SCHRÖDINGER’S DJOKOVIC

nga Toni Çaushi

“the mental attitude typical of archaic man:
the exceptional value he attributes to knowledge of origins”
– Mircea Eliade

 

Sa herë shfaqet Novak Djokovic-i në TV mbaj frymën. Nuk di kë të pres — kampionin historik apo kampionin politik.

Edhe pse në humbje, Djokovic-i zgjodhi të ishte kampion historik fundjavën që shkoi.

Carlos Alcaraz, 20-vjeçari që gjunjëzoi ikonën serbe të tenisit në finalen e Wimbledon, iu drejtua në fund të ndeshjes me admirimin e një tifozi. Djokovic iu përgjigj me përulësi.

“I lost to a better player,” tha Djokovic-i pas ndeshjes.

Lexues, më lejo që në këtë ese ta bëj pis fisnikërinë e sportit.

“Nuk e kam aq qejf këtë,” tha dikush drejtuar TV-së nga prapa meje në një kafene që shpesh mbushet me shqiptarë, “serb hesapi.”

Nuk diskutohej që nuk do t’i drejtohesha zotërisë. Shumë pak e njoh, aq sa të lidh emigracioni me “tanët”.

Ndërkohë që kafeneja zhurmonte nga mungesa e interesit ndaj një ndeshje tashmë të mbaruar, me mendje trillova një skenë në të cilën imagjinoj që marr zotërinë për krahu dhe e ftoj të ulet ne një tavolinë përballë me Djokovic-in.

“Fol,” i them Djokovic-it, ndërkohë që i kërkoj zotërisë të dëgjojë (ndonëse anglishtja e zotërisë është e thyer, ai e kupton Djokovic-in në këtë realitet.)

Si me kasetë, nga goja e Djokovic-it dalin fjalë nga intervista e 2020 ku ai flet me Graham Bensiger, një gazetar që interviston kryesisht sportistë të nivelit të lartë. Më saktësisht, e nis videon aty ku Djokovic-i pyetet për bombardimet e NATOs ne 1999.

Kujtimet që sjell Djokovic-i, janë dëshmi e dramës njerëzore jo vetëm e tij, por edhe e bashkëkombësve në Serbi. Ai tregon si pas shumë bombardimesh, familja Djokovic, ndër to tenisti, atëherë vetëm 12 vjeç, “mësohet” me frikën dhe terrorin.

Në ditën e dytë të bombardimeve, ai kujton se si e ëma trembet, rrëshqet, godet kokën dhe bie pa ndjenja. Me një elokuence atipike për një sportist, Djokovic-i ritregon llahtarin e ditëve që precipiton në një situatë të vetme: të kesh frikë nga bombardimet apo të vuash shpirtërisht lëndimin e nënës?

Gjithsesi, “I chose love and forgiveness,” është grushti pa mendje i Djokovic-it.

Kthehem nga zotëria, i cili ndonëse me dialekt të rëndë të Tiranës, që në këtë të diel është edhe pak i nyjosur nga avujt e rakisë, rrjedh nga një familje kosovare.

E imagjinoj që reagon jo me zhurmë, por përsëri me një ethos që ai dhe çdokush tjetër me origjinë shqiptare, e sidomos nga Kosova, pritet të ketë. I jap të drejtë. Edhe për mua, një gjashtëvjeçar në Shqipëri në 1999, ishte qartë se bombardimet e NATO-s mbi Serbinë, komb të cilin mendja ime fëmijërore e thjeshtëzonte në një figurë antagoniste, ishin veprimi i radhës, i pritshëm. Për më tepër, do ishte dhe i prekshëm shumë lehtë; familja kosovare që strehohej tek komshinjtë tanë, me fëmijët e të cilëve luaja shpesh, do të ktheheshin pastaj në Kosovë.

Në mendjen time, zotëria bën të ngrihet nga tavolina. Ndoshta është pak i ofenduar nga unë që e solla në këtë situatë.

E bind të qëndrojë. Kam akoma për t’i treguar nga intervista me Bensiger.

“Vulnerability is a beautiful thing,” thotë Djokovic-i, “especially for men. A lot of times they don’t show it, particularly in sports because you have to be macho.”

“It shows the weaknesses that I have.”

Më bën përshtypje për një sportist të flasë në mënyrë të tillë. Është e sinqertë, e pjekur dhe mbi të gjitha, është sjellje prej kampioni të mirëfilltë.

Hapësira e komenteve nën video në media sociale mbushet me komente si “humble”, “gracious in defeat”, dhe “GOAT” (greatest of all time) ndër të tjera lëvdata. Dukshëm, janë gati të gjitha nga Perëndimi.

Thellë më poshtë fillojnë shfaqen komente që kritikojnë Djokovic-in. Gati të gjithë vijnë nga Ballkani (me përjashtim te serbëve) dhe të gjithë të vetmuar me like-t e njëri-tjetrit.

Zotëria ndez një cigare, gati sa s’më çan në dysh me një shikim që pyet, “ku dreqin do te dalësh?”

Hera e parë që kam dëgjuar një opinion kundër bombardimeve të Beogradit ne 1999 dhe që vinte nga person jo detyrimisht pro-serb, ishte kur lexova një copëz të shkruar nga Hunter S. Thompson në koleksionin e kujtimeve “Kingdom of Fear”.

Nëse nuk ke dëgjuar kurrë për shkrimtarin apo për librin, i them zotërisë, mendoje kështu: Shkrimtar amerikan i cili u ngrit bashkë me lëvizjen hippie të viteve 1960-të — versioni rock ‘n’ roll i penës. Ndër të tjerë libra, ka shkruar “Fear and Loathing in Las Vegas.” Jetonte me keqardhje për vdekjen e demokracisë kur u vra Robert Kennedy në vitin 1968. I thekur anti-Nixonian. Formula tipike e një njeriu që ngrihet në mit. Hashash. Kokainë. Droga psikotrope. Fund me vetëvrasje në 2005 në fermën e tij midis maleve të Kolorados.

OK. Gati? Edhe njëherë.

Hera e parë që kam dëgjuar një opinion kundër bombardimeve mbi Beograd vjen nga HST. Nisur nga aftësia e shkrimtarit për të qenë gjithmonë i saktë, i dhunshëm në shprehi por dhe i përgjegjshëm ndaj të vërtetës, më zhgënjeu.

E mendova pak më thellë dhe kuptova një dimension tjetër të mënyrës si përcaktohet bombardimi i NATO-s në 1999. Pas shumë vitesh çimentimi të perspektivës shqiptare, kjo anë më mungonte.

Të paktën 489 civilë të vrarë sipas Perëndimit. Njëzet prej tyre në një tren pasagjerësh.

Janë fakte.

“Holy shit. This is insane,” shkruan HST në 1999. “Now the official spokesman for NATO comes onstage & launches into a bleeding rave about War Crimes & Atrocities & a blizzard of bombs on all Warmongers who think they can get away with butchering innocent people as a way of life.

“‘Let me say, however,’” citon HST nga kush duket se ka qenë Jamie Shea, përfaqësuesi i NATO-s gjatë bombardimeve, “‘that if Yugoslavia had a democratic government, none of this would ever had happened.’

“What? Who are we talking about here? Who is flying those planes that are carpet bombing civilian targets 6,000 miles away from home?”

HST sigurisht sjell perspektivën liberale të amerikanëve në ato vite, gjithmonë kundër ndikimit policor të ShBA-së në botë.

Por edhe pse vaji i HST pikon me mungesa informacioni, flet shumë për perspektivën e një mendimi objektiv nga Perëndimi, që kur sheh Novak Djokovic-in në TV, ka vetëm një lloj kampioni në mendje — kampionin historik, të vuajtur, dhe triumfant.

Gati si një superhero, ai ngrihet si i mbijetuar i një padrejtësie që i ra në qafë atij, familjes së tij, njerëzve te tribusë së tij. Përzier me klasin e pashoq të disiplinës që ai tregon në sport, Djokovic-i shpeshherë zbutet, bëhet një model që edhe rivalët e adhurojnë, e kështu, humbet shpërfillja që tenisti ka ndaj anës tjetër së medaljes dhe theksohet tendenca e të qenit një kampion politik i fshehur shumë mirë.

Kjo duket qartë edhe në instancat ku ai edhe pse përshkruhet si i papëlqyeshëm, shkaqet janë pozicionimi i tij kundër vaksinave ose agresiviteti foshnjarak i treguar ne fushë. Kurrë dy fjalë për mënyrën si ai neglizhon me qëllim dhe si kjo praktikë, në njëfarë mënyre, shtyn përpara propagandën serbe.

Kështu, shëmbëlltyra e personit serb ne botë, sidomos në opinionin e sportdashësve, pikturohet si e viktimizuar dhe “humble”.

Ndërkohë, në cepin tjetër të diskursit, aty ku ndodhen ata të cilët mëtojnë se kanë një argument të pathyeshëm kundër koncepteve të shëmbëlltyrës serbe, mbeten prapa. Me gojë e me mendje të lëna pa stërvitur nga një sistem shoqëror i gjymtuar, ç’i mbetet është të mjaftohen me gishtat e hapur në formë shqiponje me shpresën, por dhe me besimin e rremë, që do flasë në vend të tyre si një marionetë.

“Mendon se Serbia po krijon në botë në mënyrë bindëse idenë se është viktimë?” e pyes zotërinë.

Ai tashmë ka humbur totalisht durimin me mua. Ngrihet dhe shkon. Ndoshta i jam i dukur i patakt.

(c) 2023 Toni Çaushi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

4 Komente

  1. Gjoka me vic eshte me prejardhje nga Mitrovica, do bente mire te kerkonte rrenjet e veta se nga cilet Gjokaj eshte. Kunder bombardimeve te Natos kane dale shume kategori ne Perendim, nga komunistet antiimperialiste, tek te djathta kristiane e filoserbe, per te vazhduar me lloj-lloj grupesh kunder luftes e per te perfunduar me shtetin freng qe spiunonte tek serbet objektivat e bombardimeve. Edhe ky Hunteri ndonje komunist amerikan do jete.

  2. Gjokoviç I perket bashkesise se njerezve, pastaj nenbashkesise se kesaj bashkesie me kombesi serbe dhe eshte numri dy ne tenis. Sigurisht ka edhe atribute te tjera te cilat nuk jane relevante per ate qe dua te them. Si element I bashkesise njerezore nuk ka asgje te vecante ne raport me njerezit e tjere. Ajo qe thote e shpreh Gjokovici nuk ka perse te jete as me shume e as ma pak se ajo qe thote cdo qenie njerezore qe rron ne kete planet. Si element I nenbashkesise me kombesi serbe eshte teresisht ekuivalent me cdo serb tjeter, por si tenist I famshem, ai shkeputet shume nga te ngjashmit e vet dhe shih pa shih mund ti jape intervista edhe ketij Besinger-it. Sic e thashe me siper, Gjokovici duhet degjuar me shume vemendje kur flet per tenisin, pavaresisht se je serb, shqiptar, hungarez, apo sovjetik. Pse? Sepse kompetenca e tij ne kete fushe nuk mund te vihet ne dyshim. Kur fillon e flet per bombardimet e Beogradit eshte njelloj sic do serb tjeter. Nje pyetje qe do t’I kisha bere une ketij po te isha ne vend te Besingerit do te ishte, a di gje zoti Gjokovic per nenat, gjyshet, gjysherit kosovare qe ngarkuan kishin e ç’nuk kishin e u zbuan si bagetia nga shtepite e tyre? E kam fjalen qe ai shqiptari I kafenese me origjine kosovare duke mos qene I intresuar per tenistin Gjokovic, e gjykon ate si serbin Gjokovic
    Qe te vime tani tek macja e Shredingerit…. Po te mos e hapesh kutine nuk mund ta dish a ka ngordhur macja apo jo? QE ta marresh vesh duhet te hapesh kutine. Puna eshte se Gjokovici nuk eshte I futur ne kuti, ate e shohin te gjithe. Per ca qe nuk u intereson as tenisi, as Ballkani, as Serbia, as Kosova Gjokua eshte nje njeri e aq, si shume te tjere. Per dashamiret e tifozet e tenisit Gjokua eshte numri 2 dhe I lumte. Per Serbet eshte si flamuri kombetar, per kosovaret eshte nje “serb I qelbur” e mund te vazhdosh sa te duash me te tilla karakterizime ne varesi se cfare eshte ai qe e gjykon. Pra puna eshte se Gjokua eshte ai qe eshte, atyre qe e fusin ne kuti, pastaj e nxjerrin nga kutia, pastaj e fusin perseri ne kuti dhe te thone mos e hap kutine se nuk duhet ta marrim vesh a eshte gjalle a I vdekur, u duket here I gjalle e here I vdekur, si t’ua doje puna dhe momenti.

  3. Nuk e ndjek tenisin dhe Djokovic-in e njoh vetëm nga titujt dhe fotot e gazetave online – por ashtu kam dëgjuar edhe që mediat ta identifikojnë fort si “serb”, sidomos mediat italiane gjithnjë e quajnë “il serbo” – çfarë e bëjnë më pak me të tjerët, nga vende dhe kombësi të tjera. Në këtë kuptim Djokovic-i prezantohet më fort si serb, se ç’prezantohet, për shembull, Federer-i si sviceran. Dhe nëse është kështu, atëherë ai tenist, si kampion që është, përfshihet edhe ai në fushatën serbe për të përmirësuar imazhin e atij vendi dhe atij kombi, pas katastrofës në vitet 1990.

    Sot e kësaj dite ka një garë, po e quaj kështu, në “public relations” mes Serbisë dhe Kosovës; dhe me sa shoh unë, Kosova nuk po del gjë e fituar, përkundrazi. Arsyeja për këtë nuk është Djokovic-i dhe fitoret e tij, por Djokovic-i ka pjesën e vet, që nuk mund ta shpërfillësh, dhe shkrimi i Çaushit më duket se tërheq vëmendjen pikërisht për këtë – që, duke qenë të bindur se në vitet 1990 shqiptarët në Kosovë ishin viktimat dhe serbët agresorët, shqiptarët janë përgjithësisht të bindur se Perëndimi, dhe brenda Perëndimit Europa, e shohin këtë punë njëlloj si ta, në mos për tjetër, ngaqë morën pjesë në luftën e atëhershme dhe në bombardimin e Serbisë.

    Por nuk është kështu; bombardimi i Serbisë tashmë i përket historisë (historisë së afërt) dhe shumë ujë ka rrjedhur, të paktën në Europë, që atëherë; dhe gjithsesi, Perëndimi në opinionet e veta, edhe politike, ndikohet më fort nga Djokovic-i serb, se nga kujtimi i një bombardimi i një koalicioni të fortë, kundër një shteti relativisht të vogël, siç ishte Serbia. Mënyra si ka folur Djoko-ja për atë periudhë – e përmendur në artikull – më duket shumë inteligjente, në mos e studiuar në tavolinë. Tek e fundit, tenistët e atij kalibri i kanë sjelljet publike të skriptuara, dhe personazhet e tyre në ekran janë (edhe) produkt i projekteve me natyrë regjisoriale; dhe këtu nuk është se dallojnë shumë nga heronjtë e “mundjes amerikane”, të cilët teksa ndeshen mes tyre, luajnë edhe për publikun.

    Shumë shqiptarë – përfshi edhe nga Shqipëria – duket sikur qëndrimin pro bombardimit së Serbisë e shprehin pak më fort se ç’do të duhej, sepse në fakt e bëjnë më shumë për njëri-tjetrin; të tretët, përfshi këtu edhe Perëndimin, as duan fare t’ia dinë se si gjykohet ai bombardim sot nga shqiptarët, kudo që janë, në Shqipëri, në Kosovë a gjetiu nëpër botë. Urrejtja ndaj “serbit” (përfshi këtu edhe Djokovicin), ashtu siç artikulohet edhe në rrjetet sociale, është kthyer në një diçka folklorike, rituale; të ngjashme me urrejtjen që provojnë tifozët e skuadrës A, për skuadrën B. Natyrisht, në Kosovë plagët e terrorit policor të Serbisë së Milosevicit dhe më parë të Jugosllavisë së Titos nuk janë mbyllur krejt; por situata e sotme në Ballkan është e tillë, që vetëm me urrejtje nuk shkon dot larg; dhe aq më pak me kremtimin e statusit prej viktime.

    Shqiptarët për fat të keq nuk e kanë nxjerrë dot një Djokovic; mbase Kosova një ditë do t’ia arrijë, mbase edhe Shqipëria, shumë më vonë. Djokovic-ët shqiptarë duan të krekosen me sukseset e ndonjë tjetri të “grupit” të tyre; dhe disa prej tyre duan edhe që t’i nderojnë për këtë dhe t’u lirojnë vendin në tavolina. Por më shumë se edhe në sport, kauzës shqiptare në Ballkan sot i duhen kampionë të diplomacisë, njerëz që të jenë në gjendje të artikulojnë dhe të mbrojnë, para Perëndimit, interesat e shteteve të tyre – Shqipërisë dhe Kosovës – në mënyrë të tillë që ta bëjnë Perëndimin t’i dëgjojë.

    Si botues i “Peizazhe të fjalës”, e mirëprita shkrimin e Toni Çaushit, sepse m’u duk se prekte një temë të nxehtë, por me mendje shumë të ftohtë. Shënimet më lart pasqyrojnë ato çfarë mendova, kur po e lexoja.

  4. Autori paska qene 6 vjec gjate kohes se luftes ne Jugosllavi , teper i vogel per te mbajtur mend se pati shume negociata per ta zgjidhur ne menyre paqesore ate konflikt .Qeverite veprojne ne emer te popujve te tyre , qeveria serbe e asaj kohe kishte mbeshtetjen e plote te serbeve si rrjedhim paguan pasojat .Edhe sot e kesaj dite Gjokovic deklaron se :”Kosova eshte zemer e Serbise”.Si rrjedhoje shume shqiptare ne te shohin serbin e jo tenistin.Sa per record atletet dhe artistet serbe kane patur tifoze ne Shqiperi , nuk e di nese ende kane.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin