BESA NË SKENË (II)

Në fakt, unë nuk desha ta diskutoj çështjen e besës shqiptare në shkrimin e parë, sepse nuk e njoh aq sa duhet; ose më mirë nuk e njoh aq sa për të thënë diçka të re.

Përkundrazi, kam bindjen se pasqyrimi i besës në një vepër arti mund të bëhet pavarësisht prej origjinës etnografike të asaj praktike ose mekanizmi zakonor; ose raporteve midis prejardhjes së temës dhe prejardhjes së artistit vetë ose publikut.

Megjithatë, them se duhet të dallojmë midis (1) besës si mekanizëm zakonor, i lidhur kryesisht me kanunin e Lekës ose me ligje të tjera zakonore; (2) besës si mitizim i këtij mekanizmi, për t’u përdorur në retorikën kombëtariste dhe (3) besës, si gjenerator dramash në vepra artistike.

Si mekanizëm zakonor, besa i përket një bote të perënduar, ku individi nuk kishte ndonjë vlerë në vetvete ose jashtë familjes së vet e sidomos fisit, por ekzistonte dhe vepronte në funksion të komunitetit; madje të vetë Kanunit, duke e riprodhuar nëpërmjet sjelljeve të veta publike dhe private. Vështirë se mund të mohohet, për shembull, që në malësitë e veriut të Shqipërisë gjithçka sociale orbitonte rreth gjakut (dhe besës që i bashkëlidhej gjakut). Për këtë arsye, mua më duket se besën mund ta studiojmë si dukuri antropologjike, por jo ta mitizojmë, as ta paraqitim si alternativë të anomisë së sotme, ose kaosit dhe amoralitetit, për të mos thënë imoralitetit.

Nuk e kam ende të qartë nëse besa, si mekanizëm, mund të konceptohet ose të ketë ekzistuar pavarësisht nga autorizimi për t’i marrë jetën dikujt – madje edhe duke pasur parasysh se vrasja, për gjak (për Kanun), e kryer në pritë dhe pa i dhënë viktimës ndonjë mundësi për t’u mbrojtur, mund të konsiderohet pa frikë si manifestim i përkryer i pabesisë – megjithë ritualizimin e pashmangshëm që ka fituar në rrjedhë të kohës.

Më shkon në mendje që krejt rituali aq i rënduar i pritjes së mikut dhe i dhënies së besës mund të interpretohen drejt vetëm në një botë ku marrëdhëniet mes njerëzve zgjidhen vetëm e vetëm nëpërmjet gjakut; (1) si faktor i afërisë fisnore dhe përcaktues i martesave dhe i aleancave dhe (2) si detyrim për të vrarë. Natyrisht, është fjala për dy kuptime të ndryshme të fjalës GJAK, por vetë metafora, këtë herë, nuk më duket për t’u shpërfillur; meqë farefisnia ose vëllazëria e gjakut (dhënia) ndoshta nuk mund të funksiononin pa marrjen e gjakut.

Ajo e Kanunit ishte një botë e organizuar sipas një parimi të mbijetesës ekstreme dhe, para së gjithash, mbi themelet e vrasjes. Gjaku, në kuptimin (1) dhe (2) funksiononte si parim organizues i jetës sociale, që nga djepi deri në varr.

Forca e Kanunit duket të ketë qenë e tillë, që vetë jeta sociale e malësisë mund të interpretohet si makinë për të ruajtur dhe riprodhuar Kanunin; njëlloj sikurse mund të përfytyrohen fare mirë gjallesat si makina për ruajtjen dhe riprodhimin (transmetimin) e gjeneve.

Tani, arti është një mënyrë për ta kuptuar këtë dukuri sociale, ndoshta edhe më e frytshme se antropologjia; që këtej edhe interesi i madh që ka pasur gjithnjë për tema të gjakmarrjes dhe të besës; duke përfshirë edhe disa vepra të Ismail Kadaresë, në prozë ose të vëna në skenë si pjesë teatrale ose të shndërruara në filma.

Gjakmarrja e ka dramën të gatshme, sidomos për ne publikun e sotëm, që i japim sigurisë vetjake dhe familjare vlerë parësore mes parametrave të ndryshëm të përditshmërisë; meqë për ne vetë ideja se çështje të jetës dhe të vdekjes mund të përcaktohen në mënyrë kaq të pavarur nga çfarë bëjmë ose kemi bërë, ose pikërisht nga gjaku që kemi (gjenetika) është e papranueshme, madje tmerruese.

Ma merr mendja se ne e përjetojmë dramën e gjakmarrjes të rrëfyer artistikisht më fort se ç’e përjetonte malësori i djeshëm, që e kishte pjesë të përditshmërisë; por publikut nuk i intereson aq të dijë si e përjetonte pikërisht malësori dje, sesa ta përjetojë dramën sikur t’i kish ndodhur një individi modern, të katapultuar në rrethanat e atëhershme; për të bërë pastaj katarsis. Kjo është krejt e pranueshme për një vepër arti, por nuk vlen aq përtej komunikimit artistik.

Midis gjakmarrjes, besës dhe të tjerave mekanizma të Kanunit ashtu siç praktikoheshin në realitet, dhe pasqyrimit të tyre në art, qëndrojmë të gjitha paraqitjet e tyre nga ideologët, kryesisht për qëllime kombëtariste, propagandistike dhe manipuluese të publikut.

I tillë është, për mendimin tim, shpjegimi i sjelljes së shqiptarëve me hebrenjtë gjatë Luftës II Botërore, nëpërmjet “besës” si tipar antropologjik të shqiptarit; në një kohë që historianët na rrëfejnë se hebrenjtë në Shqipëri shpëtuan prej persekutimit nazist kryesisht falë një marrëveshjeje të qeverisë shqiptare të asaj kohe me komandën gjermane. Që shqiptarët e thjeshtë u hapën hebrenjve muhaxhirë dyert dhe i strehuan madje edhe i fshehën kur ishte nevoja, kjo nuk diskutohet; por për ta kuptuar këtë dukuri nuk ka nevojë për konceptin mistik të “besës”. Entia non sunt multiplicanda praeter necessitatem – le të mos i shumëzojmë sendet pa nevojë (brisku i Occam-it).

E keqja – nëse mund të shprehem kështu – me përvetësimin kombëtarist të mekanizmave të ligjit zakonor si besa ka të bëjë së pari me natyrën thelbësisht anakronike të përvetësimit vetë, meqë mekanizmi në fjalë nxirret nga konteksti ku ka vepruar e që i ka dhënë kuptim, për t’u shartuar në një realitet të imagjinuar të shqiptarisë ideale ose të kulluar, e cila nuk ka ekzistuar ndonjëherë, me ose pa besë; dhe së dyti, me thjeshtimin e madh, madje pueril, që pëson ky mekanizëm kur shndërrohet në princip etik kombëtar, duke iu referuar drejtpërdrejt frymës së kombit (një mënyrë tjetër, edhe pse krejt e sublimuar, e zbatimit verbërisht të kriterit të gjakut; çka është edhe e vetmja konsistencë ruajtur prej ideologjisë kombëtariste, në raport me shqiptarinë kanunore). Efekt i parë i këtij thjeshtimi është, do të thoja unë, reduktimi i besës në diçka aq banale sa nevoja ose detyrimi për të mbajtur fjalën e dhënë, e cila në rrethanat e sotme ka vlerë, por vetëm në kontekstin e marrëdhënieve ndërnjerëzore të rregulluara në mënyrë shumë komplekse, ku fjala e dhënë e ruan forcën vetëm kur e ruajnë forcën edhe mekanizma të tjerë; siç ka qenë, tek e fundit, edhe dikur në malësi.

Kombëtarizmi këtë punë ka – të sublimojë, të mistifikojë dhe të imagjinojë, duke rafinuar të shkuarën në emër të restaurimit të një të ardhmeje ideale për kombin e vet, mundësisht nëpërmjet pastrimit (ose spastrimit, ndonjëherë edhe etnik); dhe në këtë pikë yni veçse shtjellohet sipas parimesh të përshkruara me kohë, për kombëtarizma të tjerë, të mëdhenj e të vegjël. Arsyeja që u zgjata këtu, ka të bëjë, përkundrazi, me fëlligshtimin ose, më keq akoma, kapjen peng të artit nga ideologjia kombëtariste; e cila e varfëron dhe e balsamos komunikimin artistik, duke e vënë në shërbim të diçkaje që me artin nuk ka të bëjë fare.

Këtu kombëtaristët nuk dallojnë shumë nga ideologët totalitarë, të cilët edhe ata dëshironin ta vinin artin në shërbim të ndërtimit të socializmit, diktaturës së proletariatit, ose krijimit të njeriut të ri (inxhinierimit të shpirtrave njerëzore, do të thoshte Stalini). Nuk dallojnë, sa kohë që sot jo vetëm duan ta lexojnë artin si shprehje të frymës kombëtare – çka është deri diku e përligjur; por edhe ta përdorin artin për të çuar përpara përpjekjet dhe luftrat e tyre, të cilat jo medoemos përkojnë me interesat e publikut shqiptar (edhe pse ata vetë, kombëtaristët, do ta merrnin këtë pohim të fundit si të mirëqenë pa vërtetim).

Kalimi nga jeta shoqërore e sunduar nga ideologjia moniste, në një jetë shoqërore të themeluar mbi pluralizmin është shumë më i vështirë sesa zëvendësimi i një ideologjie (komunizmit) me një tjetër (kombëtarizmin); meqë herën e dytë ndërrohet padroni, por skllavi mbetet po skllav.

Prandaj, për mua, kombëtaristët kanë diçka për të thënë vetëm e vetëm në rrethana të një komunikimi të lirë dhe pluralist; prandaj edhe ngul këmbë që, për çështje të tilla të konstitucionit kombëtar të shqiptarit, duke përfshirë edhe antropologjinë, është mirë që dijen, artin dhe ideologjinë t’i mbajmë veç e veç, duke u garantuar jo vetëm status, por edhe respekt të barabartë.

11 Komente

  1. “I tillë është, për mendimin tim, shpjegimi i sjelljes së shqiptarëve me hebrenjtë gjatë Luftës II Botërore, nëpërmjet “besës” si tipar antropologjik të shqiptarit; në një kohë që historianët na rrëfejnë se hebrenjtë në Shqipëri shpëtuan prej persekutimit nazist kryesisht falë një marrëveshjeje të qeverisë shqiptare të asaj kohe me komandën gjermane. Që shqiptarët e thjeshtë u hapën hebrenjve muhaxhirë dyert dhe i strehuan madje edhe i fshehën kur ishte nevoja, kjo nuk diskutohet; por për ta kuptuar këtë dukuri nuk ka nevojë për konceptin mistik të “besës”. Entia non sunt multiplicanda praeter necessitatem – le të mos i shumëzojmë sendet pa nevojë (brisku i Occam-it).”

    Xhaxha, po thosha ne fakt, tek pjesa tjeter, qe Besa eshte nje koncept universal jo vetem i nevojshem, por edhe aq elegant, sa qe nuk do kishte pse te na hynte ne pune brisku i Occam per t’a rruar. Kete lloj elegance – apo thjeshtesie, me mire – mund edhe t’a karakterizojme si “reduktim banal” te Beses ne performance qe detyron premtimi, reduktim qe gjithsesi eshte e pamundur te mos kete ekzistuar edhe ne kontekstin historik te “gjakut.”

    Qe nuk ka nevoje per aspektin mistik te beses per te kuptuar marredheniet e shqiptareve te thjeshte me hebrenjte dhe gjermanet e L2B, as qe nuk ka dyshim, por qe kjo marredhenie te kuptohet eshte e pamundur te mos perdoret aspekti universal dhe i thjeshtuar i Beses si atribut i shfaqur ne marredhenie te vecanta dhe specifike te rregulluara me kanun. Kjo nuk e ben Besen send, sic jane send bie llafi mustaqet e Konstandinit apo “huptirihupet” ne nje inskenim te mundshem te Doruntines qe te na detyroje te perdorim briskun e Occam. Keshtu qe, megjithese e diskutueshme, njesoj si keshillon qe, “për çështje të tilla të konstitucionit kombëtar të shqiptarit, duke përfshirë edhe antropologjinë, është mirë që dijen, artin dhe ideologjinë t’i mbajmë veç e veç, duke u garantuar jo vetëm status, por edhe respekt të barabartë,” mund te keshillohet qe per ceshtje te tilla te konstitucionit human te shqiptarit, duke perfshire edhe Besen, eshte mire qe besen e kanunit, besen e L2B dhe ne cfaredo konteksti historik qe mund te shfaqet t’i mbajme vec e vec, duke u garantuar jo vetëm status, por edhe respekt të barabartë. Te me falesh repartene, por besoj se me kupton.

    Si pasoje e kesaj, eshte me vend te thuhet shkoqur se dija nuk do merrej vetem me studimin e beses, apo cfaredo dukurie vetem ne kontekste te vecanta, por edhe me te perbashketat qe keto kontekste te vecanta do te shfaqnin. Pak a shume njesoj si dhe arti arrin te gjeje te perbashketat mes kontekstit qe trajton dhe kontekstit ku shfaqet, dhe fatkeqesisht njesoj si dhe ideologjia kryen te njejtin proces dialektik.

      1. Xhaxha, e kisha parasysh qe per hipostazen po flisje. Madje edhe nga ana linguistike e kam te qarte procesin e shnderrimit te nje predikati te vecante te te gjithe sendeve te kuqe vec e vec ne nje send konceptual gjithperfshires si Kuqesia. Dhe ne kete aspekt t’a kuptoj shqetesimin qe ngre kunder beses si veti pronore e shqiptarit, por dua te them qe nuk rrezikojme te biem ne hipostaze kur flasim per Dijen duke pasur parasysh te gjithe njerezit e ditur vec e vec, per Artin duke pasur parasysh te gjithe punet artistike vec e vec, per Drejtesine duke pasur parasysh veprimet e drejta, apo per Besen duke pasur parasysh komunitetet funskionale. Mbi te gjitha kjo nuk na pengon qe keto te lartpermendurat t’i ofrojme si alternativa ne krejt kompleksitetin e vete sa dhe ne krejt thjeshtesine e mundshme ndaj anomise, kaosit, amoralitetit dhe imoralitetit.

        1. Unë pikërisht këtë kisha parasysh – që nëpërmjet abstragimit të hipostazës, besa mistifikohet, duke u shndërruar në një lloj agjenti metafizik, ose ëngjëlli mbrojtës të shqiptarisë.

          Përkundrazi, nuk shoh ndonjë rrezik mistifikimi, bie fjala, tek arti ose tek drejtësia (shembujt që sjell ti), meqë këto shprehen nëpërmjet institucioneve përkatëse; ndërsa besa e ka institucionin… te shqiptaria.

          Kështu, për një artist nuk kam dëgjuar kurrë të thotë njeri se e bëri arti të pikturojë ose të kompozojë muzikë; ose për një gjykatës që vendosi kështu ose ashtu ngaqë e frymëzoi drejtësia.

          Me fjalë të tjera, unë e shoh mistifikimin të ngrejë kokë qëkur hipostaza e besës (kalimi nga një sjellje e virtytshme te kategoria abstrakte përkatëse) e shndërron këtë, besën, në agjenci (shpesh të mbinatyrshme).

          1. Ndoshta kemi perceptime te ndryshme, sidoqofte, flitet per frymezim apo per talent ne art, bie llafi ende flitet per Muzat, dhe edhe pse Muzat sot arrihen te kuptohen nga te gjithe, frymezimi mbetet; po aq sa flitet per ndergjegje ne drejtesi, bie fjala Engjej vs Djaj, packa se edhe kjo eshte kuptuar si alegorike; po aq sa flitet per inteligjence apo zgjuaresi ne dije, bie fjala Gjeniu, ku fatkeqesisht ky ende nuk eshte kuptuar qe eshte metafore.

            Besa e hipostazuar ka te njejtin pushtet alegorik, jo mistik, dhe alegorine, une personalisht, nuk mund t’a kufizoj vetem brenda artit. Si te them, une besoj ne keto “forcat mesianike te dobta” jo sepse keto shmangin krejt konfliktin, (ndoshta jane edhe fara e ideologjive me te dhunshme po te mos kihet kujdes e po te lejohet te forcohen) por se perkundrazi, lejojne per nje konflikt te shendetshem mbi termat mbi te cilat do biem dakord. Une psh, jam plotesisht dakord me ty qe Besa si koncept universal eshte aq totalisht bosh sa dhe eshte e ardhmja. Por edhe ti besoj se je dakord me mua qe kjo boshesi mund te mbushet jo vetem me mistifikime si dhe shqetesohesh me te drejte, por edhe me “sjellje te virtytshme.”

            E njejta gje mund te thuhet edhe per Artin, apo per Drejtesine, apo per Dijen. Arti mund te mbushet me kitsch e me “huptirihupe” dengasi dhe brenda nje formati totalitar te vazhdoje te quhet Art kur nuk eshte. Po ashtu Shqiperia mund t’a shpalle veten sot si shtet i se drejtes, kur ne fakt nuk eshte. Po njesoj ndonje deliranti apo histeriku t’i duket vetja se eshte i ditur, madje te kete edhe ndjekes, kur ne fakt vetem paranoje ushtrojne.

            Gjithe ideja ime eshte se, mire qe te ruhemi nga mistifikimi i Beses, por le mos e trajtojme ne nje kontekst aq te izoluar historik sa ai i gjakut, pasi kjo do te ishte njesoj sikur t’a vinim ne muze, t’a mumifikonim, dhe do ishte pikerisht frika nga mistifikimi qe do ushqente mistifikimin pastaj, si do thoshte dhe Hegeli, bie llafi.

  2. ””’madje edhe duke pasur parasysh se vrasja, për gjak (për Kanun), e kryer në pritë dhe pa i dhënë viktimës ndonjë mundësi për t’u mbrojtur, mund të konsiderohet pa frikë si manifestim i përkryer i pabesisë ””’

    Po aq sa mund te quhet shfaqje e pabesise ekzekutimi i nje vrasesi nga ana e shtetit.
    Prita nenkupton zbatimin e denimit me vdekje, vendim qe shoqeria ja njeh fisit te viktimes e kreret e fisit e marrin kete vendim ne mbledhjen ne te cilen vendosin ne eshte e drejte te falet apo te denohet me vdekje vrasesi.
    Do ishte krejtesisht lajthitje sikur ne vend te prites te kishim dyluftim, sepse nuk do ishte me ekzekutim, zbatim i denimit me vdekje.
    Sidoqofte denimi me vdekje dhe ekzekutimi i dorasit ne prite, zbatohen vetem nese nuk respektohet prej atij(atyre) qe eshte denuar burgimi i perjetshem shtepiak.

    ””’Arsyeja që u zgjata këtu, ka të bëjë, përkundrazi, me fëlligshtimin ose, më keq akoma, kapjen peng të artit nga ideologjia kombëtariste; e cila e varfëron dhe e balsamos komunikimin artistik, duke e vënë në shërbim të diçkaje që me artin nuk ka të bëjë fare.”””

    Kjo ska asnje kuptim, ky eshte nonsens…. Cdo bejme me artin kristian, do e hedhim ne kosh te plehrave meqe eshte i ideologjizuar ? Po me statujat e Zeusit, Athines, pikturat pocerike te mitologjise antike, cdo bejme do i veme dinamitin, meqe kane qene te kapura keq nga ideologjia e helenizmit ?
    Mos me thuaj qe ke ne plan ti vesh vizesh Romes. Mos me thuaj qe Shekspiri ska lidhje me epoken elisabetiane, qe Vagneri ska lidhje me ideologjine kombetariste gjermane.

    Ne ka art shqiptar, atehere ky i detyrohet artit kishtar dhe artit kombetarist, me synime te qarta homogjenizimi.

    Ti heqesh artit permasen etike, me duket pune pa bereqet, megjithate ndieva detyrimin te shkruaj.

  3. Besa ne skene:

    since 1874

    Behet fjale per vitin kur regjisori armen Agop Vartovyan vuri ne skene ne Stamboll dramen me tema shqiptare te Sami Frasherit “Besa yahud Ahde Vefa” (mbase perkthimi do te ishte: “Besa ose pakti i besnikerise”).

    Sipas informatave te besueshme “besa” ka qene nga te paktat fjale shqip qe shkonte edhe pa u perkthyer ne shtresa folesish te turqishtes, deri vone.

  4. Gullu, bej kujdes se ne kete blog nuk eshte cudi qe te merret si prove se besa eshte fjale turke, ashtu sikunder e mori konceptin turk klosi per te shpjeguar me ane te krahasimit se cdomethene ne ‘te vertete’ besa ne shqip; na hapi syte, kemi intelektuale jo shaka. I duhej foedus e pistos per na shpjeguar se ka lidhje me fene , sikur fjalet, be, besoj,besim, besimtar etj te jene te njerkes.

    Mua cka me habit tek kjo teme, eshte mosperputhja midis kerkeses per mbijetesen e zhvillimin e kultures kombetare dhe kerkeses per tharjen e rrenjeve kulturore.

    Fatkeqesia e artit shqiptar, eshte se Rilindja ishte pothuajse levizje letraro-politike; shfrytezoi pasurine poetike/folklorike dhe pervojen politike te shqiptareve, por nuk arriti dot te nxjerre dot as skulptore as piktore e biles as kompozitore, tek-tuk u be ndonje drame apo komedi, por shume pak, se ne fund te fundit skishte as teatro.

    Keshtu ndersa Rilindja u dha shqiptareve nje identitet kombetar, identitet gjuhesor, njefare identiteti letrar dhe nje shtet, nuk arriti tu jape dot nje identitet artistik.

    Permasen historiko-fetare arti shqiptar nuk e gezon, gezon dicka te ngjashme qe i duhej komunizmit, qe duhej te legjitimonte komunizmin si rendi i ameshuar, vijim logjik i historise luftarake shqiptare, qe do thyente cdo armik ne perjetesi etj.
    Mozaiku ne balle te Muzeut Kombetar eshte vepra me domethenese ne kete drejtim. Nuk e di ne eshte hequr , po vrasja e atij perbindeshi artistik ishte vertet e domosdoshme.

    Arti shqiptar pa simboliken e frymen pagane, nuk vlen asnje grosh, nuk ka asgje te vecante, asgje qe e ben shqiptare perpos perkatesise etnike te artistit.
    Kjo eshte njekohesisht edhe fatkeqesia, pasi varet nga dicka qe nuk mberthen asnje artist, meqe artisti shqiptar me perkufizim eshte snob euroqorr, si puna e Edi Rames.

    Nder mijevjecare arti ka qene i lidhur kerthizisht me fene, meqe duhet te lidhe njeriun me Te Epermin apo me vetedijen siperore.
    Besa e Kostandinit eshte veper e vecante me fryme pagane ku jane sintetizuar shume koncepte, sepse (nder te tjera) Besa arrin te mposhte Krishterimin, Kostandini ringjallet ashtu si Krishti, Krishtin e ringjalli Zoti, Kostandinin e ringjalli Besa (dmth Hyji pergjegjes i Beses).

    Kemi nevoje per art te ameshuar, ai i jep vecorite artit kombetar, pa vepra qe paraqesin x apo y problem shoqeror a ku ta di une, prodhohen me thase e biles edhe me kunja shkrepsesh e ne fund te fundit ne Europe ska ndonje ndryshim nga shteti ne shtet, nga kultura ne kulture.

    Midis nje zhgarravine futuriste a surreale dhe skenes se fundit kur Doruntina takon te emen, te paraqitur si ne pikture e si ne skulpture, shqiptari ‘i mire’ e ndjen vetiu ke te zgjedhe.
    Po hajde te gjesh artiste shqiptare per shqiptaret ‘e mire’.

    1. I përkohshmi shkruan:

      Gullu, bej kujdes se ne kete blog nuk eshte cudi qe te merret si prove se besa eshte fjale turke, ashtu sikunder e mori konceptin turk klosi per te shpjeguar me ane te krahasimit se cdomethene ne ‘te vertete’ besa ne shqip; na hapi syte, kemi intelektuale jo shaka.

      Si autor dhe administrator i “këtij blogu”, të kujtoj, I Përkohshëm, se pavarësisht nga budallallëqet që thuhen ndonjëherë në komente si këto të tuat, në “këtë blog” nivelin e mbajmë përgjithësisht më lart se ç’e meritojnë komentues të kallëpit tënd.

    2. “Gullu, bej kujdes se ne kete blog nuk eshte cudi qe te merret si prove se besa eshte fjale turke, ashtu sikunder e mori konceptin turk klosi per te shpjeguar me ane te krahasimit se cdomethene ne ‘te vertete’ besa ne shqip.”

      Nje gje qe nuk lejohet tek Pejzazhet, packa se jam thjesht lexues, dhe jo administrator, eshte “tjerrja false e fjales.” Shiko cfare thote Klosi:

      “Përkufizimi i kuptimit të parë të besës sipas fjalorit të 1954-s thotë: “afat sigurimi që i jepte shtëpia e të vrarit dorasit, e meshkujve të familjes së tij, me zotim që brenda kësaj kohe nuk kërkonte gjak prej tyre”.

      Domethene, I Perkohshem, me gjithe ngushtesine, nuk di te zemres, apo te mendjes qe po shfaq, nuk eshte e vertete ajo qe thua se Klosi pretendon ne artikull, pasi per te kuptimi i pare i Beses, eshte ky perkufizimi i ketij fjalori.

      Vazhdon Klosi:

      “Ky [me larte] pra është kuptimi kryesor i besës dhe me këtë veçanti ajo hyri në disa gjuhë ballkanike, kështu deri dhe në turqishten ku do të thotë “armëpushim midis dy individësh ose palësh”.”

      Sic e shikon, te thuash se Klosi merr konceptin Turk “per te shpjeguar me ane te krahasimit se cdomethene ne ‘te vertete’ besa ne shqip,” eshte genjeshter. Ja ku jane fjalet e Klosit. Kuptimi kryesor i Beses per Klosin eshte, sipas fjalorit shqiptar:

      “afat sigurimi që i jepte shtëpia e të vrarit dorasit, e meshkujve të familjes së tij, me zotim që brenda kësaj kohe nuk kërkonte gjak prej tyre.”

      Qe ky kuptim ka vlere eshte e pamohueshme. Klosi nuk po flet se ashtu ka qejf te flase, por ka folur me fjalor perpara. Ti nderkohe ben mire gjithashtu te flasesh me tekst perpara kur flet per fjalet e te tjereve.

      Artikulli i Klosit eshte i pasur me perkufizime te vecanta te beses, te gjitha te lena vec e vec, nga ku nuk ka asnje shpjegim mbi domethenien ‘e vertete’ te beses, por qe per te folur me ministrin e ri te kultures, perparesi i jepet “kuptimit jashtekanunor [ku] besa hyri si një sinonim përforcues për ‘fjalë e dhënë'”. Ne fakt, ne gjithe artikullin e Klosit, une nuk e gjeta fjalen qe ti i ke cituar, pra fjalen ‘te vertete’. Shkurt, ti i ke vene fjale ne goje Klosit, fjale qe nuk i ka thene.

      Dhe duke pasur parasysh kete, eshte e vertete ajo qe thua, se tek PTF nuk qenka cudi qe te te vihen fjale ne goje, te ndodhe ajo per te cilen i keshillon kujdes Gullut, pra qe dikush t’i marre fjalet mbrapsht – sic thashe, per ngushtesi zemre, apo per ngushtesi mendje, nuk e di. Prove qe ketu fjalet merren mbrapsht, e qe te vihen ne goje fjale qe nuk i ke thene, eshte vete komenti yt.

    3. Të kapën prapë me presh në duar, i Përkohshëm. Kam vënë re që ti nuk merr aq pjesë në diskutim, sa shfrytëzon rastin për të shpaluar mendimet e tua, që nuk përputhen hiç me frymën e blogut PTF. Ti shkruan shumë, por nuk je komentues i blogut, vetëm i ke këcyer në kurriz për të udhëtuar badjava dhe për t’i shpërndarë sporet e tua nëpërmjet një logu që ndiqet shumë në Internet. Si rregull duhet ta kishe pasur blogun tënd ku t’i parashtroje tezat dhe spekullimet e tua konservative djathtiste, në vend që të rrish e t’i hedhësh në një blog që nuk të pëlqen e që mund edhe ta kall krupën, me që gjithnjë e kundërshton, dhëmb për dhëmb (edhe të paguanin, nuk do ishe kaq i devotshëm). Në biologji, këtë sjellje e quajnë parazitizëm.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin