë mos të flasim fare pastaj për konkursin dhe zgjidhjen nëpërmjet pëlqimeve në fejsbuk.”

        Edhe profilet fallco duhet të paguhen. Me këtë rast me paratë e logos paguajmë edhe profilet. Një rrugë e dy punë tha. Very efficient our Mayor.

    1. Këto votimet popullore më duken qesharake, pasi “populli” asnjëherë nuk voton. Votojnë ndjekësit, pëlqyesit, punonjësit, familja dhe miqt. Voton edhe fuqia e marketingut.

      Shqyrtimi i Taulantit është estetik, jo historik. Janë dy gjëra të ndryshme që njerëzit në fejsbuk po i ngatarrojnë.

      Mendoj se edhe çështja e plagjitirës është më e ndërlikuar se sa thjeshtë të thuash se është vjedhje. Ky është realiteti i botës së dizajnit grafik: shumica janë të frymëzuara nga një stil apo logo e caktuar.

      Të gjithë aplikantët i kanë “vjedhur” fontet. Askush nuk ka krijuar fontin e tij, prandaj nuk mund të thuhet se vetëm logoja fituese qenka e vjedhur.

      Për mendimin tim logoja fituese ka dy probleme të tjera: 1) lidhja me Tiranën janë vetëm ngjyrat, Tirana nuk përfaqësohet me asgjë tjetër aty; 2) Numri 100 i futur brenda fjalës Tirana është gati i palexueshëm.

  3. “Fituesi do të zgjidhet nga ju, në mënyrë transparente, përmes votës online,” thotë kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, në statusin ku ka shpallur konkursin e logove të 100-vjetorit kryeqytet.

    Gjithë duke pasur parasysh:

    Se bëhet fjalë për një konkurs pa rëndësi, për një logo pa rëndësi dhe në përgjithësi për një jo-event që bëhet event në momentin që shpallet në publik,

    Dhe se Veliaj tek e fundit mund edhe të kish vendosur vetë për logon dhe askujt nuk do t’i bëhej seriozisht vonë,

    Dhe se gjërat me rëndësi që vendos Bashkia nuk do t’i liheshin kurrë votës online,

    Po lejohem të shtoj:

    Se edhe vota online nuk mund të jetë e njëjtë me një sondazh banal në Facebook,

    Se kjo votë nuk është “transparente,” sa kohë që nuk është ndjekur asnjë kriter objektiv për ta bërë sadopak transparente,

    Se publiku, sikurse e tha Taulanti më lart, nuk është në gjendje të vendosë për meritat objektive të një logoje,

    Se kjo logo do të përdoret formalisht nga Bashkia dhe çdo entitet tjetër i përfshirë në aktivitetet e 100-vjetorit, por publikut nuk i hyn shumë në punë,

    Se bëhet fjalë jo për publikun si të tillë, por vetëm për ndjekësit e besnikë të komunikatave të Bashkisë (aq më tepër që u la vetëm 24-orë afat për votimin),

    Se vota në Facebook mund të manipulohet edhe më lehtë se vota e një jurie,

    Se fakti që një fitues e zgjedh publiku nuk e bën procesin e votimit më “transparent” se po të ish zgjedhur fituesi nga një juri profesionistësh që të kishin punuar në fshehtësi të plotë dhe në fund të kishin dalë me një vendim formal,

    Se “transparenca” si kriter i zgjedhjes së meritave nuk vlen një lek, po të mos shoqërohet me kritere të tjera, si ekspertiza dhe integriteti; dhe as mund të kompensojë mangësitë e tjera në përzgjedhjen,
    etj. etj.

    Po lejohem gjithashtu të shtoj, këtë herë si votues potencial online në Facebook-un e kryebashkiakut:

    Se logoja fituese, nga KaRRota (studio që zgjedh ta shkruajë emrin e vet me RR të fortë, mbase për të sfiduar statu-quonë drejtshkrimore); se logoja fituese, pra, po më duket tejet e përshtatshme si tabelë e një kiosku startup tajvanezo-norvegjez, për biçikleta me qira.

    1. I bashkangjitem tërësisht shqetësimeve që ke dhënë. Votimet e fejsbukut janë po aq transparente sa vendimet e fshehta e një jurie.

  4. Koncepti I kulles me sahat per mua eshte perfaqesuese e tiranes si nje landmark I kohes qe perfaqeson te shkuaren,te sotmen dhe te ardhmen e qytetit.

    1. Por këtu bëhet fjalë jo për logon e Tiranës, dhe as të bashkisë të Tiranës, për logon e 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet – në thelb, të një akti administrativ PLUS të një simbioze shpesh të parehatshme mes qytetit dhe kryeqytetit. Kulla është e qytetit, jo e kryeqytetit.

      1. Atehere duhet nje simbol I lidhur me aktin e kongresit te lushnjes qe shpalli Tiranen kryeqytet .

        1. Edhe kjo puna e shpalljes së Tiranës kryeqytet më 1920 është pak e ngatërruar. Kongresi i Lushnjes vendosi të shpërngulte qeverinë në Tiranë për shkak të sigurisë që ofronte qyteti, dhe Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm. De facto Tirana vepronte si kryeqytet, mirëpo kryeqyteti “në fuqi” ishte Durrësi (madje, për të respektuar këtë realitet, të gjithë misionet diplomatike në Shqipëri selitë i kishin në Durrës deri më 1925). Tirana shpallet kryeqytet me Statutin Themeltar të Republikës Shqiptare, votuar më 2 mars 1925. Është interesante dukuria e votimit popullorçe të logos, pasi përuthet po aq edhe me pranimin popullor se Tirana u bë kryeqytet në shkurt 1920. Vazhdojmë të mbetemi popull shumë, shumë interesant!

  5. Fakti që një logo e përzgjedhur për të festuar dhe nderuar historinë e një qyteti nuk ka asnjë referencë historike në të, flet shumë.

  6. Mendoj se logoja me sfond lejla si ide eshte me e mire se te tjerat po pa ate shiritin poshte qe dukes si heroglifet kineze nr pamje te pare dhe mendoj qe duhet pasqyruar dhe dicka nga kongresi I Lushnjes ku u shpall si kryeqytet Tirana, gjithashtu po jo shume e sigurt per ngjyren Lejla te sfondit. Nuk e di se cfare do te te thote autori me kete ngjyre.

  7. Sokol: atehere une propozoj ta rifestojme ne 1925 :). Ne kombet qe jane me shume etni se shtete nacionale, datat dhe kongreset kane pasur gjithnje nje interpretim mistik dhe si simbole me shume se si ngjarje historike.

    1. Në fakt, Eda, po t’u referohemi debateve publike dhe nivelit të informimit të “popullit”, gjithë datat që lidhen me tiparet kombformuese dhe shtetformuese i përjetojmë po aq mistikërisht sa dhe sakramentet fetare.

      1. E njejta gje eshte edhe me daten e pavaresise .28 nentor 1912 u shpall pavaresia por data e vertete eshte 31 korrik 1913 kur u vendos perfundomisht qe shqiperia te behej shtet i pavarur .

  8. Veliaj pyet 35K e me shume votues per logon e Tiranes, dhe krenohet si ai me kete fakt. Por kur vjen puna per ta shkatarru e ribo qytetin, as pyt dhe as nigjo njeri vec bosave te vet. Di ai kur dhe si te jete transparent dhe i pergjegjshem e i panjolle.

Comments are closed.