NGA LIRIA NË VARGONJ

Në klasën e tretë të fillores, ku hymë për të dëgjuar mësimin, flitej për Skënderbeun – në bazë edhe të një poezie të I. Kadaresë (“Portreti i Skënderbeut”).

Për shkak ndoshta të temës, ora u shtjellua si një përzierje e këndimit, gjuhës shqipe dhe historisë, me këtë të fundit në mbizotërim.

Pyetjes së mësueses se “Çfarë dini ju për Skënderbeun” fëmijët iu përgjigjën në mënyrë të papritur, të paktën për mua: “Ai është heroi ynë kombëtar.” Më tej, fëmijët ofruan të dhëna për familjen e Skënderbeut, ndonjëherë të gabuara (“Ai kishte nëntë fëmijë”), për fizikun e tij (“ishte shtatlartë, i fuqishëm, muskuloz”), për shpatën dhe përkrenaren (u përmend ekspozimi i tyre i paradokohshëm në Tiranë) dhe për motivet e përpjekjeve të tij (“gjithë jetën e vet luftoi për Shqipërinë”).

Poezia e Kadaresë, edhe pse në dukje e thjeshtë, ndërtohet mbi një dikotomi të vështirë për t’u rrokur nga fëmija e klasës së tretë. Po e sjell në vijim, të marrë nga një faqe në ueb:

Portreti i Skënderbeut

Si dritë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë mbi atdhe.
Një emër, Gjergj, e kish si diellin,
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhije kish mbi krye,
Emblemë e vjetër e çuditshme,
Sikur ta dinte që mes brinjëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftra bëri.
Njëzet e katër vdekje theu.
Çka mangut linte ditën Gjergji,
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjet eshtrat iu ndanë,
Në mijëra varre ato u shtrinë,
Gjithçka të shumtë ai e pati.
Të vetmen kish veç Shqipërinë.

Nuk më duket muhalebi e përshtatshme për t’iu shërbyer vocërrakëve; pavarësisht se është e shkruar me rima dhe asonanca dhe varg të rregullt nëntërrokësh. Natyrisht, kundërvënia e diellit dhe hënës (ditës dhe natës), në pasqyrim të kontrastit mes emrave Gjergj dhe Skënder, ose natyrës së dyzuar të vetë prijësit, të rimarrë nga dy brirët dhe dy kokët e shqiponjës dhe dy perandoritë, nuk u komentua – sikurse nuk u përmend dyzimi i Skënderbeut mes Lindjes dhe Perëndimit, ose Krishterimit dhe Islamit.

Aspekti fetar i qëndresës së arbërve, nën Skënderbeun, u la krejt në heshtje – me siguri qëllimisht.

Dhe nëse nuk u fol për këto, atëherë edhe vetë poezia e Kadaresë përfundoi në diçka si ilustrim banal për një personazh kyç të historisë së Arbërit; ose e denatyruar në thelbin e vet artistik.

Përkundrazi, u fol lirisht dhe zellshëm për dhinë në përkrenare dhe shqiponjën në flamur, kushedi ngaqë fëmijët e kanë më të lehtë të familjarizohen me faunën. Por të vegjëlit nuk kuptuan lidhjen mes brirëve të dhisë dhe dy perandorëve, as ndarjen e eshtrave pas vdekjes, as mijëra varret, as domethënien e numrit 24, as fjalët shtjellej dhe emblemë.

Skënderbeu i poezisë në fjalë nuk i shtoi asgjë Skënderbeut vizatimor, që i ndan turqit më dysh me një goditje të shpatës.

Nuk është e lehtë t’ua paraqitësh fëmijëve këtë figurë të Mesjetës arbërore, në mënyrë të kuptueshme; por natyra e poezisë së Kadaresë e ndërlikonte këtë edhe më.

Çfarë mungonte, në këtë paraqitje, ishte një ganxhë emocionale, përtej retorikës së “heroit kombëtar” – pse fëmijëve nuk u ish dhënë asgjë me të cilën mund të identifikoheshin.

Nxënësit kishin ardhur në mësim të përgatitur – me materiale për Skënderbeun, riprodhime imazhesh, vizatime që i kishin bërë vetë, dhe vjersha.

Po riprodhoj këtu më poshtë njërën prej vjershave me pak ndreqje drejtshkrimore (dhe me mirënjohje për mësuesen që më lejoi ta huazoja):

poemSkënderbeu

Luftëtar sypatrembur ishe
Frikë nga askush nuk kishe
Ne të adhurojmë edhe tani
Ta duam adheun si ti.

Je i madh në zemrat tona
Me guxim e shpresë luftove
Kundër osmanëve ti fitove.

Një pjesë të zemrës ia japim nënës
Një pjesë tjetër babait
Një ia japim Shqipërisë
Tjetrën vetëm ty ta jap.

Do të kujtohesh Gjergj i madh,
Pas shumë shekujsh do të kujtohesh
Asnjëherë s’do të harrohesh.

Skënderbe njëra anë
Gjergj quhej ana tjetër
Bashkë ti i bashkove
Dhe lirinë ti formove.

Një fëmijë i klasës së tretë si rregull nuk mund të krijojë poezi – përkundrazi, janë klishetë që ia kanë ngulitur në shkollë, të cilat krijojnë nëpërmjet tij. Këtë e provon edhe teksti më lart, i mbërthyer i tëri në intertekst, ose referime automatike ndaj teksteve të mëparshme, leximeve gjithfarësh dhe copëzave të tjera të informacionit të marra nga burime të ndryshme.

Këtu duhet mbajtur parasysh edhe se fëmija e shkruan vjershën detyrë shtëpie jo aq për t’u shprehur vetvetishëm, sesa për të kënaqur mësuesen, kushedi edhe prindin; dhe kjo krijon një rreth vicioz, sepse procesi i të mësuarit rrëgjohet në shkëmbim formulash të zbrazëta.

Krijimi i mësipërm ndoshta duhet parë, pra, si dëshmi se si shpresonte autorja e saj e vogël që ta kënaqte mësuesen (autoritetin) – përndryshe është e vështirë të përfytyrosh një fëmijë që mendon se do ta dojë atdheun si Skënderbeu (!), ose do t’i japë atij një pjesë të zemrës (çfarë kuptimi ka kjo?), dhe se Gjergji do të kujtohet për shekuj (çfarë i jep tekstit ton nekrologjik).

Nxjerr krye, në strofën e fundit, edhe një përpjekje për të ri-interpretuar poezinë e Kadaresë: heroi kombëtar bashkon “bashkë” Skënderbeun dhe Gjergjin, për të formuar lirinë.

Prandaj edhe e solla këtë krijim këtu – pse ai më tregon çfarë u jep shkolla sot fëmijëve të klasës së tretë, sa i përket një figure historike si Skënderbeu: si ua prezanton dhe çfarë u kërkon fëmijëve që të ndiejnë për të.

Adhurimi për heroin, vargje të tilla si “je i madh në zemrat tona”, “pas shumë shekujsh do të kujtohesh”, ose ndarja e zemrës më katërsh mes familjes, Shqipërisë dhe Gjergjit, etj. e bëjnë vjershën të tingëllojë edhe si këngëz drejtuar një shenjti.

Dhe këtu mund të pyetet nëse ka ndonjë mënyrë tjetër, të ndryshme, për t’i iniciuar fëmijët me historinë kombëtare – një mënyrë që t’i shmangë klishetë, shprehjet e zbrazëta, stereotipitë dhe përgjërimet; dhe, sidomos, nëse pedagogët tanë sot janë të vetëdijshëm se çfarë rezultatesh po japin metodologjitë e tyre, të paktën në këtë nivel fillestar të dijes.

Dikush mund të gjejë, te vjersha më lart, farën e vetëdijes atdhetare të fëmijës nesër qytetar i republikës; unë shoh aty një disfatë njerëzore, ose efektin e trishtuar të një sistemi dogmatik inercial, i cili ia zë frymën fëmijës, me klishetë e veta prej gize disa-tonëshe. Gjithsesi, kjo është mënyrë e sigurt për t’ua bërë nxënësve shkollën të mërzitshme; duke ua topitur fëmijëve lirinë e të shprehurit dhe të mendimit, pikërisht nëpërmjet vjershave ku u këndohet luftrave të Skënderbeut për lirinë e atdheut.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin