CECI N’EST PAS NEIN

Gjatë bisedës në Tiranë me Eric Jarosinski-n, të njohur me pseudonimin Nein.Quarterly, e pyeta nëse copëzat e tij në Twitter mund të përfaqësonin një zhanër të ri letrar apo jo.

Jarosinski shprehet me modesti të madhe për veprën e vet; madje i quan jokes (“shaka”) ato që unë ia kisha quajtur pieces (ose “pjesë”, në kuptimin që merr kjo fjalë brenda togfjalëshit pjesë muzikore); por mund t’ia kisha quajtur edhe aforizma, sikur ky term i fundit të mos ish abuzuar nga moralistët gjithfarësh.

Mua më kish ngacmuar, veçanërisht, efekti i kufizimit arbitrar të Twitter-it (çdo tweet nuk mund të ketë më shumë se 140 shenja) në strukturën e një teksti jo-utilitar; pse kjo më kujtonte efektin e shtrëngimeve të ngjashme, si metri ose ritmi ose rima, në poezi; dhe, në përgjithësi, efektin e shtrëngimeve formale pak a shumë arbitrare, në zhvillimin e një forme artistike (korniza ose perspektiva në pikturë, forma e sonatës në muzikë, e kështu me radhë).

Rregullat e teatrit neoklasik frëng mund të përmenden këtu (njësia e veprimit, njësia e kohës, njësia e vendit); ose edhe dukuri më moderne, si rregullat e adoptuara nga grupi “Dogme 95” në kinema.

Sa për atë art që kërkon të materializohet dhe të qarkullojë në Twitter, rregulla e parë dhe ndoshta e vetme është shkurtësia; dhe për këtë arsye, forma aforistike imponohet njëfarësoj vetvetiu, ose me parazgjedhje.

E megjithatë, shumë nga pjesët e Jarosinski-t nuk janë thjesht aforizma; disa i afrohen poezisë, disa kanë strukturën e shakave; të tjera mund të krahasohen me miniaturat muzikore ose vizuale.

Dhe çfarë i bashkon këto të gjitha, për t’u dhënë një strukturë unitare, është intertekstualiteti.

Po e ilustroj këtë me një shembull nxjerrë nga vëllimi Nein – A Manifesto (Black Cat, New York, 2015):

#ThisIsNotAJoke

Magritte walks into a bar.
Smoking a pipe.
Sits down next to Freud.
Smoking a phallus.

Teksti më lart shpalos një strukturë diskursive karakteristike për shakatë në anglishte, të cilat zakonisht nisin me dikë që “walks into a bar” – hyn në një bar. Ideja është që një personazh hyn në skenë, bari si vend skenik i shtjellimit të shakasë; dhe atje ndodh ose thuhet diçka për të qeshur.

magritte_pipeNë rastin tonë, në bar hyn Magritte: piktori surrealist belg, i njohur veç të tjerash për veprën “Ceci n’est pas une pipe” – “Ky nuk është çibuk.” Kësaj vepre i referohet teksti dy herë: në titull (“this is not a joke”) dhe në atë çfarë bën Magritte-i, që tymos një çibuk.

Pas kësaj përmendet Freud-i, i njohur mes të tjerash edhe për zakonin për të tymosur çibukun; por tani objekti, që ishte çibuk për Magritte-in, shndërrohet në fallus, një nga fjalëkyçet e mendimit freudian.

Në fakt, çibuku në leksikun freudian të ëndrrës mund të ketë shënjuar shpesh “fallus-in”; por edhe thuhet se Freud-i iu pat përgjigjur dikur një studenti, që e pyeste për kuptimin e çibukut në diskursin e pavetëdijes, se “ndonjëherë çibuku është thjesht çibuk” (këtë thënie e dëgjon edhe si “ndonjëherë puroja është thjesht puro”).

Teksti më lart funksionon kështu si një pikturë konceptuale e çibukut, në fantazmagorinë semiologjike të shekullit XX; nga Freud-i te Magritte-i dhe ndoshta më tej. Por që publiku ta kuptojë këtë, duhet të ketë njohuri për Magritte-in, pikturën e tij “Ceci n’est pas une pipe”, Freud-in dhe simbolizmin e ëndrrës në psikanalizë. Pa këto njohuri, teksti i Jarosinski-t nuk ekziston.

Njohuritë në fjalë, të cilave ky tekst u referohet në mënyrë intertekstuale, Eco-ja i pat quajtur enciklopedi e lexuesit; dhe, në fakt, çdo tekst, përveçse e përfton lexuesin vetë, kërkon prej këtij edhe një enciklopedi minimale, përndryshe nuk funksionon (në kuptimin që Madame Bovary nuk do të kuptohet dot, nga një lexues që nuk e njeh institucionin e martesës borgjeze).

Intertekstualitetin e ndesh kudo në letërsi dhe gjetiu; por ai vjen e bëhet i domosdoshëm në forma të shkurtra, si aforizmi ose tweet-et, sepse këto nuk kanë as kohën as hapësirën e nevojshme, për ta përftuar vetë kontekstin e nevojshëm; ose të ndërtojnë një botë të mëvetësishme dhe aq konsistente, sa të funksionojë pastaj si makinë për të prodhuar publikun.

Çfarë do të thotë se këto tekste do të detyrohen pastaj të shkojnë dhe ta kërkojnë kontekstin e tyre në tekste të tjera; dhe pikërisht ky kërkim mund të bëhet në mënyrë të tillë, që të jetë artistik nga natyra; ose që të na japë kënaqësi estetike, sapo ta dallojmë lidhjen midis tekstit që kemi përballë dhe atij tjetrit, të cilit ky tekst i referohet.

Për Nein.Quarterly, kjo bashkësi tekstesh që shërben si sfond, ose si ekran projektimi, do të ishte, në vija të trasha, filozofia gjermane; dhe më tej akoma, kultura gjermane; idealisht, filozofia dhe kultura gjermane ashtu siç perceptohen dhe studiohen këto në botën akademike amerikane. Ky përkufizim, nëse qëndron, do të përcaktonte dhe përzgjidhte edhe lexuesin dhe publikun ideal të Jarosinski-t.

Megjithatë, me kalimin e viteve dhe sidomos me popullaritetin e jashtëzakonshëm që fitoi Jarosinski në Twitter, edhe intertekstualiteti i veprës së tij erdhi duke u zgjeruar, për të përfshirë botën hipermoderne, Internetin, rrjetet sociale dhe komunitetet virtuale; jo rastësisht, edhe shfaqja e tij në Tiranë u quajt Shkolla e Frankfurtit 2.0, duke iu referuar sa shkollës filozofike gjermane me atë emër, të përfaqësuar nga filozofë si Benjamin dhe Adorno; aq edhe konceptit të interaktivitetit masiv, të përfaqësuar nga Web 2.0.

Dhe, në një kuptim, ajo lloj letërsie që bën Jarosinski e shpreh më së miri artin e fjalës, në epokën e Internetit; sepse kombinon thelbin e këtij të fundit, që është hiperlidhja (hyperlink), ose futja e një përmase të tretë në tekstin e shkruar deri atëherë linear (dy-përmasor), me intertekstualitetin, ose aftësinë nëmos dëshirën e një teksti çfarëdo për t’iu referuar teksteve të tjera, të mëparshme.

Jarosinski nuk m’u duk gati për ta pranuar këtë; por tashmë dihet se autori është personi më i papërshtatshëm për të folur për veprën e vet.

4 Komente

  1. 2xha, flm per prezantimin virtual me Jarosinski, s’e kisha degjuar me pare. Nuk e di nese ke ne plan per te shkruar (a pasqyruar ndryshe) dicka me shume rreth bisedes tuaj ne Tirane. Besoj do kishte interes per lexuesit e PTF.

    1. Dua të shkruaj prapë, edhe pse biseda nuk zgjati aq sa do të doja unë, meqë Eric-u u lodh pak, pas prezantimit të vet dhe nuk desha që ta lodh edhe më tej.

  2. Shkurtesia e imponuar e Twitter-it me kujton nje lloj “arti” qe zgjati pak. Ai i sms-ve ne celularet e para 8 viteve. Qe koha kur sms-te ishin akoma te shtrenjta dhe duhet te ishe ekonomik ne mesazhin qe i drejtoje tjetrit. Nje grup i vogel njerezish e kthyen kete kufizim ne avantazh. Por qe nje “art” me i kufizuar sepse qe kryesisht dydrejtimesh. Kjo e bente edhe shume here me intim se Twitter-i sot. Dalja e celulareve smart thuajse e ka zhdukur kete levrim interesant. Rrjedhshmeria qe karakterizon aplikacione te tipit Viber apo WhatsApp por edhe berja gjithnje e me e lire e sms-ve ka bere qe shume pak veta ta tentojne, madje edhe ta kujtojne.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin