ART ME LECKË NË DORË

Duke lexuar çfarë kish thënë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në hapjen e ekspozitës së artit italian në Tiranë, dhe pikërisht se “Ndikimi i artit ka ndikim në jetën e qytetit. Aty ku ka art, nuk ka pisllëk. Mjafton të shohim këtu përballë, ku kemi Renë, ku nuk ka pisllëk”, më tërhoqi vëmendjen shprehja aforistike, “aty ku ka art nuk ka pisllëk”, dhe u përpoqa t’i jap politikanit atë që anglishtja e quan “the benefit of doubt”, për të kuptuar për çfarë e kish fjalën tamam. E megjithatë, kjo pranëvënie e artit me pisllëkun më çoi menjëherë në mendje përkufizimin që i ka dhënë pisllëkut antropologia Mary Douglas, si “matter out of place”, ose si diçka “që nuk përket”, dhe këtu m’u duk menjëherë problematike thënia më lart, sepse distanca nga “out of place” te “policing the public space” m’u duk më e shkurtër se ç’duhet. Pa folur pastaj që gjatë shekullit që shkoi, përfshi këtu edhe atë “novecento-n” italiane të pompuar në ekspozitë, marrëdhëniet mes artit dhe “pisllëkut” u problematizuan deri në atë shkallë, sa jo vetëm pisllëku i djeshëm fitoi të drejtën e piedestalit në galeri (që me urinoren e Duchamp-it e të tjera vepra të tipit “objet trouvé”, por që janë certifikuar të tilla prej autorëve dhe sidomos hapësirave ku janë ekspozuar dhe modës), por edhe arti ekzistues erdhi dhe u damkos si “pisllëk,” dhe jo vetëm nga të gjithë ata që deshën ta heqin qafe peshën e traditës dhe të klasicizmit si tashmë të papërballueshme, por edhe ata të tjerët, që e luftuan dekadentizmin europian duke e flakur në plehra e duke i vënë zjarrin – bie fjala nazistët ose komunistët, përfshi këtu edhe regjimin e Hoxhës në Tiranë; i cili deri edhe produktet kulturore të 1968-ës u kujdes t’i cilësonte si “plehra.” Te kundërvënia jo dhe aq e pafajshme, e kryebashkiakut Veliaj, mes artit dhe pisllëkut, gjeta sakaq edhe ironinë; sepse edhe vetë arti i mikut, kolegut dhe ndonjëherë “shefit” të tij Rama, tashmë i certifikuar si gjenuin prej galerive të mëdha të Perëndimit, e ka nisur jetën si “matter out of place”, ose si vizatime mbi dokumente zyrtare; çfarë do të mund të quhej edhe si “graffiti institucionale”, jo të pangjashme me graffiti-t që ekspozon, sot e kësaj dite, në rrugët e Tiranës, kolektivi “Çeta”, dhe që – ndryshe nga vizatimet e kryeministrit – nuk e kanë institucionalizuar dot statusin e artit, dhe as e kanë humbur dot atë të “pisllëkut”; çfarë na sjell sërish te pyetja e madhe që i shqetëson këto përsiatje, dhe pikërisht se cili autoritet do ta certifikonte artin dhe, përkatësisht, pisllëkun; dhe cili autoritet tjetër do të vendoste pastaj për t’i mbajtur këto si ndërsjellazi të përjashtuara; meqë nuk ma merr mendja se kryebashkiaku i Tiranës kërkon ta marrë mbi vete këtë barrë dhe përgjegjësi. Vetë arti i “novecento-s” italiane, i cili sot u përshëndet se e ka pastruar hapësirën përreth duke e zhvendosur pisllëkun përtej horizontit të pamjes publike, njëlloj si “reja”, ka ardhur në Shqipëri jo vetëm si vlerë kulturore, por edhe për të ekspozuar statusin përkatës, të cilin tashmë nuk ia vë kush në dyshim, por dje mund t’ia kish vënë dhe me siguri ia ka vënë; ekspozita në Tiranë as i heq as i shton asgjë këtij statusi, por vetëm sa përfiton prej tij, së bashku me elitat që do ta konsumojnë (temë që e kam trajtuar gjetiu). Por ky identifikim, në thelb parazitar, me vlera të konfirmuara gjetiu, nuk mund të shërbejë si kompensim për atë art tjetër, që ende lufton për të fituar një status çfarëdo, në kundërvënie me inercinë, indiferencën dhe derrllëkun institucional; atë art që e merr në pyetje realitetin, në vend që ta konfirmojë dhe ta certifikojë. Përndryshe, nuk është funksion as rol social i artit – si veprimtari dhe si tërësi veprash të ekspozuara – për të mbajtur pastër dhe aq më pak për të “pastruar”, një koncept ky problematik, për shkak të afërisë që ka me higjienën sociale dhe konsolidimin e hierarkive; qytetarët në Tiranë dhe gjetiu në Shqipëri ndoshta do të kishin nevojë – më shumë edhe se për art të gatshëm që u ofrohet për konsum – për krijimin dhe mirëmbajtjen e atyre hapësirave publike që do të nxitnin dhe mbështetnin vetiu praktikat kulturore, përfshi këtu edhe ato artistike.


(c) Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen e një administratori të faqes.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin