PUNË BLOGJESH

Shkrimtari i njohur portugez, nobelisti José Saramago, që sapo u nda nga kjo botë, kishte edhe një blog të vetin në portugalishte: Outros Cadernos de Saramago.

Citoj nga posti i tij i fundit:

Mendoj se në shoqërinë e tanishme na mungon filozofia. Filozofia si hapësirë, vend, mënyrë reflektimi, që nuk është e thënë të ketë një objektiv të caktuar, si shkenca; e cila nga ana e vet ecën përpara për të arritur objektivat e vet. Na mungon refleksioni, të menduarit; kemi nevojë për punën e të menduarit dhe më duket se, pa ide, nuk shkojmë dot gjëkundi.

Citati është nxjerrë, sipas referencës në blog, nga një intervistë me revistën portugeze Expresso, në 11 tetor të vitit 2008.

Kam dëshirë t’i lexoj këto fjalë si testamentin shpirtëror të shkrimtarit, ndoshta ngaqë edhe ngaqë i ndiej të më prekin drejtpërdrejt.

Kemi vite që përpiqemi pikërisht të reflektojmë dhe të përftojmë ide, në këtë hapësirë diskutimi që kemi krijuar në Peizazhe të Fjalës.

Siç mund të pritej, për këtë orvatje na kanë kundërshtuar nga drejtime të ndryshme; miq me qëllime të mira, por edhe hajvanë gjithfarësh, siç mund të pritej; hipokritë të rastit dhe fanatikë të të gjitha ngjyrave.

Mes kundërshtimeve, më të hidhurat e të vendosurat na kanë ardhur ndonjëherë prej kategorisë së ekspertëve; ose të gjithë atyre që e identifikojnë veten në bazë të monopolit që kanë në një fushë çfarëdo të dijes, edhe kur nuk e identifikojnë veten me gradat shkencore, titujt dhe rrogat që u paguajnë institucionet ose korporatat.

Pavarësisht nga si i kanë prezantuar ekspertët kritikat e tyre, e kam të qartë se pikësynimi i tyre ka qenë gjithnjë të na ndalojnë së menduari.

Është një formë e stërholluar censure, me të cilën përballet çdo mendje e lirë.

Meqenëse jam edhe vetë pak ekspert në një fushë timen, po ia lejoj vetes t’u them këtyre ekspertëve kolegë censurues se, për mua, roli i tyre në rendin e sendeve është i ngjashëm me atë të letrës higjienike: e domosdoshme, në mjedise të caktuara; por e papërshatshme për të shkruar në të testamente.

Nderim për Saramagon, një nga të paktët që është kujdesur ta mbajë të ndezur zjarrin në tempull të dijes.

Nuk ka komente

  1. Në një intervistë të Qosjes, dhënë për “Telegrafi.com” , Saramago-n e vlerëson si një ndër katër shkrimtarët më të mirë, të gjallë, të Europës. Si duket, intervistën e ka dhënë pak para se të vdiste nobelisti portugez:

    http://www.telegrafi.com/?id=19&a=184

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: