KTHIME TË PAMUNDSHME

Galishtja e Wells-it ka një fjalë, hiraeth, të vështirë për t’u përkthyer, që e kanë parafrazuar si “mall për t’u kthyer në atdhe, të ngjyrosur me trishtim për çfarë është humbur ose ka vdekur”; dhe e kanë krahasuar me portugalishten saudade. Urban Dictionary, duke e përkufizuar, vëren se nuk është thjesht “mall për atdheun” (homesickness), por edhe shprehje e lidhjes që dikush ndien për vendin e vet, kur është larguar që andej. Një parafrazim më ambicioz e jep Pamela Petro, te kjo eseThe Paris Review në shtator të vitit 2012; ku thotë mes të tjerash se ky lloj malli për vendin tënd parakupton që vendi yt nuk është ashtu siç duhej të ishte; prandaj është “një dëshirë e parealizueshme për një vend, një person, një figurë, madje edhe një histori kombëtare që mund të mos kenë ekzistuar kurrë vërtet. Të ndiesh hiraeth është të ndiesh një paplotshmëri të thellë dhe ta njohësh atë si diçka familjare.” Shkrimtari Lance Olsen ([[there.]]) e shpjegon hiraeth si “mall për një vend ku nuk mund të kthehesh dot më,” çfarë më sjell menjëherë ndërmend dramat e të ikurve për arsye politike, që e kanë kaluar pastaj jetën me dhimbjen e pamundësisë së kthimit: një emër mes të tjerësh, mbi të tjerët: Martin Camaj, i cili e ka shprehur këtë te Dranja, një vepër që, idealisht, mund të shërbente edhe si ilustrim perfekt për fjalën e galishtes. Në këtë kontekst, hiraeth do të shërbente si kundërpesha virtuale e gjestit të shumë prej refugjatëve të 2 korrikut 1990, të njohur më pas edhe si “dykorriksat”, dhe që, para se të hipnin në tragetet që do t’i çonin gjetiu, u ulën në gjunjë dhe puthën tokën e Shqipërisë – me bindjen, frikën dhe tmerrin se nuk do ta shihnin më; pa çka se vetë ikja e tyre aq e pagjasë e përgatiti rrëzimin e regjimit totalitar vetëm pak muaj më pas. E megjithatë, hiraeth nuk mund të shkëputet nga mitologjia e kthimit, qoftë edhe vetëm si hipotezë a si mundësi abstrakte ose teorike; njëlloj sikurse malli për të një prind a të afërm që na ka vdekur e parakupton pamundësinë për t’i parë këta sërish dhe për t’i përqafuar dhe shkëmbyer dy fjalë me ta. Tek e fundit, nuk dimë ç’do të kish ndier Camaj, po të ish lejuar të kthehej në Shqipëri, të paktën në vitet kur shkroi Dranjen; çfarë do të kish të përbashkët përvoja e tij në përballje me realitetin e bjeshkës dhe kujtimi i tij për Shqipërinë, tashmë i marinuar në imagjinatën e ndezur dhe i mumifikuar nga erëzat dhe aromat e dëshirës; njëlloj sikurse nuk e marrim dot me mend, se çfarë ndjeu Uliksi pasi u kthye në Itakë dhe u “risistemua”, ose fill pas vargut të fundit të poemës së Homerit. Thënien e Heraklitit, se nuk mund të lahesh dy herë në të njëjtin lumë, tani mund ta riformulonim kështu: kthimi është i pamundshëm, si kthim. Oscar Wilde pat vërejtur një herë se muzika është mall për diçka që nuk e kemi njohur kurrë, për një jetë që nuk e kemi jetuar, për një përvojë kyçe por që nuk ka qenë jona, ndoshta që nuk mund të jetë jona. Prandaj asnjë i ikur nuk mund të kthehet dot më mirëfilli; sepse malli e transformon edhe dëshirën, edhe objektin e dëshirës, madje edhe atëherë kur realiteti vetë mbetet praktikisht i ngrirë në dyllë a në qelibar. Për shembull, mua më kap shpesh malli për Romën dhe për Napolin, dy qytete ku kam jetuar relativisht gjatë; dhe kur jam kthyer aty, gjithnjë kam mundur të dalloj midis qytetit, që në thelb nuk ka ndryshuar, dhe vetes sime si përjetues, që tashmë sjell edhe kujtimin e mallin e dikurshëm me vete, përveç bagazhit tjetër. Por Koloseu dhe Piazza Navona dhe Terme di Caracalla, për të mos dalë nga Roma, nuk kanë ndryshuar, madje tani më shërbejnë si metër për të matur shndërrimet brenda meje; sikurse nuk ka ndryshuar parfumi i përmallshëm i kafesë së bluar freskët, përzier me gjalpë të djegur, vanilje dhe kakao, që shpërhapet nga dyert e bareve në mëngjes herët. Megjithatë, hiraeth mbetet brenda meje, lëmsh në fyt; sepse më konstituohet si mall për veten time të atëhershme, që mund ta kem humbur. Në Tiranë, përkundrazi, më ndodh tjetër gjë: qytetin me zor të madh e rigjej, për faj të ndërtimeve të reja të gjeometrive të reja të fytyrave të reja, dhe sidomos të çfarë është shkatërruar; në thelb shumë nga skenogramat e jetës sime të atëhershme, një thelë trotuari e prerë përgjysmë nga hija, parapeti i një vitrine, një rrugicë gungaçe mes pallateve, një lloj ndriçimi i pjerrët pak i kaltër, një lloj kundërmimi i athët nga tymi i sobave në dimër, dhe ajo ndjesi e lajmëruar nga nikotina, se gjithçka përnjëmend domethënëse po ndodh mu përtej murit që ta mbyll eksperiencën, për të ta mbrojtur, kushedi për të të mbrojtur edhe ty. Ndoshta për shkak të këtij transformimi në përjashtësi, ia lejoj vetes ende iluzionin ngushëllues se unë nuk paskam ndryshuar, ose të paktën jo dhe aq; në vendin tim të dikurshëm nuk kthehem dot, sepse ai nuk ekziston më, që të presë për mua. Diçka të ngjashme, por të amplifikuar kushedi sa herë në dhimbje, do të ndiejnë çamët sot, kur u qëllon të vizitojnë qytetet dhe fshatrat të kahershme, prej nga i dëbuan; ngjashëm me italianët e Dalmacisë, me gjermanët e Sudeteve dhe të Vollgës, me grekët e Azisë së vogël dhe myslimanët e Greqisë, me tatarët e Krimesë e kushedi ç’popuj të tjerë, që rrethanat historike i kanë detyruar ta ringrenë shtëpinë e vjetër në mall, në hiraeth; dhe të tjerë që do të detyrohen, si sirianët sot; për disa mallkim, për të tjerë bekim, për të tjerë akoma mesazh ose shenjë.

4 Komente

  1. Dhe te mendosh se me sa gezim iken njeriu ne fillim nga vendi i vet. Sa e keqkupton se cfare ka vertet rendesi.

  2. ai gezimi me te cilin iken, eshte po aq i vertete sa pezmatimi e kerkimi i se shkuares dhe vetes, dhe nuk eshte as ai nje gabim. Nuk eshte padija qe ta jep ate gezim, por nje gjendje e ndryshme e rrethanave.

  3. Kjo lloj brenge, apo cfardo ta quajme, si shume englendishem kalon ne kete shkrim! Me duket se kjo lloj brenge i copeton ca shpirtera, biles shume, por nuk shfaqet nga emigrantet, ose shperlaqet padashur e perzier me snobizem.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin