PËRSE SHKRUEJ

(DY FJALË ME BIRIN E RRITUN N’GJI TË PARTISË)

nga Gjovalin Macaj

Penën lypet ta shtërngojme mire për me u muejt me shkruejt, por nuk e detyrojme dot atë me than ç’ka duem e kemi ne zemer e mendje me than. Ajo ka nevojë për ne me folë për vete. Na duhet me e ndjekë, ma shumë se sa me i dhan drejtim. Kjo asht magjija e krijimit, por edhe burim i keqkuptimit.

Ai që flet e shkruen asht rob i saj që thotë, edhe pse jo krejt pa vullnet. Nëse autori nuk mban pergjegjesi për ç’ka thotë, atëherë kush tjetër përveç tij e mban atë? Autori sikur tretet në atë që thotë, por prap ai asht i pandashem prej saj, qofte për mirë a për keq.

Gjanat fillojnë e errësohet kur përqëndrohemi tek dora që shkruen e jo fjalët që thuhen. Futemi në nji rrugë çorre, edhe pse fundin e saj nuk ia shohim. Asht sikur fjala na ikë, e na len veç me puplat e sajë n’dorë.

Në nji pikë të tillë jam gjendun pas nji kritike të përpilueme me kujdes ndaj shkrimit tim t’botuem në faqet e Peizazhe të Fjalës me 14 Korrik 2020, ku une u rreka me hedh dritë mbi rrafshin në t’cilin diskutohet jeta e veprimtaria e Ernest Koliqit e Martin Camajt.

Ajo ç’ka bie n’sy asht fakti që kjo replikë vjen nga nji person anonim por që defton të jetë rritun n’gji të partisë, pra një bir i nomenklaturës komuniste. Si pena ashtu dhe fjala, janë të pandashme në rastin tim dhe të atijt’.

Biri i nomenklatures hedh dyshime të forta mbi qëllimet e shkrimit tim, duke e pa atë nan hijen e krahinizmit, fetarizmit dhe flet për rrezikun se si mendsi të tilla mund të na çojnë deri në ‘thyerje kafkash’. Ai nxjerr gjithashtu elemente të tjerë interesantë që nxisin debatin, nga ku unë marr shkas me iu përgjigjë.

Gjuha që lidh e zgjidh

Nuk asht e mundshme me e theksu sa duhet se, midis asaj që dum t’përcjellim nëpërmjet fjalës së folun a t’shkrueme, e mnyrave se si këto merren e perdoren, mundet me pas nji det të tanë në mes. Këto janë jashtë kontrollit t’asaj qe e hedh fjalën. Në fakt fjalët dalin jashtë kontrollit të autorit, sepse nji ide që ja vlen asht nji ide që nuk dihet ka të vjen—ajo t’shfaqet papritun dhe të çon atje ku nuk e pret, atje ku nuk e dije as se ekzistonte.

Ma tepër se ‘krijues’, autori bahet përcjellës i diçkaje që nuk ka autorësi mbi të, por vetëm e mbart atë dhe munohet ta nxjerrë n’dritë për ta pa të tjerët.

Por fjalët janë copëza t’krijuesve të tjerë që i kanë shpikë për qëllime të tjera e në rrethana të tjera, dhe janë kurdoherë të pafuqishme t’kapin dhe përcjellin atë çfarë ndjejmë e mendojmë, por nuk arrijmë ta përkthejmë n’fjalë.

Prap se prap, besoj se ajo ma e thella e ajo ma domethansja mbetet pa u than hiç. Ajo ç’ka ia dalim ta themi, asht si skela e nji ndërtese apo lëvozhka e nji veze, pjesa ma e ngurtë që lejon shqisat tona primitive për me e kap veç përciptazi. Ajo që ngulmon e vorbullon me jetë plot, ngel përtej nesh, e pakapshme. Pra nuk jemi kurrkund afër së përsosunës–ajo çfarë mund të themi, e si e themi, asht krejt e kufizume dhe e kushtzume.

Ajo që ka n’dorë autori asht t’sqarojë se çfarë ka dasht’ me thanë, e pse. Kjo gja për ta ndihmu kritikën, jo me e mbytë atë. Debati n’fakt ban autorin me kuptu se çfarë ka dashtë me thanë, por edhe çfarë nuk ka ditë se ka thanë. Gjanat ma t’qarta munden me u errësu kur diskutimi bjen në nivelin e akuzave apo fymjeve personale.

Por, personalja nuk ka pse me u ba pengesë. Në fakt, ajo mundet me dëftu se si, e në çfarë shkalle vepra apo synimi i autorit nuk janë aspak personale.

Në dialog me nji bir X t’nomenklaturës

Me këtë frymë dua t’i kthej përgjigje kesaj replike  t’respektueshme. Siç mund të lexohet e plotë poshtë shkrimit tim, replika e birit X t’nomenklaturë thekson nevojën për me kenë i kujdesshëm kur flasim për gjana kaq serioze e me pasoja të randa. Ai e lexon shkrimin tim si nje shkrim të nji katoliku, pjesë e nji “klani katolik” që synon monopolizimin e viktimizimit në vend, dhe kushtëzimin e kuptimit e të përvojes tonë komuniste shumëngjyrshe.

Ai thot’ se në nji formë apo nji tjetër t’gjithë kanë qenë viktima të sistemit – ku askush nuk ndiihej i sigurt’ as për jetën e tij, as vetë ata që e mbanin n’kam’ regjimin. Ai fajëson konjekturën politike t’pasluftës dhe rivalitetin midis ortodoksëve dhe katolikëve, si shkak për përshkallzimin e terrorit mbi katolikët, që qoi në asgjësimin e ajkës intelektuale, t’kulturës e gjuhës tyne, e t’peshës politike n’vend.

Të gjitha këto pika meritojnë të shqyrtohen me hollësi, por unë s’kam njohurinë e nevojshme t’i shqyrtoj ato si duhet, përpos disa prej tyne. Shpresoj të marrin vëmendjen e duhun në vijimsinë e debatit.

Me kamb n’tokë e syt’ ka qielli

Me ja fillu prej fillimit: asht e pamohueshme se mua më thonë Gjovalin e vij prej Mirdite – këto më bajnë automatikisht katolik, krahinor, e për mos me thanë të djathtë, pasi duket sikur kemi lanë mbrapa ‘Mirditën e kuqe’. Këto jane rranjët e mija. Kjo asht baza nga unë flas.

Por kjo nuk do të thotë se unë flas veç për veten, si katolik, a si krahinor, a si i djathtë. Une fola për katolikët vetëm pse janë t’shtypun e se shtypja e tyne shpërfillet—jo pse janë katolikë.

Unë do t’flisja me të njajtin zell për çdo jetë njerzore që dhunohet e lihet pas dore, por nuk i’a dal dot fizikisht, e nuk do t’ma vinte kush veshin edhe sikur t’ia dilja. Kjo sepse nuk kam t’drejtë t’flas ‘nga lart e nga larg e nga jashtë’ për diçka që m’zemron, por kurrë nuk mundem me e kuptu si ata që vuajnë vuejtjet e tyne, e që unë t’flas për to si duhet. Vendi nga ku flet ndikon atë ç’ka mundesh me pa, e me than’.

Por feja e të parëve të mi nuk më pengon në rrekjen time drejt fesë së Platonit – edhe pse ai s’paska shkruejt për t’vdekshëm si unë, meqë unë s’mundem me e kuptu as me e ndjekë. As nuk do të thotë se, unë nuk shoh rrugë tjetër veç socializmit prej vërteti – pra jo tiraninë komuniste që e kemi vuejt’– që ta mbajmë edhe pak n’kamë qytetnimin njerzor, e t’shohim pak dritë mbi kët rruzull toksor—t’gjith nga pak, pa dallim. Me nji fjalë, vargonjtë e rastësisë nuk kanë pse t’merren si aspiratat e mia si njeri.

Diçka tjetër. Në nji qoshe t’gdhendun mbi harkun e derës së kullës ku kam lindë e jam rritë, duken shenjat e diçkaje që asht’ heqë përdhunisht, jo nga erozioni, por nga dalda e ish-pushtetit popullor: aty, gjyshi im më tregonte me frikë e nderim, se ka pasë një kryq e një gjysëm hanë. Por, që për simbole të tilla ‘prapanike’ nuk kishte pasë vend në frymën revolucionare të pushtetit popullor, sidomos pas vitit 1968.

Prap se prap, rrënoja shërbente si kujtim i asaj që kishte qenë aty ma përpara, gja që mjaftonte me mbajtë lidhjen gjallë mes shtëpisë sonë e shptëpisë myslimane–ishte një vllazni e gdhendun në gur në plot kuptimin e fjalës. Për ma shumë se nji shekull kemi nda bashkë gëzimin e hidhnimin, provë se kumaria jonë dhe thellësia e lidhjeve njerzore jo domosdo kërcnohen nga ndasitë e veçantitë tona, por mund të jenë dy pika lidhjeje.

Unë si fëmijë mbaj mend sidomos vizitat e shpeshta, familjare. E vlerësoj si nji festival i dashamirsisë, i vllaznisë, urtsisë, i kuvenit t’hollë e t’kanshëm. Por erdhi demokracia, e këto vizita erdhen tue u shterru. Thyem qafën gati t’gjithë tue ndjekë me etje pasqyrat: e lirisë e lekut, pronës e betonit. Si për çudi, kjo ndodhi kur nomenklatura po ndërronte ngjyrën e vendi po blihej prej saj për pesë lekë–para syve tanë por pa mujt me e pa. U çlirum edhe nga ajo fije dashamirsie që i kishte mbijetu tiranisë komuniste dhe përpjekjes së saj për me saju njeriun e ri.

Une nuk shkruaj si atlet i katolicizmit. As si i djathtë. As si i deklasum. Urrejtja as që m’vjen në men – përveçse tani që m’u desh me e përmend. Nuk e njoh klanin katolik n’fjalë që ju jep bezdi, as nuk di se çfarë asht’ as me çfarë merret. As nuk mohoj se s’ka matrapazë t’zotë që tregtojnë dinjitetin e të përvuajturve.

Ajo që ju shihni si ‘mllef’ unë e jetoj si indinjim për përdhosjen e dinjitetit të një shtrese të përvuejtun. Nuk e njoh mirë peshën e fjalës ‘revansh’, por jam i sigurtë që nuk asht kjo ajo që unë kam në mend. Nuk jam këtu për t’marre hak, por për të debatu mbi drejtësinë e mungume. Mbi t’vërtetën që duhet ta mbajm nalt e kultivojmë që t’formojmë nji shoqni me kuptim.

Unë e kam fjalën tek drejtësia, që sikur e theksoni me t’drejtë, ajo nuk asht vetëm ligjore, por edhe morale e politike. Ne njofim edhe pajtimin, edhe faljen. Por nuk duhet t’marrim t’pavërtetën e padrejtesinë si rend natyror t’gjanave.

Kjo drejtesi lypet për ne t’gjithë, jo vetem për nji shtresë, fis a fe. Drejtësia ose asht për t’gjithë ose nuk asht drejtësi hiç. Si shoqni na duhet t’i dëftojme vetes se kush kemi qenë, kush jemi e çfarë duam t’jemi–pra cilat ideale duam që t’na udheheqin aspiratat tona si shqiptarë, e si botë shqiptare.

Sot, ne jemi pezull, kudo – as n’qiell e as n’tokë. Nuk kemi busull morale. Dimë t’lexojmë se çfarë asht e ligjshme apo e paligjshme, por nuk jam fort i sigurt’ se dimë ta dallojmë t’miren prej së keqes. Mospërballja e mosndëshkimi e nji të keqeje të madhe si krimet e komunizmit janë si vargonjë që na mbajnë peng e n’terr si shoqni—rruga ma e shkurtun për me i përsërit, pa pasë msu asgja prej tyne.

Faji jetim

E besoj tmerrin që ju keni përjetue n’gji t’pushtetit, kur shprehehni se:

‘diktatura ka pasur shumë nuanca të ndërmjetme, viktimat i ka pasur të shumëllojshme dhe çdokush e ka parë [veten] herët a vonë të persekutuar prej saj, edhe kur ka qenë afër kupolës. Sinqerisht Macaj, unë e kam kaluar fëmijërinë dhe rininë shumë afër pushtetit dhe frika e goditjes fatale dhe shfarosëse ndiqte dhe terrorizonte këdo’.

Kjo për faktin e thjeshtë se pa terror e arbitraritet nuk mbahej n’kambë ai shtet; ishte në llogjikën e vet. E njajta gja mund të thuhet edhe për Gramoz Ruçin, që sot kryeson vullnetin e popullit, kur dje e kishte për detyrë dhunimin e tij.

Por ka një rrezik këtu. Kur të gjithë janë viktima, faji bahet jetim.

Të gjithë mundemi me e pa veten në dritën e viktimës pa qenë të tillë. Akoma sot dhe kësaj dite Austriakët e shohin veten si viktima të nazizmit. Donald Trump dora vetë di të thotë me nji frymë se Amerika asht vendi ma i fuqishëm n’botë që t’gjithë duhet me ja pasë frikën, por njëherësh dhe viktimë e politikes grabitqare t’Kines, BE-së, etj. Nuk kam pse mos me e ndigjue.

N’piramidën kapitaliste, nuk ka t’lirë dhe jo t’lirë. As ai që arrin me shtyp t’gjithë njerëzit që gjen n’rresht përpara tij, dhe kap majën e piramidës, nuk e fiton dot lirinë. Kjo asht në llogjikën e sistemit vetë: lulëzon me shfrytëzimin e shfrytëzuesve t’shfrytëzuesve…e kështu pa fund. Asht nji varg i pafund varësish që na mban t’gjithëve robër—ku liria mundet me u matë veç me shkallen e mohimit të saj, pra vjen me pesëdhjetë shkallë varësie. Ai që shtyp ma fort t’gjithë të tjerët del si ma i liri.

Ma tej, n’sy t’Logos së Herakleut, jemi t’gjithë t’dënuem t’na dëftohet se ç’ka asht e drejta, pa pasë kurrë aftësinë për me kuptu domethanien e saj, e me e vu në jetë. Pra, padrejtsia bahet e pashmangshme përderisa nuk mundemi me ndjekë Logos, pavarësisht përpjekjeve njerëzore për ta kapërcy.

Por, përpjekjet për ta kapërcy padrejtësinë duhen pa në shkallën e duhun që të mund të flasim për drejtësi. Duke mos pasë nji kuptim t’gjithëpranushëm se ç’ka asht drejtësia, na duhet t’ia fillojmë nga ato gjana që i përjetojmë si t’padrejta, në rradhë t’parë n’rrafshin e rrethanat ku jetojmë e veprojmë. Ngaqë nuk mund t’ia nisim nga drejtësia kozmike, na duhet t’ia nisim prej drejtësisë së shkallës njerzore, të drejtësisë rrethanore hic et nunc, pa lanë pas dore drejtësinë universale, por tue ec me frymën e saj. Në këtë rrafsh, jam i menimit se jemi n’gjendje të zbulojmë drejtësinë për t’cilën kemi nevoje ma shumë, si shkallë brenda shkallës.

Sado qe ngatërrohën gjanat nuk mundet me pasë nji t’persekutuem pa pasë nji persekutor, edhe pse ky i fundit mund t’persekutohet vetë nga dikush tjetër ma persekutues. Ngado që ta marrim, nuk mund të pohojmë se ishte Shqipnia ajo që e pushtoi Italinë në 1939, dhe jo anasjelltas. E njëjta gja vlen edhe për sundimin gjakatar komunist. Janë do pak gjana që nuk errësohen dot sado që të përdridhen.

Unë them t’ia fillojmë nga hallkat ma të vogla, e dora dorës të shohim se sa mund të ngjitemi drejt drejtësisë kozmike. Edhe sikur t’mos e arrijmë kurrë atë, veprimet tona në kët frymë na orientojnë drejt saj. Kur, si, pse, e pyetje të tjera si këto na duhet t’i shtrojmë e të mundohemi t’iu japim përgjigje si shoqni, së bashku.

(c) 2020, Gjovalin Macaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Rreth Autorit

Gjovalin Macaj është Asistent Profesor në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Institute for History, University of Leiden në Hollandë. Ka një DPhil nga University of Oxford, ku ka dhënë mësim për katër vite radhazi dhe ka mbajtur një post si Lecturer in Politics në Keble College, University of Oxford.

Author Archive Page

2 Komente

Lini një Përgjigje te Hari MITRUSHI Anuloje përgjigjen

Këtë e pëlqejnë %d blogues: