MIKROBIOGRAFI

Alije Vola

Të tjerë duam.

Të tjerë na duan.

Të tjerë marrim.

Këtë frazë e gjente shkruar, zhgaravitur, gërvishtur, gdhendur në plot prej bankave të shkollës.

Në latinisht, tek përpiqej ta kthente, i ngjante edhe më monumentale: Alii volunt… etc.

Në cilin prej tre grupeve hynte, vallë?

Kur shoqja e ngushtë vuri në dukje që grupi qe një i vetëm, e mbylli fjalorin për fare.

Arsim Zeneli

– Gëzojmë shëndet të keq, s’e arrijmë dot komunizmin – tha me zë të lartë në vetminë e klasës, teksa kollej.

Pati frikë mos e dëgjoi kush, por ish vetëm era që kuiste dhe shiu.

Ata

Nga pesëmbëdhjetë “trupat” që mbante skafi, dinin not vetë i tretë.

I hodhën në det pranë bregut fqinjë që çkonturohej nëpër natë.

Nuk u kujtohej mirë a u mbytën vorbullash ujore, apo atyre qerthujsh qendërikës mërgimi.

Bamir Shopi

Ish berber, lyhej përnatë me kolonjë.

Fuçi të tëra kolonje që ia kish vjedhur ortakut, klientëve, këta të fundit në 40 vjet punë spërkatur veç me lëng trëndafili.

Mbeti i paharruar në lagje pse i vetmi i pleqve fillikatë që kur forcat e rendit i shqyen derën për të rekuperuar kufomën, nuk duhmonte.

Banorë

Mbas lindjes në një fshat të Tiranës të një gjeldeti pa kokë, dje lindkësh aty një viç me dy kokë.

Që banorët të mos shpërngulen të tmerruar, ekspertë ushtarakë fillojnë matjet për të përjashtuar praninë e mbetjeve radioaktive, ndonëse mjeku veteriner përpiqet ta qetësojë opinionin duke deklaruar se dy kokat e viçit të porsalindur janë gjithsesi koka viçi dhe jo një kokë viçi dhe një kokë gjeldeti, siç u tha në fillim.

Fshati quhet Vrap.

Barn De Pres

Përdorte modelin eksperimental të ashtuquajtur forced swim test për të studiuar barna antidepresive në minj.

I vinte të notonin në një legen nga 1 orë përditë dhe, kur kërkonin të kapeshin anash për t’u çlodhur, i shtynte me shkop.

La gjithçka në mes kur vajti u mbyt në liqenin artificial.

Bebi Bllatat

Në fshatin Bllatë e Poshtër lind foshnja me peshë 6.2 kg.

Rekordi mban vetëm dy javë, se në Bllatë të Epër foshnja i radhës peshon plot 7 kg, ndonëse krahasimi fotografik mes rivalëve e tregon ku e ku më të vogël.

Paaftësi e fotografit, apo defekt i peshores?

Besnik Kati

Kishte lajmëruar se po ikte me shërbim kur, në fakt, gjente ngushëllim në krahët e dashnores dy kate më sipër.

Askush s’e pa natënherë, tek doli të derdhë plehrat, vetëm se në kthim këmbët e ndalën automatikisht përpara derës së vet ku, me pizhama, i ra ziles.

Kova e plehrave arriti ta shmangë tehun e thikës, që vetëm sa ia preku mushkërinë.

Bullar Nishani

Obez, për të mos zbritur (e hipur) shkallët i hidhte mbeturinat nga ballkoni i tij në kat të tretë drejtpërsëdrejti në kazanin e plehrave.

Muajin e parë bënte kosh një herë në dhjetë, kurse muajin e njëmbëdhjetë katër herë në dhjetë.

Deonard Bombaj

Zgjati mjekrën dhe shkurtoi pantallonat.

Dëgjuar fjalën e parë arabisht u bindën që qe bërë integralist.

Por pallati u hodh në erë nga bomba që i plasi Avniut, policit në pension.

Dostojevsk Kallulli

Sapo merrte vesh që një akademik kish ndërruar jetë i dërgonte Akademisë kurrikulumin e vet të përditësuar.

Kurrikulumi pritej mjaft mirë nga Akademia.

Vetëm një herë i dërguan në shtëpi policinë.

Enver Goxha

Bonjak, jetoi për vite nën një strehë me njerkën dhe njerkën e të atit.

Praktikisht rronin bashkë tre veta pa lidhje gjaku mes tyre.

I rritur, plak, shfaqte kërshëri të tepruar ndaj çiftëzimeve incestuoze.

Fitim Rusi

Tradita e matrioshkave ruse i dha një ide fitimprurëse.

Shtatë bunkerë gjithnjë e më të vegjël që futen te njëri-tjetri.

Janë prej çokollate: hahen.

Flamur Tuma

Gërmon me shat në qendër të Tumës së Kamenicës, që të vetëvarroset me paraardhësit.

S’ka të reja nga kontakti me Spitalin Psikiatrik: nuk e njohin.

Në drekë, i zhytur deri në fyt në dhé, pranon një copë byrek nga punonjësja e komunales.

Foto Gami

E mbante rulin me filmin e pazhvilluar brenda barkut të errët të aparatit fotografik, brenda një sirtari të mirëputhitur, brenda qilarit.

Gjer vendosi ta gëlltisë brenda barkut të tij të errët, por të ngrohtë rulin me fotografitë e tmerrshme.

Gaztor Haka

Qeshi pak në varrim.

S’arriti dot të shpjegohet që qe thjesht një tik nervoz, fillim katapleksie.

Dy plumba e lanë shakull.

Haber Bariu

Nga malet e Shqipërisë, në fillim u pataks, pastaj e refuzoi si ide faktin që në Zvicër duhet të kishe “diplomë” për të qenë bari.

I padiplomuar, mespërmes fshatit asfalt dhe “Mercedes”-a, i priu kopesë së dhive që i respektoi të gjitha semaforët.

Përçori, bile, përshëndeti edhe policinë rrugore me një tingull gaztor këmbore.

Hava Zografi

Pikturoi një indian që i lëshonte shigjetat me gojë dhe u hodh nga studioja e saj në kat të gjashtë.

E kish titulluar “Shën Sebastiani”, por ia ndërruan titullin.

Ide Fiksja

Idea e saj fikse ishte që fjetja nga ana e zemrës (majtas) bën keq.

Mbas 30 vjet bashkëjetese po e harronte fytyrën e të shoqit: e mësuar të flinte djathtas, i kthente gjithnjë kurrizin.

Arriti t’ua ngulisë shprehinë e duhur edhe fëmijëve: kontrolle rrufé, dajak, rrëzime nga krevati.

Kërkim Selami

Priste, i ulur në kolltuk, në paradhomën e Ministrit.

Sekretarja i kishte thonjtë me brilantinë dhe shtypte me dy gishta.

Sekretarja shtypte me dy gishta dhe, kur e vëzhgoi mirë, vuri re që kishte një gisht mangut: të bukurin e unazës.

Unazën e kish futur te gishti i vogël.

Unaza i hidhej poshtë e lart sa herë godiste tastierën, sikur ai incidenti i gishtit sapo të kish ndodhur dhe situata të ishte ende e pastabilizuar.

Hodhi sytë përdhe: brilantinë thonjsh derdhur në dysheme.

Kërkoi me sy për gishtin.

U ngrit, spostoi me zhurmë kolltukun, u shtri barkas.

Klarens Dynjaja

Për t’i punuar reng të atit që i vuri të tillë emër se me “Milan”-in, u bë tifoz i “Inter”-it sepse, thosh, kështu respektonte më mirë mbiemrin.

Kris Tola

Klient i rregullt i poligonit të qitjes.

Dje, pasi tërhoqi pistoletën te recepsioni, vrau pesë persona dhe plagosi një të gjashtë.

I mërzitur për plagosjen, ia hoqi vetes.

Lefka Çenko

Hyri rrufeshëm dhe bëri drejt banjës se po i shpëtonte ujët.

Por ia kish zënë e ëma, e vdekur tashmë prej orësh.

Kish shtangur gojëngërdheshur, trupin në piruetë.

Loro Bozhiqi

Ana e majtë e fushës nga porta lindore vinte lehtësisht e përpjetë.

Kështu, çerekorëshin e fundit ndërronin skemë: mbrojtësin e djathtë e hiqnin fare, fusnin një pykë të dytë dhe përpiqeshin të shpërthenin qendrën e mbrojtjes kundërshtare duke pasur për aleat diellin që fillonte të ulej në horizont dhe t’i vriste sytë portierit kundërshtar.

Brenda fitonin gjithmonë.

Lule Veshka

Qe tërheqëse, por një sëmundje fatale dhe besimi i thellë në Zot e kishin shtyrë drejt një beqarie të tejzgjatur.

Kur vendosi të lidhet me një burrë, ai kish vetëm një sy, edhe ky gati t’i binte nga çasti në çast.

Shoqet i qeshën në fytyrë, mendjelehta.

[vijon]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin