MUZIKA NË PENËN E SPIRO KALEMIT

Diku kam lexuar se të shkruarit për muzikën, është njëlloj si të vallëzuarit për arkitekturën. Në çastin e parë duket si një krahasim i gjetur. Mirëpo, kur një punë të tillë e ke zgjedhur si profesion, nuk të rezulton ashtu. Këto “gjuhë”, përndryshe të papajtueshme, mund të bëhen bashkë,  sikundër mund të ndodhë që vallzimi dhe arkitektura të gjejnë, edhe ata, pika takimi.

Ka qenë viti 1885, kur Guido Adler hodhi bazat teorike të asaj që sot njihet si muzikologji, një emërtim që duket sikur i bën karshillëk kësaj papajtueshmërie mes fjalës (logos) dhe muzikës. Si fushë studimi, ajo kish filluar të mëvetësohej rreth mesit të shekullit të 19-të, por mundi të afirmohej si discipline akademike në fillim të shekullit të 20-të. Gjithsesi, në historinë e saj aspak të hershme, gjejmë kontribute të shumta të cilat kanë bërë të gëlojnë shumë nën-disiplina (etnomuzikologji, musikwissenschaft, muzikologji sistematike, muzikologji historike, filologji muzikore, etj.). Nuk do përjashtonim këtu edhe ato forma më divulgative të publicistikës e kritikës muzikore që të marra së bashku tregojnë “vitalitetin” e të shkruarit për muzikën.

Muzikologjia në Shqipëri fitoi mëvetësi profesionale gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. Ashtu si në shumë vende të tjera, objektivat e saj, krahas muzikëbërjes, kanë qenë të kushtëzuar në një masë të ndjeshme edhe nga faktorë kulturorë, politikë dhe ideologjikë. Ajo ka qenë e organizuar madje deri diku edhe e “burgosur” në kornizën nacionale. Nëse periudha e komunizmit e profesionalizoi si disiplinë, duke e mbajtur gjithmonë në morsën e vet ideologjike, post-komunizmi, përkundër, ka sjellë një lloj letargjie. Nga kjo e e fundit, ajo nuk po del ende, për të ri-vendosur lidhje të qëndrueshme qoftë me të shkuarën, ashtu edhe me aktualitetin. Ka pasur kontribute të ndryshme, shpesh nga autorë të cilët janë marrë me muzikologji, por duke ardhur nga disiplina të tjera si kompozicioni, dirizhimi, filozofia, antropologjia, apo folklori. Por, të paktë kanë qenë ata që janë përpjekur të kontribuojnë në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme.  Si të tillë, do të veçoja Spiro Kalemin, një autor që para pak ditësh festoi 80-vjetorin e lindjes. Ishte ky një shkas për t’iu rikthyer kontributit të tij në formën e një reflektimi.

Spiro Kalemi është muzikolog, kritik dhe publicist. Ai ka një numër të konsiderueshëm botimesh që datojnë prej viteve ’70 e në vijim. Tek libri i tij i parë: Kur dëgjojmë muzikë (1973) është me vend të ndalemi. I strukturuar drejt, me një stil të qartë dhe jo fort i prekur nga formatet e ngurtësuara ideologjike që imponoheshin në atë periudhë, ky libër është një lloj udhërrëfyesi për të njohur muzikën në mënyrë më të thelluar. Shkas për botimin e tij ishte përvoja e Spiro Kalemit në mësimdhënien parauniversitare. Një botim i tillë mund të merret si referim edhe sot, në mos nga nxënësit, të paktën nga mësuesit apo hartuesit e librave mbi edukatën muzikore në shkolla, sepse ka një mënyrë të artikuluar dhe efektive për të mësuar dhe për t’u mësuar me muzikën. Nga ana tjetër, këtë botim mund ta konsiderojmë si një “rit kalimi” drejt një stili individual, me integritet në të shkruarit mbi muzikën. Ky stil do ta dallojë autorin në të gjitha kontributet e tij, qofshin ato të natyrës publicistike, ashtu edhe ato të një formati më akademik.

Deri në fillim të viteve ’90, si kontribute me vlerë të Spiro Kalemit, qofshin këto si autor ose bashkëautor, duhen përmendur librat e maketet e historisë së muzikës shqiptare për shkollat e mesme dhe për Institutin e Lartë të Arteve. Këto botime marrin për bazë estetikën realiste, me gjithë bagazhin terminologjik që e shoqëronte. Kjo estetikë i konsideronte praktikat artistike si “pasqyrim të  realitetit”, ndërsa formën dhe përmbajtjen e saj në harmoni me kuadrin politik e ideologjik të propaganduar nëpërmjet partishmërisë proletare. Fokusi i saj ishin prurje muzikore aktuale, po të kemi parasysh faktin se bëhej fjalë për autorë dhe vepra që ishin krijuar nga vitet ’40 deri në fillimin e viteve ’70. Këto prurje u trajtuan në një kontekst historik i cili duhej të kishte si pikë referimi kulturën e realizmit socialist. Zgjedhja e autorëve dhe këtu e kam fjalën sidomos për maketin Historia e muzikës shqiptare për shkollën e mesme të muzikës (përgatitur nga Spiro Kalemi dhe Sandër Çefa) nuk u përqendrua te profilet biografike, por mori për bazë veprën, të klasifikuar në disa gjini kryesore.[1]

Tekste të këtij tipi sot kanë vlerë dokumentare, për të studiuar mënyrën sesi artikulohej muzikologjia në raport me ideologjinë, por edhe për të kuptuar distancën e saj të madhe me zhvillimet e njëkohëshme të vendeve të tjera; përditësimet me autorë me emër, me qasje teorike, me debate akademike apo metodologji specifike. Prapëseprapë, ato vazhdojnë të mbartin gjithashtu edhe një vlerë njohëse informative, duke qenë se ende nuk kemi në dorë ndonjë variant të përditësuar manuali mbi historinë e muzikës shqiptare për nxënësit apo studentët e muzikës.

Nga aktiviteti i viteve ’70-‘80, do veçonim gjithashtu edhe disa artikuj të Spiro Kalemit, të botuar në revistat Nëndori, Kultura Popullore e Shkenca dhe Jeta. Kjo për shkak të një përpjekje ndoshta jo krejt të ndërgjegjshme, për të krijuar hapësira më pak të ngurta interpretimi dhe diskutimi, brenda një fushe thuajse krejtësisht të izoluar, dhe gjithaq të nënshtruar ideologjikisht. E tillë është puna e tij filologjike me dorëshkrimet e Franc Liszt-it, të ruajtura në Arkivin e Shtetit dhe që deri në vitin 1987 (viti i botimit të artikullit) ishin të panjohura për lexuesin. Po kështu, përmendim një diskutim të mbajtur në Aktivin Kombëtar të Kritikës, në vitin 1982. Te ky, shfaqet një qëndrim mjaft skeptik ndaj formateve të ngurtësuar dhe shpesh shabllone që prodhoheshin në faqet e shtypit.[2] Së treti, kemi disa artikuj që referojnë këngën qytetare shqiptare, kryesisht atë të Shkodrës, një qytet kulturën muzikore të të cilit ai e njihte në thellësi. Në argumentet e tij lexojmë një përpjekje për t’i dhënë hapësirë studimit dhe promovimit të gjinive muzikore urbane, të cilat ishin thuajse krejt në hije krahasuar me folklorin “autentik” të fshatit shqiptar dhe apoteozën e ngritur për të.

Marrëdhënia e një muzikologu si Spiro Kalemi me muzikën në Shqipëri mbetet gjithmonë ajo e një hulumtuesi e vëzhguesi të angazhuar.  Të kujton deri diku ata studiuesit eruditë që përbënin boshtin kryesor të muzikologjisë europiane të 1800-ës që punonin dhe kultivonin dijet e tyre jashtë kuadrit institucional (duke pasur luksin për t’u paguar në profesion të lirë). Edhe pa pasur një mundësi të tillë, Spiro Kalemi e alternoi punën individuale me profesionin e mësimdhënësit të muzikës. Kështu, pas një përvoje të shkurtër si pedagog në Institutin e lartë të Arteve, ai ndau kohën si mësues muzike në një shkollë 8-vjeçare të Tiranës me lëvrimin e kritikës dhe botimin e librave. Rezultati i kësaj pune kanë qenë shumë artikuj në shtyp dhe në periodikë. Vazhdoi ta bëjë një gjë të tillë edhe pas viteve ’90, me vendosjen në Itali dhe sërish duke alternuar mësimdhënien dhe angazhimet në Radio Vatikani, me disa kontribute monografike të botuara në shqip. Duket se ka krijuar në këtë mënyrë një lloj ishulli të vetin; i shkëputur, për shkak të distances gjeografike, nga zhvillimet aktuale të Shqipërisë në këto 25 vite, por pa këputur asnjëherë lidhjet intelektuale me fenomenet muzikore të saj.

Në botimet e tij të kësaj periudhë, mund të dallojmë dy prirje kryesore. E para është ajo e biografive të disa prej figurave më të rëndësishme të skenës muzikore: Marie Kraja (2001), Tonin Harapi (2003) dhe Prenkë Jakova (2006). Me një stil të qartë e kryesisht përshkrues, ai i mëshon anës së  personalitetit të tyre krijues dhe aktivitetit artistik. Nga biografitë, do veçonim atë të Prenkë Jakovës, (kompozitorit që sivjet i celebrojmë 100-vjetorin e lindjes). Ajo është më e plota në trajtimin e profilit krijues dhe njëkohësisht në burimet dokumentare të përdorura. Secila prej tyre ama mbetet pikë referimi për këdo që do të donte ta thellonte më tej punën studimore me ta.

Prirja e dytë ka një specifikë të vetën dhe mund të përshkruhet si një përpjekje e Spiro Kalemit për të vendosur një marrëdhënie tjetër me të shkuarën dhe më konkretisht me periudhën e komunizmit. Kjo qasje shfaqet fillimisht me trajta autobiografike tek libri Gjysëm shekulli muzikë: 1945 – 1995 (Tiranë 2012). Është një vëllim me mbresa dhe kujtime në trajtën e një memuari (memoire). Nëpërmjet tij autori na njeh me përvojat artistike, lidhjen me vendet ku jetoi e punoi, por edhe me  marrëdhëniet e tij me figurat qendrore të muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. Të rrëfyera në vetën e parë, por pa e tradhëtuar objektivitetin dhe vetëdijen profesionale në të shkruar, këto kujtime dhe mbresa i shërbejnë njohjes së dinamikave të brendshme të atij realiteti, në një përmasë më intime. Të sjella nga dikush që ka jetuar dhe ka kontribuar në mënyrën e vet edhe në bërjen e atij realiteti ato mbarin tipare të një lloj auto-etnografie, ku një vëzhgues pjesëmarrës, tashmë nga një distance kohore e mjaftueshme, merr përsipër të reflektojë mbi realitetin muzikor të viteve diktatoriale.

Edhe libri i dytë: Muzika në faqet e shtypit – 1970-1990 (Tiranë 2012) vijon në të njëjtin linjë, ndonëse ka një fokus tjetër. Bëhet fjalë për një antologji me artikujt e botuar prej Spiro Kalemit në faqet e shtypit shqiptar. Janë artikuj origjinalë, në disa raste të plotësuar edhe me pjesë që në botimet e para janë hequr nga redaktorët. Këto shkrimet që, sic vëren autori, shkruheshin “me porosi”, na njohin jo vetëm me aspekte nga jeta muzikore, por edhe me mënyrën sesi orientohej dhe reagonte kritika e publicistika ndaj saj. Kjo antologji shtron material në tavolinën e punës duke synuar të hapë shtigje interpretimi mbi periodikun muzikor; masën në të cilën shkrimet mund të çensuroheshin ose jo dhe raportet me artet e tjera. Duke i lexuar këto shkrime, po aq grishës është edhe krahasimi me situatën amorfe të kritikës mbi muzikën sot, në një shtyp pluralist vetëm në sipërfaqe.

Kjo prirje e Spiro Kalemit për të ripeshuar marrëdhëniet me të shkuarën ka vlerë të posaçme, sidomos në një kohë kur marrja në shqyrtim e muzikës shqiptare në periudhën e komunizmit përbën një domosdoshmëri për t’i dhënë kësaj disipline autonominë aq të nevojshme dhe për ta emancipuar nga dozat e forta të amatorizmit. Por ka vlerë gjithashtu sepse tregon sërish natyrën e angazhuar të një muzikologu për t’u përballur në mënyrë të vazhdueshme me përvojat e veta dhe për t’i shtruar për diskutim. Është pikërisht ky angazhim një nga mesazhet dhe vlerat më të çmuara të penës së Spiro Kalemit për këdo që e lexon, por sidomos për ata/ato që shkruajnë për muzikën.

 


[1] Maketi është botuar në vitin 1979. Po mbi të njëjtat parime, ndonëse pak më i zgjeruar ndërtohet edhe maketi për studentët e Institutit të Lartë të arteve (Tiranë 1984)

[2] Dy materialet mund të lexohen  në versionin e tyre të plotë të shkruar nga autori te antologjia Muzikanëfaqet e shtypit: 1970-1990, Tiranë, 2012

Rreth Autorit

Mikaela Minga është etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Merret me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik e mesdhetar, me muzikën në shek. XX dhe lidhjet e tyre të shumanshme në rrafsh artistik dhe social-kulturor. Është autore librash, esesh dhe artikujsh të ndryshëm.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin