GJUHA SHQIPE DHE LETËRSIA NË SHKOLLË (I)

nga Natasha Shuteriqi Poroçani

Nisur nga debati që nxiti një mendim yni, sa reflektues aq edhe sensibël ndaj situatës në të cilën ndodhet shkolla shqipe (dhe specifikisht gjuha shqipe), marrim përsipër të argumentojmë me fakte, panoramën metodike, didaktike dhe kurrikulare, të cilën, në artikullin pararendës e kemi kornizuar me togun: “sistemi shkollor që ne patëm

Më së pari ndjejmë nevojën të qartësojmë interpretët, se me termin sistem, i referohemi vetëm sistemit metodik, didaktik e pedagogjik.

Gjithsesi, duke njohur shumë mirë fushën e mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe letërsisë në arsimin e mesëm të lartë, do përpiqemi, përmes një serie shkrimesh, të panoramizojmë traditën metodike të mësimdhënies së gjuhës shqipe, traditë e krijuar nga emra të mëdhenj si I. Sheperi, J. Rrota, F.Fishta, A. Xhuvani, M. Domi, K.Cipo, E. Çabej, e më vonë E.Lafe, Xh.Lloshi, A.Shashaj, M.Gjokutaj etj.  Në nisje do të paraqesim  një vështrim panoramik të mësimit të gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnaz në vite ’20-’30 të shekullit të kaluar.

Mbi qasjen ndaj mësimit të gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnaz në vitet ’20-‘30

Në vitin 1925 për herë të parë arsimi i mesëm hyn si një nivel më vete në sistemin arsimor shqiptar[1]. Gjimnazet ishin të ndarë në dy nivele:  shkalla e ulët e gjimnazeve dhe shkalla e lartë[2]. Që në nisje të këtij niveli arsimor, asnjë hallkë e procesit nuk iu la rastësisë, por iu nënshtrua metodave didatike të mirëstudiuara më parë.

Duke pasur si objektiv kryesor edukimin me dashurinë për gjuhën shqipe; edukimin për një akt ligjërimor të pastër, të folur e të shkruar saktë, programi nënvizonte detyrimin kryesor për mësuesin e gjuhës shqipe: t’u ushqejë nxënësve dashuri për gjuhën… t’u jepet më shumë rëndësi mësimeve të gjuhës sesa gramatikës”.[3].

Paralelisht me këtë frymë kaq patriotike, vëmendja u përqendrua në tre dukuri themelore:

e para, të aftësohen nxënësit që të kuptojnë qartë mendimet e të tjerëve dhe të tregojnë mendimet e veta drejt e qartë… Me anën e ushtrimeve të gjuhës të mësohen nxënësit që të flasin e të shkruajnë drejt gjuhën.”[4];

e dyta, të evidentohen dallimet dhe afritë midis dialekteve dhe të folmeve të shqipes “Qëllimi i mësimit të kësaj gjuhë në gjimnazin e lartë është që nxënësi të fitojë njohuri të plota të ndryshimeve gramatikore-sintaktike  të të folurave të ndryshme të Shqipërisë si dhe të letërsisë shqiptare[5];

së treti, “Mësimi i gjuhës shqipe duhet t’u sigurojë nxënësve shijen për gjuhën dhe ndjenja të bukura e të pëlqyeshme dhe t’i nxitë ata që të mendojnë drejt e arsyeshëm.[6]

Siç e faktojmë, që në fillimet e tij, mësimi gjuhës shqipe në gjimnaz, nisi të orientohej nga tendenca për ta parë gjuhën në gjallim, për të siguruar një shqipfolës të mirë, njohës të gjuhës dhe varianteve të saj. Kjo më pas u konstitucionalizua edhe me një ligj të posaçëm të Ministrisë së Arsimit të kohës[7]. Ky orientim politik, didaktikisht përcaktoi edhe mjete e ndërthurjes së qasjes gjuhësore e atë letrare:

nxënësi duhet t’a mësojë gjuhën, që të mundë të kuptojë fjalët dhe kuptimet e të tjerëve, të mundë t’i komunikojë tjetrit bukur e mirë mentimet dhe ndjenjat e tij, të mundë të këndojë dhe të kuptojë një libër dhe të jet’ i zoti t’i çfaqë mentimet e tij me shkrim. Mjete për t’i arrirë këtij qëllimi janë libri i këndimit, gramatika, ushtrimet e ndryshme të gjuhës dhe hartimet.”[8]

Në programin e vitit 1935, për klasën e pestë të gjimnazit fushat në të cilat shtrihet letërsia dhe gjuha janë: të folurit, gjuha, dialektet, arti i të shkruarit, stili, bukuritë dhe të metat e gjuhës, figurat retorike[9]. Duke inkuadruar këto fusha në realitetin gjuhësor dhe didaktik të kohës, jemi ende larg pretendimeve për ta bërë formimin dhe edukimin gjuhësor të nxënësit  një nga aspektet qendrore të realitetit mendor dhe social. Por, çdo njohje teorike në këtë fushë përmban në vetvete një vlerë formuese. Retorika, për shembull,  është një hap i parë drejt interesit për ta vendosur zotërimin e gjuhës si objektiv primar.

Që në nisje, në vitin 1935 shfaqet qasja diakronike në studimin e shqipes: Origjina e zhvillimi i gjuhës shqipe. Gjendja e sotme e kërkimet. Përhapja e gjuhës shqipe jashtë Mbretërisë. Dialektet, njisja e gjuhës shqipe. Dokumentat më të para të gjuhës shqipe[10].

Po ç’ndodhte me tekstet?

Të ndërgjegjësuar se standardi intelektual dhe social i nxënësit në gjimnaz kërkonte një formim gjuhësor të tillë, i cili nuk mund të arrihej vetëm me studimin e gjuhës si kod, didaktët i orientuan në këtë aks tekstet e tyre. Ilia Dilo Sheperi në parathënien e Gramatikës së tij për shkollat e mesme pohon: Nuk është kështu gramatika ajȏ që e ka zhvilluar gjuhën duke rregulluar të folurit dhe shkrimin e sajë, po êsht të folurit dhe shkrimi  gjuhës që cakton rregullat, të cilat gramatika sa i rrjeshtȏn të shoshitura, dhe i lidh në ligje gjuhësore të përgjithëshëm[11], ndërsa Xhuvani në Parathanen e pjesës së parë të  Sintaksës[12], sqaron jo vetëm bazën studimore që ka shërbyer për këtë tekst, por edhe se copat e këndimit, me të cilat âsht përcjellun thuajse çdo ushtrim syntaktik, janë adaptuem e nxjerrun, mâ të shumat prej teksteve të huaja[13], duke pohuar në këtë mënyrë, vakuumin që përcillte letërsia shqipe për ilustrimet e nevojshme, përballë fleksibilitetit të gjuhës sonë.

Tekstet e kësaj periudhe ndërthurnin formimin gjuhësor e letrar me atë patriotik, sepse ende kombi është i brishtë. Teksti Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe[14] i Eqrem Çabej, i përshtatur për gjimnazet, analizon prejardhjen e shqipes dhe emrit “shqiptar”, me synimin për të hedhur poshtë përpjekjet e të huajve të cilët sa herë dojshin me i damtues Shqipnisë, bijshin si argument për mospasjen e së drejtës së vetqenies si Shtet vetqeveritar, se Shqipnija s’kish literaturë të vetën, se s’kish as gjuhë të sajë. (f. 5).

Po ashtu, në vitet ’30-të si një instrument shumë i rëndësishëm metodik në ndihmë të mësuesit, botohet një tekst me ushtrime gjuhe i S.Papahristos (Ushtrimet gjuhore[15] dhe hartimet në shkollat fillore e të mesme), në parathënien e të cilit autori thekson se qëllimi i mësimit të gjuhës amtare në shkollë është ky: të bëhet i zoti nxënësi, që t’a përdorë mirë gjuhën si në të folurit, ashtu edhe në të shkrojturit. Gramatika, shkruan Papahristo është një mjet dhe jo një qëllim. Me anën e gramatikës nxënësit mësojnë typet e ndryshme të gjuhës, dhe mësojnë t’i përdorin këto pa gabime, kur fjalosen dhe kur shkruajnë.[16]

Fragmentet e teksteve letrare që studioheshin në shkollë ishin përzgjedhur nga veprat më të mira të  autorëve shqiptarë: fragmente nga Lahuta e Malcisë së Fishtës, Historia e Skëndërbeut e Naim Frashërit, dhe e Fan Nolit, Psalltari dhe Historia e shenjtë e Kostandin Kristoforidhit, Kënga e sprapsme e Balës e Gavril Dara i Riu, fragmente nga dialekti i Borgo Erico të Zarës apo i shqiptarëve të Greqisë. Interesi ndaj dialekteve në fakt ishte rrjedhojë e influencave që këto dialekte kishin në jetën e përditshme. (V. Islami, 2003: 226).

Antologjinë[17] e Filip Fishtës të vitit 1936 tekstet përzgjidhen në bazë të kriterit kronologjik, sepse metoda e qasjes detyrimisht duhej të ishte historike. Ndërgjegjja kombëtare duhej të konsolidohej dhe në këto kushte letërsia duhej të luante rolin e saj.  Pjesët e leximit pajisen me referenca dhe analiza të gjata, të cilat, ndër të tjera, trajtojnë shpjegimet e fjalëve dhe frazave në kontekstet historike por edhe gjuhësore: “Kjartësia e eleganca e stilit të këtij shkrimtari të madh, del në shesh ndet veprat e tia, përbri fytyrimi mâ të hapët e idhésh mâ të kthellëta.”, (F.Fishta, 1936: 228) do të përshkruhet stili i Gëtes te poezia Mbreti i Tulës.

Po kaq vlerë merrte evidentimi i raportit të shqipes së vjetër me shqipen e kohës. Për të njohur këtë raport, por edhe për të qartësuar rrugëtimin e formave të shqipes, Justin Rrota përzgjedh copëza nga Meshari i Gjon Buzukut të cilat i sjell me komentimet përkatëse në Monumenti mâ i vjetri i Gjûhës Shqype D.Gjon Buzuku[18].

Për ta përmbledhur, në nisje, qasja ndaj mësimit të gjuhës shqipe në gjimnaz është e orientuar nga gjuhësia përshkruese, por nëpër të, falë vullnetit, njohjeve dhe influencave të prurjeve bashkëkohore shkencore, metodistët e shkëlqyer të kohës nisin (mbase në mënyrë intuitive) të shtrojnë udhëzat e para drejt gjuhësisë aplikative, e cila më vonë do të bëhet imperative.

(vijon)

© 2023 Natasha Shuteriqi Poroçani. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] Programi e gjimnazeve shtetërore me 8 klasë, 1925.
Duhet të bëjmë kujdes sepse “arsim i mesëm” në këtë periudhë nuk përkon me nivelet moshore të nxënësit të arsimit të mesëm në ditët e sotme. Është fjala për kalimin nga sistemi fillor, në një nivel më të lartë shkollimi deri me 8 klasë, i cili u quajt “i mesëm”.
[2] V. Islami, Programet e gjuhës shqipe në vite, Historia e arsimit, 4- Tiranë, 2003 fq. 225.
[3] Programi i gjuhës shqipe, 1921
[4] Programi i gjuhës shqipe, 1925
[5] Programi i gjimnazit shtetëror me 8 klasë 1925, f. 6
[6] Programi i gjuhës shqipe, 1928
[7] Mbretnija Shqiptare, Ministrija e Arsimit, Ligjët e Arsimit, Shtypshkronja “Teknike”, Tiranë 1933, f. 13
[8] Papahristo, S., Ushtrimet gjuhësore dhe hartimet në shkollat fillore dhe të mesme, botim i Minstris s’Arsimit, Shtëpija Botonjëse “Kristo Luarasi”, Tiranë, 1938, f. 5
[9] Programi i gjimnazit shtetëror, 1935, f. 9
[10] Programi i gjimnazit, 1935, f. 6
[11] Ilia Dilo Sheperi, Gramatika dhe Sintaksa e gjuhës shqipe, sidomos e toskërishtes (për shkollat e mesme), Shtypshkronja “Vlora” G.Direttore&C, Vlorë 1927. f. 3
[12] A.Xhuvani, Njohnit’ e para të Sintaksës shqipe, Shtëpia botonjëse “Kristo Luarasi”, Tiranë 1935
[13] A.Xhuvani, Njohunitë e para të sintaksës shqipe, pjesa e parë, Tiranë 1935, f. 3
[14] E.Çabej, Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe, me pjesë të zgjedhura për shkollat e mesme, Shtypshkronja e Ministrisë s’Arsimit, Tiranë 1936
[15] S.Papahristo, Ushtrime gjuhore dhe hartimet në shkollat fillore dhe të mesme. Shtëpija botonjëse “Kristo Luarasi”, Tiranë, 1938
[16] Papahristo, S., Ushtrimet gjuhësore dhe hartimet në shkollat fillore dhe të mesme, botim i Ministris s’Arsimit, Shtëpija Botonjëse “Kristo Luarasi”, Tiranë, 1938, f. 7
[17] F.Fishta, Anthologji shqipe, për përdorimin e shkollave të mesme: për gymnaz, për institut teknik, për shkollë normale e për shkollë qytetse, Pëlqyem me shkresën Nr 3924, d. 27.IX.1935, të Ministrisë Arsimit, Shtëpia botonjëse “Kristo Luarasi”, Tiranë, 1936
[18] A.Justin Rrota, Monumenti mâ i vjetri i Gjûhës Shqype D.Gjon Buzuku (1955), Copëza të zgjedhuna e të komentueme për shkolla të mjesme, Shkodër 1938 (ribotim vitit 1930)

Rreth Autorit

Natasha POROCANI (SHUTERIQI) Diplomuar në gjuhë shqipe dhe letërsi. Doktoruar në fushën e gjuhësisë së aplikuar, autore e një numri të konsiderueshëm tekstesh shkollore në Shqipëri e diasporë.

Author Archive Page

1 Koment

  1. Nuj e di se si ia arriten por mesimi i gjuhes ne shkolla perpara luftes ka qene efektiv.Brezi i arsimuar ne ate kohe dallohej per elegance dhe qartesi ne shkruar ,me fraza sintetike ku subjekti i ceshtjes te mbetej ne mendje me nje te lexuar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin