QËLLIME DHE PASOJA

Shpesh i ngatërrojmë qëllimet e mira të një nisme, me pasojat e saj – duke supozuar se një nismë me qëllime të mira, të pastra, të kulluara, etike vetvetiu do të bëjë mirë.

Mirëpo ky supozim nuk ka bazë logjike; dhe historia na sjell një mori shembujsh kur qëllimet e mira kanë sjellë pasoja të papritura, shpesh të kundërta me çfarë dëshironin nismëtarët.

Rruga drejt ferrit është e shtruar me qëllime të mira, thotë një fjalë e urtë.

U diskutua gjerësisht këto ditë koalicioni i freskët mes PS-së dhe LSI-së, ose “ribashkimi” i së majtës shqiptare.

Një veprim tavoline, moralisht i papranueshëm për mua dhe shumë të tjerë – por që mund të sjellë për pasojë rotacionin në Tiranë.

Në këtë kontekst, u fol edhe për një nismë të shoqërisë civile në Tiranë, për të votuar me fletë të bardhë, në shprehje të protestës dhe të refuzimit ndaj një regjimi, i cili ndër të tjera prodhon edhe marrëveshje tavolinash, si kjo e tanishmja mes Ramës dhe Metës.

Vura në dukje, në shkrimin e mëparshëm, se votën e bardhë ka gjasa ta përqafojnë të gjithë të neveriturit me politikën e sotme dhe që, përndryshe, do të kishin votuar PS-në, si të keqen më të vogël.

Duke ia hequr votat PS-së, kjo nismë objektivisht rrezikon të mbajë në pushtet Berishën.

Një tjetër shembull, për mua, qëllimesh të mira që sjellin pasoja të këqija.

Vëreni edhe paralelizmin mes këtyre dy gjesteve: marrëveshja Rama-Meta, e pamoralshme sipas standardeve të etikës politike të vendosura dhe të propaganduara nga vetë PS-ja e Ramës, mund të sjellë pasoja të mira – largimin e Berishës dhe të grupit të tij nga pushteti; një grup që i ka bërë kaq dëme Shqipërisë, sa do të duhen 2-3 dekada për t’i shlyer.

Përkundrazi, vota e bardhë – sikur të kishte sukses – do të neutralizonte protestën te më të mirët, ose shtresa më e vetëdijshme dhe e angazhuar e shoqërisë shqiptare, prej të cilëve pritet të vijë ndryshimi, duke filluar nga heqja e Sali Berishës dhe të vetëve, me rrugë demokratike.

Shembulli është emblematik; dhe e rimora sepse, në diskutimin e mëparshëm, vëmendja erdhi dhe u zhvendos – çka më zhgënjeu – në diskutimin nëse unë jam apo jo përkrahës i PS-së ose “ramist.”

Më vjen keq dhe u kërkoj të falur kolegëve që kanë gjëra të vyera për të thënë në lidhje me temën, por më duhet që t’i mbaj mbyllur komentet edhe këtë herë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin